Shqyrtime në toponiminë dhe historinë e vjetër
të zonës së Nikaj-Mërtur
nga Genc Pecnikaj
Territori ku shtrihet sot krahina e Nikaj-Mërturit ka qënë historikisht gjatë shekujve pjesë e asaj krahine të lashtë e në zë që quhej Pult. Por në kohëra, si emërtim krahine është tjetërsuar ose është tkurrur aq shumë saqë sot këtë e ruan vetëm një territor i vogël, si për të kujtuar sadopak të shënjuarin e një krahine të madhe të dikurshme shqiptare.
Përreth 13 shekuj emërtimin Pult e ruajti vetëm ndarja dioqeziane kishtare, populli thirrej “pultjàn, i pultjàn”. Për një periudhë gati 300 vjet, në shekujt e XIV-XV si dhe në shek. XVI nën sundimin osman, krahina thirrej dhe si “Krahina e Pjetërspanit” ose “Viset e Spanëve”, emër ky i prijësve që i sunduan këto treva.
Çështje të onomastikës, pra me toponiminë dhe antroponiminë e kësaj treve, e kanë cekur dhe studiuar jo pak studiues, të huaj dhe shqiptarë, që nga J. G. von Hahn, Franz Nopça, At Zef Valentini, Fulvio Cordignano, Ermanno Armao, Nikollë Gazulli, Rrok Zojzi, Kolë Luka,1) Aleksandër Dhima, Kahreman Ulqini, Selami Pulaha e së fundmi Mark Palnikaj, Robert Elsie, etj. Gjithashtu me studimin e toponimisë së kësaj treve janë marrë dhe studiues sllavë.
Për vetë objektin e shqyrtimit, ne do paraqesim vetëm toponiminë e pjesës që sot quhet krahina e Nikaj-Mërturit (shkurt. N-M), dhe pse kjo duket sikur e ka “fragmentarizuar” vështrimin, sepse vetë krahina Nikaj-Mërtur është një identitet relativisht i vonë i dy shekujve të fundit, por këto vende siç e thamë, kanë qënë pjesë e një entiteti më të madh.
Burimi kryesor i të dhënave janë defterët osmanë pas pushtimit ose regjistrat e tatimeve, relacionet e misionarëve katolikë nga famullitë vendase ose të dërguar me mision nga Vatikani, si dhe burimi nga hartat e kohës. Por janë cituar dhe burime të tjera të shtrira në kohë nga shek. XIV e në vazhdim.
.
1.Nikaj – Përgjat shekujve, sipas dokumentave, në këto anë të Pultit kanë ekzistuar dy vendbanime që ngjasojnë në emërtim: I pari dhe më i vjetri Nikijt e Pultit përmendet deri nga fundi i shek. të XVI-të, dhe i dyti pas 1628 e më vonë, si Nicagni (shqiptohet: Nikajni, ose Nikajt e sotëm).
Vendbanimi ‘Nikij’ – në defterët osmanë del për herë të parë më 14852) (Deft. Shkodr.1485), por dhe një shekull më vonë me 15823) (Deft. Shkodr. 1582). Ka shumë pak shtëpi me 1485, vetëm 7 zjarre; nuk dihet se sa zjarre janë shtuar për 100 vjet, pasi vendi është kryengritës dhe funksionarët osmanë nuk hynin dot për regjistrim, por tatimi pothuaj është pesëfishuar, nga 350 akçe në 1485, në 1500 akçe në v.1582.
Në fakt Nikijt e Pultit dalin në dokumentet sllave, rreth 150 vjet përpara atyre osmane. Pikërisht në diplomën (krisobulën) e themelimit të Manastirit të Deçanit të vitit 1330 (ose ‘Statuti i Parë i Deçanit’ siç njihet nga studiuesit), lëshuar nga mbreti serb Stefan Uroshi i III-të, thuhet që “…për Manastirin e Deçanit ngarkohen dy altinjanët (Altinjanina) Zaharia dhe Mikael nga Nikijt e Pultit (u Pilote u Nikite), t’i japin kësaj kishe fshikëza mëndafshi për çdo vit, Zaharia 4000 dhe Mikaeli 2000 copë”4), pra gjithsej 6000 fshikëza.
Me sa duket, e vetmja e dhënë e mjegullt mbi Nikijt e vjetër nëse shtriheshin apo jo në trojet e sotme të N-M, është e fshehur në vetë objektin se për çfarë përmendet ky fshat: pra për detyrimet në fshikëza të krimbit të mëndafshit. Sipas etnografit të shquar Rrok Zojzi sasia prej 6000 fshikëzash prodhon rreth 34 metra pëlhurë5) mëndafshi, pra shumë kjo e konsiderueshme që na tregon një prodhim të bollshëm. Më pas duke ju referuar studiuesit Milan Shuflaj6), Zojzi thotë se “…edhe në krahinën e Pultit ka pasë zhvillim të madh kultura e mëndafshit…”, dhe ku citon vetë Shuflajn se “…Jo vetëm në Shkodër në vjetin 1397, por dhe në Drisht në vjetin 1402, përmendet dogana e mëndafshit”. Drishti në atë kohë ishte në kufi me zonën e Pultit, pra dhe një nga pikat hyrëse të këtij malli të çmuar nga kjo krahinë malore. Kjo krahinë ishte nën zotërimet e Spanëve, dhe siç thotë dhe studiuesi çek Konstantin Jireçek7) “…zotërimet e Spanëve shtriheshin në shek. XIV deri në Drisht, si pronarë të mëdhenj. Si të tillë i gjejmë dhe në Shkodër në shek. XV, dhe njëri prej tyre Andrea Spani merrej edhe me kulturën e mëndafshit”.
Por a mund të ketë lidhje kultura e krimbit të mëndafshit me zonën e N-M? Në fakt, dhe në kohët e sotme, në fshatrat e zonës së N-M, dhe sidomos ato të fundit të luginës, është mjaft e përhapur pema nga e cila ushqehet krimbi i mëndafshit: pema e manit. Gjithashtu dhe kushtet klimatike për mbarështim të krimbit, e mundësojnë dhe nuk e përjashtojnë këtë gjë. Kujtojmë se mëndafshi ishte një mall luksi në atë kohë, shumë i kërkuar përgjat gjithë mesjetës e deri vonë, pra do të ishte mëse e arsyeshme dhe me leverdi që të mbarështohej krimbi i mëndafshit.
Po ndalemi pak tek një term interesant që u cek te diploma sllave e vitit 1330. Siç e pamë këta dy persona nga Nikijt e Pultit, thirren dhe si “altinjanë” (sllav. altinjanina) pra nga viset e Altinit, siç quhej ndryshe në mesjetë, sidomos në burimet sllave dhe osmane, treva e sotme e Malësisë së Gjakovës me alpet përreth. Fjala ka rrjedhë dhe në burime perëndimore si Letia8), por dhe në traditën vendase si Krahina ose Lugu i Ltìsë9). Origjina e emrit nuk është nga gjuha sllave por latine, nga lat.“altus”- i lartë, plus prapashtesën indoeuropiane -in. Pas pushtimit të këtyre zonave, turqit e mbajtën emrin e vjetër të paktën një shekull në dokumentat e tyre, kështu Altin u bë Altun ili, që do të thotë ‘Toka e artë’, ose ‘Viset e arta’. Pra serbët, thjesht e mbajtën emrin e vjetër ‘Altin’ që gjetën për ato troje. Gjuha shqipe të intrigon edhe për këtë rast, pasi ka ruajtur të dy semantikat “e lartë” dhe “e artë” në një rrënjë fjale të vetme ‘lart/nalt’, ndarë në të dy dialektet e saj: e n-alt-ë (geg.) dhe e l-ar-të (tosk.). Pra kuptimi vjen i plotë në shqip kur thuhet: viset e Altinëve, ose (n)altinëve, pra ata që jetojnë nalt (lart) në male, ose pse jo ‘Alpinët dardanë’ n.q.s. citojmë veprën antike “Notitia Dignitatum” (Bur. Hist. Shqip.vëll.I-rë). Fjala në shekuj ka derivuar dhe në trajta të tjera si (m)altinë ose mal(t)sorë. Me siguri, këtë ka pasur parasysh dhe një studiuese serbe, kur i jep si padashur vendin e meritës gjuhës shqipe, dhe deklaron se: “…Në fakt, emri shqiptar i krahinës ‘Malsija’, ose ‘Malcija’ (e Gjakovës – G. P.) e rikthen kuptimin origjinal të Altinit të vjetër, duke e shenjuar atë që nga majat madhështore të maleve, me shpatet e mrekullueshme alpine, e deri te luginat dhe brigjet e baseneve më të ulëta të lumenjve”.10)
.
Pra ‘(n)Altinët’ s’janë gjë tjetër veçse Malësorët, dhe viset e (n)altinëve janë viset e malësorëve.
Lidhur me vendodhjen e Nikijve, studiuesi i njohur slloven Franc Mikloshiq e thekson se fshati i vjetër Nikijt i Pultit shtrihej në territoret e Nikajve të sotëm.11)
Edhe studiuesit e njohur Selami Pulaha dhe Kolë Luka e mbështesin tezën e shtrirjes së Nikijve në këto troje, por ky i fundit ka një kundërthënje kur thotë se “Ardhja e Nikajve para 350 vjetëve, siç thotë gojëdhëna, nuk vërtetohet në bazë të dokumentacionit, sepse Nikajt janë aty të paktën qysh më 1335, dmth tash gjashtë shekuj e gjysëm, dhe me një vazhdimësi edhe më të plotë se Mërturi, të paktën qysh prej kësaj kohe e deri më sot”.12) E mendoj kundërthënje këtë, sepse unifikohen gabimisht përkimet e rastësishme të ‘Nikijt’ si toponim që nga 1335, me antroponimin ‘Nika’ si një i parë nga ku mori emrin fisi Nikaj. Një unifikim i tillë i fshatit Nikijt të Pultit para pushtimit osman, me Nikën, të parin e Nikajve të sotëm, mendoj se është jokorrekt; ngjasimi i fjalëve është veçse i rastësishëm, siç e kanë theksuar dhe shumica e studiuesve.
Gjithashtu është i dokumentuar dhe një fshat i vogël Nikaj, në pjesën e juglindjes së zonës së Pultit,14) por se në çfarë vendi saktësisht, burimi i këtij informacioni nuk e jep. Ndoshta është fjala për Nicajt e Shalës.
Si përfundim, duke marrë parasysh renditjen në listë të vitit 1485, të Nikijt në këto anë, ka arsye të mendojmë se Nikijt (ose Nikita) e rreth viteve 1330 përputhet me Nikijt e vitit 1485, si fshat diku në trojet e N-M, por pa lidhje me Nikajt e sotëm, pasi Nika, i pari i Nikajve s’kishte ardhur akoma në këto vise.
Mosdalja e Nikijve në defterin osman të vitit 1529-36 dhe mospërmendja e tij për një shekull, nga viti 1485 deri 1582, mund të fshehë dhe të vërtetën e vendbanimeve, vetë fatin e Nikijve të vjetër dhe daljen në skenë të Nikajve të rinj të sotëm. Dijmë se ky vend në këto kohë ka përjetuar lëvizje popullsie dhe shkatërrime të mëdha, pasi kemi Vargun dhe Luzajën ngjitur, të shkatërruar dhe të ripopulluar më pas. (shih toponimin ‘Vargu’ dhe ‘Luzaja’)
Vendbanimi ‘Nicagni’ (ose Nikajt) – Del në relacionet e priftërinjve misionarë qysh më 1628, te Don Vincenti si Nicagni (Nikajni), vazhdon më 1671,15) te Sh. Gaspari me 35 shtëpi dhe 300 frymë, më 1695-6,16) te P. Orsigliada, më 1743 te Marko de Luki17) me 52 shtëpi dhe 472 banorë, pas 1745, 18) te Anonimi, më 1768, 19) te P. Onofrio, 1771, 20) te Gj. Logoreci dhe më 1779 te L. Bardhi. Popullsia e këtyre viteve lëviz nga 300 frymë (1671) në 916 frymë më 1745 dhe 849 frymë më 1771.
Vendodhjen e fshatit ‘Nicagni’ tek relacioni i Sh. Gasparit të vitit 1671, studiuesi Ermanno Armao21) e lidh gabimisht me Nicajt e Shalës duke e “njëjtësuar me kishën e Shna Prendes” në Nicaj, nisur dhe nga pozicioni mbi Shalë i kësaj kishe (S. Veneranda) te harta e V. M. Coronellit. Renditja e fshatit Nicagni ‘6 milje larg nga Bjaka’ në relacionin e Gasparit, e hedh poshtë këtë njëjtësim të Nicagni-t me Nicajt e Shalës, pasi ky del i renditur me Gash, Bjakë e Palç, pra në viset e N-M. Përsa i përket kishës Santa Veneranda që ndodhet afër Nicajve të Shalës, nga e cila E. Armao bën lidhjen, kjo nuk qëndron sepse me emrin e pajtores Santa Veneranda (Shna Prendja) janë shumë kisha në gjithë viset e Pultit, si varg në brigjet e Drinit e lumenjve, dhe vetëm në zonën e N-M janë regjistruar mbi pesë të tilla.22)
Gaspari thotë se Nikajt kanë dy kisha, të Shën Gjon Pagëzorit dhe Shna Prendes (Santa Veneranda). Kisha e Shën Gjon Pagëzorit është kisha e vjetër në lagjen e Paplekajve të Epërm, mjaft e adhuruar nga fisi Nikaj. Pjetër Bogdani në një letër të vitit 1676,23) na tregon se si këmbana e bukur e kësaj kishe, me peshë 80 libra (rreth 60 kg, G. P.), u rrëmbye dhe u dërgua në Kullën e Sahatit në qytetin e Pejës. Kisha tjetër e Nikajve, ajo e Shna Prëndes mendoj se shtrihej në Ndërzhush, jo larg Vorreve të Trapeve (shih toponimin ‘Zhush’).
Sa i përket origjinës së fisit Nikaj, lidhja më e besueshme e Nikajve të sotëm me fisin Krasniqe është te vllaznimi Nik Mëkshi e Kolë Mëkshi, siç e thotë tradita por dhe gjithë studiuesit seriozë të kësaj fushe. Varianti tjetër i një vllaznimi të një Nike, Krasi dhe Vaso, edhe nëse është i vërtetë, mendoj se është i një kohe shumë më të hershme se sa brezat që lidhin Kolë Mëkshin me Nikë Mëkshin, dhe e ardhur si gojëdhënë e mjegullt, ka sjellë dhe ngatërresa në rrafshin sinkronik të përputhjes dhe nisjes së breznive nga një i parë.
Vetë fjala ‘Krasniqe’, me rrënjën e saj ‘Krast’ mesa duket ka një përmendje në toponimi shumë të vjetër, pasi në Krisobulën (diplomën) e Deçanit24) të vitit 1330, gjendet njëfarë ‘Krastavljane’, e renditur në listë pas tetë fshatrave të kësaj ane, në krahinën e Altinit, dhe konkretisht renditja është: 1.Trebopolje (Tropoja), 2.Babijane (Babina), 3.Lužane (Luzha), 4.Gorane (? e papërcaktuar sot), 5.Šipčane (Shipshan), 6.Sošane (Shoshan), 7.Bunjane (Bunjan), 8.Greva (? Grija ) pranë Bujanit, 9.Krastavljane (? Krasto, Hrasto, Krasniqe), 10.Buljubi (? sot i papërcaktuar). Gjithashtu ka një vendbanim ‘Hrasto’ te deferët osmanë të vitit 1485, 1529-36 dhe 1582, si dhe në relatorët kishtarë qysh më 1628, te D. Vincenti, ku del ‘Crastegnichieia’.
Ardhja e Nikajve të sotëm është pas vitit 1550, dhe kjo është dhe koha më e arsyeshme nisur nga breznitë e fisit Nikaj (bur. F. Nopcsa, I. K. Malaj).
Tradita thotë se trojet e para të Nikajve kanë qënë në Paplekaj të Epër, ku është dhe kisha e vjetër me varrezat rreth saj.25) Tek shtëpitë e para në afërsi të kishës dhe varrezave të vjetra, gjendet dhe mikrotoponimi Guri i Kalit, një gur i ngritur si podium, mbi një shesh, ku gojëdhëna thotë se ai shërbente si platformë për të ndihmuar kapërcimin mbi kalë, nga i pari i Nikajve.
Por kur erdhën Nikajt e sotëm i gjetën të formësuara vendbanimet e hershme si Vargu, Zhushi, Luzaja, Nikajni i vjetër, Kapiti, Pjaja e Mavriqit, etj. Zgjerimi i vllaznive të fisit Nikaj në një territor dhe burime të kufizuara bëri që me “me hir a me pahir” të tjerët t’ia lëshonin vendin, dhe ky largim i tyre ndodhi i shtrirë në kohë përgjatë dy shekujve. Vetë shtrirja e gjatë në kohë, e largimeve të banorëve të vjetër, jo me lidhje gjaku me dy fiset Nikaj e Mërtur, na lejon të kuptojmë se bashkëjetesa e tyre ka qënë paqësore në përgjithësi, “pasi të dy palët, të fisit dhe anas, ishin shqiptarë, me gjuhë, tradita e kulturë të përafërt” (D. Progni, vep. cit. Nikaj-Mërturi… f.47). Të gjitha fshatrat e reja të Nikajve, përjashtuar Kapitin, që u krijuan pas ikjes së banorëve të hershëm, morën emrat e kryeparëve të vllaznive të fisit, si Lekbibaj, Peraj, Gjonpepaj etj.
Nga pikëpamja dioçezjane Nikajt si famulli më vete kanë dalë pas vitit 1775, me kishën e Shën Sebastianit (Sh’Masjanit në gjuhën vendase) në Gjonpepaj. Objektet e vetme të shpëtuara nga zjarri shkatërrues i rënë në vitin 1993, në ish-kishën shkollë të Gjonpepajve, ishin vetëm dy gurë të gdhendur si përkujtimore lavdërimi, si dhe kambana e kishës (pak e dëmtuar). Kambana ka qënë e prodhuar në Venecia më 1841 në njërën nga fonderitë më të mira të Italisë, në “Canciani Veneti”, e cila furnizonte katedrale të njohura dhe kisha anembanë botës. Ndërsa njëri nga gurët e gdhëndur na kujton se kisha është rikonstruktuar më 1860, nën përkujdesjen e At Pal Berishës (Paulo Beriscia), i cili është shuguruar katër vjet më vonë, më 1864, si Ipeshkëv i Pultit.
Në territorin ku shtrihet sot fisi Nikaj, ka pasur rreth 16 kisha dhe kapela26) të përmendura gjatë shekujve.
.
2.Mërtur – Del njëfarë Martish më 1485 (Deft. Shkodr. 1485), por i vështirë si unifikim me Mërturin sipas S. Pulahës, me 7 zjarre dhe 500 akçe.
Del në relacionin e vitit 1628 të D. Vincentit si Mortur, afër Betucci (Bëtoshë ?). Më 1768 te P. Onofrio, më 1771 te Gj. Logoreci,27) dhe më 1775 te Lek Bardhi. Këto janë të dhënat për Mërturin e krahut të djathtë të Drinit, pra në Nikaj-Mërturin e sotëm. Përgjat shek. XVII-XVIII, sipas relacioneve janë cituar përherë dy fshatra Mërtur: Mërturi këndej dhe Mërturi matanë Drinit, ose Mërturi i Gurit, vendi nga ku sipas gojëdhënës dolën mërturasit.
Fshati Mërtur këndej Drinit, sipas traditës dhe sipas rrjeshtimit në relacionet e përmendura, është pikërisht fshati i sotëm Shëngjergj, i cili, duke u zgjeruar popullsia e fisit dhe duke u shpërndarë përreth, s’mund ta mbante më emërtimin e vjetër Mërtur sepse u përkiste të gjithëve, por mori emrin e pajtimtarit të kishës së vet, pra Shëngjergj. Mërtur do të quhej i gjithë fisi me lidhje gjaku, i cili kishte vetëdije se rridhte nga një i parë, duke pranuar dhe ata “ànas” ose banorë që i gjetën aty kur erdhën, të cilët nuk ikën por ju bashkuan fisit. Kur pasardhësit e Lekë Pogut u zhvendosën nga Mërturi i Gurit rreth viteve 1500-1550, në Mërturin e sotëm djathtas Drinit, shumica e fshatrave që njohim sot ishin formuar tashmë, si Brisë, Salcë, Palç, Rajë, Ançit, Bjakë e Bëtoshë. Prandaj këto fshatra “…nuk morën emrin e kryeparëve të vllaznive të Mërturit por ruajtën emrin e vjetër që kishin. Vetëm Tetaj dhe Mulaj morën emrin e kryeparëve” .28)
Sipas një gojëdhëne, të rrëfyer në vitin 1962 (në kohën kur hartoheshin Historikët e Fshatrave) nga rapsodi Sokol Martini i Brisës (cilësuar si ‘Homeri i Maleve Shqiptare’), ai e çon dhe pesë breza më thellë sesa te Murr Dedi, numrin e breznive të fisit të Mërturit, dhe konkretisht: Murr Dedi [Deti], 1. Ded Hasani, 2. Hasan Jaha, 3. Jah Tagani, 4. Tagan Rexha, 5. Rexh Kuqi, ‘prej Kuqit të Karadakut’ (ose Malit të Zi, siç e quanin të vjetrit Malin e Zi nga turqishtja).
Edhe sikur t’i supozojmë për të vërteta këto brezni, këtu ka një problem tek emrat. Po të ndjekim brezat e vllaznive të fisit të Mërturit29) të gjithë bashkohen te Murr Dedi përpara rreth 13-15 brezash. Duke shtuar dhe pesë breza sipas gojëdhënës së mësipërme, zbresim në 20 breza në kohë, ose rreth viteve 1400-1450 (kjo n.q.s. një brez e llogarisim 30 vjet). Osmanët ishin futur në Ballkan në këtë kohë, por është e vështirë të besojmë që qysh në ato fillime, ai kishte arritur të ndikonte në vendosjen e emrave me patronimi turke (Hasan, Jahë, Tagan, Rexhë). Në gjurmë të kësaj gojëdhëne mund të kenë rënë dhe Baron Franc Nopça si dhe Edith Durham, kur e japin mundësinë e prejardhjes së fisit të Kuçit nga Berishajt (I. K. Malaj, vep.cit. …f. 393, burimi Nopça, Durham), pra lidhje dhe me Mërtur, pasi vetë “Mërturi është Berishë” siç citohet.
Lidhur me origjinën e emrit ‘Mërtur’ ka mendime të ndryshme, por të gjithë bien dakort në vjetërsinë e këtij patronimi të lashtë. E. Durham e çon shumë larg rrjedhën e emrit, që në kohërat romake, nga ‘Merituri’.30) Studiuesi At Zef Valentini, emrin ‘Mertur’ e sjell (me rezerva), se mund të rrjedhë dhe nga Martusët e Drishtit, kur shqyrton aspektin antroponimik të Dorëshkrimit të Pal Engjëllit.31)
Nga pikëpamja dioçezjane, në territorin ku shtrihet sot fisi i Mërturit në zonën N-M, ka pasur rreth 25 kisha e kapela (M. Palnikaj, Pulti…, f.94-104), disa shumë të bukura, të dokumentuara.
.
3.Brisë – Ka një dokumentim të hershëm, të paktën nga shek. XV e deri sot. Del më 1485 (Deft. Shkodr. 1485) si Brisha, me 10 zjarre dhe 1000 akçe. Ka një rritje pothuajse dyfishe për gjysmë shekulli, nga 10 shkon në 18 zjarre, në vitin 1529-36, 32) (Deft .Rumel. 1529-36) me emërtimin Brisa, dhe me 1600 akçe. Nga regjistrimi osman i vitit 1582 del si Brica, fshat kryengritës, si shumica e fshatrave të Pultit, dhe duke mos mundur të hyjnë që t’i regjistrojnë si numër familjesh, zyrtarët u kanë caktuar vetëm detyrimet prej 2000 akçe, të dyfishuara për një shekull.
Del në shumë relacione të misionarëve. Fillon me atë të vitit 1628 si Brisa te D. Vincenti. Pastaj del pas një shekulli, rreth 1745, si Briisa (Anonimi). Më 1768 del te P. Onofrio, më 1771 te Gj. Logoreci, dhe me 1774 te Lekë Bardhi si Brisa.
Brisa ka pasur kishën e veçantë të Shënkollit (D. Progni, Nikaj-Mërturi… f.55), tashmë e rrënuar, me ndërtim karakteristik me gurë të hollë si rrasa, të lidhur me llaç, si të mureve ashtu dhe të qemerit të derës të harkuar, tipike kjo e një stili perëndimor romano-gotik ndërtimi. Sipas studiuesve daton qysh në mesjetë,33) dhe e ngjashme për nga ndërtimi i çatisë me kishën tjetër shumë të bukur të Toplanës, dhe ajo e Shënkollit si pajtor. Deri në vitin 1964, janë ruajtur muret e saj dhe dera e harkuar, por më pas nuk i ka shpëtuar dot valës së shkatërrimeve të “revolucionit kulturor”. Ajo ka pasur gjithashtu një këmbanë me një tingull shumë të mirë, që siç thoshin të vjetrit “…është marrë te kumbonët e Zekut në Mal të Zi”.
Brisa është si vend kalimtar i dy rrugëve shumë të vjetra shtigje malore: njërës që vjen nga Toplana për në Brisë, Salcë, Palç, zbret poshtë në Varg, kalon lumin dhe ngjitet për në Rajë; tjetra që vjen nga Shala ose Shoshi, Qafa e Agrit, Brisë, Salcë, Lekbibaj, Curraj i Poshtëm, Qafa e Kolçit dhe vazhdim. Shtegu i parë ndjek pak a shumë itineraret e rrugës së vjetër që quhej Drumi i Kaurrit (shih mëposhtë).
Prejardhja e fjalës Brisë (ose Bricë), më mundësi ka që rrjedh nga fjala brinjë, meqënëse vendi është shpat, në brigje të Drinit, pra një oronim, ashtu siç e mbështet dhe Eqrem Çabej këtë variant. K. Luka e mbështet trajtën M-Bricë, nga brinjë, pra si mundësi që rrjell nga një oronim.
Albanologu kroat Henrik Barić e sjell fjalën si të një burimi shumë të hershëm para-indo-europian, më pas tek thrako-ilirët, dhe ardhur sot si terminologji blegtorale, p.sh. në rumanisht kemi ‘brinza’ os “djathë i deles”.34)
Rreth prejardhjes së fjalës Bricë, sjellim dhe një variant të vitit 1962, rrëfyer po nga Sokol Martini i Brisës, ku thotë se kjo fjalë rrjedh nga emri i gurit të strallit, ose siç i thonë në këto anë ‘bríc/ë,-a’, = gur stralli; pasi në këtë vend nxirrej ky gur. Kjo fjalë gjendet dhe në “Fjalori i Gjuhës Shqipe”, 2006, A. SH. SH.-Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë (fjala ‘bricë’ = bríc/ë,-a f. sh. -a(t) gur stralli, strall)
.
4.Salcë – Del e dokumentuar për herë të parë më 1485 me 8 zjarre dhe 400 akçe të ardhura (Deft. Shkodr. 1485). Më 1529-36 (Deft. Rumel. 1529-36) del Salicë me 10 zjarre dhe 1000 akçe. Tatimi është mbi dyfish, dhe pse zjarret janë shtuar shumë pak. Më 1582, kemi “Salça” me 2500 akçe të ardhura (Deft. Shkodr. 1582), fshati i rebeluar.
Te relatorët kishtarë, më 1628 te D. Vincenti del si Salza. Emërtimi Salza (lexohet Salça, gj. femërore) e ndjek pastaj vazhdimisht. Më 1771 te Gj. Logoreci, jepen 54 shtëpi me 614 frymë. Del pothuajse tek të gjithë hartat e vjetra. Kemi Salza (Coronelli, 1688)35) dhe te Cantelli (1689), por dhe Salsa (Coronelli, 1696).36)
Në lidhje me etimologjinë e fjalës, K. Luka bindet për oronim, nga një shënim i prof. E. Çabej kur thotë për Gurzi-un si “tokë, salcë e bardhë” (St. Fil. nr.1, 1966), si “tokë mashkullore”, jo shumë pjellore (cit.).
Unë po sjell një këndvështrim tjetër, nisur nga një dokument i vjetër, por që çon në të njëjtin përfundim të ngjashëm me dy profesorët e nderuar, mbi origjinën e fjalës nga një term orografik.
Një letër e vjetër, botuar në një revistë shkencore më 1730,37) dhe sjellë në shqip,38) e Kryeipeshkvit të Tivarit Vincens Zmajeviç, që tregon për një burim uji të kripur diku në këto anë, na jep njëfarë lidhje për termin “Salcë” (ose Salçë). Burimi gjeologjik i ujit të kripur quhet “fonte Salsa” në italisht, siç është cituar dhe në dokument. Kripa që nxirrej nga ky burim ishte “perfekte dhe e bardhë” (cit.).
Pra, mund të themi se një tokë “salcë e bardhë” (cituar nga E. Çabej) mund të ketë një lidhje me një tokë ku del një burim i ujit të kripur (ose ‘fonte salsa’, it.), dhe ku nxirret një kripë “perfekte dhe e bardhë”. Për këtë na ndihmon dhe homonimia gjuhësore mes ‘Salsa’ si vendbanim dhe ‘Salsa’ si burim kripe. Referuar Zmajeviçit burimi i kripës ishte “poshtë majës së malit të Shalës”, pra jo larg Salcës së sotme. Nga hulumtimet e mija dhe nisur nga përshkrimi i vendit sipas dokumentit, varianti më i mundshëm i vendodhjes së kësaj miniere të vjetër kripe është një gropë natyrore mes majave të thepisura mbi burimin e Lumit të Bardhë, sipër Vranës së Madhe të Nikajve. Këto maja janë kufi me Shalën dhe formojnë formacionin e majës së Shalës, aty ku dokumenti përcakton dhe vendodhjen e burimit të kripës. Varianti tjetër, më pak i mundshëm i kësaj miniere është maja e Ershellit mbi fshatin Salcë, pasi një nga formacionet e saj quhet “maja e Shalës”. Vlen të përmendet se vetë fjala ‘Ershelli’(ose Arshelli) ka të ngurtësuar në trup të saj fjalën ‘shëlli’ pra kripë, “Er(Ar)+shëlli”. Por për përcaktimin e saktë se ku ka qënë kjo minierë kripe, duhet një studim i mirëfilltë nga gjeologë të fushës.
Ka dhe një fshat tjetër me emërtimin Salca mbi kodrat afër Ulqinit, të dokumentuar në hartat e vjetra si Salza Villa (E. Armao, vep. Cit… f.110)
.
5.Palç – Citohet tek të tre defterët e parë osmanë pas pushtimit. Më 1485, del si Maleç,39) por S. Pulaha e korrigjon më vonë si Paliçi, me 5 zjarre dhe 500 akçe tatim. Del si Puliç më 1529-’36 me katërfishim te zjarreve dhe të ardhurave (20 zjarre dhe 1600 akçe). Me 1582 me 3500 akçe, tatim shumë i rëndë, pa regjistruar zjarret sepse zona është kryengritëse. Shtatëfishimi i tatimeve për një shekull, na bën të mendojmë se fshati në shek. e XVI-të do ketë pasur shtrirje shumë më të gjerë se sot.
Në të gjitha relacionet e misionarëve del si Palci, më 1628, të D. Vincenti, më 1634, te Gjergj Bardhi40) me 10 shtëpi dhe 83 frymë, më 1671 te Sh. Gaspari, më 1695-’96 te Orsigliada, pas 1745 po Palci, gjithashtu dhe 1768 te P. Onofrio, 1775 te Lekë Bardhi.
Te kartografët del si Palza ose Pulza (ngjitur me Salza) pothuajse në të gjitha hartat mbi rajonin, të shek. XVII dhe XVIII-të.
Vendi duket se ka një ekzistencë të vazhdueshme banimi përgjat gjithë shekujve, dhe me përqëndrim jo të vogël, siç e tregon dhe toponimi ‘Varoshi’, ‘Gjytetëza‘ ose ‘Guri i Gjytezave’, etj. Etimologjia e emrit mund të ketë rrjellë nga një antroponim Pal (ose Paliç).
6.Kotec – Ceket së pari më 1771 te GJ. Logoreci si dhe 1775 te Lekë Bardhi si Ctezzi, 50 shtëpi gjithsej me Brisë, Salcë e Palç që shkojnë me famullinë e Rajës. Koteci është i Palçnúer, pra të mërturas, të afërm me Palçin. Origjina e emrit ka dy variante të mundshme: Nga tradita thuhet se ‘i pari i këtij fshati quhej Kotel dhe ishte i Palçnúer’ siç e sjell K. Luka. Varianti tjetër, por më pak i besueshëm, është nga vetë kuptimi i fjalës kotec në shqip.
Ngjitur me Kotecin është Vargu, qendër e rëndësishme në mesjetë dhe më herët.
7.Varg – Një ndër pesë qytezat e vjetra të Pultit. I pozicionuar mbi kodër, aty ku kryqëzohet lumi Drin me lumin e Mërturit, në të djathtë të tyre. E përmend si Varcu (Varku) për herë të parë D. Vincenti më 1628, një ‘qytezë e shkatërruar, ish – seli ipeshkvnore e Pultit’ (ndoshta Pultit të Epër, G. P.), me manastirin e Shën Gjonit të shkatërruar dhe pa njeri.41) Më pas del dhe te Benedikt Orsini, një vit më vonë, më 1629,42) po Varcu, qytezë dhe manastir i pabanuar, por manastirin e quan të Shën Bartolomeut. Frang Bardhi në relacionin e tij e quan dhe kishë Katedrale të Shën Klementit.43)
Aty ku fillon lagja e sotme Varg, majtas rrugës, rreth 800 metra larg rrënojave të Vargut të vjetër, gjenden dhe rrënojat e kishës së Shën Gjergjit me varreza, të dukshme dhe sot mbi një kodër, shumë e vjetër, shkatërruar nga turqit.
Përmendja në relacione e emërtimeve kishë, manastir, katedrale, dhe veshja e tyre emrave të ndryshëm shenjtorësh pajtorë, si Shën Gjoni, Shën Bartolomeu apo Shën Klementi, na jep të kuptojmë se kanë qënë disa të tilla, të cilat bashkë me godina të tjera ndihmëse dhe laike, formonin “bërthamën” e një qyteze jo pak të rëndësishme, pra një qytezë mesjetare ipeshkvnore, p.sh. si Drishti. Dhe gojëdhëna e jep “popullorçe” këtë përqëndrim ndërtesash, kur thotë se kanë qënë “shtatë kishë në një kishë”.
Në defterët osmanë del më 1529-36 si Varaga ose Varga, me 20 zjarre dhe 1300 akçe të ardhura. Më 1582 del si Varka me 600 akçe tatim. Këtu tregohet për vendbanimin i cili është ripopulluar me ardhacakë, pasi ka qënë shkatërruar përpara. Ka 4 familje të ardhurish të krishtërë. Këto kanë 157 akçe tatim.
Pas relatorëve misionarë të shek. XVII-të, Vargun e eksploron në fillim të shek. të XX-të dhe inxhinjeri austriak Karl Steinmetz më 1904, dhe 1905. Po ashtu e përmendin dhe F. Nopça më 1910 dhe konsulli austro-hungarez në Shkodër, Theodor Ippen.
Inxhinjeri austriak Karl Steinmetz sjell dëshmitë më të sakta. Më 1904,44) tregon se “…vetë misionari i Nikajve (prifti, G. P.) më dha mua një monedhë romake (Sestercë) të perandorit Marcus Aurelius, të cilën ai e kishte gjetur rrëzë mureve të ulëta rrënoja të Kishës së Vargut, rreth një orë larg në jug të Gjonpepajve.”45) pra monedhë e shek. të dytë pas Krishtit. I shtyrë nga interesi për këtë qytezë, ai i vizitoi përsëri rrënojat e Vargut, dhe më 1905 i botoi përshtypjet e tij në librin e rradhës,46) identifikoi rrënojat e vetë qytezës, duke e lidhur lashtësinë e saj me kohën romake, nisur kryesisht nga vjetërsia e mureve, tipologjia e ndërtimit dhe monedha e gjetur.
Vargun e kishin vlerësuar dhe studiues seriozë shqiptarë si p.sh. arkeologu Bep Jubani, i cili me shpresën se do ta eksploronte “për këtë qëllim, në shtator 1982, u gjend ne Nikaj-Mërtur. Për fat të keq, Vargu, që i kishte shpëtuar përmbytjes nga ujërat e Lumit Drin, nuk kishte arritur t’i shpëtojë urdhërave të pushtetarëve të atëhershëm, të cilët në emër të ‘luftës kundër fesë’ dhe të hapjes së ‘tokave të reja’ pikërisht, mbi rrënojat e kishës së Vargut kishin urdhëruar ngritjen e disa objekteve social-kulturore. Me atë rast, qenë zhdukur edhe gjurmët e këtij qytetërimi të lashtë”.47) Atë zhdukje që nuk e përmbyllën as kohërat e as pushtuesi, e përmbyllën shqiptarët ‘nën emrin e së resë’.
Populli i zonës, e ka glorifikuar shumë si një vend të shenjtë, gojëdhanat janë të harlisura rreth saj: “…kanë qënë shtatë kishë në një kishë”, thonë të vjetrit. Sipas tyre, “nga vendi përtej Drinit, nga Apripa, shihej gjithmonë një thânë e lulëzueme mes pemëve dhe rrënojave të kishës, por kur i afroheshim rrënojave kurrë nuk e gjenim këtë pemë”. “Janë fshehë kazana me páre të madhe nën dhe. Kërcisnin kazanat ndërmjet Shëngjergjave…”. “Janë gjetun kockat e kâmbës së një njeriu sa të një kali, shumë të mëdha”. “I thonë ‘Kisha e Vargut’ se njerëzit janë vënë varg për me transportue gurët për ndërtim, nga lumi Drin e deri nalt”.
Fakti se dokumentohet si qytezë, me gjurmë rreth 2000 vjeçare, dhe si qendër e rëndësishme kishtare mesjetare, në një vend-kryqëzim lumenjsh, logjikisht na bën të kuptojmë se ai ka qënë dhe një vendkalim rrugësh të vjetra. Dhe në fakt flitet për një rrugë që ka ekzistuar dikur, e cila quhej në kohë të turkut “Drumi i Kaurrit”.
.
8. Rruga “Drumi i Kaurrit” – E përmend për herë të parë arkeologu i njohur britanik Sir Arthur Evans kur flet për arteriet e rrugëve të vjetra në veri të Shqipërisë. I bindur në ekzistencën e një rruge të vjetër më në veri sesa ajo e aksit Lezhë – Spas – Prizrenit, ai shkruan: “…Nga ana tjetër, tani kam marrë një sasi provash pozitive që tentojnë të tregojnë se rruga origjinale romake nëpër Alpet e Shqipërisë së Veriut u zhvillua në mënyrë të konsiderueshme në veri të rrugës të lidhur deri më tani me të (pra të rrugës Lezhë-Pukë, Vau i Spasit-Prizren, G. P.). Një miku im, që është dhe At Superior i Françeskanëve në Shkodër, më ka informuar për një pjesë të mirë rruge romake e gjerë dhe e drejtë, dhe pse tani është e mbuluar nga bari, që shtrihet përgjatë malit nga Dushmani në bregun verior të Drinit, disa orë në veri të Pukës, pastaj në Toplanë në luginën e Shalës, dhe kështu me radhë në Brisë në zonën e Mërturit, afër Nikajve, nga e cila mund të kalohet më pas për në në zonën e Krasniqes. Kjo është e njohur për shqiptarët si ‘Drumi i Kaurrit’, ose ‘Rruga e Gjaurrit’ (Giaour’s way). Nuk ka dyshim se kjo shtrirje e mirë e rrugës romake përfaqëson një pjesë të linjës rrugore nga Lissus [Lezha, G. P.] në Ulpianë, dhe fakti se ajo përshkon përmes zonën e Krasniqes, na përgatit ne që ta kërkojmë daljen e saj më afër Gjakovës sesa Prizrenit”.48)
Ashtu si A. Evans, dhe F. Nopça49) e pohon egzistencën e një rruge të vjetër në veri të Drinit që kalon nga Dushmani, Toplana, lugina e Shalës, Nikaj-Mërtur, lugina e Valbonës e më tej, por ai ka interpretimet e veta sa për gjurmët ku kalon dhe vjetërsinë e segmenteve të saj. Nopça thotë se një urë kalimi e Drinit që i përket kësaj rruge, ka qënë në vendin që sot quhet Shkallë (Scala),50) afër Mëshkallës së sotme, rreth 10 km nga Vau i Dejës, në bregun e djathtë të Drinit, jo larg Komanit. Këtu është dhe pika më e ngushtë mes dy anëve të shpateve të Drinit, ku mundësohej ndërtimi i një ure në këtë pjesë të lumit. Këtë rrugë e citon më 1918 dhe arkeologu hungarez Arpad Buday në botimin e hulumtimeve të tij arkeologjike mbi Shqipërinë.
E regjistruar në Nikaj në vitin 1956, nga Rrok Zojzi,51) është dhe një gojëdhënë mjaft interesante që flet për këtë rrugë që kalonte nga qyteza e Vargut. Plaku i vjetër Deli Pjetra nga Lekbibajt i rrëfen etnologut: –“Këtu… të gjithë jemë të ardhun… Thuhet se këtu ka qënë kaurri. Kisha e Vargut nuk është e jona, e kemi gjetë. I thonë ‘Kisha e Vargut’ se njerëzit janë vû varg dorë m’dorë për me prû gurin. Thuhet se rreth kësaj kishe ka qënë shehër. Janë shenjat e një rruge që të çon në bjeshkë; i thonë ‘Rruga e kerrit’, pasi kalonte kerri [karroca, G. P.] nëpër të. Ne nuk kemë kerre, as fara jonë nuk ka pasë kerre në këtë vend. Rreth kishës janë copa tjegullash, që ne as kemi dijtë e as dijmë t’i punojmë…”.
A mundet me qënë një lojë fjalësh emërtimi i dyfishtë që i vishet kësaj rruge: – ‘Rruga e Kaurrit’ dhe ‘Rruga e kerrit’? – Mendoj se jo, përkundrazi kjo mund të fshehë kuptimin e plotë të saj, si: – Rrugë qerresh, të paktën qysh në mesjetën e hershme, që vinte nga Lezha apo Shkodra, kalonte afër Dejës dhe Shurdhahut të zhvilluar, pastaj kryesisht përgjatë bregut të djathtë të Drinit, ajo të çonte në ‘stacione’ të fortifikuara kështjellash apo qytezash, me kisha e manastire të zhvilluara, si në Toplanë, Dushman, qyteza e Mavriqit, Brisë, Gjytezën mbi Salcë, Varg, Luzajë, Anqit ose Kalaja e Lekës në Rajë, kisha dhe kala në Geghysen, etj. Toponimi Karron mbi Salcë mund të ketë lidhje me vetë origjinën latine të fjalës ‘carro’ (karrocë).
Të gjitha këto japin panoramën sesi lugina e Drinit ka qënë e zhvilluar gjatë mesjetës (e mbështesin dhe studiuesit Shuflay, Nopça, Steinmetz, etj.), por dhe më parë nisur nga shtresëzimet e qytezave. Sigurisht që ky zhvillim përgjat Drinit donte arterien e vet rrugore lidhëse (rrugë qerresh),52) nga ku mundet se hyri turku që në fillesat e pushtimit, dhe e emërtoi Drumi i Kaurrit, pasi pa këto kështjella, kisha, seli e qyteza përgjatë saj. Ai nisi shkatërrimet me ekspeditat e tij, si në Dushman, Toplanë, Varg, Luzajë, Rajë, Geghysen etj, ku mëpas u ripopulluan, por kurrë më me zhvillimin që kishin përpara. Rruga humbi në kohëra, pasi s’kishte se çfarë të lidhte më. Fshatrat dhe katundet e vogla të këtyre maleve të Pultit e Dukagjinit u lidhën kryesisht vetëm ndërmjet shtigjesh të thella malore, deri në mesin e shek. të XX-të. Shkatërrime mundet të kenë kryer përpara dhe mbretërit serbë si dhe Car Dushani, kur i pushtuan këto vende.
Ishte pikërisht kjo arterie rrugore antike, si dhe pozicioni gjeografik midis dy lumenjve, ajo që do e bënte qytezën e Vargut një pikëkalim kryesor të kësaj rruge, e cila të çonte në dy drejtime: në Tetaj-Rajë- Lugina e Valbonës-Pejë- Prizren, si dhe drejtimi tjetër për Qafë të Kolçit-Pejë-Prizren. Si më sipër, dhe emërtesat e sjella nga osmanishtja për Vargun nga studiuesi S. Pulaha, si Varaga, Varga, apo Varka, janë forma interesante që mund të na tregojnë diçka për etimologjinë e vendit Varg, si një vend ‘vá lumi’, ose ‘vendkalimi me varka’, për të vazhduar mëtej kjo rrugë.
9.Zhush – Del në defterin e Shkodrës të 1485, si Zhosha me 11 zjarre dhe 550 akçe të ardhura, rrjeshtuar me Nikaj dhe Bjakë. Më 1529-’36 si Zhosh me 15 zjarre dhe 1300 akçe, pra gati trefish tatime më shumë nga regjistrimi i 1485. Me 1582, del po Zhosh me 2700 akçe, pra rritur gati pesëfish tatimet krahasur me një shekull përpara. Regjistrimi i popullsisë nuk është kryer, pasi zona është kryengritëse.
Në relacionet e misionarëve, del në 1628 tek D. Vincenti si Sciusci (Shushi), më pas më 1634 te Gjergj Bardhi del si Susi me 10 shtëpi dhe 90 frymë. Fjala ‘Susi’ te Gj. Bardhi ngjason me patronimin e sotëm ‘Susaj’, një nga dy vllaznitë që përbëjnë sot lagjen Ndërzhush. Zhushi më pas nuk ceket më në relacione si fshat i veçantë.
Ky toponim ka lidhje pikërisht me territorin e lagjes së sotme Ndërzhush, në fshatin Lekbibaj.
Ndërzhush është emri që të parët e banorëve të sotëm i vunë këtij vendi kur ata filluan të jetojnë afër trojeve të banorëve të hershëm, ose ndër ta, pra nga ‘Zhush’ u quajt “Ndër-Zhush”. Toponimia e zonës dhe më gjerë, njeh raste të shpeshta të kësaj kompozite, si p.sh. ‘Ndër-manja’, ‘Ndër-therrëza’, ‘Ndër-lysa’ etj. Pra, mendoj se nuk rrjedh nga kompozita nën-zhush (siç është cituar nga ndonjë studiues), por nga ndër-zhush.
Që ka qënë një territor i banuar shumë herët, na ndihmon dhe mikrotoponimia e saj, pasi ruhet një vend i quajtur Troje, ngjitur me një tjetër i quajtur Leporush, të dyja këto të shtira si rrahe mes gështenjave, mbi lagjen ekzistuese Ndërzhush. Toponimi Leporush, dokumentohet shumë herët dhe në ultësirën e Shkodrës, por dhe sot si një fshat i vogël në rrëzë të malit të Maranajt, në Rrjoll.
Gjithashtu kjo lagje ka dhe të paktën 2 kisha të vjetra rrënoja, jo larg njëra-tjetrës: kisha e Shënkollit (M. Palnikaj, Pulti… f.102) te varrezat e quajtura Vorret e Trapeve, në anën lindore të lagjes ekzistuese si dhe rrënojat e kishës së Shnaprendes (Santa Veneranda), rreth 200 metra në juglindje të Vorreve të Trapeve. Besoj se kjo ështe kisha për të cilën flet Sh. Gaspari më 1671. Tek kjo kishë tradita thotë se mblidheshin burrat e bënin be, në raste mosmarrëveshjesh.
10.Luzâjë – Nuk del në defterin turk të vitit 1485, por në atë të vitit 1529-’36 del si Luzanja me 30 zjarre dhe 1600 akçe të ardhura, renditur afër me Bjakë, dhe më 1582 si Lozina (jo e qartë), me 1900 akçe.
Tek relacionet e misionarëve, kemi Lusagna (Luzanja) tek D. Vincenti më 1628, ku ndodhet dhe Manastiri i Shën Sofisë, një ndër gjashtë manastiret e Pultit, por të rrënuara në këtë kohë. Më pas, më 1629 te B. Orsini del si Lusania, ku përmendet përsëri manastiri i rrënuar i Shën Sofisë; dhe Lusagni më 1634, tek Gjergj Bardhi, me 8 shtëpi dhe 40 frymë.
Kopja e dorëshkrimit që ruhet në Bibliotekën e Napolit, e relacionit të Shtjefën Gasparit të vitit 1671, për Luzâjën është sjellë gabimisht në trajtën Curagni (Zuranji) (botuar te Hylli Dritës, 1930, f. 494), në vend të trajtës së saktë Lusagni, i qartësuar së fundmi plotësisht dhe nga ballafaqimi mes dy kopjeve, të Napolit dhe Romës, pas skanimit të qartë53) të tyre. Luzâja më 1671 sipas Sh. Gasparit kishte 3 shtëpi dhe 50 frymë.
Luzâja (ose Lluzâja) shtrihej në fshatin e sotëm të Currajve të Poshtëm. Egzistojnë gjurmët e rrënojave të Kishës së Shën Sofisë së Luzâjës dhe varrezat përreth. Para rreth 80 viteve, në vitet ’30 të shek. XX-të, muret ishin gati 1 m mbi dhé.54) Mbi ikjen e Luzâjve nga këto troje, At Donat Kurti e çon gabimisht rreth 1400-ës, – kur i referohet gojëdhënës së njohur mbi të parët e Currajve të Nikajve që detyruan Luzâjën të ikë pa luftë e gjak – sepse të paktën dhe dy shekuj mbrapa Luzâja është aty, por dhe që më 1400-ën nuk egzistonin akoma Currajt e Nikajve. Citohet dhe më 1743, te Marko de Luki, me 15 shtëpi dhe 128 banorë, dhe më 1744 si Lusagna me 16 familje dhe 135 banorë, te relacioni i Fra Ruffinos nga Castelnuovo.55)
Që kanë qenë të shtrirë si territor këtë e vërtetojnë dhe mikrotoponimet e shumta në Nikaj, Shalë etj. Kemi Lluzâjën e Luzhës, apo trajta të ngjashme si p.sh. një majë mali me emrin “maja e Lusit”,56) në anën lindore të fshatit Rrogam në Tropojë, jo larg Luzhës.
.
11.Curraj – Del si Zuragni në 1745 te Anonimi, më pas më 1768 te P. Onofrio del po Zuragni. Trajta Kitragni që del te harta e G. Cantellit, 1689,57) dhe që E. Armao e lidh me Curraj, bazuar në radhitjen e vendeve në hartë, nuk qëndron dhe s’ka asnjë bazë. Ose është gabim në shtyp ose, kur është stilizuar në Shqipëri, është shkruajtur dhe pozicionuar gabim, siç gjenden dhe shumë gabime të tjera në këto harta.
Në Curraj të Poshtëm ka qënë Luzâja, ndërsa në Currajt e Epërm kanë qënë Mavriqët, ose Pjâja e Mavriqit. Luzâja duket se ka ikur nga ato troje pas vitit 1745, referuar dokumenteve. Më vonë ka filluar dhe ikja e Pjâjës së Mavriqit.
Kemi Curraj dhe në mikrotoponiminë e zonës N-M, përkatësisht në lagjen Paplekaj të Epërm në Lekbibaj, disa logje në shpat, në jugperëndim të varrezave dhe kishës së vjetër. Sipas traditës këtu afër ka qënë dhe ngulimi fillestar i Nikajve të sotshëm. Ngjitur është lagjja Bushat, një vendbanim shumë i vjetër, por i padokumentuar si fshat më vete në këto kohë.
12.Kuq – Del si Kuqa më 1582, tek defteri osman, me 1500 akçe të ardhura, fshati kryengritës. Ndodhet në Curraj të Epërm, afër Qereshit. Atëhere aty ishin mavriqasit. Se sa territor zinte Kuqi në atë kohë nuk dihet por këto të ardhura të larta tregojnë shtrirje më të madhe sesa Kuqi i sotshëm. Aty afër është dhe Pjâja e Mavriqit që do ta shohim dhe mëposhtë.
Emri Kuq është shumë i përhapur në onomastikën e trojeve shqiptare, në veri e jug. Prejardhjen e emrit studiues të shumtë e sjellin nga trajta mbiemrore shqipe ‘i kuq’, me prejardhje latine nga lat.’cocceus’ (kuq), ose nga trajta rumune cuci (d.m.th. kodrinë)
13.Pjâja e Mavriqit – Del për herë të parë me 1582, në defterin osman, afër fshatit Kuq, me 30 zjarre dhe 1600 akçe të ardhura.
Tek relatorët misionarë del si Planea (Planeja) më 1628, te D. Vincenti, te Gjergj Bardhi më 1634 si Plaaia, 25 shpi dhe 220 frymë. Dëshmohet në mënyrë indirekte dhe te relacioni i D. Vincentit i vitit 1628, kur atë relacion e nënshkruan dhe “Andrea Thani, famullitar i Mavriqit dhe i Gashit”.58) Por te D. Vincenti më 1628, dalin dy Mavriqa, Mavriqi ne viset e Shalës dhe Mavriqi ne Curraj. Del më 1671, te Sh. Gaspari si Plaaia. Del më 1744 te Fra Ruffino, me 12 shtëpi dhe 120 banorë. Përsëri del pas 1745, si Plaia te Anonimi, dhe më 1768 si Plaia di Mauricio te P. Onofrio. Pastaj më 1771, te relacioni i Gjon Logorecit, dëshmohet se nga dyndja e Nikajve “43 familjet e Pjâjës së Mavriqit kanë ikur në shpatet e larta të maleve”. Në relacionin e vitit 1774 Lek Bardhi na tregon se “nuk janë përfshirë Pjaja e Mavriqit dhe Prekali i Shoshit në relacion, sepse banorët e tyre u larguan”.59) Nga 1774 deri 1850 relatorët përmendin dhe Zurrai Maurici, pra Currajt e Mavriqit.60)
Mavriqët, që kanë qënë me shtrirje të konsiderueshme dhe në zhvendosje të shpeshta, kjo vërtetohet dhe nga toponimet me këtë emër, të ruajtura në viset e Shalës dhe Nikajve. Mavriqët e Shalës dhe Nikajve janë i njëjti popull. Tradita thotë se “Fara e këtij fisi kapej qysh në Lug të Ltis, si i kanë pasë thânë Krasniqes motit e deri në Gimaj të sodit… Kët’ fis kemi hjekë keq me e dyndë, pse i fortë e pasanik… Bâhen bashkë atëherë Shalë, Berishë e Krasniqe… edhe e dyndën krejt prej vendit…”.61)
Edhe pse dikur me shtrirje të madhe në Shalë e Nikaj, nga mesi i shek. të XVIII-të ngulimi i mavriqasve ose Pjâja e Mavriqit në Curraj Epër, ishte tkurrur në një territor të vogël, ku mendoj se saktësisht e jep studiuesi M. Palnikaj te “Pulti…”, f.136, ku thotë se “…bëhet fjalë për një fshat të vogël, që shtrihej në vendin që sot quhet Lumi i Pjâsë, në Curraj Epër deri në mesin e këtij fshati”. Kemi dhe relacionin e P. Onofrio-s të vitit 1768, ku thotë se Bëtosha është dy ose tri orë larg prej Pjâjës së Mavriqit.
Përcaktimi nëse Mavriqët e Pjâsë në Curraj Epër, ishin popullsi bujqësore62) apo blegtorale,63) mendoj që nuk duhet shikuar si e ndarë, pasi ata ishin bujq dhe blegtorë shumë të mirë, të cilët ngritën një sistem muresh e tarracash si dhe ujitje për grurin edhe në shpatet më të pjerrëta të maleve si në Qeresh, Plâ, Kuq, Mrishaj etj. Këtë e tregon toponimia vendore si Vada e Mavriqit, Arat e Mavriqit, etj. Por njëkohësisht, ai është dhe një vend i shkëlqyer për blegtorinë sot e kësaj dite, dhe s’ka sesi të mos ishte atëhere.
Është thënë nga ndonjë studiues se Mavriqët ishin të huaj,64) kjo nisur vetëm nga fakti se në relacione shkruhej Mauritius (Mauric, Mavriq), si dhe fakti se kishte dhe kështjellë e qytezë të Mauricit (Mavriqit) në viset e Shalës, nga ku një prijës romak me emrin Mauritius mund të ketë sunduar. Kjo s’ka shumë bazë, sepse në disa raste kemi të ruajtur dhe emra të mavriqasve të vjetër të Currajve Epër, dhe ata kanë një emër tipik shqiptar, të besimit katolik (por dhe me patronimi emrash me rrënjë shqipe, si ‘Gur’), p.sh. Prroni i Gjo’ Velit, ara e Gur Dodës65) etj. Edhe gojëdhëna e ruajtur në katundin e Planit në Pult të Dukagjinit, se sipas tyre janë me prejardhje nga vendi i Nikajve, na hedh dritë sadopak mbi të panjohurat dhe lëvizjet e pjânasve të Mavriqit të Currajve.
Sa për shqiptimin e fjalës Pjâja, rrotacioni fonetik J – L është i njohur në të folmet veriore shqipe; vendasit i përdorin të dy rastet: Plâjë, Planas (i planas) – Pjâsë, Pjanas (i pjânas). Origjina gjuhësore e termit Pjâja është orografike, ku ka derivuar nga Pjâ – Pjân – Plan = fushë, taracë, shesh i vogël. P.sh. kemi plajë-a – vegël e zdrukthëtarëve, me anën e së cilës ata drejtojnë (ose sheshojnë) dërrasat që do të mbërthehen (Fjalori i Gjuhes Shqipe, 1954, f.416, huazuar nga fjalori i N. Gazullit).
Shkrimi i vitit 1932 “Gjurmë fisesh të panjohuna në Shqipni” i Padër Donat Kurtit i shqyrton të ndarë Pjânasit nga Mavriqët. Edhe At B. Palaj i rendit veças, kur thotë te ‘Legjenda e fiseve’ se Mavriqi në këto anë “…banonte bashkë me Kapitin e Vajushit, me Plân e Luzân…”. Por bazuar në dokumentat që cituam më lart (por edhe në gojëdhana), është i njëjti popull, sepse në relacionet 1768, te P. Onofrio dhe 1771 te Gj. Logoreci, kemi qartë shprehjen Plaia di Mauricio, pra Plâja e Mavriqit. Por në relacionin e Marko de Lukit më 1743, dalin si vendbanime më vete, Mavriqi me 18 shtëpi dhe 138 banorë dhe Plaja me 17 shtëpi dhe 242 banorë (M. Palnikaj, Pulti… f. 31). Kjo tregon se ishte i njëjti popull, por me vendbanime të ndryshme.
.
14.Bëtoshë – Me 1485 në rrjeshtimet e defterit turk del një Buliç në këto anë, rrjeshtuar me Bjakë, Zhush e Rajë, dhe S. Pulaha e ka cituar si të pasigurt, me 13 zjarre e 650 akçe. Tek defteri tjetër turk i v.1582 del si Bëtosh, 3500 akçe, pa regjistrim zjarresh sepse vendi është kryengritës. Në 1628, te D. Vincenti del si Betucci; në 1745 te Anonimi del si Bitosci (Bitoshi), po ashtu dhe me 1768 te P. Onofrio.
15.Bjakë – Del në 1485 si Mllaka (lexim i pasigurt nga S. Pulaha), me 8 zjarre e 500 akçe të ardhura. Në 1582 tatimi i rritet në 1800 akçe, por s’ka regjistrim banorësh pasi vendi është kryengritës.
Në 1628, tek D. Vincenti del si Blachea; në 1634 tek Gjergj Bardhi del si Blachee, 20 shtëpi dhe 230 frymë; në 1671 tek Sh. Gaspari del si Biaca; në 1695-6 si Biachiae; në 1745 tek Anonimi, si Blachie, po ashtu dhe në 1768 tek P. Onofrio.
Fshati Biogeja (villa di Biogheia)66) që përmendet te relacioni i Frang Bardhit i vitit 1638, është pikërisht Bjaka, ose Tetajt e sotëm, me 26 shtëpi dhe 190 frymë; me kishën e vet të Shën Katerinës “të mbulueme e mjaft të bukur, pak larg nga katundi, mbi një kodrinë…”67) e cila kishte “një këmbanë mjaft të madhe së cilës i binin kur ishte koha; kjo ishte e bame tash dyqind vjetë, më parë se turku të merrte Shqipninë…”. Më pas Bardhi tregon se “…pak larg prej këtij katundi ishte Shën Klementi, kishë Katedrale e Pultit… Nga njëra anë, pak më larg se një të shtime pushke, kishte lumin e Drinit dhe nga ana tjetër një përrue që rridhte nën Biogejë”(po aty).
Kuptohet nga përshkrimi se bëhet fjalë pikërisht për Vargun, me kishë katedrale të dikurshme, përballë Bjakës, dhe poshtë tyre lumi i vogël i krahinës së N-M, që derdhet në Dri aty afër. Kisha e Shën Katerinës është pikërisht kisha në kodër të Janajve, ose Kisha e Janajve siç i thotë populli.
Por hartografët e kohës Coronelli dhe Cantelli e shënojnë fshatin Bjakë nën emrin e kishës tjetër të njohur të tij, atë të Shnapremtes (Santa Veneranda). Këtë kishë e citon dhe Sh. Gaspari në relacionin e vitit 1671. E pozicionuar në shpatet e epërme të Kores së Mërturit, përballë me perëndimin e diellit, kjo kishë shërbente dikur dhe si një ‘orë diellore’ për banorët matanë lumit të krahinës, duke ardhur deri vonë thënia e tyre se: “Kur të hipin dielli në Shnaprende, kem me ndá (kthye) rendin e vadës së ujit”.
Siç shihet, ka dy forma shqiptimi që kanë ardhur deri në ditët tona: Blak-ë/a/ja, dhe Bjak-ë/a/ja.
Nga të vjetrit, deri vonë ruhej ky emërtim, ku kryesisht thoshin se Blaka, ose Bjaka, është “vendi matanë lumit të Mërturit, prej Majës së Kores së Mërturit e deri në lumë”, pra nënkuptonin të gjitha territoret e fshatrave Tetaj, Rajë, Shëngjergj e Bëtoshë. Por ndonjëherë kishin parasysh vetëm fshatin Tetaj ose vetëm Shëngjergj. Konsulli dhe studiuesi austro-hungarez Theodor Ippen, në një monografi të tij mbi Shqipërinë Veriperëndimore në vitin 1908, i rendit fshatrat matanë lumit të Mërturit si ‘Blakaj, Tetaj dhe Rajë’, ku me Blakaj nënkupton Shëngjergjin dhe Bëtoshën, dhe natyrisht, ky e ka shprehur siç ja kanë treguar vendasit. Është e pazgjidhur kjo dilemë edhe sot e kësaj dite, pavarësisht se studiues të caktuar kanë mbajtur dhe qëndrime përfundimtare për shtrirjen e tij.
Prof. Kolë Tahiri në një shkrim të tij të nëntorit 2014 për portalin ‘Zemra Shqiptare’, me titull “Toponimi ‘Bjake’ e Mërturit” duke përmbledhë të thënat e katër studiuesve kryesorë për këtë toponim, dhe nga një analizë e thjeshtë që u bën atyre, ka lënë të hapur për studiuesit një këndvështrim tjetër për ‘Bjake’: nëse kemi të bëjmë me emër fisi apo emër vendi. Në këtë dilemë është nisur nga një citim i librit të Edith Durham “Brenga e Ballkanit”, e cila duke ju referuar veprës “Illyricum Sacrum” (1817) shkruan: “…Përmenden gjithashtu dhe fiset Salca (tani Selci), Toplana dhe Dushmani të cilat janë akoma, si dhe ‘Blahia’ të cilën nuk mund ta përcaktojmë. Na thuhet se të gjithë fiset besnikërisht lëvronin fenë katolike…”; pra edhe vetë E. Durham e ka lënë të errët këtë gjë.
Emri Blaka ndeshet shpesh në onomastikë sidomos në Kosovë, dhe një studim i plotë onomastik i këtij termi me siguri do na jepte të dhëna interesante.
16.Anqit (fshat) – Del më 1582, si Mirsketa, por ky është një lexim i pasigurt nga osmanishtja sipas S. Pulahës.
Në relacionet misionare del si fshati Anichieti qysh më 1628 tek D. Vincenti, në 1634, tek Gjergj Bardhi si Manechiti, 20 shtëpi e 200 frymë; më 1671 te Gaspari, si Anichiet-i me 12 shtëpi dhe 120 frymë.
Anqiti është sot një vend i pabanuar, afër Shkëmbit të Rajës së Mërturit, me rrënoja dhe varre shumë të vjetra, me kishën së Ançitit që njihet në relacione si Kisha e Shën Dhimitrit (San Demetrio), ku dallohet këmbanorja e saj e pashëmbur akoma.
Referuar Gjergj Bardhit më 1634, mendoj se një popullsi me 200 frymë s’mund të jetonte në shkrepat rreth qytezës tashmë të rrënuar, por vetëm në një vend më pak të thyer dhe me më shumë mundësi jetese e tokë, pra fshati mund të jetë shtrirë deri në Markajt e Tetajve të sotëm.
Por territori i sotëm rreth Anqitit (Anichieti) duhet lidhur dhe me qytezën e Anichea-s mesjetare, e mbështetur me të drejtë dhe nga K. Luka si variant.
17.Anikea (qytet) – Një ndër pesë qytezat e Pultit, ‘të gjitha të rrënueme’, përmendur më 1628, nga D. Vincenti si Anichea dhe më 1629, nga B. Orsini si Anichieia. Duke parë dhe renditjen në dokumenta, gjurmët e saj mendoj se duhen kërkuar rreth Anqitit, kryesisht te rrënojat e qytezës te vendi i quajtur “Gjyteti” i kalasë së Lekës, afër Shkëmbit të Rajës.
Me këto pak të dhëna që kemi në dispozicion, mund të shtrojmë dhe një hipotezë tjetër:
Në mesjetë leverdia e madhe me krimbin e mëndafshit do t’i bënte Nikijt të jetonin me njëfarë statusi të zhvilluar për kohën. Nisur nga kjo, si dhe nga përngjasimi i fjalëve të qytezës Anikea (ose Anikieja) me popullsinë e Nikijve: – mos vallë qyteza e shkatërruar Anichea (Anikea) e përmendur më 1628 nga D. Vinçenti, apo Anichieia (Anikieja) e 1629 tek B. Orsini, ka lidhje me Nikijt? Pra, nëse Nikijt kishin qytezën e tyre atë të Anikea-s?
Të katër qytezat e tjera të rrënuara të Pultit që përmend D. Vincenti (1628) dhe B. Orsini (1629) ne i identifikojmë sot dhe me vendodhjet e tyre që kanë mbërritur, si Kiri, Mengulla, Mavriqi, Varku, por qyteza me emrin Anikeja e përmendur vetëm tek këta dy relatorë dhe askund tjetër, është e vështirë që sot të unifikohet veçse me Nikijt e vjetër, me “Gjytezën” e tyre ‘Anikeja’ te Kalaja e Lekës në Rajë, dhe territorin e Anqitit (Anichieti) me rrënojat e veta. ‘Vorri i Gjeneralit’68) në varrezat e Anqitit na tregon sadopak për rëndësinë e këtij vendi.
Në mungesë të një dokumentacioni më të plotë, gërmimet arkeologjike në këto vende në Rajë mund të na jepnin jo pak të dhëna. Vëmendja e studiuesve pritet jo vetëm për pesë qytezat e rrënuara të Pultit, por dhe për Qytetin e humbur të Pultit (Civitas Polatensis), të përmendur në shumë dokumente të vjetra, dhe që nuk është bërë asgjë konkrete për ta identifikuar.
.
18.Rajë – Del më 1485 në defterin osman si Noranja, 25 zjarre dhe 1250 akçe të ardhura.
Tek relatorët misionarë, del qysh më 1628 te D. Vincenti si Ragna, më 1634, tek Gjergj Bardhi, si Ripa (mendohet si një gabim në shkrim i relatorit, ndoshta ngatërrim me Apripën e përtej Drinit), më 1671 te Sh. Gaspari si Ragnia. Pas 1745 dhe më 1768, tek P. Onofrio del si Ragna, më 1771 tek Gj. Logoreci si Aragna, po ashtu dhe tek Lekë Bardhi më 1775.
Raja tek hartografët Cantelli, Coronelli dhe të tjerë, jepet me emrin e kishës, pra Santa Veneranda (Shnapremtja), por shpesh duke u ngatërruar në pozicionim me Sanata Venerandën e Bjakës (Tetaj).
Lidhur me etimologjinë e fjalës Rajë, ka pasur dy ide:
E para që rrjedh nga fjala turke raja ose ‘rayah’ dhe e dyta nga një term bimësie. Bëhet fjalë për emrin popullor të një dushku, të njohur si Rrâja e Kuqe një lloj lisi, lat. Quercus (Quercus appenina ose Quercus pubescens). Ndryshe quhet dhe qarr (Quercus cerris).
Një hipotezë e mundshme që mund të mbështesë variantin e parë, atë me prejardhje turke, është se zona mund të ketë pasur rëndësi strategjike për t’u kapur shpejt nga osmanët, pasi ishte në kryqëzim të dy luginave, të Drinit dhe Valbonës, në të cilat kalonin degëzime rrugësh antike (siç e mbështesin dhe studiues seriozë)69) në brendësinë e vendit e më tej. Vinin nga Iballja dhe kalonin Drinin në Fierzë-Rajë, vazhdonin në Pultin e Epërm, ose në luginën e Valbonës për në Pejë, Prizren, etj. Gjithashtu ishte dhe kufiri i dy ish-principatave të Dukagjinit dhe Spanëve, por një kufi jo shumë i qartë, nisur dhe nga veshja e dyshimtë që i bën gojëdhëna përkatësisë së kështjellave, sa nga njëri Lekë tek tjetri, Lekë Spani apo Lekë Dukagjini.
Pra ky vend mund të ishte edhe vendi i parë i “rajáve” në këto male, subjekte taksapagues ose milet i krishterë që u detyrohen tatimeve perandorake osmane. Domethënëse për këtë janë dhe emërtimet ‘Kisha e Rajave’ dhe tjetra ‘Kisha e Kaurrisë’,70) vendrrënoja kishash shumë të vjetra, me varreza, që ndodhen në këtë fshat.
Gjithsej ky fshat bashkë me Anqitin ka pasur dhjetë kisha (M. Palnikaj, Pulti… fq. 94-97), ku të paktën shtatë nga këto mendohet se janë ndërtuar para pushtimit turk. Vetë rrugëkalimet, pozicioni mes dy lumenjve dhe toponimia e zonës përreth me rrënojat e saj, tregojnë se ka qënë një pikë strategjike e rëndësishme. Shkami i Lekës, rrënojat e Kalasë së Lekës me Gjytetin e Kalasë (ose Anikea), dhe rrënojat e Anqitit jo larg, – të gjitha këto e japin më së miri rëndësinë e këtij vendi.
.
****
Si përfundim, duke parë ecurinë e fshatrave të Nikaj -Mërturit në pesë shekujt e fundit, saktësia më e madhe rreth numrit të këtyre vendbanimeve gjendet tek ato dokumenta që janë bërë për arsye taksimesh, pra në defterët osmanë. Në vitin 1485 zona ka pasur 9 fshatra, duke përfshirë këtu dhe fshatrat e dyshimta si shtrirje në këto anë, Martish (Mërtur?) dhe Buliç (Bëtoshë?), në vitin 1529-36 kemi 6 fshatra të evidentuara dhe më 1582, kemi 11 fshatra.
Në relatimet e misionarëve, evidencën më të saktë e kemi atë të vitit 1628 tek D. Vincenti, i cili numëron 12 fshatra (ville), më pas në vitin 1671, tek Sh. Gaspari kemi 8 fshatra, më 1768 tek P. Onofrio kemi 10 fshatra. Relacionet e misionarëve të tjerë nuk po i shqyrtojmë pasi ata japin citime kryesisht në funksion të lëvizjes së famullive dioçezane.
E parë në total, sipas dokumentave, gjatë këtyre shekujve kemi rreth 16 toponime vendbanimesh. Nga këto, gjashtë toponime kanë ardhur deri sot si emërtime fshatrash (Brisë, Salcë, Palç, Rajë, Bëtoshë dhe Curraj, ku katër të parat kanë pasur një egzistencë të përhershme). Katër vendbanime të tjera fshatrash të vjetra, sot janë lagje (Kotec, Varg, Zhush, Kuq), dhe gjashtë të tjera kanë ndërruar emër si fshatra, janë transformuar ose janë zhdukur (Nikaj, Luzajë, Bjakë, Mërtur, Anqit, Pjaja e Mavriqit).
Ndër shekuj zona e N-M ka pasur dhe të paktën pesë qyteza dhe kështjella:
.
1.Kalaja e Lekës në Rajë dhe “Gjyteti” i saj, i njohur si Anikea (Anichea) e dikurshme;
2.“Qytetëza” në Mulaj ose “Rrahi i Shehrit”;
3.“Gjyteti i Madh” dhe “Gjyteti i Vogël” në anën lindore të malit të Rrukut mbi Curraj të Poshtëm;
4.Varku (Varcu); 5.“Gjytetëza” mbi Salcë. Dy nga këto, ajo e Varkut dhe e Anikeas në Rajë, kanë pasur lulëzimin e tyre në mesjetë dhe janë rrënuar (sipas dokumentave) kur është futur turku, ndërsa tre të tjerat kanë një origjinë ilire që nga shek. III-IV pas Krishtit, sipas studiuesve.
E parë nga këndvështrimi i pesë hartave të vjetra të ndryshme të shekullit të XVII-të, vetëm Salca del në të gjitha hartat. Dalin shpesh dhe Palçi, Bjaka dhe Santa Veneranda e Rajës, por dhe e Tetajve. Del Maja e Agrit, por nganjëherë e pozicionuar gabim mbi Theth, si dhe gjurma e lumit të zonës, në të gjithë hartat. Ndeshet në dy harta dhe vendi i papërcaktuar ‘Kitragni’ (pozicionuar në Currajt e Poshtëm të sotëm, me kishë), si dhe një tjetër ‘Sinerani’ (?), me kishë, pozicionuar afër Rajës së sotme. Jepet dhe toponimi ‘S. Maria’ me kishë, diku mes Salcës (apo Palçit) dhe Toplanës.
Vlen të theksohet se në të gjitha hartat e vjetra që nga shekulli XVII-të, zona e N-M tregohet si ‘kufiri’ ngatërrestar mes sanxhakut të Shkodrës dhe atij të Dukagjinit (Pejës). Kjo luhatje kufinjsh shihet p.sh. në dy harta të Cantellit më 1689 dhe 1692, ku Bjaka dhe Raja na dalin ‘përtej kufirit’ pra pjesë e sanxhakut të Pejës. Në harta kufiri i sanxhaqeve paraqitet me një vijë të pikësuar, që shkon paralel me lumin Krasniqe apo Grastenchia në harta. Banorët në atë kohë donin të qëndronin të bashkuar me Shkodrën, pra me Pultin siç ishin në shekuj. Por, pasi ekspeditat shkatërrimtare të Begollëve të Pejës (të dokumentuara) kishin arritur ta shkëputnin zonën e Gashit dhe të Krasniqes si një përkatësi me pjesën tjetër të Pultit, tashmë zona e Nikaj-Merturit ishte drejtpërdrejt e ekspozuar përballë sulmeve të kësaj dinastie pashallarësh. Ngritja dhe zhvillimi i qytetit të Gjakovës, si dhe instikti i mbijetesës së këtyre malësorëve dhe aftësia e tyre për të ruajtur sa të mundnin unitetin etno-kulturor pavarësisht tallazeve, bëri që të krijohej një njësi tjetër përbashkuese dhe vitale, si ajo e “Malësisë së Gjakovës”, e cila vazhdon sot e kësaj dite.
Edhe pse e vogël si territor dhe e mbyllur mes malesh, zona N-M duket se ka pasur një jetë jo pak aktive në mesjetën e vonë, referuar dokumentave: – prania e dy qytezave mesjetare (Varg, Anikea) nga pesë të tilla për gjithë Pultin; prania e dy qëndrave fetare pra manastireve (Varg dhe Luzajë) nga gjashtë të tilla në gjithë Pultin, si dhe rrënojat dhe gjurmët e rreth 41 kishave e kapelave në krahinë e japin vetë këtë panoramë zhvillimi. Me dyshim, por mund të themi se dhe Manastiri i Artivojës i përmendur te relacioni i B. Orsinit më 1628, ka qënë diku mbi logjet e Salcës, pasi ekziston toponimi Suka e Marvejës. Përputhet dhe në renditje, vjen pas atij të Shalës dhe para atyre të Vargut dhe Luzajës.
.
Sipas traditës, përsa i përket peisazhit të zonës, zona nuk ka pasur këtë pamje që ka sot, pasi thonë se kur ka ardhë i pari i Nikajve këtu, vendi ka qënë krejt i zhveshur ‘pa një shkop druni… krejt livadhe e kullotë’ (Rr. Zojzi, Anketa…). Por tek një hartë e V. M. Coronellit e vitit 1688, krahina tregohet e veshur me pyje (simboli i pemëve në hartë).
Zona N-M, gjithashtu dhe mikrotoponiminë e ka të pasur dhe interesante. Studimi i tyre do na ‘kthente’ në kohëra shumë të hershme, duke qartësuar shtresëzimet e shekujve në këto emërvende. Shumë emra i gjejmë dhe në vende të tjera, si p.sh. Bllatë, Marvejë, Davidhe, Kasnec, Brashtë, Bushat, Plaksa, Rahovë, Pjoll, Karron, Gradë (e Vranës), etj. Bie fjala, toponimi ‘Gradë’ gjendet si fshat i veçantë në relacionin e Frang Bardhit më 1634, renditur jo shumë larg nga këto anë. Por sot me këtë emër kemi dhe një pjesë bjeshke mbi Vranë të Nikajve bashkë me kreshtën e malit që ngrihet madhështore mbi të, e cila është filmuar për bukurinë e saj të rrallë (lugina e burimit të Lumit të Bardhë) qysh në fillim të shekullit 20-të nga Th. Ippen.
Apo emërtimi Bushat (sot lagje e Lekbibajve), i cili ndeshet në onomastikë shumë të hershme në rrethinat e Shkodrës. Nisur nga emrat e kryefamiljarëve të regjistruar në regjistrat osmanë pas pushtimit, studiuesi S. Pulaha71) na tregon se vëllazëri të Bushatëve në fshatrat e zonës N-M, i gjejmë në Nikij, Noranja (Raje), Zhush dhe Salcë; ashtu si vëllazëri të Prekalëve dhe Kuçëve i gjejmë në Brisë, si dhe Shirgjët në Mllakë (Blakë), apo dhe Davidët në Noranja (Rajë).
Nuk jam në dijeni nëse është mbledhur më përpara ky material mikrotoponimik i zonës N-M, por nëse jo, mbledhja e tij do të ishte me interes të madh historik, shkencor dhe kulturor. Brezat e vjetër që po ikin, shpopullimi i zonës, pra dhe ikja e kujtesës dhe harresa mbi këto vende, e bën këtë punë një imperativ të kohës. Këtë punë besoj se mund ta kryejë shumë mirë stafi i shkollës së mesme të zonës N-M, në Lekbibaj, në bashkëpunim dhe me ndihmën e organeve arsimore dhe administruese të Tropojës. Më pas ky material i grumbulluar në bazë fshatrash, do sistemohej, dhe pse jo, të hidhej në programe të dhënash kompjuterike aplikimesh gjeografike (p.sh. në ArcGIS), ku emri përkatës lidhet direkt me pozicionimin në terren të vendodhjes.
Mbledhja e Mikrotoponimisë si dhe Hartimi dhe Mbledhja e saktë e gjithë Pemës Gjenealogjike të Vllaznive dhe familjeve të fiseve Nikaj e Mërtur, do të ishte një ndër visaret më çmuara që do i linim brezave të ardhshëm, për të kuptuar se kush jemi, nga erdhëm, kush ishin të parët tanë që jetuan në këtë amfiteatër natyre të ashpër dhe madhështore, mu në zemër të Alpeve, dhe që formuan një njësi unitare, që mban sot emrin ‘Nikaj-Mërtur’. Kjo punë në përmbyllje të saj, do të ishte shumë me vlerë dhe për shkencëtarët, antropologët, gjuhëtarët, etnologët, për turizmin historik dhe muzeal, etj. Hartimi i hollësishëm i pemës gjenealogjike të zonës N-M, do të ishte dhe me interes të ardhshëm mjekësor, statistikor dhe depistimor popullsie, siç ka ndodhur dhe në vende tepër të zhvilluara si Islanda, Irlanda etj.
Si përfundim, siç thekson dhe Ludwig von Thallóczy një shekull më parë, kemi të drejtë të themi se rrallë popuj në Europë e kanë ruajtur vetëdijen e rrjedhës së breznive të veta, ashtu si populli shqiptar, e veçanërisht malësori shqiptar, qindra vite që në mesjetë e deri sot, si një kujtim i thellë mbijetese i trungut të vet etnik.
(Fund)
Ilustrime hartash, shek. XVII-të, pjesë nga territori i Pultit, ajo që sot quhet Nikaj-Mërtur.
1.Hartë (pjesë) – ”Corso delli Fiumi Drino, e Boiana nella Dalmatia” (P. V. M.Coronelli, Venezia 1688)
2.Hartë (pjesë) – ”Albania Propria ouero Superiore[…]” (Giacomo Cantelli, Roma 1689)
.
Fusnota të Studimit
1)-Vlen të përmendet punimi i vitit 1977, i jashtëzakonshëm për kohën kur u shkruajt “Rreth toponimisë së trevës së Pjetërshpanëve… shek. XV-XVIII” (rev.’Stud. Filol.’ nr. 2, 3, 1977), i studuesit të njohur Kolë Luka, punim me të cilin jemi ballafaquar për të dhënat kryesore statistikore të fshatrave, duke i përballur me burimet e ndryshme dhe duke bërë shtjellimet tona.
2)-S. Pulaha: “Defteri i regjistrimit të Sanxhakut të Shkodrës i vitit 1485” vol.1, Tiranë 1974 (shkurt.‘Deft. Shkodr. 1485’)
3)-Defteri i Sanxhakut të Shkodrës i vitit 1582 (AIH), nga “Başbakanlik Osmanli Arşivi, Tapu Defterleri”, Defteri nr.59, Defter-i Iskenderiye. (shkurt. ‘Deft. Shkodr. 1582’)
4)-F. Miclosich, “Monumenta Serbica”, 1858, f.97 (cit. M.Gjukiç-Pilot u srednjem vijeku, 1990 [Pulti në mesjetë])
5)-Rr. Zojzi: “Tregu i Shkodrës dhe fillimet e industrisë së mëndafshit në vendin tonë”, në Bul. Sh. Sh. nr.1, 1954
6)-E. Sufflay: Städte und Burgen Albaniens hauptsächlich Während des Mittelalters” (Qytetet dhe kështjellat e Shqipërisë, kryesisht në mesjetë), f.42
7)-Konstantin J. Jireček: “Illyr.-Alban. Forschungen” (Hulumtime Iliro-Shqiptare), vol.1, f.113
8)-V. M. Coronelli në hartën e v.1688 e shënon dhe kështjellën me këtë emër: “Letia, kështjellë me garnizon turqish”, ku bëhet fjalë, sipas studiuesve, për kështjellën e Cernicës, e pozicionuar në fakt në qendër të Malësisë së Gjakovës.
9)-At Bernardin Palaj, te ‘Legjenda e fisevet’, 1943, citon “…në Lug të Ltìsë, siç i kanë pasë thânë Krasniqes motit…”
10)-“Altin u XIV i XV veku” (Gordana Tomović), 1990
11)-F. Miclosich, “Monumenta Serbica”, 1858, f.97
12)-Kolë Luka: “Rreth toponimisë së trevës së Pjetërshpanëve… (shek. XV-XVIII)”, rev. Stud. Filol. nr. 2, 3, 1977, fq. Cit. 148 (nr.3, 1977).
13)-“Pilot u srednjem vijeku” (M. Gjukiç), 1990 – “Stanovništvo slovenskog porijekla u Albaniji”, Titograd, 1991.
14)-“Relacion i Don Vincentit, sekretar i Ipeshkvit të Lezhës, mbi vizitën e Benedikt Orsinit nëpër malësinë e Shkodrës – Pult, 31 gusht 1628” – në veprën: “Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë Veriore dhe të Mesme në shek. XVII – vëll. -I-rë (1610-1634)” (përg. I. Zamputi), rel. 29 (shkurt. ‘D. Vincenti, 1628’)
15)-“Nji dorshkrim i vjetës 1671 mbi Shqypni” – në rev. “Hylli Dritës”, 1930-1933; relacion i Shtjefën Gasparit (Stefano Gaspari), Vizitator Apostolik, marrë nga drsh. që gjendet në “Biblioteca Nazionale” të Napolit (dosja VII. A. 3-Brancaccio), shkurt. ‘Gaspari, 1671’.
16)-“Relacion i misionarit Padre Orsigliada, viti 1695-6”- nxjerrë nga vepra “L’Albania a traverso l’opera e gli scritti di un grande missionario italiano il P. Domenico Pasi S.I” (Fulvio Cordignano), vol.1,1933, (shkurt. ‘P. Orsigliada, 1695-6’)
17)-Mark Palnikaj: “Pulti viti 743 – 10 Mars 2005”, Prishtinë, 2017, f. 30-31 -Ky është burimi për citimet nga relacioni i ipeshkvit Marko de Luki (Marcho de Luchi), 20 tetor 1743 (shkurt. ‘Marko de Luki, 1743’).
18)-Dokumenta të pabotuem, Akti IV, në rev.‘Hylli i Dritës’, 1942, nr.11-12, f.391-403; përgaditur nga famullitari i Shalës At Rrok Gurashi. Këtij dokumenti do i referohemi si ‘Anonimi, pas 1745’, pasi i mungojnë fletët e para dhe të fundit të nënshkrimit, por bëhet fjalë për një relacion të imzot Aleksandër Bardhit [Alessandro Bianchi], të pas vitit 1745, sipas Rr. Gurashit.
19)-Dokumenta të pabotuem, Akti I, II, në rev. ‘Hylli Dritës’, 1942, nr. 5-10, f.294-305; përgad. Rr. Gurashi. Relacion për Ipeshkvinë e Pultit, i vitit 1768, nga prifti misionar P. Onofrio di Bernalda, nën mbikqyrjen e ipeshkvit të Pultit Gjon Logoreci (Giovanni Logorezzi), (shkurt. ‘P. Onofrio, 1768’).
20)-Dokumenta të pabotuem, Akti III, – rev.‘H. Dritës’, 1942, nr. 5-10, f.305-311; përgad. Rr. Gurashi. Relacion për Ipeshkvinë e Pultit, i vitit 1771, nga Ipeshkvi i Pultit Gjon Logoreci (shkurt. ‘Gj. Logoreci, 1771’).
21)-Ermanno Armao: “Vende, kisha, lumenj, male e toponime të ndryshme të një harte të lashtë të Shqipërisë Veriore”, Tiranë, 2006, f.155
22)-M. Palnikaj, Pulti… f.94-104
23)-Odette Marquet: “Pjetër Bogdani – Letra dhe Dokumente”, Shkodër, 1997, f. 320; cit. M. Palnikaj, Pulti… f.102
24)-“Dečanske hrisovulje”(Miloš S. Milojević) – në ”Glasnik srpskog učenog društva”, vol. 12, Beograd, 1880, fq. 27-38; (cit. “Altin u XIV i XV veku” – G. Tomović, 1990)
25)-Dodë Progni, Zef Doda: “Nikaj – Mërturi. Vështrim historik”, Shkodër, 2003, f.43
26)-M. Palnikaj, Pulti…, f. 98-103
21)-Dokumenta të pabotuem, Akti VII-IX, – rev.‘H. Dritës’, 1943, nr. 1-3, f. 70-75; përgad. Rr. Gurashi. Relacion për Ipeshkvinë e Pultit, i vitit 1774 dhe 1775, nga Ipeshkvi i Pultit Lekë -Bardhi (Alessandro Bianchi), shkurt. ‘L. Bardhi,1774, ose… 1775’.
27)-D. Progni, Z. Doda: vep.cit. Nikaj-Mërturi…, f.56
28)-Ibrahim Kadri Malaj: “Tropoja në breza – Monografi”, Tiranë, 2003, f. 391-436
29)-Edith Durham: “Brenga e Ballkanit dhe vepra të tjera për Shqipërinë e Shqiptarët”, Tiranë, 1990, f. 447.
30)-Giuseppe Valentini: “Il manoscritto ASHB 1167 della Laurenziana”, “Shpirti Shqiptar”, Torino, Viti I, nr. 3, 1955, fq. 15-23; shqip nga italishtja: Willy Kamsi, rev.”Phoenix”, Shkodër, 1999, nr. 9/1
31)-Defteri i timareve të Rumelisë i viteve 1529-1536 (AIH), nga “Başbakanlik Osmanli Arşivi, Tapu Defterleri”, Defteri nr.367. (shkurt. ‘Deft. Rumel.1529-36’)
32)-D. Progni, B. Jubani – Harta Arkeologjike e Rrethit të Tropojës, gaz. ‘Shkëlzeni’, 1988
33)-Henrik Barić: “Arhiv za arbanasku starinu” vol.1, 1923, f. 142
34)-V. M. Coronelli: “Corso delli Fiumi Drino e Boiana nella Dalmatia”, Venetia, 1688. (hartë)
35)-V. M. Coronelli: “Ristretto della Dalmazia”- në ‘Isolario dell’Atlante Veneto’, Venetia, 1696. (hartë)
36)-“Raccolta d’Opuscoli scientifici, e filologici”, Venetia 1730, vol.III, f.215-222.
37)-“Burimi i mrekullueshëm i ujit të kripur në majën e Shalës dhe një relacion i panjohur i Imzot Vinçenc Zmajević rreth vitit 1728” (G. Pecnikaj) – në rev. “H. Dritës”, nr. 2, 2016, Shkodër; dhe gaz. “Koha Jonë”, dt. 14.2.2017.
38)-Ne nuk e dijmë se sa i sigurt ka qënë S. Pulaha kur e ka korrigjuar leximin osmanisht nga Maleç në Paliçi, por ka një mikrotoponim Malezh (pra të përafërt me leximin e parë) të ruajtur dhe sot si emërtim i një hapësire jo të madhe arash dhe gështenjash, në territorin e fshatit Lekbibaj.
39)-I. Zamputi – “Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë Veriore dhe të Mesme në shekullin XVII – vëllimi I-rë (1610-1634), Tiranë 1963; relacioni nr.39, f.458-465: – ‘Relacion i Ipeshkvit të Sapës Gjergj Bardhit, mbi vizitën e kryeme në malet e Dukagjinit, të Pultit e të Kelmëndit, 1634’ (shkurt. ‘Gjergj Bardhi, 1634’).
40)-I. Zamputi – “Relacione…” – vëllimi -I-rë (1610- 1634)”, rel. nr.29/ f.171
41)-“Relacion i Ipeshkvit të Lezhës, Benedikt Orsinit drejtuar Kongr. Prop. Fide, mbi vizitën e bame në dioçezin e Shkodrës, vjeti 1629” – në veprën: “Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë Veriore… – vëll. -I-rë” (I. Zamputi), rel. 30 (shkurt. ‘B. Orsini, 1629’)
42)‘-Relacion i Ip. të Sapës Frang Bardhit, drejtue Kongregac. Prop. Fide, mbi vizitën në Spas, Iballë e Pult… – qershor 1638’ – nga libri “I. Zamputi – Relacione… – vëllimi -II-të (1634-1650)”, Tiranë 1965, rel. nr. 30, fq. 153.
-Karl Steinmetz (ing.) – “Eine Reise durch die Hochländergaue Oberalbaniens”, 1904 [“Një udhëtim përmes maleve të Shqipërisë së Epërme”, K. Steinmetz]
43)-K. Steinmetz, “Eine Reise…”, f.56-57: “…mir selbst übergab der Missionär von Nikaj einen abgenutzten Sesterz des Kaisers Marc Aurel, den er bei den niedrigen, mit Gestrüpp verwachsenen Mauerresten der Kiša Vargut, etwa eine Stunde südlich von Gjonpepaj, gefunden hatte.”
44)-K. Steinmetz, – “Ein Vorstosz in die nordalbanischen Alpen”, 1905, f.44-46
45)-D. Progni, Nikaj-Mërturi… f. 14-15
46)-Sir Arthur Evans: “Antiquarian researches in Illyricum: Part III-IV”, 1885, fq. 66-67
47)-Franz Nopcsa: Aus Šala und Klementi, 1910, f.16
48)-F. Nopcsa: Geographie und Geologie Nordalbaniens, 1929, f.120
49)-Rrok Zojzi: ‘Nikajt’, rev. “Kultura Popullore”, nr.1-2, 1993
50)-Kush habitet për mundësinë e një rruge kuajsh apo dhe qerresh nëpër këto male, ju kujtoj se Roma dhe Bizanti kanë bërë rrugë të tilla dhe në vende më të vështira, si në Alpet e Europës dhe Azi; mjafton të bëjnë kërkime të thjeshta për këtë gjë dhe do binden.
51)-Ballafaqimin e gabimeve mes dy dorëshkrimeve të Sh. Gasparit e kanë cekur dhe studiues të mëparshëm, por më i ploti dhe i sakti është studiuesi Mark Palnikaj në vep. cit. ‘Pulti…’, f. 26-31, i cili ka përballur të dy origjinalet e nxjerra nga arkivat përkatëse.
52)-Do-ku [Donat Kurti]: Gjurmë fisesh të panjohuna në Shqipni, H. Dritës, 1932, nr.1
53)-Burimin e citimeve mbi relacionin e Fra Ruffinos nga Castelnuovo, 1744, e kemi nga vepra e M. Palnikaj, “Pulti…”
54)-Ibrahim K. Malaj: “Tropoja…”, f.196
55-Hartë: “Albania Propria ouero Superiore detta anche Macedonia Occidentale/ descritta, con Disegni fatti sul Luogo da Giacomo Cantelli, Roma, 1689
56)-“Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë Veriore dhe të Mesme në shek. XVII – vëllimi I-rë (1610-1634)” (përg. I. Zamputi), rel. nr. 29/ f.173
57)-K. Luka (St. Fil. nr. 3, 1977, f.153)
58)-M. Palnikaj, Pulti…., f.140
59)-At Bernardin Palaj, ‘Legjenda e fisevet’, 1943
60)-K. Luka (St. Fil. nr.3, 1977)
61)-Gjurmë fisesh… Po aty
62)-Gjurmë fisesh të panjohuna në Shqipni, H. Drites, 1932, nr.1, f.9
63)-Gjurmë fisesh… Po aty
64)-Studiuesi K. Luka nuk arrin ta identifikojë dot Biogheia-n e F. Bardhit, por mendoj se ka plotësisht të drejtë kur citon se mund të ketë një kopjim të gabuar të dokumentit, ose gabim transkribimi.
65)-‘Relacion i Frang Bardhit… -qershor 1638’ – nga “Relacione…. vëll.-II-të”, 1965, rel. nr.30, fq.153.
66)-M. Palnikaj, Pulti… f.137
67)-F. Nopcsa – Aus Šala… 1910, f.15-16;
68)-Arthur Evans – Antiquarian researches in Illyricum: Part III-IV, 1885, f.66-67; –
69)J. Adami – Historia e rrugëve të Shqipërisë (I), në Bulet. Sh. Sh. nr.1, 1953, f. 59-60
70)-M. Palnikaj, Pulti… f. 96
71)-Selami Pulaha: “Mbi gjallërimin e lidhjeve farefisnore dhe krijimin e fiseve në Shqipërinë e Veriut në shek. XVI-XVII”, -rev. “St. Hist.”, nr.2, 1975, f.128-129
.