back to top
7.5 C
Tirana
E martë, 17 Dhjetor, 2024

Masakra e Hormovës dhe kapedan Caush Prifti nga Gëzim Zilja

Gazeta

Hormova nga Sheshi i Kishës
Hormova nga Sheshi i Kishës

Masakra e Hormovës dhe kapedan Caush Prifti

nga Gëzim Zilja

Gjatë përpjekjeve e luftrave për zgjerimin e pushtetit të tij, Ali Pasha u kundërshtua nga një pjesë e sundimtarëve të trevave shqiptare, që tradicionalisht nuk i ishin nënshtruar pushtimit turk. Sulmeve të Aliut, ata iu përgjigjën me armë deri në vetmohim. Për mposhtjen e tyre, Aliu përdori të gjitha mjetet, duke filluar me poste dhe ryshfete, me ekzekutime makabre, me prerje kokash, nguljesh në hu, pjekjesh në hell deri në rrafshimin e qytezave e vendbanimeve, siç është rasti i Kardhiqit dhe iSulit.
Në disa nga këngët e atyre trevave, Ali Pashai, gjithë urrejtje konsiderohet turk (turqëri) dhe rezistenca ndaj tij konsiderohet si luftë kundër pushtimit turk. Ja si na vijnë vargjet nga thellësitë e shekujve:

Manastir o Shën Triadhë (vendi ku u masakruan hormovitët)/si s’u tunde këtë rradhë/ po më le bënë hatanë/ në gjithë ata kapetanë/ që me të pabesë i vranë/ se nuk qasnë turqistanë (Ali Pashanë).

Ngjarja ka ndodhur sipas këngës aty rreth vitit 1787, shumë kohë para Masakrës së Kardhiqit. Dhe më tej sqarohet se masakra ndodhi, pasi nuk donin që fshati i tyre të shpallej “emlaq”, tokë shtetërore:

Na e doqnë me fis e farë/ Se emlaq s’e deshnë fshanë/ Për Hankon e Shanishanë…

Heroi i qëndresës së hormovitëve kundër Ali Pashës, është Çaush Prifti. Përmendet dhe me emrat Mitro, Spiro dhe Thanas. Këngët e thurura për të, e paraqesin si një udhëheqës të zot e të pamposhtur.

“Hormovitë kapetanë/ kishnë Çaushnë të parë/ Çaush’ i biri Marisë/ kapetan i Shqipërisë/ dhe kasap i turqërisë…”

Nga emri i nënës, emrat që përmendet, por edhe sa thuhet në këngët e shumta, Caush Prifti duhet të ketë qenë i krishterë. Të bën përshtypje emri Çaush (gradë në ushtrinë turke), mbiemri Prifti (s’ka koment) dhe emrat e tjerë ortodoks, që përdor. Duke iu referuar sërish vargjeve të këngëve popullore, del që Caush Prifti, ka qenë dikur mik me Ali Pashanë. Ja si shprehet kjo miqësi:

Ali Pasha kur qe djalë/ Në Hormovë e kish meqanë/ Atje e kish jataganë/ Se kish Caush kapetanë/ Si baba shkuar babanë/ Po pastaj nuk dimë ç’ngjanë…

Por miqësia u prish, se si thuhet, etja për pushtet nuk njeh kufi. Lufta që Caush Prifti bën është për mbrojtjen e trojeve të Hormovës:

Kapetan Caush Hormova/ Dot besën s’ta ndërrova…. ose në vargje të tjera:
Kapetan o Spiro Prifti/ në hell të shkoi evgjiti(!?)/ evgjiti Isuf Arapi/ të pikoi me dhjamë cjapi/ dhjam’ e dyllë të pikoi/ po dot besën s’ta ndërroi.

Ali Pashe Tepelena
Ali Pashe Tepelena

Kënga jep përfundimin e tmerrshëm të këtij trimi, që megjithëse e poqën të gjallë nuk ndërroi besën, nuk shkeli fjalën e dhënë para hormovitëve. Sunduesit (kapetanët, thotë kënga) e Hormovës, Kardhiqit, Delvinës, Sulit, e Himarës, nuk mund të pranonin t’i nështroheshin një njeriu dikur të barabartë me ta, si sundues i Tepelenës dhe sidomos për llogari të perandorisë. Madje hormovitët i bënë pritë për ta vrarë Ali Pashanë por pa sukses.

“Hormovitë kordhëtarë/ tetëqind burra me armë/ dyfekëtë me stërrallë/ të gjithë me jataganë/ Te urë e Subashit ranë/ bënë llogoret me rradhë/ të vritnin Ali Pashanë. “

Në këngët e tjera të po asaj periudhe, dhjetë vjet më vonë (1798), jepet rezistenca e banorëve të Nivicës dhe Shë(n)vasisë. Me një krenari të pashoqe ata e quajnë vezirin e Janinës lugat dhe të dërguarin e tij, zorrëthatë:

Nëntëdhjet’e tetë seneja/ Seç dërgon Memush kapeja/ Ali Pashë ngreu eja/ se po ngre krye raeja/ Falu o Shëvasi e shkretë/ S’falemi sa jemi vetë/ Ç’e pandehu Ali Pasha/ mos jemi çengi nga Narta/ të lozë me të për nata/ Na jemi kapetanata/ gjithë trima kordhëshpata/ Thotë Spiro Qafëgjati/ Dëgjo Memush zorrëthati/ nuk na tremb Ali lugati.

Fundi i hormovitëve si dhe më pas i Kardhiqotëve e Suliotëve do të ishte i njejtë. Në manastirin e Shën Triadhës, Ali Pasha, kish mbledhur në Kuvend hormovitët, për të zgjidhur gjoja mosmarrëveshjet e vjetra, që kish me ta e për të detyruar ata t’i bindeshin sundimit të tij. Pas kundërshtimeve, ata u sulmuan në befasi dhe u masakruan. Kënga e mëposhtëme jep si në një film me metrazh të plotë, atë që ngjau por edhe qëndrimin burrëror të hormovitëve:

Qaj Hormovë e shkretë/ për ata trimat me fletë/ t’i vranë me të pabesë/ langojtë e Hanko kapesë/ Qaj për vete moj e gjorë/ se të prishnë dhe të dogjnë/ t’i bënë kullat haurë/ të mos ngresh kokë kurrë/ Ali pashë nuk e ke mirë/ që na shuan djelmurinë/ s’dimë ç‘ditë do na vijnë.

Fundi i kundërshtarëve të Aliut se dhe i dhjetëra të tjerëve shqiptarë ose jo, dihej. Humbja e Caushit është e madhe për hormovitët dhe familjen e tij. Vargjet u drejtohen kunatave dhe Marisë, të zezës nënë.

Caush me kulla të larta/ të qajnë gjashtë kunata/ O moj mëmë e zeza mëmë/ ngreu e shi’ Caushin tënë/ e kthejnë si dash në lëmë/ Isuf Arapi një gjëmë/ O Caush o yll o dritë/ Të kërkojnë hormovitë…

Të bëjnë përshtypje vargjet ngushëlluese. Ata ja qajnë hallin nënës për vdekjen e të birit, por ama thonë që është hall i përbashkët dhe ata janë po aq të hidhëruar sa ajo. Vargu thotë: ngreu e shi Çaushin tënë (tonë). Ai nuk ishte vetëm bir i saj, që ia la shkretë kullat e larta, por ishte vëllai, burri dhe heroi i tyre, ishte yll, dritë e shpresë për hormovitët.
Botuar në ‘’Telegraf’’ 02.12.2016

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.