Astrit Delvina –
Shkrimtari antikomunist që nuk e pa kurrë lirinë…!
Astrit Delvina
mbetet figura më e dashur për mua…
Ai qe njeriu që jetoi në dy kohë, atë të rinisë: si përhapës i dijes (Revista Bleta);
dhe më pas… si vuajtës në të gjitha format e vuajtjes njerëzore.
Sa herë e kujtoj Atë gjithmonë ndjej dhimbje:
pse shihja tek ai Njeriun që do të çonte përpara jetën tonë shoqërore e kulturore;
se ishte energjik dhe me sy në të ardhme,
i përndjekur pa pra, dhe me një fund tërë vuajtje,
në kohën kur duhej të gëzonte sado pak.
Do ta kujtoj përherë si opozitarin e paepur,
si njerëzorin fisnik, si qytetar dhe si intelektual,
pra si Njeriun që na nderon me vetitë që shumë prej të ngjashmve të tij i braktisën
në atë muzg konforti të vogël, siç qe periudha e komunizmit…
Leka Tasi, 2 shtator 2015
(Flasin për shkrimtarin Astrit Delvina:
hulumtuesi Sherif Delvina,
botuesi dhe studjuesi Ndricim Kulla,
e bija, që e njohu fare pak të atin Manila Delvina)
Shkrimtarët që i kanë mbijetuar kohës së komunizmit janë të shumtë. Disa prej tyre kanë marrë famë jo vetëm në vend, por dhe jashtë tij. Ndër këta mund të përmendim Arshi Pipën, Bilal Xhaferin, Visar Zhitin etj. Ka edhe shkrimtarë të tjerë, që nuk janë ende të njohur për publikun shqiptar. I tillë është Astrit Delvina, një ndër emblemat shqiptare të luftës kundër komunizmit. Faktikisht ai është shumë pak i njohur për publikun shqiptar si shkrimtar, dhe kjo për arsye se ka qenë gjatë gjithë kohës i internuar dhe i burgosur në burgjet komuniste. Si për ironi të fatit, ai u nda nga jeta në vitin 1990, kur diktatura komuniste në Shqipëri ra. Disa prej veprave të tij ai i ka shkruar në burg dhe ato janë zhdukur. Këto arsye e kanë lënë në hije shkrimtarin Astrit Delvina. Për t’u njohur më mirë me jetën dhe me veprat e tij, kam përgatitur një intervistë me të afërmit e tij: Sherif Delvinën (kushëriri) dhe Manila Delvina (vajza), si dhe me shkrimtarin Ndriçim Kulla. Pothuajse në të gjitha historitë e tij gjejmë diçka të papërfunduar, diçka të mistershme, që askush nuk e rrëfen deri në fund nga jeta e tij. Në emisionin “Rrno për me tregue” të gazetarit Nebil Çika ne Shijak TV ishin të ftuar i afërmi i Astrit Delvinës, Sherif Delvina, dhe studiuesi e botuesi i tij Ndriçim Kulla. (Nebil Çika)
-Profesor, familja Delvina është një familje e madhe e kombit dhe popullit shqiptarë. Ju jeni një nga pinjollët e familjes Delvina, mund të na thoni dy fjalë për familjen tuaj.
Sherif Delvina – Astrit Delvina është simbol i inteligjencës, i luftës kundër komunizmit. Ai ishte një kundërshtar i rrepte i komunizmit. Rrjedh nga familja Delvina. I ati i tij ishte Namik Delvina, patriot i shquar i penës dhe i pushkës. Ai ka qenë njeri i gazetës, i dramës, i propagandës së madhe për çlirimin e atdheut. Derisa vdiq ishte me ide republikane, të cilat i trashëgoi edhe Astriti, që ishte republikan i vendosur si i ati. Po nga kjo familje është edhe Suljeman Delvina, i cili është xhaxhai i Astrit Delvinës. Namik Delvina, babai i Astrit Delvinës, ishte kushëriri i parë me Faik Konicën. Po t’i shikosh, shumë figura të kësaj familjeje kanë farefisni me figura të shquara të Shqipërisë. Nga kjo familje ka dalë Shahin Delvina, një figurë qendrore e Kuvendit të Beratit, krah i djathtë i gjyshit të Ismal Qemalit. Sulejman Delvina e ka bustin në Delvinë. Shkolla në Delvinë ka emrin e Namik Delvinës. Astriti mori ndjenjat demokratike të karakterit të tij nga kjo familje, por ai kishte edhe një drejtim romantik. Kishte disa gjëra të bukura në veprat e tij, që kishin shtigje origjinale filozofike, estetike, një shkrim të veçantë, të bukur dhe interesant.
-Zoti Delvina, do të flasim për Astrit Delvinën pak më vonë. Tani do të doja që zoti Kulla të na thotë dy fjalë për familjen Delvina, meqë është vetë me origjinë nga Delvina dhe studiues i kësaj familjeje?
Ndriçim Kulla – Duke pretenduar se unë jam një ndër 3-4 veta që e njohim mirë këtë figurë, mund të them se di t’i kërkoj mirë rrënjët e këtij personaliteti. Si i gjithë brezi im, edhe unë kisha shumë pak njohje mbi këtë dinasti patriotike, fetare dhe intelektuale. E kam fjalën për dinastinë Delvina, për të cilën, fatkeqësisht, nuk flitet shumë. Jo e folur për të bërë lapidarë, por rikthimi te këta lloj njerëzish. Duke kuptuar përmasat e tyre, frymëzohesh që ta duash më shumë këtë vend, ashtu siç e kanë dashur edhe ata. Nga kjo familje mësoj se në brendësi të saj nuk është vetëm Namiku, Sulejmani dhe Astriti. Është dhe shkrimtari dhe patrioti i madh shqiptarë Faik Konica, është studiuesi dhe miku ynë i përbashkët Sherif Delvina, i cili është një personalitet që do ta krahasoja me “një ushtar të panjohur”. Ai punon, rrëmon nëpër biblioteka me një modesti të tepruar, i cili nuk pranon të flitet për të me titullin “profesor”. Puna e tij ka qenë shumë e madhe për të ndriçuar figurën e Astrit Delvinës. Falë tij ne kemi njohur figurën e Astritit, sado që ende jo plotësisht. Mendoj se në këtë familje është frymëzuar edhe Astriti, pra në familjen e Namik Delvinës. Në këtë shtresë të fortë patriotike, në këto rrënjë ai ka gjetur frymëzimin e tij, ka krijuar raportin e dashurisë me vendin e tij. Ai nuk ishte një romantik, ishte një idealist, sepse kishte pasur edhe mundësi të tjera për të qëndruar në Bolonjë, ku kreu studimet, por u kthye për të veshur “uniformën e patriotit” të mirë, të atdhetarit të mirë, të intelektualit, për të realizuar misionin e tij të brendshëm, për t’i shërbyer atdheut të tij të dashur.
Kjo ishte sa për t’i krijuar opinionit publik se cila ishte familja Delvina. Kam mendimin se një pjesë e mirë e shqiptuarve e njohin, por komunizmi dhe periudha e postkomunizmit i kanë lënë në hije të plotë. Ka ardhur koha që ne duhet të përmendim ata që kanë ngritur këtë komb, këtë shtet.
-Zoti Delvina, mund të na thoni ju se cili ishte Astrit Delvina? Mund të na bëni një biografi të shkurtër të tij?
Sherif Delvina – Një biografi të shkurtër A. Delvina e kam bërë në një faqe që e kam marrë nga romani “Bijtë e Tantalit”. Për këtë roman që ka shkruar ai, është arrestuar në vitin 1951. Romani është rishkruar në vitet 1957-1958 dhe më pas është arrestuar përsëri. Nga ky roman nuk janë gjetur më shumë se 60 faqe, që i kam edhe unë. Aty shkruhet për jetën e tij si gjimnazist në vitet 1938-1939. Më pas për jetën e tij në universitet në Bolonjë në vitet 1939-1943. Në përshkrimet e bëra në këtë libër ai i jep shumë rëndësi shkencës. Ai thoshte se shkenca e shpëton njerëzimin, ndërsa arti e bën të mirë. Më pas në këtë libër, “Bijt e Tantalit”, përshkruhet kthimi në atdhe në vitin 1943, dhe tregohet veprimtaria e tij nëpër gazeta në vitet 1943-1944. Në vitet 1951-1955 ai ka bërë burg. Në vitet 1955-1957 punë e pa punë. Në vitet 1957-1967 është i internuar në Levan dhe Libofshë dhe punon atje si ndihmësmjek, gjithmonë i vëzhguar nga Sigurimi. Në vitet 1967-1976 burg përsëri.
-Faleminderit, zoti Delvina! Tani do të doja të pyesja zotin Kulla: cili është mendimi juaj si botues, por dhe si studiues i letërsisë për A. Delvinën, nga ana profesionale, nga ana sociale dhe nga ana filozofike?
Ndriçim Kulla – Nga ana ime si botues më është dashur shumë të merrëm me mendimtarët shqiptarë të censuruar, të ndëshkuar dhe të dënuar nga diktatura. Njëri nuk i ngjante tjetrit, se pa dashur jam bërë pjesë e biografisë së tij. Astriti në memorien time ka mbetur tërësisht i veçantë, sepse, ndryshe nga shkrimtarët e tjerë të kohës, si Anton Arapi, Arshi Pipa, etj., e dënoi idealizmi. Që në fillim u ndesh me diktaturën. Nga vepra në vepër fillova të kuptoja jetën e tij. Veprat e tij, sidomos biografia e tij, është shembulli i qëndresës së një njeriu të paepur. Dua të them se u ngjate shkrimtarëve të huaj me famë botërore. Unë mendoj se duke rënë në gjurmët e tij kam kuptuar se gjysma ose më shumë e veprës së tij është zhdukur. Kjo është tragjike. Nëse do të donim të krahasoheshim me vendet e tjera lindore të bllokut komunist, do të thosha se metafora e saj është Astrit Delvina. Do të doja të përmendja romanin e tij që është në fletore, në 5-6 fletore, me titull “Globi në rrjetë”, ku ai shkruan se “po e ndërpres romanin, sepse erdhi polici”. Ai nuk mund t’u kthehej romaneve të tij, pasi ky njeri ka qenë gjithë kohës i survejuar nga diktatura. Unë nuk dua të krijoj një legjendë, por mendoj se ky njeri duhet nxjerr në pah, duhet trajtuar në mënyrë specifike, të veçantë, ekstra qeveritar.
-Një nga gjërat që ndoqëm ishte edhe gjetja e veprave të tij në Arkivin e Sigurimit të Shtetit. Zoti Delvina, mund të na thoni dy fjalë për persekutimin e tij dhe për punën tuaj kërkimore për gjetjen e veprave të tij në Arkivin e Sigurimit të Shtetit?
Sherif Delvina – Para se të nis të flas për persekutimin e tij, dua të them se Astriti karakterizohej nga një rrëfim shpirtëror, nga një bisedë me vetveten, nga një monolog i brendshëm metaforik dhe vetë romani, siç thoshte Astriti në romanin “Humnera e Plutonit”, “është një ndërtesë e ëndrrave të mia në mes të vuajtjes së jetës sime”. Romani “Humnera e Plutonit” është gjetur në arkivat e shtetit dhe është shkruar përpara vitit 1951. “Humnera e Plutonit” nuk pati jetë në atë kohë, se u arrestua disa herë. Astriti është një talent i rrallë në letërsinë moderne shqipe, ndaj do kujdes të veçantë për t’u studiuar.
-Pjesa më e madhe e materialeve të tij është marrë nga arkivat e shtetit, pasi nuk ka pasur materiale të tjera. Aty përveç veprave të tij letrare del dhe një pjesë e persekutimit të tij. Nga kjo çfarë, mund të veçoni nga ballafaqimi i tij me diktaturën?
Ndriçim Kulla – Ndryshe nga të tjerët, që kishin një konflikt të egër me diktaturën, Astriti kishte një sfidë me të. Ai ishte koshient për oktapodin që kishte mbërthyer Shqipërinë dhe kishte një qetësi që mund ta ketë vetëm një njeri me nivel kulturor si Astriti. Ai ndiente se kishte fuqinë brenda. Nuk kishte frikë të ndeshej me diktaturën, pasi ndiente se kishte fuqinë e mendjes. Ai jetonte me universin, e tij që e mrekullonte, pavarësisht nga vuajtjet fizike që kishte pasur. Kjo gjë më bën përshtypje tek ai. Nëpërmjet veprës së tij ai tregonte mënyrat që përdorte diktatura për t’i futur njerëzit në programet e kurthit që kishte krijuar. Astriti ishte njeri i shënuar që në fillim me prirje liberale, me prirje demokratike dhe që në fillim atij iu përgatit qelia. Ai ishte i ndërgjegjësuar se çfarë do të ndodhte dhe në gjyqet e tij ai kishte dalë hapur. Ndryshe nga të dënuarit e tjerë politikë, ai bënte konflikt me sistemin diktatorial.
Ky njeri e shpreh qartësisht kundërshtimin e tij, gjë që shpjegon në veprën e tij letrare.
-Dy fjalë, ju lutem, për këtë, ku përfshihet edhe “Humnera e Plutonit”.
Sherif Delvina – Libri “Humnera e Plutonit” është i përbërë nga tri pjesë. Kur e mora unë si dorëshkrim, pjesa e tretë mungonte. Nga materialet që kam gjetur në arkivat e shtetit, në ekspertizën letraroligjore që i është bërë veprës, kam mundur ta rindërtoj pjesën e dytë. Në atë ekspertizë që i është bërë veprës, Astrit Delvina del hapur kundër diktaturës, kundër luftës së klasave. Ky është një rast i rrallë i dokumentuar në arkivat e shtetit. Në vitin 1951, kur Astriti hyri në burg, shkrimtarët e tjerë bënin vjersha për Stalinin, sepse ai doli hapur kundër regjimit të kohës. Veç këtyre ai ishte një njeri që spiunohej nga shumë persona.
-Me gjithë këtë vuajtje, gjithë këtë qëndrim heroik që ai ka bërë, me gjithë këtë kundërshtim të rrallë në të gjithë Europën Lindore të diktaturës, ka një mohim, ka një heshtje, ka një injorim, që herë-herë më duket si i qëllimshëm. Cili është mendimi juaj si një njeri i letrave, zoti Kulla?
Ndriçim Kulla – Unë këtë pyetje ia bëj edhe vetes, sepse kam krijuar një raport në aspektin sentimental, por dhe në raportin kulturor dhe njerëzor. Kur lexoj romanin filozofik “Globi në rrjetë”, më frymëzon, më emocionon. Ky është një roman i papërsëritshëm në letërsinë shqiptare, një roman ku gjen çdo gjë. Edhe romani “Ëndrra me ngjyra” i kësaj kategorie është. Aty ka dhënë një paralelizëm ndërmjet vajzës që dashuroi në Bolonjë dhe asaj që përjetoi në diktaturë.
-Problemi qëndron se për këtë njeri nuk është bërë një emision. Nuk ka ngelur njeri pa dalë, pa krijuar alibi, pa krijuar legjenda nëpër emisionet tona. Si mendoni, cila është arsyeja?
Ndriçim Kulla – E para është xhelozia, cinizmi, ndoshta e kanë dhe me familjen Delvina. Mund të duket e tepruar. Ka një linjë në opinionin publik të stimuluar nga shkrimtarë. Nëse ka shkrimtar që del hapur kundër regjimit, ky është Astrit Delvina.
-A shkon ky qëndrimi i Astritit kundër kësaj linje që mundohet të mohojë disidencën dhe qëndrimin e intelektualëve shqiptarë?
Ndriçim Kulla – Ai nuk është futur në burg se kishte krijuar klane apo kishte ambicie për pushtet. Ai është futur disa herë në burg prej veprave të tij. Kjo është pasuria e vërtetë e gjuhës shqipe. Veprat e tij janë flori. Biografia e tij është flori. Kjo është vlerë. Neve na duhet biografia e tij që ta demonstrojmë, që të themi se në kemi pasur disident. Ta përkthejmë biografin e tij, të marrim dorëshkrimet, pasi janë dëshmia më e gjallë. Të bëjmë ekspozita me to, që të tregojmë se kemi pasur disidentë të vërtetë. Këtu kemi të bëjmë me vlera letrare, por dhe me vlera biografike të papërsëritshme. Ne nuk kemi qenë kokulur në diktaturë, siç na paraqitnin deri në vitin 1991. Ky ka qenë një kundërshtar i qartë i regjimit komunist. Ky mendoj se duhej të kishte një lapidar e jo një nderim, por kjo s’mund të vijë pa botuar veprat. Besoj se kjo që po bëjmë ne do të ndihmojë sadopak që të shkojë në veshin e shtetit ose të atyre që kanë paratë.
-Dua të kaloj në një pjesë tjetër të Astritit, që është pjesa humane e tij. Është një intervistë e bërë me bijën e tij Manila Delvina.
Manila Delvina – Kujtimet e mia për babain tim janë shumë të pakta, sepse fati e deshi që unë të mos rritesha me të. Ai u arrestua për tentativë arratisjeje dhe propagandë kundër regjimit. Është për të qarë dhe për të qeshur me këtë. Kam disa kujtime nga fëmijëria. Më kujtohet kur vinte në Durrës të më merrte. Kishte dhe një dajë atje. Ai më thoshte se, kur unë flija, babai më rrinte sipër dhe më shihte. Mbaj mend pak dhe kohën kur punonte si mjek në Libofshë dhe unë kam shkuar dhe kam ndenjur atje 2-3 javë. Këto kanë qenë kohët ku kam ndenjur më gjatë me të. Rastet e tjera kanë qenë sporadike, pasi vetë jeta na ndau. Ai ka qenë jashtë rrethit të Durrësit, në Libofshë, pastaj në Levan, ndërsa unë ndenja në Durrës. Më ka munguar shumë. Këtë mungesë e kam ndier sidomos në moshën e fëmijërisë. Kam ndier mungesën e prindit mashkull. Mbas vitit 1990, jam interesuar shumë, por mendoj se ai nuk është gjallë që t’i shohë veprat e tij dhe të kënaqet. Do të ishte shumë më mirë që të kishte jetuar edhe disa kohë dhe t’i shihte në dritë veprat e veta. Falënderoj shumë zotin Ndriçim Kulla. Ai është interesuar shumë për të. Unë kam pasur kontakte vetëm me atë. Ka bërë një punë shumë të madhe së bashku me kushëririn e babait tim, Sherif Delvinën, për t’i deshifruar shkrimet e tij, pasi ato kanë qenë dorëshkrime. Nuk kanë qenë të shtypura, por të shkruara me dorë. Ndihem shumë krenare për atë, por më vjen shumë keq që nuk është babai që ta gëzonte këtë. Ai e kishte pasion shumë shkrimin. Krahas mjekësisë, që e donte shumë, kishte pasion dhe shkrimin, se nuk është e thjeshtë të jesh edhe mjek i mirë, edhe shkrimtar i mirë. Kur është arrestuar im atë në vitin 1967, isha në vitin e dytë të fakultetit. Donin të më ndërprisnin studimet, por më mbrojtën dy komunistë, për të cilët unë kam respekt. Ata folën fjalë të mira për mua dhe familjen time. Në disa libra që ka shkruar ai, në fund shkruante: “Poshtë komunizmi!”. Kur u ndanë prindërit, mami nuk donte t’ia jepte, por ai i mori. Kur e arrestuan, lexuan te librat: “Poshtë komunizmi!”. Im atë thoshte se, kur e çuan në gjykatë për t’i analizuar librin, kishin vënë një ekspert për këtë punë. Eksperti përpara gjykatësve fliste kundër, ndërsa mbrapa i thoshte “sa bukur e ke shkruar”. E pyeste se “çfarë horizonte ke, çfarë imagjinate ke”. Mbaj mend një gjyq që i kanë bërë. Ai e bllokoi prokurorin me argumente. Prokurori përpiqej që ta shtypte, që ta hidhte poshtë, por ai e kundërshtonte me argumente. Ishte i bindur në idetë e veta. Ai e donte shumë jetën.
-“E donte shumë jetën”, – thotë e bija e shkrimtarit. Me gjithë vuajtjet, me gjithë përplasjet, përsëri ai e donte shumë jetën. Diçka për dimesionin human, dimensionin njerëzor të zotit Astrit Delvina?
Sherif Delvina – Astriti thoshte se, pavarësisht se jam 60 vjeç, gjithmonë ngelem adoleshent. Arrinte deri aty sa thoshte se “kam uri për dashuri”. Vepra e pabotuar e Astritit duhet patjetër të nxirret. Që të nxirret, duhet të kontrollohet në çdo hetuesi, në çdo arkiv, sepse atje duhet t’i gjejmë ato që janë zhdukur. Janë romane, janë tregime të bukura, të cilat janë sekuestruar. Është mirë që Astriti të hyjë në programet shkollore. Fëmijët do të flasin për diktaturën. Astriti thoshte se jeta duhet të drejtojë ideologjinë dhe jo ideologjia jetën, sepse është tirani, si në Shqipëri, që ideologjia drejton jetën. Pra, Astriti ishte një njeri që punonte shumë kundër diktaturës, pra ai duhet të futet në programet shkollore.
-Zoti Kulla, doja të kaloja përsëri te dimensioni human i Astritit. Pra, aspekti human sa vlen tek ai, duke e lidhur edhe me intervistën me bijën e tij?
Ndriçim Kulla – Shiko, unë nuk kam jetuar me atë sa ka jetuar Sherifi, ndaj këtë dimension nuk mund ta them me saktësi. Komunizmi në Shqipëri ishte një sistem i egër. Dhunonte të drejtat e njeriut, e mbante njeriun nën trysni. U privonte të drejtën njerëzve për t’u shkolluar, nga e drejta për të jetuar në kushte reale. Astriti dilte nga këto dhe i bënte opozitë sistemit, dhe këtë e bënte në emër të një shpirti të madh social. Unë nga librat që kam lexuar, sidomos nga libri “Ëndrra me ngjyra” e sidomos nga libri “Globi në rrjetë” jam mahnitur. Më kanë lënë mbresa, më kanë mbarsur me kulturën, me kthjelltësinë. Me zgjidhjen që ai jep, kam kuptuar se ky njeri merr në mbrojtje anën sociale, merr në mbrojtje vuajtjet e këtyre njerëzve. Ai nuk u jep këtyre mëshirë, por i merr qartësisht në mbrojtje këta lloj njerëzish dhe u bën apologji individëve të frustuar nga sistemi diktatorial. Kjo më duket si një dimension social që demonstronte ky shkrimtar.
-Për ta mbyllur, ju keni disa vepra në botim veç atyre që janë botuar. A ka ndonjë shpresë që romanet e zhdukura të botohen?
Ndriçim Kulla – Unë kam një libër që është më voluminozi, “Kalimi i Rubikonit”, rreth 400 faqe. Është një punë e mundimshme. Ka njerëz që mendojnë se “këta janë çmendur që merren me një njeri të pa njohur”. Ndryshe nga shkrimtarët e tjerë të diktaturës që jetuan, Astriti vdiq. Ai nuk pati mundësi që të shihte dhe t’i botonte veprat e tij. Përveç këtij libri unë me Sherifin po punojmë për një libër tjetër. Ai është libri që do të botohet së shpejti. Është bërë puna më e madhe. Ne i marrim veprat, i fotokopjojmë, i zmadhojmë dhe i deshifrojmë. Këto vepra mund t’i deshifrojë vetëm një njeri si Sherifi. Ne edhe mund t’i plotësojmë ato. Pra, është një punë heroike në kuptimin e vërtetë të fjalës.
-Të shpresojmë që me këtë bisedë të ndikojmë sadopak në promovimin e tij. Të nderuar zotërinj, faleminderit që ishit sonte këtu me mua!
Marrë nga libri “ Zëra të Mbijetesës” i Nebil Çika (i Riu)