back to top
7.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Një rrëfim i munguar i vitit 1990, ose ne rinia e Tridhjetë Viteve të shkuara – nga Kastriot Çipi

Gazeta

Kastriot Çipi në 1990
Kastriot Çipi në 1990

Një rrëfim i munguar i vitit 1990,

ose ne rinia e Tridhjetë Viteve të shkuara

nga Kastriot Çipi

Dhjetor 90 (Pjesa e Parë)

Mbrëmja e 8 dhjetorit 1990, shënonte 10 vjetorin e vrasjes së John Lennon. Atë mbrëmje, në një nga sallat e katit të parë të ILA (Instituti i Lartë i Arteve, sot Universiteti i Arteve) zhvillohej një veprimtari e çuditshme. Një lloj përshpirtjeje publike, një përkujtimore për këngëtarin e madh. Ishte shumë e çuditshme se si ishte dhënë leja për këtë veprimtari. Para më pak se një viti, unë isha rrëzuar në provimin e regjisë, në semestrin e parë të vitit të parë, sepse kisha bërë “herezinë”, që kisha përdorur si kolonë zanore të etydit tim 5 minutësh këngën “Sound of Silence” nga Simon & Garfunkel. Ishte koha kur muzika perëndimore konsiderohej “shfaqje e huaj”, e papranueshme për “moralin tonë socialist”.
Në sallën ku do të zhvillohej veprimtaria hyej përmes një korridori që niste nga holli i madh, që ishte mbushur plot me studentë, por për habinë dhe zhgënjimin e ne të tjerëve, u bë e ditur se do të lejoheshin të hynin vetëm studentët e arteve figurative. Tek dera rrinte si portier, studenti i vitit të dytë, dega pikturë, Blendi Gonxhja, kanakari i pedagogut Edvin Rama. Sado u revoltuam e shamë, u detyruam të shpërndahemi e të ikim secili në punën e vet.
Kishte kaluar ora 10 e natës, kur mbërrita para hyrjes së ish-këndit të lojrave të rrugës së Elbasanit, në shoqërinë e studentit të vitit të parë, dega dramë, N. Gj. Aty do të ndaheshim. Unë do të shkoja drejt Brrylit, ndërsa N. Gj., do të shkonte në konvikt, në Qytetin Studenti. Ishim ende duke biseduar, kur dëgjuam jehona thirrjesh të forta a britmash. “Demonstratë!” – tha N. Gj. Atëherë ne nuk e përdornim termin protestë. Mediat zyrtare na kishin mësuar termin “demonstratë”, që ishte një gjë që ndodhte vetëm në vendet kapitaliste dhe revizioniste. Tek ne, në socializëm, kishte vetëm manifestime. Mbajtëm vesh një çast. Thirrjet vinin valë-valë, sikur t’i sillte era. “Duhet të jenë ushtarët e liruar”, – i thashë unë. Dhjetori ishte një nga dy muajt e vitit, gjatë të cilit liroheshin nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak, ata që kishin kryer shërbimin dy apo tre vjeçar. Ata silleshin me kamionë ZIS, të prodhimit kinez, të Ushtrisë. Me koka ende të qethura, por pa kapele, pa rripa mesi mbi xhaketat e zbërthyera, ata dukeshin më shumë si robër lufte, se sa si ushtarë. Por entusiazmi i kthimit në shtëpi, pas torturës dy-tre vjeçare i bënte të thërrisnin me sa kishin në kokë, sapo hynin brenda vijave të verdha të qytetit, e derisa zbrisnin nga makina, për të vazhduar rrugën në këmbë drejt shtëpisë. U ndava me N. Gj. dhe shkova në shtëpi, i bindur se ato që kishim dëgjuar ishin thirrje gëzimi të ushtarëve të liruar.
Të nesërmen në drekë, të dielën e 9 dhjetorit, po prisja autobusin e Unazës, pranë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, kur pranë meje kaloi E. M., student i vitit të tretë, dega regji. Më erdhi të qesh kur e pashë. Ishte i llangosur me baltë, si Kostandini i legjendës. E pyeta nga vinte dhe pse ishte katandisur ashtu. Por E. M. u bë serioz. “Ti nuk e di vërtet çfarë ka ndodhur?”, – më tha. “Jo, – i thashë, – Nuk e di vërtet.” Dhe u bëra serioz edhe unë. “Atje u bë nami!”, – tha – “Ku more?”, – e nxita. “Në Qytetin Studenti. Demonstratë.” Tani habia ime ishte shumë më e madhe se ajo që më shkaktoi pamja e tij. E. M. më tregoi se edhe mbrëmjen e kaluar kishte pasur demonstratë. I tregova se unë dhe N. Gj. i kishim dëgjuar thirrjet, por…
I zbrita autobusit tek këndi i lojrave të rrugës së Elbasanit dhe u nisa në këmbë drejt Qytetit Studenti. Atje gjeta një atmosferë të çuditshme, të panjohur më parë. Njerëzit dukeshin shumë të qeshur. Përshëndesnin me përzemërsi edhe të panjohurit. Të gjithë flisnin për një demonstratë tjetër, po atë mbrëmje, në ora 19, në sheshin Skënderbej. Këtë herë nuk flitej për një “koncert”, si për demonstratën e heshtur të 31 janarit 1990. Njerëzit dukeshin sikur kishin vrarë frikën. Tregonin atë që kishin parë nga dritaret e konvikteve, ndonjë, si E. M. për atë që kishte parë nga afër, në rrugën ku ndodhej Instituti i Higjienës dhe Muzeu Lenin, sot rezidenca e Ambasadorit Italian, përballë Liceut Artistik. Flitej për përplasje me policinë dhe pothuajse të gjitha vajzat përmendnin emrin e Azem Hajdarit, si trim, që kishte qenë në krye të turmës. Vetëm nuk e di pse më dukej pak i tepruar pathosi në biseda dhe lëshova një batutë prej Pavël Korçagini: Është kohë revolucionesh, shokë. Është koha të harrojmë dashnoret.
Nuk kisha më ç’bëja në Qytetin Studenti. Takimin me F. A. dhe E. A., dy studente të vitit të dytë, të degës së dramës, e lashë në ora 6, te shatrivani. Hëngra drekë në shtëpi dhe dola. Studentet erdhën të shoqëruara nga dy studente të tjera konviktore. Aty na u bashkuan edhe studenti i vitit të parë, dega regji, A. B. dhe e dashura e tij, L. K., studente e vitit të dytë, dega dramë. Sa tymosëm cigaren e parë, A. B. dhe L. K. thanë se do të lëviznin pak dhe do të ktheheshin shpejt, duke nënkuptuar se kishin nevojë për pak intimitet, që mund ta gjenin vetëm prapa Pallatit të Kulturës, por nuk u kthyen më. Rreth orës 18:30 aty na gjeti R. B., student i vitit të tretë, dega regji. Na tha se nuk e kishte idenë se do të bëhej një demonstratë. U duk shumë entuziast. Thirrëm një fotograf, nga ata që rrinin çdo ditë në shesh dhe në lulishten prapa monumentit të Skënderbeut dhe bëmë një foto, për ta pasur si kujtim. Ngrita dy gishtat në formë V-je dhe fotografi komentoi se i dukej mirë. R. B. na tha se duhej të çonte në shtëpi racionin e mishit, që kushedi se ku e kishte sajuar dhe do të kthehej me vrap. Por as ai nuk u kthye më.
Ora shkoi 19, por ende asgjë nuk po ndodhte. Policët në shesh ishin shtuar. Fuksat, siç i quanim atëherë oficerët e Sigurimit, që visheshin zakonisht me kostume gri, ishin gjithashtu të dukshëm. E dija, sepse i kisha parë rrugës, se prapa ndërtesave të ministrive kishte shumë kamionë me “sambistë” (forca speciale, të repartit me numrin e koduar 326, që i quanim kështu sepse ishin të trajnuar për artin luftarak të sambos), studentë të shkollës së policisë e ndoshta edhe gardistë.
Në shesh kishte mijëra vetë, por të shpërndarë në grupe. Veç grupit tonë, të vendosur tek shatrivani në qendër të sheshit, grupi më i madh ishte ai të mbushte shkallët e Pallatit të Kulturës. Rreth orës 19:10-19:15 dy grupe më të vogla, i pari pranë Xhamisë së Et’hem Beut dhe tjetri në anën tjetër të rrugës, përbri monumentit të Skënderbeut, nisën të lëvizin të ndrojtur drejt njëri-tjetrit, duke kënduar “Eja mblidhuni këtu, këtu”. Në ato çaste po vinte drejt nesh studenti i vitit të dytë, dega dramë, H. Ç. Unë shkova drejt tij, por nuk u ndala, duke i thënë “Filloi!” E dija se pas meje nuk ishim më katër studentet me të cilat sapo kisha dalë në fotografi, por nuk ua vura re. Nuk ishte punë për vajza.
Përpara se ne të arrinim t’i bashkoheshim dy grupeve, që po shkriheshin në një, policët dhe fuksat u lëshuan mbi turmën, me shkopinj gome, grushta e shkelma, duke u përpjekur edhe të kapnin ata që kishin rënë më fort në sy dhe befas e pamë veten duke ecur kundër rrymës së një përroi njerëzish, që mori drejtimin kah shkallët e Pallatit të Kulturës, duke thirrur në kor “Nuk duam spektatorë!” Në vend që t’i bashkoheshin turmës, ata të shkallëve bënë prapa, duke u strukur brenda kolonadës së Pallatit të Kulturës. E kuptova se demonstrata do të dështonte. Përveç organizimit, mungonte edhe kuraja e shumicës. I zgjata cigaret H. Ç. dhe i thashë të ecte i qetë, sikur nuk kishim lidhje me turmën. Një polic na kaloi para dhe na i nguli sytë mirë, por vendosi të vazhdojë më tej.
U ndalëm të tymosnim në sheshpushimin e shkallëve të Pallatit të Kulturës. Qendra e sheshit Skënderbej ishte bosh. Vetëm në perimetrin e tij kishte njerëz. Dy-tre minuta më pas, pati një përpjekje tjetër për organizim prapa monumentit të diktatorit, por edhe ajo vorbull e humbi shpejt fuqinë. Një student i muzikës na ftoi të shkonim andej dhe na habiti me batutën e tij “Hajdeni se ka gallatë”! Nuk ia varëm. Ai mori biçikletën dhe shkoi drejt monumentit të diktatorit.
Ishim disi të zhgënjyer e të mërzitur për dështimin e demonstratës. Diskutuam për ato që kishim dëgjuar për ngjarjet e së shtunës mbrëma dhe të dielës paradite në Qytetin Studenti. Po e kuptonim se ai ishte vendi i duhur për ta provuar prapë. Nuk prisnim pjesëmarrje nga familjarët, por vetëm nga djemtë e rinj të Tiranës. Të nesërmen nuk duhej të bëhej mësim. Justifikimin e kishim shumë të fortë: delegacioni i studentëve konviktore, që kishte takuar mesnatën e së shtunës Ramiz Alinë, ishte rrahur para kthimit në Qytetin Studenti. Ne, studentët tiranas, duhet të ishim solidarë me ta.
.
8 Dhjetor 1990 - Takimi i Ramiz Alisë me Studentët
8 Dhjetor 1990 – Takimi i Ramiz Alisë me Studentët

Dhjetor 90 (Pjesa e dytë)

Të nesërmen në mëngjes, ditë e hënë, 10 dhjetor, shkova në ILA, si zakonisht. U takuam një grup studentësh, të fakulteteve të Arteve Skenike dhe Arteve Figurative, me të cilët kishim arritur më parë një sukses modest: kishim sabotuar, përmes kaosit, zgjedhjen e sekretarit të ri të organizatës së rinisë të ILA. Për herë të parë një konferencë e BRPSH kishte përfunduar pa zgjedhur sekretarin e organizatës. Nuk na u desh ndonjë punë e madhe të bindim studentët tiranas se atë ditë duhej të bojkotohej mësimi. Shumica e konviktorëve nuk kishin ardhur fare. Shumë shpejt, shumica e tiranasve u nis drejt Qytetit Studenti. Para se të ndaheshim pyeta Blendi Gonxhen se ku ishte Edi (Rama). “Nuk është këtu” – më tha. “Ku është?” – ngula këmbë unë, duke qenë se deri të shtunën në darkë vonë kishte qenë në ILA, në mbrëmjen kushtuar John Lennon. Madje ata që kishin qenë në mbrëmje deri në fund kishin dëgjuar thirrjet e studentëve protestues. Blendi vetë kishte shkuar në Qytetin Studenti. Për mua ishte mister ku kishte shkuar Edi. Por Blendi ishte i vendosur të mos ma zbulonte atë mister…
Si ish-nxënës i Politeknikumit, kisha disa ish-shokë klase që studionin në inxhinieri elektrike dhe elektronike. Shkova i kërkova në auditoret e Universitetit dhe së bashku, përhapëm fjalën për grevën studentore, që po niste atë ditë. I kënaqur me reagimin, u hodha një vrap sërish në ILA, për të parë nëse kishim ndonjë grevëthyes në Fakultetin e Artit Skenik. Akush nuk thoshte se nuk pajtohej me grevën, por kishte ca pak, që thoshin se do të vinin më vonë dhe mendja ma donte se gënjenin. Duke dalë, hasa Shefin e Katedrës së Regjisë, Vangjush Furxhiun. E dinim të gjithë se nuk ishte komunist, por nganjëherë ai bëhej edhe më i rreptë se pedagogët komunistë, duke shkarkuar mbi ne trysninë, që ata ushtronin ndaj tij. Nuk e dija si do të reagonte dhe e vonova një sekondë përgjigjen ndaj pyetjes së tij, se ku ishin shokët e mi të kursit. “Po ja, profesor, kanë shkuar në Qytetin Studenti…” Ai pyeti menjëherë pse dhe unë i thashë “Grevë…” Pa më lënë kohë të sqarohesha më tej, Vangjushi i mirë, i çliruar nga frika dhe paranoja e persekutimit, shpërtheu: “Atje të shkoni të gjithë! Po ti ç’bën akoma këtu? Marsh!”. Qesha, i lehtësuar dhe i lumtur dhe i thashë se kisha ardhur të kontrolloja për grevëthyes dhe do të nisesha për atje. Duke ikur më ndoqi zëri i Vangjushit “Atje të gjithë! Do të vij edhe unë!” Dhe erdhi vërtet! Ishte i pari pedagog që na u bashkua.
Sheshi para mensës së Qytetit Studenti, që sot quhet “Demokracia” ishte jo fort i mbushur. Ndonëse pothuajse të gjithë kishin braktisur mësimin, jo të gjithë kishin ardhur në shesh. Edhe dritaret e konvikteve ishin plot me kurreshtarë të trembur.
Sheshpushimi i shkallares, që të çonte te hyrja e mensës, krijonte një farë ballkoni mbi shesh dhe aty ishte vendosur një grup studentësh, mes të cilëve njihja vetëm Blendi Gonxhen e tani edhe Azem Hajdarin. Ai “ballkon” u bë tribuna e atyre dy ditëve protesta, fillimisht me megafon e më pas me një qendër të thjeshtë zëri. Folësit kërkonin llogari për dhunën e ushtruar ndaj studentëve, pas takimit me Ramiz Alinë, recitoheshin poezi atdhetare, tregoheshin episode protestash, të njohura përmes bisedave nën zë, të ndodhura nga Shkodër e Kavajë, por nuk mungonte autocensura. Askush nuk hidhte parulla haptazi antikomuniste. E vetmja gjë tërësisht e lirë ishte repertori muzikor, që luhej në pauzat mes fjalimeve, kur mund të dëgjoje “Give peace e chance”, “Talkin’bout a revolution”, “Let the Sun shine in” apo këngë të tjera nga Joen Baez e Bob Dylan.
Të gjithë folësit i mëshonin faktit se kërkonin takim me Presidentin (jo me Udhëheqësin, apo Sekretarin e Parë të PPSH) Ramiz Alia dhe se pa ndodhur ky takim, nuk bëhej fjalë të ktheheshim në universitete.
Ai shesh i ngjante një ene ku ndodh një reaksion kimik. Gradualisht, por gjithmonë në të njëjtin drejtim të vendosur. Folësit guxonin të thoshin një fjalë më shumë dhe turma i nxiste duke i brohoritur e miratuar. Nuk e mbaj mend kush dhe kur thirri i pari “Liri! Demokraci!”, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”, “E duam Shqipërinë si Amerika!” por ato u bënë shpejt thirrjet tipike të asaj proteste.
Në shesh qarkullonin edhe thashetheme, për sulme nga policia apo sambistët, por atmosfera ishte përgjithësisht entusiazte. Folësit filluan të prezantohen, duke cituar edhe universitetin apo fakultetin ku studionin. Shpesh ata u drejtonin thirrje bashkëstudentëve dhe këta të fundit përgjigjeshin me brohorima, si për të thënë “Fakulteti ynë është këtu”.
Herë pas here, ndonjëri nga folësit u drejtohej konviktorëve që na shikonin nga dritaret e konvikteve, të vendosura në 270 gradë rreth sheshit dhe atëherë, ne që ishim në shesh, ktheheshim nga të na vinte për mbarë dhe thërrisnim në kor “Nuk duam spektatorë!” Kjo pati efekt, sepse njerëzit në shesh nisën të shtohen, ndërsa ata nëpër dritare u pakësuan.
Të nesërmen, e martë 11 dhjetor, shkova drejt e në Qytetin Studenti. Nga moshat e të pranishmëve mund të kuptohej lehtë se tashmë nuk ishim vetëm ne, studentët, në protestë. Kishte edhe gjimnazistë dhe më të rritur se ne. Ishin shtuar edhe pedagogët. Nga Fakulteti ynë kishte ardhur Arben Imami dhe Kastriot Çaushi. Ajo ditë nisi me lajmin se do të mblidhej Plenumi i KQ të PPSH (i barazvlershëm me mbledhjet e këshillave kombëtare të partive të sotme). Sipas thashethemeve shumë të përhapura, Byroja Politike (e barazvlershme me kryesitë e partive të sotme) ishte ndarë në dysh, mes përfaqësuesve të linjës së butë, pra reformatore, të udhëhequr nga Ramiz Alia dhe atyre të linjës së ashpër, pra dogmatikë, të udhëhequr nga Nexhmije Hoxha. Gjashtë muaj më parë, kur ia kisha thënë këtë R. B. ai më ishte kthyer, duke më thënë: “Si nuk e kupton mor Kaç, se ata janë një? Ramizi u ndan dy lloj zarfash dhe u thotë “Ju do të jeni me rrenën A, ndërsa ju të tjerët me rrenën B. Kaq!” Sidoqoftë, atë ditë ne prisnim çfarë do të ndodhte në Plenium. E dinim se do të diskutohej për protestën tonë. Ndonëse në media nuk kishte dalë asnjë rresht, asnjë fjalë, asnjë sekondë video, nuk kishte mbetur njeri në Tiranë pa e marrë vesh atë që po ndodhte në Qytetin Studenti.
Rreth orës 10 paradite, ndoshta, erdhi lajmi se Ramizi pranonte të takonte një përfaqësi studentësh, në Pallatin e Brigadave. Kështu nisi debati mes folësve, nëse duhej ta pranonim ftesën dhe të dërgonim një përfaqësi të zgjedhur, apo të prisnim që Ramizi të vinte në Qytetin Studenti, siç kishte qenë kërkesa fillestare. Azem Hajdari thoshte se ne duhej ta pranonim ftesën e Presidentit, sepse dialogu kishte më shumë rëndësi se sa forma, vendi apo protokolli. Ndërsa Blendi Gonxhe ngulte këmbë se Ramizi duhej të vinte në shesh, të takonte studentët, ashtu siç takonte në vendet e tyre të punës, bujqit apo punëtorët. Nja dhjetë folës rresht mbështetën herë njërin, herë tjetrin. Edhe në shesh nisi debati.
Dikur vendosa të flas dhe u nisa drejt ballkonit të shkallares, duke çarë me vështirësi mes protestuesve, që vinin e bëheshin më të ngjeshur, duke iu afruar qendrës së zërit. Mbërrita dhe kërkova fjalën. “Dua të flas” i thashë Azem Hajdarit, i cili rrinte i kërrusur, me një këmbë të përthyer, mbi një vazo betoni a parmak dhe e mbante mikrofonin shtrënguar pas gjoksit. “Çfarë do të thuash, – më pyeti, – për çfarë je?” duke iu referuar debatit për vendin e takimit me Ramizin. Nuk më pëlqeu aspak pyetja e tij dhe mora zjarr: “Pse ore, ty do të të marr leje unë se çfarë të them?”. Ndërkohë pas studentëve që rrethonin Azemin kishte ardhur Sali Berisha. Nisur nga një artikull që ai kishte botuar më herët, por edhe nga dëshira për të marrë mbështetjen e pedagogëve, disa studentë e nxitën, pothuaj e shtynë të fliste. Azemi i dha mikrofonin. Unë i ktheva shpinën “tribunës” dhe nisa të zbrisja sërish në shesh. Në fund të shkallares më erdhi përballë Arben Imami. “Pse u ktheve? Pse nuk fole?” – më pyeti. “Sepse aty është një bajraktar, – iu përgjigja, – që nuk ta jep mikrofonin, po nuk i tregove më parë çfarë ke ndërmend të thuash!”
Ndërkohë kishte filluar të fliste Berisha. Studentët nuk miratonin asnjë fjalë të thënë prej tij. Fjalimi i tij ishte tepër konfuz. Në vend që të shprehej pro takimit me Ramizin në Pallatin e Brigadave apo në Qytetin Studenti, po na thoshte “Presidenti është me ne” dhe “Mos harroni Kosovën”… shkurt, po na ftonte të pushonim protestën se të gjitha kërkesat tona do të zgjidheshin nga Presidenti. Ky fjalim nuk është i xhiruar dhe vazhdimisht ngatërrohet me një tjetër, të bërë dy ditë më vonë, pas themelimit të PD. Studentët filluan ta kundështojnë duke lëshuar “u” e “y” të gjata dhe fishkëllima.
“Pse nuk flet ti, profesor” – pyeta Imamin. “Po nuk më takon, – më tha, – Këtë po e bëni ju, studentët”. “Po as Sali Berisha nuk është student” – ia ktheva. Kjo siç duket e bindi Imamin që tha shkurt “Dakord”. I hapa rrugën deri tek mikrofoni, duke e prezantuar si pedagog të Arteve. ILA kishte fituar një nam të mirë mes studentëve dhe ata që ishin aty, përfshi Azemin, e pranuan menjëherë, megjithëse askush nuk e njohu, ashtu me kasketë e me duart në xhepat e xhupit.
Imamit i takoi të fliste menjëherë pas Berishës dhe ai e gjeti menjëherë “çelësin” muzikor të duhur. “Ka çaste në historinë e kombit, – filloi të fliste shtruar ai, – kur pozita e intelektualit duhet të përcaktohet qartë. Kur janë përballë njëri-tjetrit studentët dhe tanket, secili duhet të bëjë zgjedhjen e tij. Unë e kam bërë zgjedhjen time.” Studentët e brohoritën me pathos dhe Imami vazhdoi, më i sigurt në vete: “Ata që vijnë këtu të na sjellin zërin e Presidentit, bëjnë mirë të dëgjojnë zërin tuaj dhe ta çojnë te Presidenti”. Me një fjali të vetme e asgjësoi Berishën. Pastaj hyri në temën e debatit të ditës dhe e bindi shumicën se takimi me Presidentin duhej pranuar, kudo që të bëhej.
.
Dhjetor 1990 - Fitore dhe Zhgënjim
Dhjetor 1990 – Fitore dhe Zhgënjim

Dhjetor 90 (Pjesa e Tretë)

Konsensusi i shprehur përmes brohoritjeve dhe duartrokitjeve e kishte mbyllur debatin për vendin e takimit me Ramizin. Duhej ngritur përfaqësia e studentëve. Hapa sytë rrotull për të parë studentë të Arteve dhe i kërkova secilit të shpërndaheshim në shesh, duke “krehur” turmën për bashkëstudentë të Arteve, për t’u komunikuar se, pas gjysmë ore, do të mblidheshim të gjithë, për të zgjedhur përfaqësinë me tre studentë të ILA, pjesë e përfaqësisë që duhej të shkonte në Pallatin e Brigadave. Të njëjtën gjë bëra edhe me shokët e mi të vjetër, studentë të Inxhinierisë. Ideja ishte e thjeshtë: secili Fakultet i UT dhe çdo Institut, përfshi ILA, ILKF Vojo Kushi (sot Universiteti i Sporteve) dhe ILB Kamëz (sot Universiteti Bujqësor) të përfaqësoheshin barazi. Në total duhej të bëheshim rreth 45 vetë.
Nga Artet erdhi ndoshta çereku i 660 studentëve të regjistruar, por gjithsesi u bë një votim i hapur dhe u zgjodhën Blendi Gonxhe, Robert Budina (që në dy pjesët e para të këtij shkrimi e kam përmendur me iniciale) dhe unë. Blendi Gonxhe propozoi që të kishim edhe një pedagog me vete, duke argumentuar se kishim nevojë për pjekurinë dhe përvojën e tyre. Aty për aty, “delegacionit” tonë iu shtua edhe Arben Imami. Ky i fundit mori një farë kohe për t’u këshilluar me Kastriot Çaushin, nëse duhej ta pranonte angazhimin apo jo, por nuk mori ndonjë këshillë.
Një korrier i panjohur na njoftoi se do të mblidheshim në konviktin nr.13, që e gjetëm duke pyetur. Çdo konvikt kishte në katin e parë një sallë, pak a shumë sa një klasë shkolle, ku konviktorët mund të shikonin televizor. Në këtë sallë të konviktit nr. 13 hymë, duke zënë vend në ca stola të gjatë në rreshtin e dytë. Në rreshtin e parë vura re Arben Likën, të cilit ia kisha mësuar emrin ato ditë. Përballë nesh rrinte në këmbë Tefalin Malshyti, të cilin gjithashtu nuk e kisha njohur më parë. Azemi, me xhup të zi lëkure e me duart nën sqetulla, hynte e dilte. Dukej se grupi i folësve të atyre dy ditëve ishte dakordësuar, që mbledhjen ta drejtonte Tefalin Malshyti. Edhe sot që kanë kaluar 30 vjet, mendoj se zgjedhja rezultoi e shkëlqyer. Tefa ishte i qetë, i artikuluar, inteligjent dhe, siç tregoi rrjedha e mëvonshme e ngjarjeve, edhe idealist.
Sapo Tefa hapi mbledhjen, Ben Imami e ndërpreu me shumë mirësjellje, duke na u lutur të gjithëve të ruanim seriozitetin e duhur për atë mbledhje, që kishte rëndësi historike, duke mbajtur një proces-verbal. Propozimi u pranua njëzëri. Sot e kësaj dite nuk e mbaj mend kush e mbajti proces-verbalin dhe nuk e di ku ndodhet ky dokument.
Mbledhja filloi me “çelësin” e duhur dhe e ruajti seriozitetin, me gjithë disa incidente të kuptueshme. Nga të parët foli Arben Lika, që u tall me konceptin e “pluralizmit të mendimit”, që kishte shpallur Ramiz Alia, duke argumentuar se njeriu lind me pluralizëm mendimi. Tefalin Malshyti jepte gjykimin e tij shkurt dhe kalonte fjalën tek të tjerët, por e kishte të pamundur të ruante të njëjtën linjë diskutimi. Folësit përqendroheshin herë te kërkesat ekonomike, të artikuluara e renditura tashmë, herë tek ato politike, si krijimi i një organizate të pavarur rinore.
Kur më erdhi radha, fola shkurt e me nxitim. Thashë se duhej të tregoheshim të zgjuar e të deklaronim se nuk ishim për ndryshimin e rendit kushtetues, sepse kjo automatikisht na klasifikonte si “armiq”. Manovra jonë duhej të ishte të kërkonim krijimin e një organizate rinore dhe kjo mjaftonte për të marrë pjesë në zgjedhje, pas ndryshimit të Ligjit të Zgjedhjeve, në shtator, që tashmë lejonte pjesëmarrjen edhe të të ashtuquajturave “organizata të masave”, ndër të cilat edhe Bashkimi (komunist) i Rinisë së Punës së Shqipërisë. Pikëpamja ime ishte se mosdeklarimi si kundërshtarë të socializmit do të na e bënte më të lehtë rrugën drejt pluralizmit politik.
Emin Barçi, i ulur në mes të sallës, së bashku me studentët e tjerë të Fakultetit Ekonomik foli për një gjendje ekonomike në prag të katastrofës. Sipas tij se duhej të ofronim edhe alternativën për zgjidhjen e krizës ekonomike, duke propozuar lejimin e shitjes së tokës të huajve, për të ulur borxhin e jashtëm. Njëri prej dy pedagogëve të tjerë të pranishëm, në mos gaboj Arben Meçe, u ngrit dhe e kundërshtoi me vendosmëri: “Dale more djalë, ne mezi e kemi atë pak tokë që na ka mbetur, t’i thua t’ia shesim të huajve?!”. Emin Barçi u nervozua dhe nguli këmbë se në atë sallë vetëm ai dhe shokët e tij ishin kompetentë për të folur për ekonominë.
Një student, nga ata që rrinin tek dera, për të mbajtur rendin, hyri dhe tha se kishte ardhur një ekip xhirimi i Kinostudios, për të bërë një kronikë. Ishte reagimi i parë i medias. Deri atë ditë asnjë gazetar i televizionit, radios apo ndonjë gazete nuk ishte paraqitur në Qytetin Studenti. Përmes dy kanateve të derës së sallës së televizorit, secila me nga katër “dritareza” xhami, pashë operatorin e kameras Aleksandër Kasneci dhe operatorin e zërit Gëzim Cenolli, të cilët tre vjet më pas do t’i kisha kolegë në Studion Alba Film.
Në sallë shpërtheu paranoja:” Jo, në asnjë mënyrë… I ka dërguar Sigurimi i Shtetit… Nuk kemi nevojë për ju…”. Unë thashë se nuk kishim asnjë mundësi të mbroheshim nga përgjimet e Sigurimit. Edhe të tjerë thanë se asgjë e keqe nuk do të na vinte nga kjo kronike. Gëzim Cenolli futi krahun e djathtë dhe kokën tullace në njërën nga dritarezat e derës, së cilës i mungonte xhami dhe na u përgjërua: “Po është histori mor djema!”. Por ishte e kotë… E njëjta paranojë u shfaq edhe më vonë, kur një student hyri me arrogancë dhe na kërcënoi të gjithëve të kishim kujdes e të mos bënim lojra, kupto: të mos tradhëtonim votën e studentëve. Kundërreagimi i të pranishmëve ishte edhe më patetik: e akuzuan si provokator të Sigurimit!
Përfundimisht, u ra dakord të lejohej vetëm kamera, pa mikrofonin. Leko (Aleksandër Kasneci) hyri dhe xhiroi një bobinë të vetme, që përkthehej në diçka më shumë se 10 minuta film. Kur fillova punë në Studion Alba Film, kërkova ta shikoja atë xhirim në Arkivin e Filmit, por aty më thanë se një bobinë e tillë nuk ishte dorëzuar kurrë në Arkiv. Pyeta Gëzimin dhe ai më tha se e kishin dorëzuar materialin bruto, sipas rregullit, por nuk e dinte ç’kishte ndodhur me të. Ndërsa Leko, me zërin e tij të ngjirur, më tha “Mos pyt mo mir!”. Nuk tingëllonte si kërcënim, por si ftesë për t’u dorëzuar. “E kon zhduk.” Ndryshe nga të gjithë vendet e ish-Bllokut Socialist të Europës Lindore, në Shqipëri nuk ruheshin negativat e sekuencave filmike që nuk përdoreshin në një film artistik, dokumentar apo kronikal. Në zjarr përfundonin edhe sekuencat e hequra në zbatim të censurës. Fati i kësaj bobine ndoshta zbardhet vetëm në dokumentet e kohës të Sigurimit të Shtetit. Dyshimi i Lekos ishte se negativin e kishin marrë ata.
Pasi ekipi i Kinostudios kishte ikur, pas derës pamë Gramoz Pashkon. Studentët e Ekonomikut u ofruan të gatshëm t’i linin vendin atij në sallë, por Pashko u përgjigj se nuk ishte nevoja. “Kam besim tek studentët e mi”, – tha.
Dikur, Azemi hyri prapë dhe tha: “Shokë, nga Kabineti i Presidentit sapo na njoftuan se nuk pranojnë më shumë se 30 vetë. Duhej që nga çdo përfaqësi fakulteti të tërhiqej një nga tre studentët. Pedagogët e pranishëm, Tre Arbenët (Imami, Demeti dhe Meçe) u ra dakord të mbeteshin (Më vonë kam marrë vesh se kishte edhe një pedagog tjetër, Zef Brozi, por nuk mbaj mend të ketë folur në mbledhje).
Ky ishte çasti kur serioziteti i mbledhjes u vu në rrezik. Emin Barçi dhe studentët e tjerë të Ekonomikut u bënë të zhurmshëm. Këmbëngulnin se delegacioni i tyre duhej, përkundrazi, të shtohej në numër, sepse vetëm ata mund të argumentonin platformën për zgjidhjen e krizës ekonomike, por debati i shkurtër për shitjen e tokës kishte lënë shije të keqe… Edhe studentët e Filozofisë ngulnin këmbë se prania e tyre në takimin me Ramizin ishte e domosdoshme dhe duhej t’u shtoheshin numrat. Një studente nga Vlora nguli këmbë se ajo duhej të ishte patjetër në takim, që t’i tregonte Ramizit shenjat e shkopit të gomës që kishte në kurriz. Ironikisht, këta që bënin potere në mbledhje, nuk pipëtinë fare në takimin me Ramizin.
Në këto e sipër mbërriti thashethemi se Plenumi i KQ kishte pranuar të lejohej pluralizmi politik. Entusiazmi arriti kulmin. Megjithatë askush nuk tha se takimi nuk kishte më kuptim. Ndërkohë që vazhdonin debatet për reduktimin ose jo të përfaqësive të fakulteteve, Azemi m’u drejtua mua: “Ti duhet të rruhesh. Nuk mund të vish kështu tek shoku Ramiz.” Mirëpo unë isha tepër krenar për mjekrën që kisha filluar të rrisja dy javë më parë dhe që ishte bërë problem në mbledhjet e organizatës bazë të partisë dhe ato të këshillit pegagogjik në Fakultetin e Arteve Skenike. “Çfarë the ti?! – ia ktheva – Po unë për këtë mjekër jam këtu!”. Gjithësesi, gjëja që më interesonte më pak në atë çast ishin debatet mes nesh. Tekefundit nuk kisha asnjë dëshirë të shkoja të takoja Ramizin. I thashë Ben Imamit se unë po tërhiqesha dhe kështu përfaqësia e Arteve ishte në rregull me tre vetë. Në të njëjtën gjatësi vale, Beni u ngrit dhe i tha sallës “Instituti i Arteve e dha shembullin e vet. Një nga përfaqësuesit u tërhoq. Le ta bëjnë të gjithë fakultetet”. U ngrita dhe dola nga salla dhe takova tek dera Edmond Budinën, që e kisha pedagog, i cili sapo ishte kthyer nga Zvicra, ku Teatri Kombëtar kishte qenë në turne, për shqiptarët e Kosovës. Pas pak doli edhe Bert Budina dhe tha se ia kishte lënë Mondit vendin e tij, për të shkuar tek Ramizi.
Jashtë atmofera ishte më shumë se euforike. Njerëzit përqafoheshin e putheshin. Ishte errur plotësisht kur një autobus Saviem, nga ata që përdoreshin për transportin urban në Tiranë, erdhi të merrte 30 studentët dhe pedagogët që do të shkonin në takim. Njerëzit rrethuan autobusin dhe dukej sikur donin ta përqafonin, në pamundësi për të përqafuar pasagjerët e tij. Ishte një skenë që më kujtoi rrethimin nga tifozët shqiptarë, të autobusit të kombëtares gjermane të futbollit, pas stërvitjes në Stadiumin “Qemal Stafa”, në vitin 1981.
Orët e pritjes së kthimit të përfaqësisë kaluan shpejt. Hareja ishte e papërshkrueshme. Njerëzit takonin të njohurit, lëviznin në shesh e rrotull tij, prezantoheshin me të njohur të të njohurve të tyre, por flisnin edhe me të panjohur, sikur t’i kishin të njohur. Fantazia e secilit kishte marrë krahë. Tema e preferuar: Sa shpejt do të hymë në Europë? Të gjithë ishin të bindur se do të ndodhte shumë shpejt, brenda jo më shumë se katër vjetësh. Argumenti për këtë nuk ishte përparimi i pritshëm i vendit, por fuqia e madhe ekonomike e BE. “E çfarë na ka Europa ne?… Asgjë!… Ç’i kushton Europës të mbajë 3 milion vetë? Ne për katër vjet bëhemi Zvicër…”
Atëherë nuk e kisha idenë e modelit të demokracisë direkte të Zvicrës. Por dija që ishte vend i pasur. Bashkëbiseduesi im ngulte këmbë se mineralet tona nuk i kishte asnjë vend tjetër i Europës. Detin tonë nuk e kishte askush. “Pikërisht – i thashë, – Zvicra nuk ka asnjë mineral. Madje nuk ka as det. Si u bë e pasur?” Bashkëbiseduesi heshti një sekondë dhe më tha: “E si u bë, sipas teje?”. “Die Arbeit , – ia ktheva unë, – Puna! E kam lexuar në një artikull të Neritan Cekës, me përshtypje udhëtimi nga Gjermania.” Bashkëbiseduesi im më ktheu shpinën dhe iku.
Ishte bërë shumë vonë, kur përfaqësia u kthye nga takimi me Ramizin dhe një pjesë e tyre zuri vend në ballkonin tribunë të shkallares së mensës. Nuk do ta harroj kurrë Shinasi Ramën që mori mikrofonin dhe thirri “E deshet demokracine, jua prume!” (pa shqiptuar asnjë ë). Unë qesha. “Po sikur Skënderbeu tha se lirinë nuk na e solli ai, por e gjeti midish nesh…” u thashë shokëve që kisha afër. Në tribunë pashë edhe Osman Mulën që thirri “T’këndojm kangën ma t’bukur, kangën e flamurit!”
Nuk fiksova asgjë nga fjalimet e folësve. Mezi prisja të dëgjoja regjistrimin audio të takimit. Mezi prisja të dëgjoja Ramizin të përpëlitej për të gjetur fjalët, pas kritikave dhe akuzave për sistemin. Por përvoja më rezultoi zhgënjyese. Më mbeti në mend patetizmi i Shinasi Ramës, servilizmi i habitshëm i Arben Demetit, dy-tri batuta të Blendi Gonxhes, tipike për të, por shumë efikase në këtë rast dhe këmbëngulja e Ben Imamit për t’ia nxjerrë me zorr nga goja Ramizit pranimit e pluralizmit, përmes krijimit të një partie të re politike, jo më një organizate thjesht rinore. Shikimi i videos, shumë kohë më pas, vetëm sa ma shtoi zhgënjimin dhe shijen e hidhur. Më vjen për të vjellë edhe sot kur shoh një grup studentësh, që në fund të takimit rrethojnë Ramizin dhe flasin me të si me gjyshin e tyre të dashur.
Kur mbaroi regjistrimi audio, një grup studentësh dhe pedagogësh u nis drejt konviktit nr. 13. Unë ngjita shkallaren për t’u nisur për në shtëpi. Isha i uritur dhe i lodhur. Greva jonë kishte përfunduar dhe të nesërmen në mëngjes duhej të isha në fakultet. Isha i lumtur që po krijohej një parti demokratike, por nuk doja të bëhesha pjesë e saj. Më mjaftonte të mendoja se pas tre vitesh do të isha regjisor, në një vend demokratik. Nuk kisha dashur të ikja nga vendi, duke u futur në ambasada e aq më pak mund të më shkonte ikja në ato çaste. Sapo e lashë në të djathtë mensën, u përballa me sekretarin e organizatës bazë të partisë në ILA, Gëzim Kamen dhe regjisorin fierak Pëllumb Kulla. Më përqafuan të dy duke më thënë “Rrofshi mor djem, se nga ju e kemi!”.
Në shtëpi po më prisnin të gjithë zgjuar. Motra fluturonte. Edhe nëna ishte e lumtur. Babai ishte i menduar. Apo ndoshta i dorëzuar? Vite të tëra kishim bërë debate të ashpra. Ai ishte komunist dhe unë kisha bindjen se ai i besonte komunizmit. Ato tri ditë kishte folur shumë pak. Nuk më kishte kundërshtuar për asgjë. Edhe kur u thashë se do të shkoja në Qytetin Studenti ishte nëna, si nënat, që më tha të mos shkoja. Ndërsa ai i tha nënës “Lere, nuk duhet të ndahet nga shokët.” Ndërsa mua më shtoi një fjali të fundit: “Vetëm tregohu i matur. Me mend në kokë!”
Zgjimi të nesërmen i ngjante fundit të një poezie Bardhyl Londos, të botuar pak ditë më vonë, ku thuhej pak a shumë se, mitingu mbaroi dhe këpucët e lagura më kujtuan se lata e druve duhej prerë…
.
Kastriot Çipi në 1990
Kastriot Çipi në 1990

Dhjetor ’90 (Pjesa e Katërt)

Të nesërmen në mëngjes, 12 dhjetor, u nisa për në Fakultet, si zakonisht. Nuk mendoja se duhej të shkoja më në Qytetin Studenti. Para Kryeministrisë takova kushëririn tim, Teodor Kekon. “Çfarë po bëni? – më pyeti. – Jeni mbyllur atje në Qytetin Studenti si Oso Kuka. Do të bëni parti studentësh apo intelektualësh?”. I thashë se nuk po merresha me partinë, se nuk më interesonte. Por pasi mbarova mësimin e paradites (në degën e regjisë bëhej rregullisht mësim dy herë në ditë), rrugës për në shtëpi, kalova nga Qyteti Studenti dhe takova Ben Imamin, që kishte miqësi me Kekon. “Ik ore pirdhu, i thuaj Dorit, – më tha, – Nga kush e pret ftesën ai? Të vijë!”. Kur mbërrita në shtëpi e telefonova Kekon dhe e kreva “telefonin e prishur”.
Pasdite ishte mitingu i shpalljes së nismës për themelimin e Partisë Demokratike. Në Qytetin Studenti mësova se një grup pedagogësh e studentësh po punonin për një program minimal të partisë së re. Ndërkohë në shesh ishin shtuar fytyrat e njohura, gazetarë të “Dritës”, poetë, shkrimtarë, kineastë, aktorë. Dikush më tha se Berisha kishte thënë në TV se nuk do të bëhej anëtar i partisë së re. Nuk m’u duk as habi, as ndonjë humbje. U habita madje që e pashë sërish në tribunën-ballkon. Lavdëroi për herë të tretë në dy ditë Ramizin. Nuk e kuptoja pse ishte ende aty.
Partia Demokratike ishte emër i bukur. Në dijeninë time kishte vetëm një parti tjetër me këtë emër në botë: ajo në SHBA. Mitingu mbaroi dhe unë ika, me mendimin se ishte hera e fundit që shkoja në Qytetin Studenti.
Po afronte sezoni i provimeve. Në Fakultetin tonë mësimi bëhej edhe pasdite dhe gjatë sezonit ngarkesa na detyronte të rrinim në studio deri në mesnatë.
E enjtja, 13 dhjetor, duhej të ishte ditë e zakonshme mësimi. Por doli se ishte ende shpejt për t’iu kthyer ritmit normal. Bert Budina më pyeti se ku kisha ikur mbrëmë. Ndjeva një lloj kërkese llogarie. “Në shtëpi” – i thashë, i habitur me pyetjen. “Po ne firmosëm për partinë. – më tha – Duheshin 300 firma.” I thashë se nuk isha i interesuar. Berti më tregoi se Sali Berisha nuk kishte pranuar të firmoste. “Unë e kam partinë time.” – kishte thënë ai. Berti më tregoi se atë mbrëmje, në ora 6, do të mblidheshim për Komisionin Nismëtar. Votimi i hapur të një pjese studentësh, që më kishte zgjedhur përfaqësues, mesditën e 11 dhjetorit, më bënte të ndihesha përgjegjës para tyre. Por ndjeja edhe se doja të çlirohesha sa më parë nga kjo përgjegjësi.
Në sallën e Kino-Teatrit të Pallatit të Kulturës, në Qytetin Studentis shkova vetëm dhe u ula po vetëm, diku në mes të sallës. E kisha vendosur më herët se nuk do të anëtarësohesha, kështu që kisha luksin të isha një spektator mendjeftohtë. Pak më larg dëgjoja Leka (Aleksandër) Meksin, që i rrëfente një grupi të vogël studentësh se si kishte zbuluar se ishte në listat e zeza të regjimit komunist.
Nuk e dija kush do ta drejtonte mbledhjen dhe cili do të ishte protokolli. Në mes të gjerësisë së skenës, në buzë të saj, ishte vendosur një tryezë dhe tri karrike. Mbi tryezë kishte një mikrofon. Bezja e kuqe, tipike për presidiumet e mbledhjeve komuniste, ishte e vetmja që mund të gjendej në atë kohë, për të mbuluar tryezën.
Në presidium zunë vend, Azem Hajdari dhe Arben Imami anash dhe Sali Berisha në mes. Nuk dija si të reagoja për praninë e Berishës. I gjithë publiku i pranishëm e pranoi këtë fillim të mbrapshtë. Heshta edhe unë.
Por nuk mbaroi me kaq. Berisha filloi të fliste i pari. Tha se ishte vendosur të krijohej një Komision Nismëtar për themelimin e Partisë Demokratike, i përbërë nga 15 anëtarë, nga të cilët 5 studentë, 5 pedagogë dhe 5 përfaqësues nga klasa punëtore(?!). Ndërsa fliste, Berisha futi dorën në xhepin e brendshëm të xhaketës, nxorri një letër dhe filloi të lexojë emrat. Ndër pesë emrat e studentëve dëgjova emrin “Ilenja Mëhilli”. Nuk e kisha idenë kush ishte. Nuk ia kisha dëgjuar kurrë emrin deri atë ditë.
Bezja e kuqe mbi tryezë, presidiumi me tre vetë, termi “klasa punëtore”, formula 5:5:5 dhe në fund një emër krejtësisht i panjohur si përfaqësuese e studentëve… situata po bëhej absurde. Po themelohej një parti Demokratike dhe gjithçka dukej si në mbledhjet e Frontit Demokratik komunist. Berisha i kërkoi të pranishmëve në sallë të propozonin pesë përfaqësuesit e “klasës punëtore” dhe atëherë absurdi u kthye në grotesk.
Njerëz të panjohur, që as nuk prezantoheshin, ngriheshin dhe thonin “Kolektivi i Kombinatit të Autotraktorëve “Enver Hoxha”… Kombinatit të Tekstileve “Stalin”… Minierës së Valiasit… propozonin kryeinxhinierin X… shefin e repartit Y… brigadierin Z, të gjithë punëtorë të dalluar, të dashur me shokë e shoqe (njësoj si në “karakteristikat” famëkeqe që përgatiste dega e kuadrit), për anëtar të Komisionit Nismëtar. Berisha miratonte menjëherë dhe mbante shënim emrin.
Me sa dukej, “klasa punëtore” nuk ishte përfaqësuar nga pesë “kolektiva punonjës”, kështu që procesi i formimit të Komisionit Nismëtar ngeci pas propozimit të katërt. Berisha shikonte në publik i dëshpëruar, në pritje të propozimit të pestë. Pas ndonjë minute mërmërimash e diskutimesh në sallë, dikush kërkoi fjalën. Më vonë mora vesh se ky ishte Eduard Zaloshnja. “Unë dua të propozoj dikë. Do të propozoj motrën time, Merita Zaloshnja…”. Sipas propozuesit motra e tij i përmbushte të gjitha kriteret, por ai nuk do të zgjatej shumë në lëvdata, meqë e kishte motër. Berisha ishte i kënaqur që po propozohej një femër, përveçse që po përmbyllej lista e anëtarëve.
Gramoz Pashko u ngrit me nerv, shkoi deri te tryeza e “presidiumit”, pa u ngjitur në skenë, kapi mikrofonin dhe e drejtoi nga vetja, duke e ulur, ngaqë skena ishte rreth 80 cm e lartë.
-Zoti Berisha, – nisi fjalën e tij Pashko, – ne po bëjmë një gabim shumë të madh. Po lemë pa përfaqësuar në këtë Komision shtresa shumë të rëndësishme të popullsisë. Prandaj unë propozoj…
-Urdhëro Gramoz! – tha Berisha dhe mori stilografin të mbante shënim.
-… të shtohen në Komision një mjelëse lopësh, një volejbolliste dhe një traktorist… (Publiku shpërtheu në të qeshura. Berishës i ngriu stilografi në dorë dhe ngriti kryet. Pashko shpërtheu.) Ky është skandal! Kështu do të bëhet partia? Me propozime nga masa? Ai tjetri propozon motrën! Me kë do ta bëj progamin ekonomik unë?
Pashko lëshoi mikrofonin doli nga salla, nga krahu i djathtë i skenës.
Arben Imami u ngrit i pari dhe e ndoqi nga pas, duke u përpjekur ta qetësonte dhe së bashku të gjenin një zgjidhje. Nga salla pashë se u ngrit, ndër të tjerë, edhe Dor Keko. Në atë që, në terminologjinë e teatrit quhet “xhepi” i djathtë i skenës, debati vazhdoi për minuta të tëra. Dikur u arrit kompromisi. Merita Zaloshnja u bë pjesë e Komisionit Nismëtar dhe mbledhja vazhdoi me leximin dhe miratimin formal të programit minimal të partisë. Në librin “Dhjetor ‘90” të Aleksandër Meksit emri i Ilenja Mëhillit mungon, megjithëse lista e anëtarëve të Komisionit Nismëtar ka 22 emra.
Gjithsesi, Komisioni u ngjit në katin e dytë të Pallatit të Kulturës dhe u fut në një sallë mbledhjesh. Ne “gavroshët e revolucionit” e ndjenim për detyrë të ishim aty. Paranoja se regjimi mund të sulmonte në çdo kohë ishte ende e fortë. Arsyeja e dytë për mua ishte një studente konviktore, që kishte marrë pjesë në takimin me Ramizin. Rrinim në korridor dhe tymosnim cigare. Mond Budina dilte herë pas here dhe na tregonte se çfarë ndodhte brenda. Dikur doli dhe na tha se Saliu ishte bajraktar. Në mbledhje kishte pasur debat për një çështje, që nuk e kujtoj dhe, kur palët ishin ndarë në dysh, pas një pauze ishte dëgjuar zëri i ndrojtur i Eduard Selamit: “E di si mendoj unë?” Sipas Mondit, Berisha ishte kthyer menjëherë dhe i kishte thënë: “Ti mendon? Ne këtu të kemi marrë të mbash shënime, jo të japësh mendime.” Dhe Selami e kishte qepur.
Pas mesnate erdhi Edi Rama. Mondi ishte me ne në korridor. Studentë të tjerë shkonin e vinin. Ndonjëri sillte lajme për trazira në qytete të tjerë. Mondi i çonte zërat e tyre në mbledhje. Shumë shpejt, ndoshta brenda çerek ore, Edi doli nga mbledhja dhe iku. Mondi erdhi pas tij dhe na tregoi incidentin. “Ay filloi të flasë ç’i thoshte mëndja. Gramozi i tha ne kemi bërë një program minimal. Fol në frymën e programit. Nuk e kam lexuar, i tha Edi. Epo mirë, i tha Gramozi, lexoje. Nëse të pëlqen, fol në frymën e programit. Nëse nuk të pëlqen, ik e bëj partinë tënde. Dhe Edi u ngrit e iku.”
Nuk e kam besuar kurrë versionin e treguar nga Edi Rama për mungesën e tij në datat 9-12 dhjetor, të justifikuar me hapjen e një ekspozite personale në Korfuz. Edi ishte në ILA natën e 8 dhjetorit. E mori vesh shumë mirë se në Qytetin Studenti po ndodhte demonstrata e parë anti-komuniste. Askush që kishte ambicie politike nuk do të shkonte në Korfuz, në një provincë greke, duke humbur rastin të ishte, në mos protagonist, së paku dëshmitar i ngjarjeve me përmasa të tilla historike. Së dyti, kam dyshuar dhe dyshoj se mund të shkoje në Korfuz e të ktheheshe brenda tri ditësh. Atëherë nuk kishte tragete për në Korfuz (madje për askund tjetër), nuk kishte makina private e rrugë të mira, që të të çonin në Sarandë apo Kakavijë për gjysmë dite, ndërsa për në Athinë kishte vetëm një avion në javë. Së treti, Edi, derisa u bë Kryeministër, nuk hapi kurrë ekspozitë vetjake. Nuk kishte vepra. Së fundi, pse duhej ta mbante sekret Blendi arsyen e zhdukjes së tij ato ditë, nëse ishte fjala për një ekspozitë?
Pas orës 2 të natës, Mondi erdhi prap e na tha se do të shkonin në shtëpinë e Gramozit për të bërë statutin. Unë Berti dhe dy studentë të tjerë vendosëm ta shoqëronim, që të mos i ndodhte gjë rrugës. U nisëm në formacion “guerrilas”. Një pararojë dhjetë hapa para, unë dhe Berti përkrah Mondit dhe një i katërt dhjetë hapa pas. Dolëm në rrugën e Elbasanit, në errësirë dhe qetësi absolute. Kur mbërritëm tek kthesa në të djathtë, në rrugicën ku ndodhej shtëpia e Pashkove, Mondi u ndal. Në hyrjen e vilës dykatëshe kishte ushtarë të Gardës me kallashnikov. “Ç’janë këta ushtarë këtu?” – tha pararoja, që po na priste. “Edhe unë po habitem, – tha Mondi – S’ka pasur ndonjëherë ushtarë.” Pamja e ushtarëve gjithësesi nuk dukej agresive. Ata na panë, por nuk bënë asnjë veprim. “O presor, nga kush të ruajmë ne ty?” – i thashë Mondit. Edhe praparoja ishte bashkuar me ne. Mondi na falënderoi për shoqërimin dhe na uroi natën e mirë, shkoi drejt derës dhe hyri brenda, pa e penguar ndonjëri nga ushtarët.
.

Dhjetor 1990 - Mitingu i Madh në Qytetin Studenti
Dhjetor 1990 – Mitingu i Madh në Qytetin Studenti

Dhjetor ’90 (Pjesa e Fundit)

Të nesërmen iu riktheva rutinës së përditshme. Bëja prova në tavolinë për provimin e regjisë, me një dramatizim nga romani “Ylli i Gjeneralit” nga shkrimtari amerikan El (Al) Morgan, një tekst që pedagogu Andon Qesari ma kishte refuzuar (së bashku me katër të tjerë, të gjithë me aluzione të forta politike) dhe kisha mundur ta filloja vetëm pasi ai kishte ikur në Zvicër, me turneun e Teatrit Kombëtar, në fund të nëntorit. Tashmë ai nuk mund të më ndalonte më të punoja me këtë tekst.
Një ditë, Blendi Gonxhja më tha se duhej të shkonim te Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, për të themeluar degën e PD për shkollat e larta. Atë pasdite shkuam të tre, bashkë me Robert Budinën. Ishte një lloj ritakimi me të gjithë ata, me të cilët ishim mbledhur në pasditen e 11 dhjetorit, me disa mungesa të rëndësishme, të atyre që tashmë ishin angazhuar në Komisionin Nismëtar për Themelimin e PD.
U futëm në një klasë. Ishim ndoshta 30 vetë. Përpara na doli pedagogu i Inxhinierisë së Ndërtimit, Arben Meçe, i cili na priste në këmbë, a thua se kishim ardhur për leksion.
Mendova se do të drejtonte mbledhjen, si i deleguar, por u gabova. Sapo nisi mbledhja, u hap debati nëse duhej të zgjidhnim një kryesi dhe kryesia kryetarin, apo duhej ta zgjidhnim të gjithë bashkë edhe kryetarin. Meçja na kthjelloi menjëherë: “Kryetari jam unë. Ju duhet të zgjidhni kryesinë!” – tha.
Më erdhi për të qeshur. Nga ajo sekondë, nuk e kuptoja ç’bëja më në atë klasë. U ngrita dhe thashë se votoja për Blendi Gonxhen si përfaqësues i ILA në kryesi. “Pse unë? – më kundërshtoi Blendi, – Bëhu ti!”. “Lere Blendi, se ta shoh në sy që ta ka qejfi. Ika unë. Suksese kryesisë!” Menjëherë pas meje u ngrit edhe Bert Budina dhe Blendi qëndroi, tashmë si anëtar i Kryesisë së Degës së PD për Shkollat e Larta.
Disa ditë më vonë, tek hyrja e Fakultetit të Artit Skenik hasa Ben Imamim. U takuam me përzemërsi. Ai e ndjente vlerësimin tim për të si pedagog, ndër dy-tre më të mirët që kishte Fakulteti ynë. “Mirë që të gjeta, – më tha. – Kam ardhur të bisedojmë se duhet të themelojmë degën e PD në Institutin e Arteve.”
-Po ç’punë kam unë, o profesor?
-Si ç’punë ke ti? Unë ty të shoh si protagonist këtu.
-Profesor, unë e mbylla me mbledhjen te Inxhinieria e Ndërtimit. Ia lashë stafetën Blendit.
-Ajo ishte dega e PD për shkollat e larta. Po flasim për Artet.
-Profesor, nuk kam firmosur as për themelimin e PD. Nuk kam ndërmend të bëhem anëtar.
-Po pse?
-Sepse mendoj se kush merret me art, nuk duhet të merret me parti.
Më kishte mbetur ndër mend një intervistë e Dhimitër Anagnostit, botuar asokohe në gazetën “Drita”, ku ai thoshte diku: “Artisti që braktis krijimtarinë për postin, ose ka pushuar së qeni artist, ose s’ka qenë kurrë i tillë!”
Beni më pa një sekondë në sy. Nuk besoj se e mori për ters atë që i thashë. Dy vjet më pas, kur e ftova të punonte me ne, për atë që quhej “puna e diplomës në mjeshtëri aktori”, pranoi. Por vetëm aq. Në çdo bisedë të rastit që bëmë ato vite, më përsëriti se nuk kishte ndërmend t’i kthehej teatrit. Nuk e di a ka humbur ai nga kjo zgjedhje, por di me siguri se ka humbur teatri dhe katedra e regjisë.
Dhe kështu erdhën Krishtlindjet e para në Shqipëri. Ishte ngjarje e madhe, edhe për mua që isha ateist dhe kisha lindur një vit pas mbylljes së kishave dhe xhamive. Një shok i shkollës së mesme, S. Ç, ishte martuar me urgjencë, pasi e dashura e tij kishte mbetur jetime dhe e vetme në shtëpi. E dija se ajo ishte besimtare dhe se, për hatër të saj, edhe shoku ynë do të shkonte në kishë, natën e Krishtlindjeve.
Para mesnatës u nisa në këmbë për te ish-kinoteatri Rinia, tashmë i rikthyer në kishë dhe të pagëzuar me emrin “Zemra e Krishtit”. Në rrugën e Kavajës kishte plot njerëz me qirinj në duar, që shkonin në kishë. Ishte pamje surreale, për Shqipërinë e asaj kohe.
Kisha ishte e mbushur plot. Munda të hyj vetëm një metër, brenda portave. Shokun tim nuk e dallova dot, por e dija se ishte brenda, me siguri. Ajri ishte i rënduar, nga gjithë ata njerëz, qirinj e temjanë. Dola te pragu të tymosja një cigare. Aty u shkëmbeva me Gëzim Kamen, që ishte shef i katedrës së Dramës dhe sekretar i organizatës bazë të PPSH dhe Kastriot Çaushin, atëherë pedagog i thjeshtë. U përshëndetëm dhe ata hynë në kishë. Ndjeva se nuk duhej të hyja më unë… Prita derisa mbaroi mesha, urova shokun tim dhe të shoqen dhe u ktheva në shtëpi, përmes Rrugës së Kavajës. Nga qirinjtë e shumtë, të ndezur, në duart e njerëzve, të dukej sikur udhëtoje në qiell mes yjesh…
.
PS: Falenderoj Jozef Radi për nxitjen.
*Fotografia është marrë nga videoja e intervistës për gazetarin e TVSH, Fiqiri Sejdia, në fund shtatori 1990, që nuk u transmetua kurrë…


Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.