back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Jeta dhe vepra e Xhorxh Gordon Bajronit (22 janar 1788 – 19 prill 1824)

Gazeta

Georg Gordon Byron (1788-1824)
Georg Gordon Byron (1788-1824)

Jeta dhe vepra e Xhorxh Gordon Bajronit

(22 janar 1788 – 19 prill 1824)

“Të rreptë bijt’ e Shqipes! Po vetite
nuk u mungojnë; veç t’ishin ca më t’arrira;
armiku ua pa kurrizin ndonjëherë?
Kush si ata e duron mundimin e luftës?
Shkëmbinjt’e tyre s’janë më të patundur
Nga ata në çast rreziku dhe nevoje:
Ç’armiq për vdekje, po sa miq besnikë!
Kur besa a nderi i thërret të derdhin gjakun,
Si trima turren ku t’i çojë i pari i tyre.”
“Çajld Haroldi” – Georg Gordon Byron
.
Xhorxh Gordon Bajroni lindi në Londër më 22 janar 1788, në një familje aristokrate të rënë nga vakti. Mësimet e para i mori në Aberdin. Më 1801, në Harrou studioi gjuhët greke e latine, historinë dhe letërsinë angleze. Më 1805 filloi studimet në universitetin e Kembrixhit. Më 1809 zuri vendin e tij në Dhomën e Lordëve, ku u shqua për idetë përparimtare. Po këtë vit ndërmori një udhëtim nëpër Europë, dhe shkroi Çajld Haroldin. Në vitin 1823 Bajroni u nis për në Greqi ku u bë frymëzues i luftës për pavarësi kombëtare të Greqisë kundër turqve. Nuk arriti të shikonte çlirimin e saj sepse u sëmur nga ethet dhe vdiq në Mesolongj më 19 prill 1824 në moshën 36-vjeçare. Veprat e tij kryesore janë: vëllimet poetike “Vargje që arratisen” dhe “Orë përtacie”; vjershat Ëndrra, Errësira, Prometeu; poemat Gjauri, Nusja e Abidosit, Korsari, Lara, Rrethimi i Korinthit dhe Parisina etj. Ishte poeti dhe satiristi anglez, personaliteti dhe poezia e të cilit pushtoi imagjinatën e Europës; emri i tij u bë simbol i melankolisë më të thellë romantike nga njëra anë, si dhe i aspiratave të liberalizmit politik, nga ana tjetër.
.
Georg Gordon Byron
Georg Gordon Byron

Rreth poemës Çajld Harold – Bajron

Poema “Çajld Harold” u botua pjesërisht për herë të parë në mars 1812 dhe njohu sukses të menjëhershëm. Autori në të përshkruan shtegtimin e heroit në vende ekzotike duke shprehur fuqimisht zhgënjimin dhe melankolinë e epokës pasrevolucionare.
Këngët e Çajld Haroldit janë shkruar në periudha të ndryshme të krijimtarisë poetike të Bajronit. Këngën e parë filloi ta shkruajë në tetor 1809 dhe ajo mbart përshtypjet e udhëtimit të tij nëpër Spanjë, Portugali e Shqipëri. Nga këto vende Bajroni, i njëjtësuar me Çajld Haroldin, nis rrugëtimin e tij të gjatë. Në Shqipëri ai u mirëprit nga Ali pashë Tepelena dhe prej këtej kaloi në Greqi (kënga e dytë). Në këngën e tretë, shkruar më 1816, heroi viziton Vaterlonë pas betejës dhe flet për Gjermaninë e Zvicrën. Poema mbyllet me këngën e katërt, në të cilën Bajroni i dërgon një letër mikut të tij Hobhaus, ku ndër të tjera i tregon për Italinë, vend me të cilin mbyll poemën. Ky botim është përkthim i ri i kryeveprës bajroniane dhe ka një risi estetike e cila shprehet në qëndrimin besnik ndaj origjinalit.
(Përktheu Napoleon Tasi)
.
Ali Pasha dhe Bajroni  (pikturë nga Qamil Prizreni)
Ali Pasha dhe Bajroni (pikturë nga Qamil Prizreni)

Rreth poemës Gjauri – Bajron

Për të shkruar poemën Gjauri, Bajroni u frymëzua nga një gojëdhënë turke që e dëgjoi rastësisht prej gojës së një rapsodi popullor. Në të, varg pas vargu rrëfehet historia e një skllaveje turke, e cila e akuzuar nga pronari i saj për pabesi u ekzekutua duke e hedhur në det të gjallë, mbështjellë me një çarçaf të qepur mirë përreth trupit, sipas zakonit mysliman të asaj kohe. Por autori nuk mjaftohet me kaq, ai vazhdon rrëfimin interesant duke përshkruar edhe reagimin e të riut venecian (dashnorit të saj), i cili më në fund arrin të hakmerret për vdekjen e saj tragjike.
(Përktheu Napoleon Tasi)

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.