Një “Verior” shqiptar për Marlene Dumas
nga Flutura Açka
Ky është njëri prej qindra portreteve që ka bërë piktorja e njohur afrikanojugore Marlene Dumas. Ajo është një piktore shumë e çuditshme: më së shumti rindërton figura nga fotot e gazetave. Portretet e saj nuk janë piktura të rastësishme, por historira. “Unë nuk pikturoj portrete, por pikturoj imazhe”, thotë ajo. Dhe vetë jeta e saj, njëzet vite jetë artistike nën ngërçin e Apardejdit në Afrikën e Jugut, i kanë dhënë të Zezës së saj më shumë tonalitete se e rrallë piktori në botë.
Duke këqyrur me vëmendje ekspozitën e saj të këtyre ditëve në Amsterdam (në hapjen e së cilës morën pjesë 2000 vetë), që të zbërtheja gjakimin e saj me të zezën, ndesha në këtë portret të çuditshëm, që duhet të jetë koka e ndonjë malësori shqiptar – ‘Veriori’, meqë kështu u dashkemi ndarë, njëlloj si të ishte Hoxha gjallë – të cilin nuk e di se ku e si, e ka ndeshur piktorja e famshme. Mendja më thotë se lidhet me artikujt e shumtë që janë botuar gjatë vitit 1999, për luftën e Kosovës dhe kampin e refugjatëve në Kukës, tema ndaj të cilave ajo është shumë e ndjeshme. Gjithsesi koka e një ‘Veriori’ shqiptar e ka mahnitur gruan, megjithëse ajo nuk e ka ditur se çfarë sëre ‘cubash’, ‘kriminelësh’ e ‘bastardësh’, përfaqëson ai: sipas një intelektuali shkarrashkrues shqiptar… Jo sipas meje, sepse sipas meje ka kudo mes vreshtave edhe gram, që edhe pse na mbyt dhe na identifikon shpesh me lajme të hidhura shqiptare, është pjesë e kësaj shoqerie shqiptare në Veri e Jug, siç ka edhe lajme e histori për të cilat kemi arsye të krenohemi të gjithë Veri e Jug.
Një e tillë më ndodhi disa vite më parë. Tek i ngjitesha një shpati të thepisur mbi liqenin e Xhemës (Lkeni i Xhemës) në Valbonë, aty ku edhe dhitë kanë trembë të ngjiten, ndesha për herë të parë (pas aq vitesh ecjesh në Veri) me Lilium Albanicum, atë lule të rrallë të Alpeve shqiptare. E mahnitur, e këputa njerën prej tyre, për ta tharë dhe për ta mbajtur në sendet e mia të rralla. Por ngazëllimi m’u ndërpre nga klithma e trishtuar e udhërrëfyesit tim, një vendas i zonës së Valbonës. Sipas tij, edhe pse aty nuk do të ngjitej kurrë ndonjë “e çmendur” si unë për ta parë, ajo i takonte natyrës.
Ndërkohë unë e kisha këputur, dhe ajo lule është diku e tharë mes gjërave të mia të vyera, por po aq e pashlyer është për mua në kujtesë, si një lule Lilium Albanicum që ripërtërihet çdo vit në një shpat të egër të shoqërisë – ndonjëherë fyese – shqiptare, ky virtyt i ruajtjes dhe kujdesit për natyrën (që ne njerëzit e qytetit, pjella të betonit dhe dorëzanës të masakrës urbane me heshtjen tonë), as që u afrohemi dot. Dhe nëse ky virtyt do të humbasë atje në Veri, kjo do të vijë nga dhuna e jonë, e njerëzve të betonit, që kemi nderin të kemi lindur “jugorë e mesorë”, sepse nga padija kemi harruar se në lidhje me qendrën e botës, nga e cila s’largohemi as një milimitetër dot, jemi të gjithë të barabartë.
(Marrë nga muri i Flutura Açkës 11 shtator 2014)