back to top
-0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Kuvendi i Vlorës, pjesëmarrësit dhe firmëtarët e Aktit të Pavarësisë studim nga Aleksandër Meksi

Gazeta

Shpallja e Pavarsise (foto1913)
Nji vjetori i Shpalljes së Pavarsisë (foto 1913)

Kuvendi i Vlorës,

pjesëmarrësit dhe firmëtarët e Aktit të  Pavarësisë*

studim nga Aleksandër Meksi

Kuvendi i Vlorës dhe Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, një ngjarje madhore për popullin tonë, kanë tërhequr gjithnjë vëmendjen e studiuesve  por edhe të publikut të gjerë, për rëndësinë dhe përmbajtjen historike, si mbledhja që hodhi themelet e krijimit të shtetit shqiptar, të Shqipërisë së “mosvarme”, siç e thotë vetë Deklarata e Shpalljes së Pavarësisë.
Jashtë çdo dyshimi; janë kryer studime dhe publikime të shumta për këto ditë historike,  Kuvendi i mbajtur nga 28 nëntori deri në 7 dhjetor 1912 njihet nga botimi qysh në vitiv 1914  i proces-verbaleve të shtatë ditëve të tij në gazetën e Qeverisë së Vlorës “Përlindja e Shqipërisë” drejtuar nga Dhimitër Beratti1) dhe për ribotimin pas tij nga Lef  Nosi në fletoret e tij “Dokumenta Historike” nr.1(1924)-12(1925).2)
Të dy këta burra të shquar kanë qenë pjesëmarrës të Kuvendit qysh nga dita e parë dhe njëherazi dhe firmëtarë të Aktit të Pavarësisë. Më vonë, janë të shumtë studiuesit që u muarrën me Shpalljen e Pavarësisë dhe aspektet e ndryshme të kësaj ngjarje të madhe për historinë e popullit shqiptar. Ndër ta do të veçonim punimin monografik të Bardhosh Gaçes “Ata që shpallën Pavarësinë Kombëtare”,3) ku jepen procesverbalet e Kuvendit, pjesëmarrësit dhe jetëshkrimet  e tyre si dhe kujtimet e shumë prej figurave të shquara të kohës. Kuptohet që ajo ngjarje ka zënë vend përherë në studimet me temë historinë e asaj periudhe. Po kështu, duhet përmendur nisma e kohëve të fundit për hulumtimin dhe botimin e dokumentacionit historik që ndodhet në arkivat e huaja. Kjo, krahas publikimit tërësor të dokumenteve që ruhen në arkivin e Shtetit, do të ndihmojë për të kuptuar më mirë dhe me saktësi atë që ndodhi, në aspektet politike e sociale.
Ka pasur vazhdimisht në dhjetëvjeçarët fundit debate e vërejtje, për praninë së personave të veçantë në atë Kuvend si firmëtarë apo pjesëmarrës, me mjaft gjasë, si pasojë e paragjykimeve politike. Po kështu, ka dhe botime të plota të listave të firmëtarëve të deklaratës së Pavarësisë  me foto dhe jetëshkrime të shkurtra nga Niko Kotherja dhe Admirina Peçi, si dhe shpjegime për ngjarjen.
I përfshirë në një punim kolektiv, që lidhet dhe me këtë ndodhi, menduam ta shohim me vëmendje gjithë dokumentacionin e ruajtur  për Kuvendin, punimet e tij, pjesëmarrësit,  vetë Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë dhe firmëtarët si dhe vendimet e marra, të nisur nga dëshira për të qenë të saktë. Ishte e nevojshme që mbi materialin dokumentar dhe kujtimet e pjesëmarrësve e bashkëkohësve, të studiohet në mënyrë më të plotë ky veprim historik, tepër i rëndësishëm për këdo që është krenar se është shqiptar, dhe 100 vjetori është një rast i tillë.
Vitet që pasuan Revolucionin e Turqve të Rinj (1908) ishin vite të kryengritjeve shqiptare për të drejta e vetëqeverisje. Por, aspiratat e tyre ranë ndesh me qëndrimin e Qeverive Turke, të cilat nuk deshën të plotësonin kërkesat e shqiptarëve. Qysh nga viti 1909 në treva  të ndryshme të Shqipërisë pati beteja të vazhdueshme ndërmjet kryengritësve dhe ekspeditave ndëshkimore osmane. Këto kryengritje përbëjnë fazën e fundit të Rilindjes Kombëtare dhe janë dëshmi e ngritjes së ndërgjegjes kombëtare të gjithë shqiptarëve. Një vend me rëndësi zë në to Kryengritja e Malësisë së Madhe e vitit 1911, rezultat i së cilës ishte dhe Memorandumi i Greçës (23 qershor 1911), i hartuar nga Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi, që u shpall në Kuvendin dhe që përbën një dokument të rëndësishëm kombëtar.4)

Isa Boletini dhe Ismail-Qemal Vlora
Isa Boletini dhe Ismail-Qemal Vlora

Kërkesat e paraqitura në të ndër të tjera ishin për garanci të mospërsëritjes së dhunës dhe mosrespektimit të ligjeve të vendit, shqiptarët të kishin të njejtat të drejta me kombet e tjera të perandorisë, të bëhej decentralizimi administrativ i trojeve ku banonin shqiptarët, nëpunësit të ishin shqiptarë, të lejohej përhapja e gjuhës dhe e shkollave shqipe dhe të përdorej ajo në të gjithë administratën përkrah turqishtes, shërbimi ushtarak të kryhej në vend, të përdoreshin në vend një pjesë e taksave  e të  tjera.  Pra, parashtrohej një program i plotë i autonomisë së vendit siç parashihej qysh nga koha e Lidhjes së Prizrenit dhe ishte hartuar nga përfaqësues të të gjitha krahinave dhe pati një jehonë në të gjithë vendin. Me qeveritë turke u bënë disa marrëveshje që nuk u respektua asnjë herë, prandaj dhe shqiptarët vazhduan luftën e nisur.
Një kthesë me rëndësi historike, për të ardhmen e shqiptarëve, kemi pas fjalës së rreptë të deputetit Hasan Prishtina në parlamentin turk ku pas protestës për mosrespektimin e marrëveshjeve dhe mohimin e të drejtave të kombit shqiptar nga ana e Qeverisë Turke, e kërcënoi atë me një kryengritje të re. Pas takimit me Ismail Qemalin të dy vendosën  që të mblidheshin në shtëpinë e Syrja Vlorës  po në Stamboll. Takimi u mbajt të nesërmen, më12 janar 1912 dhe mori emrin “Takimi” ose “Komploti i Taksimit”, sipas lagjes ku ndodhej shtëpia. Në të, veç Ismail Qemalit, Syrja Vlorës dhe Hasan Prishtinës, morën pjesë dhe Mufit Libohova, Esat Toptani, Aziz Vrioni, Mustafa Kruja,  Bedri Pejani e të tjerë.5) Në takim u vendos se që të kërkohen të drejtat e shqiptarëve dhe nuk mbetej rrugë tjetër veç Kryengritjes së Përgjithshme. Ata përcaktuan masat që duheshin marrë për organizimin dhe detyrat për sigurimin e armëve, fondeve dhe mbështetjes në perëndim.6)
Pengesat dhe kufizimet  nga ana e Qeverisë Turke,  në pranimin e kërkesave të shqiptarëve, si dhe për përfaqësimin e tyre në  parlamentin e ri në përputhje me popullsinë, treguan qartë se kryengritja mbetej e vetmja rrugë për të drejtat e kombit shqiptar.
Përhapja e  kryengritjes në Kosovë e në trevat e tjera të  Shqipërisë, kërkonte bashkimin e të gjitha forcave rreth një programi politik kombëtar. Kështu, me nismën e Hasan Prishtinës, në Junik nga 21- 25 maj 1912, u mbajt një Kuvend, ku u mblodhën 250 përfaqësues nga të gjitha krahinat e vendit. Hasan Prishtina, i përkrahur nga patriotët e tjerë pjesëmarrës, hartoi programin politik të kryengritjes, i cili u miratua nga Kuvendi dhe pastaj iu dorëzua qeverisë turke. Programi përmbante gjashtë pika, të cilat ishin të njëjta me kërkesat e Kuvendit të Greçës. Kuvendi gjithashtu kërkoi që realizimi i tyre të sigurohej prej Fuqive të Mëdha.7)
Pas udhëzimeve që mori nga Stambolli, Komisioni Qeveritar i ngritur për të biseduar me kryengritësit rifilloi bisedimet rreth kërkesave të parashtruara nga kryengritësit në 14 pikat e Hasan Prishtinës. Më 18 gusht, Qeveria Turke deklaroi se i pranonte ato, përveç dy kërkesave: kthimit të armëve të luftës dhe gjykimit të pjesëtarëve të kabineteve xhonturke, që sipas tyre ishte në kompetencën e parlamentit.
Udhëheqja e kryengritjes në Kosovë deklaroi se e pranonte këtë marrëveshje dhe shpalli ndërprerjen e kryengritjes. Në rrethanat e krijuara nuk mund të bëhej fjalë për të vazhduar marshimin e kryengritësve drejt Selanikut. Pas kësaj forcat kryengritëse lanë Shkupin. Hasan Prishtina njoftoi gjithashtu përfaqësuesit e Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut që të ndërprisnin veprimet e armatosura kundër trupave qeveritare. Ai në këtë rast njoftonte se kërkesat e kryengritësve u pranuan për të gjithë Shqipërinë. Në këto rrethana kryengritja u ndërpre8). Përfundimi i kryengritjes dhe bisedimet e shqiptarëve me komisionin qeveritar shkaktuan shqetësime të mëdha te qeveritë ballkanike. Edhe Fuqitë e Mëdha i bënë të ditur Qeverisë Turke që, në rast se shqiptarëve do t’u jepeshin zyrtarisht koncesionet që ata kërkonin, kjo jo vetëm do të sillte acarimin e marrëdhënieve me ta, por Stambolli do të përballej dhe me shtetet ballkanike, të cilat, duke pasur përkrahjen e Rusisë, po përgatisnin luftën e armatosur kundër Perandorisë Osmane.
Nëntori i viti 1912, i gjeti trojet e shqiptarëve si fushë lufte; nga Veriu sulmuan trupat serbo-malazeze dhe rezistenca e  ushtrisë së rregullt turke, rezervistëve e bashkë me ta dhe vullnetarët (vetëdashësit si quheshin në atë kohë) shqiptarë, nuk arritën t’u bënin ballë. Në Jug, në territoret e prefekturës së Janinës, po luftohej me ushtrinë greke, ndërsa në lindje me trupat bullgare. Në kurriz të shqiptarëve, të gjithë vendet ballkanike përpiqeshin të copëtonin atë që kishte mbetur nga Turqia e xhonturqve.
Në të tilla rrethana atdhetarët nuk qëndruan duarkryq  e të bënin sehir por u lidhën me njeri-tjetrin, kudo që ishin dhe vendosën t’i dilnin zot atdheut të tyre. Stavro Skendi në monografinë e tij për zgjimin kombëtar të shqiptarëve ku trajton në fund dhe Shpalljen e Pavarësisë tregon qartë se “Patrioti më aktiv dhe më largpamës nga të gjithë në ato kohë ishte Ismail Qemali. Ai pati kuptuar se ruajtja e Shqipërisë  varej jo vetëm nga përpjekjet e shqiptarëve, por edhe ndoshta më shumë – nga përkrahja dhe rivaliteti i Fuqive të Mëdha”.9) Edhe ne bashkohemi me këtë përfundim.
Ishin vitet fill pas revolucionit të xhonturqve që ju treguan shqiptarëve se fati i tyre dhe e ardhmja e Kombit ndodhet në rrezik. Nga njëra anë shtohej dhuna dhe padrejtësia e pushtetit osman ndërsa nga ana tjetër fqinjët, përherë e më tepër synonin dhe përpiqeshin ta copëtonin Shqipërinë, duke synuar të aneksonin trojet shqiptare në rastin e shembjes të Turqisë, që tashmë dukej qartë. Kjo është dhe arsyeja që krerë dhe politikanë vendas shtuan kontaktet me përfaqësuesit e huaj si në Stamboll e konsullatat në qytetet shqiptare, ashtu edhe në kryeqytetet e huaja. Njihen përçapjet e Ismail Qemalit, Preng Bibë Dodës,  Ndre Mjedës e Dom Luigj Bumçit pranë qeverisë dhe diplomatëve Austro-hungarezë, të cilët, patën shprehur dhe përkrahjen për shqiptarët, por, ata kërkonin hëpërhë ruajtjen e statu-quo-së, duke menduar si dhe shumë patriotë vendas se shqiptarët do të ishin të sigurt brenda perandorisë osmane.10)
Dihet gjithashtu dhe rivaliteti, për shkak interesash, ndërmjet Austrisë dhe Italisë, por megjithatë atdhetarët të organizuar në klube e shoqëri të fshehta punonin për të siguruar “njohjen e qenies së kombit shqiptar”. Lufta e Italisë në Tripolitania i nxiti së tepërmi shtetet ballkanike dhe filluan me krijimin e një aleance serbo-bullgare, ashtu dhe Greqia me çetat e saj në Epir. Mbas marrëveshjeve ndërmjet shteteve ballkanike në tetor 1912, Mali i Zi filloi veprimet luftarake, e synimi i tyre ishte Shkodra duke kërkuar për këtë marrëveshje me malësorët katolikë. Pas Malit të Zi edhe Serbia me Bullgarinë e Greqinë hynë në luftë duke shpartalluar forcat turke e duke hyrë në trojet shqiptare. Kishte filluar në këtë mënyrë Lufta e Parë Ballkanike.11)

Ismail Qemal Vlora mes bashkveprimtarëve të Pavarësisë
Ismail Qemal Vlora mes bashkveprimtarëve të Pavarësisë

Në rrethana të tilla tragjike për kombin, shqiptarët patriotë nuk ndenjën duarkryq sepse ata e kuptuan se Turqia do ta humbte luftën, e prandaj rrëmbyen armët jo për të shpëtuar Turqinë, por për të mbrojtur vendin e tyre, që po rrezikohej. Ashtu si gjatë viteve të kryengritjeve u bënë takime e mbledhje të shumta dhe  atdhetarët u bindën se e ardhmja e vendit ishte në duart e Fuqive të Mëdha. Kontakte e para i mori Ekrem bej Vlora, i nxitur nga i ati, Syrja bej Vlora, që kishte dështuar në përpjekjen  për të  mbledhur një Kuvend për çështjen shqiptare. Ai shkoi në Vjenë, por në bisedimet e tij nuk mori përgjigje të sakta dhe inkurajuese. Vetë Austria, duke qenë e interesuar që të mos pushtohej Shqipëria nga të tjerët, filloi të ndërmerrte kontakte me fuqitë e tjera për të përcaktuar shtrirjen e Shqipërisë në të ardhmen.
Edhe patriotët e tjerë shqiptarë filluan t’i shtonin kontaktet me Austrinë. Kështu, Paria e Tiranës dhe e Durrësit i kërkoi perandorit Franz Jozef i II-të që të ruhej integriteti territorial i Shqipërisë, kur pjesë të saj ishin pushtuar nga shtetet ballkanike fqinjë. Të njëjtën gjë bënë dhe personalitete  shqiptare në Stamboll që ju drejtuan Fuqive të Mëdha për të ndihmuar Shqipërinë.
Në kujtimet e tij Ismail Qemali jep një tablo të shkurtër të veprimtarive  të atdhetarëve për mbrojtjen e atdheut. Ismail Qemali na tregon se Turqit e Rinj  nuk mendonin se shqiptarët kishin ide të qarta politike, veç dëshirës që të mos paguanin taksa. Ata dërguan katër ekspedita shtypëse dhe këto nxitën tek shqiptarët ndjenjën kombëtare. Ai vetë, me deputetët e tjerë shqiptarë, nuk mundën t’ju mbushin mendjen qeveritarëve turq se qenë në rrugë të gabuar dhe në çastet më të volitshme shpërtheu kryengritja e përgjithshme. Kjo kulmoi me “Hyrja e lavdishme e krerëve të të gjitha fiseve në Shkup…” që pruri si pasojë edhe shpërndarjen e dhomës së deputetëve.
Ismail Qemali bisedoi ndërkohë me qeverinë e re turke, por pa rezultat, sepse, siç thotë ai vetë, ata ishin të verbuar. Mosmarrja e masave prej tyre shpërtheu Luftën Ballkanike dhe aleatët hynë në Shkup. Kishte ardhur koha për shpëtimin e vendit të shqiptarëve. I. Qemali  nuk pranoi të bënte pjesë në qeverinë e re turke dhe u nis nga Stambolli për në Bukuresht, ku për disa ditë resht u takua me shqiptarët e shquar të kolonisë së atjeshme dhe së bashku vendosën të ktheheshin në Shqipëri, për të mbajtur një mbledhje të përgjithshme e të shpallnin pavarësinë.
Mbi takimin e Bukureshtit kemi dëshminë e poetit të madh, Asdrenit (Aleksandër Stavre Drenova).12) Ai tregon se  në fillim të nëntorit mbërritën në Bukuresht Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi dhe u takuan me përfaqësuesit e kolonisë së atyshme, që ishte më e fuqishmja dhe në një shtet të pavarur e miqësor ndaj shqiptarëve, shtet që nuk u përfshi në luftën e sapofilluar. Në mbledhjet që zgjatën disa ditë u diskutua për fatet e vendit dhe  u morën vendime për të shpallur pavarësinë e atdheut. Mbledhjet u mbajtën në hotel “Kontinental”. Pasi ranë në një mendje miratuan një procesverbal, një kopje të së cilës  e mori dhe Asdreni, ndërsa origjinalin e mbajti Pandeli Evangjeli.13)
Nga ai procesverbal,14) që ka datën 5 nëntor 1912, mësojmë se njëzëri  pjesëmarrësit pranuan se të gjithë shqiptarët duhet të mblidhen me njëri   tjetrin e “të luftojnë… si shqiptarë për shpëtimin e, njohjen dhe forcimin e kombësisë së tyre”. Mbledhja mori tre vendime:
-shqiptarët të krijojnë një Komitet Drejtonjës për qeverisjen e vendit, që të mos dalim me humbje nga gjendja e krijuar;
-një “Komision prej shqiptarësh të ditur e të njohur” të mbrojnë në Evropë të drejtat e shqiptarëve;
-Kolonia e Bukureshtit të ketë një Komitet që të mbaj lidhje me Komitetin e mësipërm e me qendrat e tjera për të ndihmuar shqiptarët.15)
Një tjetër pjesëmarrës në këto takime, Dhimitër Zografi tregon se bashkë me Ismail Qemalin dhe Luigj Gurakuqin ishte dhe i biri i Ismailit. Ai na thotë se pasi nisën telegrame në viset shqiptare që të dërgojnë delegatë në Vlorë dhe vendtakimin për ata që do vinin nga jashtë, Triesten. Prej tij mësojmë se ata caktuan si delegatë Pandeli Evangjelin, Dhimitër Ilon, Dhimitër Emanoil (Mborja) dhe Dhimitër Berattin.16) Dy të parët nuk u nisën dot dhe u zëvendësuan nga Pandeli Cale e Spiridon Ilo. Ata u takuan me Ismail Qemalin që vinte nga Vjena dhe pasi blenë armë e municione u nisën bashkë për në Vlorë.
Nga  Bukureshti Ismail Qemali me shokë shkuan në Vjenë e Budapest ku patën takime në nivel të lartë me ministrin e Punëve të Jashtme  të Austro-Hungarisë Berthtold dhe siguroi përkrahje për Shqipërinë e pavarur. Mbi veprimet dhe bisedimet e tij atje na tregon vetë ai në Kujtimet e tij.17)
Ismail Qemali nga Viena më datë 9 nëntor, njofton me telegram se është nisur për në Shqipëri “me të parin vapor”. Ai bën të qartë se “E ardhmja e Shqipërisë është e sigurt”.18)
Më datë 18 nëntor Paria e Vlorës merr një telegram  nga Ismail Qemali19)  i cili ju thotë se “përpara së premtes jam atje. E mbledhmja e përfaqësuesve në Durrës apo në Vlonë është krejt e nevojshme. I thirrni të gjithë. Gjer sa të mbërrijë un, mbani qetësien e bashkimin. Çashtja jonë politike u sigurua fare.” Ky njoftim,  me një telegram të firmosur “N’emër të gjithëve” nga Xhemil Bej Vlora, Elmas Kanina e Leonidha Bezhani,20) ju dërgohet: Kryetarëve të bashkive e të Klubeve, Parësisë dhe Popullit të ndershëm të Janinës, Gjirokastrës, Filatit, Reshadies, Tepelenës, Delvinës, Përmetit, Margëlliçit, Leskovikut, Kolonjës, Korçës, Dibrës, Manastirit, Resnies, Kosturit, Strugës, Ohrit, Beratit, Pogonit, Skraparit, Lushnjës, Elbasanit, Kavajës, Durrësit, Tiranës, Kruës, Matit, Shkodrës, Peqinit, Fierit.
Në atë njoftim ata ju thonë “…Lutemi për shpëtim të atdheut, që përfaqësuesit në fjalë tyke e bamë natën ditë të gjinden në mbledhjet të Përgjithshme Kombëtare që do të bahet këtu në Vlonë…”.
Në botimin e Lef Nosit,21) jepen shkëmbimet e shumta telegrafike për përgatitjet, dërgesën e mjeteve të transportit në Durrës, njoftimet për  emrat e përfaqësuesve nga gjithë viset shqiptare, ku veç atyre të krahinave që u përmendën më lartë, nga një telegram i firmosur prej Mit’hat Frashërit mësojmë për delegatë që do vijnë nga Kosova.22) Thuhet se do vinin dhe të tjerë, por, për shkak të pushtimit serb, angazhimit në luftime  dhe arrestimeve të krerëve nuk mundën të vinin. Është fjala për Hasan Prishtinën e Bajram Currin me shokë dhe kjo kërkon hetime të mëtejshme për t’u konfirmuar.
Në vëllimin me dokumente historike ka telegrame të shumtë që paraqesin luftimet e pushtimet nga të huajt, gjendjen e trazuar e të pasigurt të vendit, peripecitë e udhëtimeve të delegatëve për në Vlorë, zëvendësimin në rast pamundësie me të tjerë, por në çdo rast, ishte parësia që me letra apo telegrame e vërtetonte këtë.
Më 21 nëntor, Ismail Qemali dhe pasuesit e tij zbarkuan në Durrës, pasi ju nënshtruan paraprakisht kontrollit të personelit të dy anijeve luftarake greke që kishin bllokuar hyrjen në port. Në Durrës ata  ndenjën një ditë për të biseduar me parinë  e atyshme për shpëtimin e Atdheut, por pasi nuk patën pritjen e duhur, sigurisht jo nga paria,  u dërguan telegrame Parisë së Beratit dhe Elbasanit, që të bëhej Vlora qendër e mbledhjes. Këtë fakt e mësojmë edhe nga një telegram me datën 25 nëntor 1912 (12 vjeshtë e tretë – 1328 H), që Prefekti i Durrësit Mahir i dërgon Komandës së Trupit Ushtarak në Janinë dhe Portës së Lartë, ku thuhet se Ismail Qemali ka zbritur në Durrës ditën e parë të Bajramit.22) Në Durrës u takuan dhe me delegatët e Tiranës, Krujës e viseve të tjera.  Prej andej erdhi urdhri që ta arrestonin, por Ismail Qemali me shoqëruesit ishin larguar dhe vazhduan udhëtimin e vështirë në brendësi të vendit, larg rrugëve kryesore dhe qendrave të banuara, të shoqëruar nga patriotë e trima të shumtë, duke u takuar dhe me delegatë të tjerë si ata të Kosovës dhe Elbasanit të nisur dhe ata për në Vlorë.
Siç dihet, ata mbërritën në Vlorë më datë 25 nëntor dhe caktuan të mblidhen më datë 28, ditë e enjte, që siç na kumton Qemal Bej Karaosmani,23) që të mund të vinin e të mblidheshin gjithë delegatët. Letërkëmbimi që ruhet tregon se Pavarësia tashmë ishte e vendosur dhe dy ditët e fundit atë e shpallën, duke ngritur flamurin kuqe zi ma shkabën dy krenare, qytetarët e Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Kavajës, Peqinit e Lushnjës, ndër të tjera edhe për t’i treguar trupave pushtuese serbe që këtu tashmë ishte Shqipëri.
Kështu me ardhjen e shumicës së delegatëve në Vlorë, siç dhe  e patën caktuar, ata u mblodhën në shtëpinë e Xhemil Beut, kushëririt të Ismail Qemalit më 28 nëntor 1912, në ora 4 pasdreke.24)

Deklarata e Shpalljes së Pavarsisë së Shqipërisë - 28 Nëntor 1912
Deklarata e Shpalljes së Pavarsisë së Shqipërisë –
28 Nëntor 1912

Mbledhjen e parë të Kuvendit  e hapi Ismail Qemali si “nisjator “ i saj duke treguar me një fjalë të shkurtër rëndësinë e qëllimin e Kuvendit, “që të përpiqemi s’bashkut e të marrim masat e nevojshme për të shpëtuar Shqipërinë nga rreziku i madh ku ndodhet sot…”.
Më tej “siç e kërkon rregulla e zakoni” u bë kontrolli i përfaqësimit për secilin delegat. Ne po i japim më poshtë emrat duke shtuar  në kllapa mbiemrat ose emrat me të cilat edhe njihen.
Berati: Iljas Be’ Vrioni, Hajredin Be’ Cakrani,  Xhelal Be’ Skrapari (Koprencka), Dud (Jorgji) Karbunara, Taq (Dhimitër) Tutulani dhe Sami Bej Vrioni, që mungonte.
Dibra: Myfti Vehbi Efendiu (Agolli),
Durrësi: Abas Efendiu (Çelkupa), Mustafa Agai (Hanxhiu). Jahja Efendiu (Ballhysa) që pritej të vinte, si dhe Dom Nikoll Kaçorri si “i dërguar i Arqipeshkopit për gjithë shqiptarët katolik që ndodhen nën urdhrin e tij”.
Elbasani: Shefqet Be’ Daiu, Lef Nosi, Qemal Beu (Karaosmani) dhe Mid’hat Be’ Frashëri.
Gjirokastra: Aziz Efendiu (Gjirokastra), Veli Efendiu (Harçi), Elmas Efendiu (Boce).
Ipeku (Peja): Rexhep Beu (Mitrovica), Bedri Beu (Pejani), Salih Xhuka (Gjuka), Mid’hat Frashëri, këta delegatë janë dhe të Gjakovës, Plavës e Gusinjës.
Kruja: Abdi Be’ Toptani, Mustafa Asim Efendiu (Kruja).
Lushnja: Kemal Beu (Mullaj), Ferid Be’ Vokopola, Nebi Efendi Sefa.
Ohri dhe Struga: Zyhdi Beu (Ohri), Dr. Myrtezai (Ali Struga), Nuri Efendi Sojliu.
Sh’jaku (Shijaku): Xhemal Beu (Deliallisi), Ymer Beu (Delallisi), Ibrahim Efendiu (Ali Shahini).
Tirana: Abdi Be’ Toptani, Murad Be’ Toptani.
Vlona: Ismail Kemal Beu, Zyhni Efendiu (Kanina, Mustafarai), Aristidh Ruci, Kjazim Kokoshi, Jani Minga, Ekrem beu (Vlora).
Shqiptarët e Bukureshtit: Dhimitër Zografi, Dhimitër Mborja (Emanuil), Dhimitër Beratti, Dhimitër Ilua që pritet të vij.

Drejt Vlores  - Drejt Pavarsise
Drejt Vlores – Drejt Pavarsise

Më tej Salih Xhuta  kërkon që të quhen delegat të Korçës së rrethuar: Pandeli Cale, Athanas Floqi,  Spiro Ilua që u pranua.25) Po kështu, Mustafa Asim Efendiu kërkoi për të njëjtën arsye, që Luis Gurakuqi të njihet si delegat i Shkodrës çka u pranua.
Një telegram nga Përmeti thotë se: në se nuk ka ardhur aty Veli Bej Këlcyra ta zërë vendin e tij Surja bej Vlora e Mit’hat Bej Frashëri. Po kështu njoftohet se nga Ohri e Struga po vijnë Mustafa Barotçiu e Hamdi Beu (Ohri).
Me përfundim të kësaj procedure Rexhep Mitrovica kërkoi që Kryetar i Kuvendit të jetë Ismail Kemal Beu e si shkronjës i parë Luis Gurakuqi dhe shkronjës i dytë Shefqet Daiu, çka u pranua me duartrokitje.
Pas këtyre procedurave Ismail Qemali, me kërkesë të Mustafa Krujës, mbajti një fjalë për gjendjen e Shqipërisë dhe çka duhej bërë. Ai propozoi që Shqipëria të bëhet më vehte nën një Qeveri të Përkohshme, të zgjidhet një Pleqësi për ndihmë e kontroll qeverisë si dhe të dërgohet një Komision në Evropë për të mbrojtur çështjen shqiptare përpara Mbretërive të Mëdha. Kuvendi, i cili “…pasi pëlqeu fjalët e Z. së Tij Ismail Kemal Beut vendosi që: Shqipëria të bëhet që sot mëvehte e lirë dhe e mosvarme nën një Qeveri të Përkohëshme”.
Delegatët pastaj zgjodhën Kryetar të Qeverisë së Përkohshme Ismail Kemal Beun dhe nënkryetar Dom Nikoll Kaçorrin.
Pas kësaj delegatët, siç tregon procesverbali dhe kujtimet e pjesëmarrësve “dualën jashtë të përshëndesin flamurin që u ngrit në orën 5 e gjysëm pasdreke”.

Mbledhja e dytë u bë më datë 30 nëntor në orën tre pasdite.
Delegatët dëgjuan procesverbalin që e miratuan. Luis Gurakuqi tha se “ata që do vinë më vonë do t’i firmosin në fund këto shkresa përkujtimore”,26) gjë që nuk ndodhi.
Këtë ditë erdhën si delegatë të rinj nga Kosova: Mehmet Pashë Dërralla (Tetova), Isa Beg Buletini, Ajdin Be’ Draga, Dervish Be’ Ipeku (Mitrovica), Sami Be’ Vrioni nga Berati, dhe Dervish Be’ Elbasani (Biçakçiu) e Mahmut Efendi Kaziu nga Peqini.
Me propozim të Aziz Efendi Gjirokastrës u njoh si delegat i Tepelenës Kristo Meksi, ndërsa me kërkesë të Lef Nosit, Sherif Efendi (Langu) si delegat i Dibrës si dhe me telegram u kërkua që Ismail Beu të jetë delegat i Gramshit dhe  Tomoricës. Pasi Ismail Qemali ishte zgjedh Kryetar i Qeverisë ai u tërhoq nga detyra e Kryetarit të Kuvendit dhe me propozim të Luis Gurakuqit u zgjodh në këtë post Myfti Vehbi Efendiu si dhe Lef Nosi nënkryetar.
Në këtë mbledhje  Ismail Qemali paraqiti ministritë që do të kishte Qeveria, që sipas tij do të ishin 6. U vendos që dhe emrat e ministrave t’i vendos Kryetari e ata të mos rrëzohen veç se nga Kuvendi tjetër i Përgjithshëm kur të themelonte Qeverinë e re.
U diskutua dhe për numrin e anëtarëve të Pleqësisë dhe mbas debateve dhe votimeve të shumta u vendos që të jenë 18 veta.

Mbledhja e tretë u mbajt më datë 1 dhjetor nën kryesinë e Myfti Vehbi Efendiut.
U caktuan dhe dy shkronjës të tjerë  Mustafa Kruja dhe Dhimitër Beratti. U bë mbi bazën e propozimeve një votim për numrin e anëtarëve të Pleqësisë dhe pati debate për këtë votim d.m.th të votonte nga një për çdo kaza apo gjithsecili. Për sa i përket zgjedhjes së Qeverisë  dhe Pleqnisë u la kur të vinë dhe delegatët e tjerë.

Mbledhja e katërt u thirr në datë 3 dhjetor.
Nga Gjirokastra me telegram u caktuan delegatë Myfit Bej Gjirokastra (Libohova) dhe Fehmi Efendiu (Mezhgorani) e Kristo Meksi me Aristidh Rucin. Edhe Kavaja kërkon të përfaqësohet nga Abdi Bej Toptani. Delegatë të tjerë që erdhën ishin nga Gjirokastra  Petro Poga, Jan Papadhopullo, Hysen Efendi Gjirokastra (Hoxha) si dhe Veli Bej Klisura. Me propozim të Myfit Bej Gjirokastrës (Libohova), u quajtën delegatë të Çamërisë Veli Gërra Reshadija, Vesel (Jakup Vesel) Margëlliçi, Aziz Tahir Ajdonati (Tahir Mete) dhe Rexhep Demi nga Filati. Si delegat i Ipekut, me propozim të Kryetarit Qerim beg (Begolli).
Në këtë mbledhje Ismail Qemali foli për konditat që duhet të plotësojë një ministër që të kënaqet dhe Evropa dhe Stambolli: duhet të jenë emra të njohura brenda e jashtë Shqipërisë. Ai propozoi këtë listë: Mehmet Pashë Tetovën, Myfit Bej Gjirokastrën (Libohova), Aziz Pashën, Vehbi Efendiun, Abdi Be’ Toptanin dhe Mit’hat Frashërin. Këtë e kundërshtoi Dud Karbunara me pretendimin se nuk ishte asnjë i krishterë në listë, mendim që e  mbështetën Pandeli Cale, Dhimitër Beratti e Qemal Be’ Elbasani (Karaosmani). Kështu votimi u la për të nesërmen.

Mbledhja e pestë u bë më datë 4 dhjetor në prani të 57 delegatëve (mungonin 6).
Mbledhja pranoi si delegatë të Delvinës Veli bej Delvinën në vend të të atit Mehmet Ali Pashës. Në rendin e ditës ishte zgjedhja e ministrave dhe  e pleqësisë. Në të Ismail Qemali ja la të drejtën e zgjedhjes së 8 ministrave, Kuvendit, me propozimin, që të jenë 4 të krishterë dhe 4 muslimanë. Ky propozim u kundërshtua dhe përzgjedhja ju la votimit. Me votat që u morrin fituan fillimisht 5 veta: Luis Gurakuqi me 54vota, Mufit Be’ Gjirokastra (Libohova) 52, Mehmet Pashë Tetova 42, Abdi Be’ Toptani 34,  Mit’hat Bej Frashëri 35. Këta u zgjodhën sepse fituan më shumë se gjysmën e votave. Prandaj u bë dhe një votim i dytë, me një listë ku ishin 12 emrat që kishim marrë  vota, nga e  cila  u zgjodhën fitues Petraq Poga me 40 vota, Pandeli Cale me 39 dhe Lef Nosi me 37.
Pas kësaj u bë zgjedhja e Pleqësisë, ku sipas propozimit të Dhimitër Berattit u bë vetëm një votim. U zgjodhën: Iljas Be’ Vrioni me 55vota,  Sami Be’ Vrioni 54, Dud Karbunara 48, Mustafa Asim Kruja 42, Murat Be’ Toptani 42, Eqrem Be’ Vlora 40,  Myfti Vehbi Efendi 39, Kristo Meksi 39, Dhimitër Berati 38, Dhimitër Zografi 35, Bedri Be’ Ipeku 35, Sali Gjuka 35, Veli Be’ Klisura 32, Hajredin Be’ Cakrani 32, Xhelal Be’ Skrapari (Koprencka) 30, Shefqet Daiu 30, Dervish Be Elbasani 29 dhe Ajdin Be’ Draga 27. Shënojmë se procesverbali jep edhe si u ndanë në dy votimet votat e tjera për ministrat, ndërsa  për Pleqësinë për të gjithë ata që morën mbi 10 vota.

Mbledhja e gjashtë u mbajt më 6 dhjetor.
Pasi u lexuan mungesat (26 delegatë) Shefqet Daiu tha se duhet të zgjidhen dhe përfaqësuesit për në Evropë, por Ismail Qemali tha se Qeveria e ka si barrë të saj mbrojtjen e çështjes shqiptare përpara Evropës me liri të plotë për këtë çështje. Ismail beu tha gjithashtu  se qeveria ka ndërmend të jap një falje.
U fol për çështje të tjera procedurale dhe u tha se me qenë se tashti Qeveria filloi punën Kuvendi të zgjas dhe dy ditë.

Mbledhja e shtatë u mbajt më 7 dhjetor (dhe në të mungonin 7 delegatë).
Në fillim të saj u lajmërua se nga Mati kanë ardhur delegatët zotërinjtë Ahmet Muftar Beu (Zogolli), Riza Beu dhe Kurt Agai si dhe Mustafa Efendiu (Barotçiu) nga Starova dhe Hamdi Beu (Ohri) nga Ohri, ndërsa priten të vinë edhe Dervish Hima i Ohrit dhe Hajdar Blloshmi i Starovës, të cilët me sa duket nuk arritën të jenë të pranishëm deri në përfundim të mbledhjes. Mbledhja diskutoi disa çështje procedurale të marrëdhënieve të Pleqësisë me Qeverinë.
Mbas kësaj Kuvendi i mbylli punimet.

Në zyrën e Lef Nosit
Në zyrën e Lef Nosit -Qeveria e Vlores

Qeveria e formuar në  Vlorë kishte këtë përbërje:

Kryetar i Qeverisë dhe ministër i Punëve të Jashtme – Ismail Kemal Beu;
Nënkryetar i Qeverisë – Dom Nikollë Kaçorri;
Ministër i Arsimit – Luis Gurakuqi;
Ministër i Punëve të Brendshme – Myfit Bej Gjirokastra (Libohova);
Ministër i Financave – Abdi Bej Toptani;
Ministër i Luftës – Mehmet Pashë Dërralla (Tetova);
Ministër i Drejtësisë – Petraq Poga;
Ministër i Punëve Botore – Mid’hat Frashëri;
Ministër i Bujqësisë – Pandeli Cale;
Ministër i Postë-Telegrafëve – Lef Nosi

Kjo Qeveri, e para e shqiptarëve, vazhdoi deri më 22 janar 1914, dhe gjatë kësaj periudhe kohe pati dhe zëvendësime të ministrave, që mendoj t’i paraqesim këtu.
Nga korriku 1913, Ministria e Jashtme shkëputet nga Kryeministria dhe titullar i saj bëhet Myfid Libohova;
Preng Bibë Doda nga 25 dhjetori 1913 bëhet zëvendëskryeministër, post vakant që më 30 mars 1913;
Esat Pashë Toptani, nga korriku 1913, Hasan Prishtina, nga shtatori 1913 dhe Fejzi Alizoti nga nëntori 1913, njeri pas tjetrit zëvendësojnë Myfid Libohovën në postin e Ministrit të Brendshëm;
Abdi Toptani zëvendësohet si Ministër i Financave nga Aziz pashë Vrioni dhe më tetor 1913 nga Gjergj Çako;
Në mars  1913, Pandeli Cale zëvendëson Mit’hat Frashërin në postin e Ministrit të Punëve Botore;
Hasan Prishtina dhe Qemal Karaosmani zëvendësojnë Pandeli Calen si Ministër i Bujqësisë.27)
Qysh nga ato ditë historike ka kaluar një shekull dhe ne, të gjithë shqiptarët që jetojmë sot në trojet tona e kudo në botë, kemi fatin ta festojmë këtë përvjetor, duke kujtuar të gjithë ata burra që në shekuj u përpoqën për një Shqipëri të lirë e të shqiptarëve dhe që më në fund ja arritën edhe pse kjo pavarësi qe e mangët. Para 13 vitesh fitoi pavarësinë edhe Kosova ndërsa në vitet e ardhshme sigurisht do ketë ndodhi të tjera që varen jo vetëm prej nesh por dhe prej nesh.

 

Firmëtarët e Pavarsisë (portete nga Arben Morina)
Firmëtarët e Pavarsisë
(portete nga Arben Morina)

* * *  
Lista e pjesëmarrësve në Kuvendin e Vlorës nga 28 nëntor më 7 dhjetor 1912.
Ne po i rendisim sipas ardhjes në punimet e Kuvendit, por duke bërë dy sqarime: ditën e parë ishin të pranishëm dhe tre delegatë që nuk kanë firmosur Aktin, me sa duket janë larguar ndërkohë që të tjerët firmosnin; gjithashtu na rezultojnë katër delegatë të shpallur gjatë mbledhjeve të Kuvendit si të tillë nuk kanë mundur të mbërrijnë para se punimet të mbyllen më datë 7 dhjetor, por ka dhe  dy raste delegatësh: Riza beg Gjakova dhe Zenel be’ Ipeku (Begolli),  që përmenden me emër kur ata mungojnë në mbledhje ose kur ata kanë marrë vota, si në rastin e Pleqësisë, por,  që nuk është përmendet ardhja e tyre. Pra, mund të ketë ndonjë rezervë par saktësinë e procesverbalit. Ne, nga ana jonë, në mungesë të dhënave të tjera dokumentare, e quajmë të rregullt të mbështetemi në atë.

Firmëtarët:
Ismail Kemal Beu, Ilias Be’ Vrioni, Hajredin Be’ Cakrani, Xhelal Be’ Skrapari (Koprencka),   Dud (Jorgji) Karbunara, Taq (Dhimitër) Tutulani,  Myfti Vehbi Efendiu (Agolli), Abas Efendi (Çelkupa), Dom Nikoll Kaçorri, Shefqet Be’ Daiu, Lef Nosi,  Qemal Beu (Karaosmani), Midhat Be’ Frashëri, Veli Efendiu (Harçi), Elmas Efendiu (Boce), Rexhep Beu (Mitrovica), Bedri Beu (Pejani), Salih Xhuka (Gjuka), Abdi Be’Toptani, Murat Toptani, Mustafa Asim Efendiu (Kruja), Kemal Beu (Mullaj), Ferid Be’ Vokopola, Nebi Efendi Sefa (Lushja), Zyhdi Beu (Ohri), Dr. Myrtezai (Ali Struga), Nuri Efendi Sojli, Xhemal Beu (Deliallisi), Ymer Beu (Deliallisi), Zyhni Efendiu (Kanina, Mustafaraj), Aristidh Ruci, Kjazim Kokoshi, Jani Minga, Dhimitër Zografi, Dhimitër Mborja (Emanuil), Dhimitër Beratti, Pandeli Cale, Athanas Floqi, Spiro Ilua, Luis Gurakuqi.

Pjesëmarrësit e tjerë, sipas datës së paraqitjes në Kuvend:
Aziz Efendiu (Gjirokastra), Ibrahim Efendiu (Ali Shahini), Mustafa Agai (Hanxhiu), këta të tre ishin të pranishëm qysh më datë 28, por nuk firmosën;  Jahja Efendiu (Ballhysa),  Mehmet Pashë Dërralla (Tetova), Isa Beg Buletini, Ajdin Be’ Draga, Dervish Be’ Ipeku (Mitrovica ?), Surrja Be’ Vlora, Sami Be Vrioni, Dervish Be’ Elbasani (Biçakçiu), Mahmut Efendi Kaziu, Fehmi Efendi (Mezhgorani), Kristo Meksi, Sherif Efendiu (Langu), Myfit Bej Gjirokastra (Libohova), Petro Poga, Jan Papadhopullo, Hysen Efendi Gjirokastra (Hoxha), Veli Bej Klisura, Veli Gërra Reshadia, Vesel (Jakup Vesel) Margëlliçi, Aziz Tahir Ajdonati (Tahir Mete), Rexhep Demi, Qerim Beg (Begolli), Avni Bej Delvina, Hamdi Be’ Ohri, Mustafa Efendiu (Barotçiu),  Ahmet Muftar Beu (Zogolli), Riza Beu (Çela), Kurt Agai (Kadiu), Zenel Be Ipeku (Begolli), Riza Beg Gjakova.

Delegatë që nuk mbërritën në kohë:
Ekrem Be’ Vlora, Dervish Hima,  Hajdar Blloshmi dhe Dhimitër Ilo.

Tetë nga Etërit Themelues të Shtetit Shqiptar
Tetë nga Etërit Themelues të Shtetit Shqiptar

Nga të dhënat që na japin procesverbalet, duke plotësuar apo saktësuar emrat  me të dhënat e Bardhosh Gaçes dhe studiuesve të tjerë, e sidomos të kujtimeve të bashkëkohësve, mendojmë se kemi një tablo të plotë të punimeve dhe pjesëmarrësve të Kuvendit Historik të Vlorës që shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Kemi pra 40 firmëtarë të Deklaratës së Pavarësisë, 33  pjesëmarrës të tjerë në të shtatë seancat (mbledhjet) e Kuvendit si dhe 4 delegatë që nuk erdhën në kohë, gjithsej 77 emra burrash, që historia duhet t’i përmendi e nderojë, krahas dhe mjaft të tjerëve që në krahinat e tyre u morën me përgatitjen e Kuvendit dhe Shpalljen e Pavarësisë. Siç tha në një nga seancat Luigj Gurakuqi, procesverbali dhe akti do të firmoheshin në fund dhe duket kjo nuk u bë, mbase ata nuk i jepnin atë rëndësi që ka për ne sot ky Akt. Mendimi ynë është se të gjithë këta burra të shquar janë të barabartë përpara Kombit për Shpalljen e Pavarësisë, e ngritjen e Flamurit Kuq e Zi dhe njësoj duhen nderuar. Ata erdhën për të bërë Aktin zyrtar në emër të popullit që i zgjodhi ta përfaqësojë, se vendimin e kishin marrë me kohë, madje disa nga qytetet e lira e  kishin ngritur flamurin e festuar pavarësinë.
Në botime të ndryshme, madje dhe në ato “zyrtare”  ka të dhëna të ndryshme për numrin e delegatëve dhe pjesëmarrësve real në punimet e Kuvendit të Vlorës. Së pari, duhet të theksojmë se dhe në vetë procesverbalet ka të dhëna jo të sakta. Kështu, në mbledhjen e pestë thuhet se janë të pranishëm 57 delegatë dhe mungonin gjashtë (jepen dhe emrat e këtyre), pra rezultojnë deri atë ditë (4 dhjetor) 63 delegatë. Në mbledhjen e shtatë dhe të fundit (7 dhjetor) mbërritën dhe 5 delegatë të tjerë, pra,  bëhen të pranishëm në mbledhjet e Kuvendit, sipas njehsimit të tyre 68 delegatë. Në se këtyre u shtojmë dhe 4 delegatë që nuk arritën të marrin pjesë në punimet e Kuvendit rezultojnë gjithsej 72 delegatë. Ne mbetemi të mendimit se delegatët ishin 77 (73 të pranishëm dhe 4 që nuk arritën të vinin) sepse  është më e mundur të gabohet në numrin e delegatëve që vinin ditë pas dite, por jo në dhënien e emrave të të pranishmëve, të atyre që vinin rishtas, të atyre që mungonin si dhe atyre që zgjidheshin ose merrnin  vota. Përsërisim, që i vetmi burim i besueshëm dhe i pagabueshëm është procesverbali i punimeve të Kuvendit.
Në vëllimin e dytë të “Historia e popullit shqiptar” , jepen si pjesëmarrës në mbledhjen e parë 37 delegatë dhe me të ardhurit në ditët që pasuan u bënë 63 delegatë. Ka gjithashtu ndonjë pasaktësi në emrat e tyre.28) Ndërsa në monografinë e Kristo Frashërit “Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë- 28 nëntor1912” shohim pasaktësi. Kështu ai i përmbahet një liste me 62 emra,29) të marr nga botimi i Teki Selenicës “Shqipëria më 1927”, por ai gabohet kur në listën e firmëtarëve emrin J. Karbunara e lexon çuditërisht I(brahim) Karbunara, ndërkohë që ndër delegatët e Beratit thuhet qartë Dud Karbunara. Po kështu, gabohet kur thotë se Ahmet Muftar Beu (Zogolli) nuk arrit në kohë,30) sepse në mbledhjen e fundit thuhet shprehimisht se erdhën delegatët e Matit, dhe se të njëjtën gjë na e kumton Ekrem Vlora, i cili kur erdhi të nesërmen në Vlorë nga fronti i Jugut takoi në shtëpinë e tij Dervish Be Biçakun dhe Ahmet Muftar Zogollin që kishin fjetur atë natë aty.31)

* * *
Së fundi duam të trajtojmë dhe pamjen e vërtetë që kishte akti zyrtar: “Deklarata e Shpalljes së Pavarësisë”. Ne e njihnin, deri pak kohe, sipas fotos tradicionale të botuar nga Lef Nosi ku shihen të gjitha firmat. Para do kohe  studiuesi i pasionuar i historisë dhe i fotografive të vjetra Niko Kotherja e botoi atë Akt në pamjen në të cilën qe ekspozuar në vitin 1937 në 25 vjetët e Pavarësisë. Ajo foto i takon mjeshtrit të shquar Kel Marubi, i cili e pat fotografuar me atë rast.
Fotografia ka një rëndësi të veçantë për të  krijuar pamjen e vërtetë deri sa një ditë të dali në shesh origjinali.
Sipas saj është e qartë se në anën e  përparme të fletës ishin vetëm Deklarata e Pavarësisë dhe 34 firma, ndërsa në anën e prapme të fletës 6 firmat e fundit. Këtë na e tregon vetë fotografia e fletës së ekspozuar poshtë të cilës kemi shpjegimin e mëposhtëm: “Në faqen e tjetër ndodhen dhe këto nënshkrime:  Mustafa Asim Kruja – Ferid Vokopola – Ymer (Deliallisi) – Xhemal Bej (Deliallisi) – Nebi Sefa Lushja – Zuhdi Ohria”. Duket se Deklarata që njihet deri sot ka qenë një montazh fotografik i të dy aneve të fletës së ruajtur, i bërë me mjaft gjasë nga Lef Nosi, për të shikuar njëherësh të gjitha firmat
Ishte  Fototekën Kombëtare “Marubi” në Shkodër që na mundësoi ta kemi  këtë fotografi. Duke pasur atë si bazë, rindërtuam pamjen e faqes së prapme,  duke e kthyer atë, pra kemi ruajtur dëmtimet e palosjet në vendet e tyre, kemi vendosur ashtu siç janë bashkërisht të gjashtë firmat e fundit, ato për të cilat diçitura e fotos së Marubit tregon se janë në anën e prapme të fletës së ekspozuar. Në një shikim të vëmendshëm të fotos duken dhe vizat që ka fleta si në fletoret shkollore. Në paraqitjen e derisotme të këtij dokumenti, me të cilën ne jemi mësuar, duket se Lef Nosi ka montuar në një foto të vetme të gjitha firmat, në atë kohë kaq ishte e mundur, duke shtuar poshtë ato që ishin në anën e prapme, për të pasur një vizion të plotë të dokumentit. Mendojmë se ai duhet të zëvendësohet nga ky rindërtim i yni, që është më pranë të vërtetës, flet qartë për vjetërsinë e  tij dhe rrethanat në të cilat u hartua, mban pra edhe vulën e kohës.

 

Studiuesi dhe historiani Aleksandër Meksi
Studiuesi dhe historiani Aleksandër Meksi

P.s. Ky studimi i plotë i atëhershëm… u botua në nr. 3 të “Hyllit të Dritës” 2012. Sot edhe mund ta përmirësoj e ta plotësoj… Pasi kërkimet e mëvonshme tregojnë se edhe Syrja Vlora ishte delegat, por duket se nuk mori pjesë… ashtu  siç lyp sqarime edhe lista e pjesëmarrësve në mbledhjen e Taksimit, sepse organizatori i saj Syrja Vlora thotë vetëm deputetët dmth deri tek A. Vrioni, në shkrimin tim pra jo pasuesit. Besoj se kështu duhet të jetë… a. meksi

Referencat

1)Përlindj’ e Shqipëniës ,nr.  6-11, janar-shkurt 1914.
2)Lef Nosi, Dokumente historike 1912-1918, Tiranë 2007, f.176-186.
3)Bardhosh Gaçe, Ata që shpallën Pavarësinë Kombëtare, botim i  dytë Tiranë 2002.
4)Historia e Popullit shqiptar, II, Rilindja Kombëtare vitet  30 të shek. XIX-1912, Tiranë 2002, f.450-453.
5)H.Prishtina, Një shkurtim kujtimesh mbi kryengritjen shqiptare të vitit 1912, Shkodër 1921, marrë nga Bardhosh Gaçe, vep. cit. f.240-243; Historia.., f.460-463.
6)po aty, f.463.
7)po aty, f.469-471.
8)po aty, f.494.
9)Stavro Skëndi, Zgjimi kombëtar shqiptar, Tiranë 2009, f.397 v.
10)po aty, f.397-400.
11)E. Ivetic, Luftërat ballkanike, Tiranë
12)H. Myzyri, Pandeli J. Evangjeli (1859-1949), f.186 shën.20, na kumton se në një shënim që ruhet në arkivin e familjes shkruhet që këtë ja dha Safet Butkës por ky nuk ja kthehu.
13)Bardhosh Gaçe, vep.cit.  f.249-253.
14)po aty, f.252.
15)po aty, f.253; H. Myzyri, vep.cit. f.189 na jep dhe të dhënën se në këtë mbledhje ata zgjodhën dhe Komitetin të përbërë nga Pandeli Evangjeli, Ilia Kosturi, Thanas Kantili, Vasil Zografi, Kristo Meksi, Dhimitër Emanueli, Akil Eftimiu, Asdreni dhe Dhimitër Ilo, ndërsa si Kryetar nderi zgjodhi Ismail Qemalin dhe si anëtar nderi Luigj Gurakuqin. Në procesverbal thuhet: “janë të ngarkuar dhe e marrin për barrë që në emër të shqiptarëve të punojnë pas nevojës që e kërkon koha sot”
16)Bardhosh Gaçe, vep.cit.  f.255.
17)Ismail Qemal Vlora, Kujtimet, Toronto 1986, f.261-2.
18)Lef Nosi, vep.cit, f.69.
19)po aty, f.69-70.
20)po aty. f.69-70.
21)po aty, f.71-95.
22)po aty, f.65.
23)po aty, f.275.
24)Paraqitja këtu e zhvillimit të mbledhjeve të Kuvendit si dhe emrat e delegatëve qe përfaqësonin krahinat e ndryshme së bashku me vendimet e marra janë në:  Lef Nosi, vep.cit. f. 176 -186; B. Gaçe, vep.cit. f. 201-214.
25)Qeveritarët turk të Korçës nuk i dorëzonin Parisë së qytetit telegramet që vinin nga Vlora dhe as dërgonin atje telegramet që Paria i dërgonte organizatorëve të Kuvendit. Ata u njoftuan me tepër vonesë që Kuvendi po zhvillonte punimet dhe se u shpall Pavarësia. Në fakt delegatët e caktuar ishin Mihal Grameno, Menduh Zavalani, Stavro Karoli dhe Estref Verlemi. Falënderojmë Niko Kotheren për këtë informacion që ne e gjykojmë me mjaft vlerë.
26)Lef Nosi, vep.cit, f.179.
27)Kastriot Dervishi, Historia e shtetit shqiptar 1912-2005, Tiranë 2006, f.23.
28)Historia.., f.510.
29)Kristo Frashëri, Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë (28 Nëntor 1912), Tiranë 2008, f. 91.
30)po aty, f.95.
31)Eqerem bej Vlora, Kujtime, vëllimi i dytë 1912-1925, Tiranë 2001, f.159-160.
Tiranë 18.10.2012
Botuar në “Hylli  i Dritës”  Nr. 3, 2012

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.