Ҫfarë nuk dinë shqiptarët nga punimet e Kongresit te 1972?
nga Genci Hoti
Miku im Florian Ҫanga më kërkoi të paraqisja punimet e atij kongresi sipas një këndvështrimi më realist, pasi ishte krijuar përshtypja sikur gjuhëtarët shqiptarë të Kosovës kishin qenë në unison me gjuhëtarët shqiptarë në atë kongres. Si shtytje u bë edhe një informacion i paraqitur nga miku im Arben Borshi, të marrë nga i ndjeri Kastriot Myftaraj, që shoqërohej nga shumë pasaktësi.
Fillimisht duhet vënë në dukje fakti që mund të jetë e vetmja ngjarje madhore në Shqipëri që është paraqitur me një vërtetësi maksimale, në sajë të botimit në dy vëllime (Tiranë 1973 -foto), të punimeve të atij kongresi. Nga të 1070 faqet e këtij botimi zgjodha përmbajtjen e aktivitetit të katër Personaliteteve që morën pjesë në Kongresin e vendosjes së standartit gjuhesor 1972. Pra, do të flasim për katër Delegatë vetëm sipas informacionit që na japin këto dy vëllime pas asnjë shtesë tjetër informative.
Sipas radhës numërore të Delegatëve veçoj:
Delegatin me nr. 4-Prof. Eqrem Ҫabej, mbajti kumtesën: Mbi disa çeshtje të traditës së shkrimit dhe drejtshkrimit të Shqipes (f. 247-264 – foto). Që në frazën më të parë Profesori, në forme revolte, u tregoi delegatëve të tjerë se: “Kur Komisia Letrare e Shkodrës, në “Parimet e rregullat” që caktoi për drejtshkrimin e shqipes aty nga fillimi i vitit 1917, vendosi që zanorja ë e pathekse, grupet zanore ie, ue, ye dhe grupet bashkëtingëllore mb, nd e ngj do të shkruhen të plota ashtu si i ruan këto toskërishtja e pjesërisht dhe disa nëndialekte të gegërishtes, ajo mund të shtonte dhe të thoshte që ashtu të plota kanë ekzistuar ato dhe janë shkruar pak shekuj më parë në krejt truallin e gegërishtes dhe se janë të gjithmbarshme të gjuhës” (Vëll. I, f. 247).
Ndërsa në frazën e fundit Profesori, i revoltuar, ka shkruar: “Në formulim të cdo rregulle do të jetë e pranishme vetëdija që është puna për një drejtshkrim të caktuar jo për disa mijëra vetë, po për katër milion njerëz që e kanë shqipen gjuhë amtare” (po aty, f. 264).
A e kuptoni që Profesori i Madh, Eqrem Ҫabej ka qenë kundër vendosjes së rregullave drejtshkrimore për një pakicë zyrtarësh, por duheshin vendosur rregulla gjuhësore dhe drejtshkrimore për katër (4) milion njerëz që përdorin shqipen si gjuhë amtare? Si është e vërteta e përdorimit të Gjuhës standarte Shqipe pas 1972, në Shqipëri?
Delegati me nr. 5 – Prof. Idriz Ajeti (Prishtinë), mbajti kumtesën: Rruga e zhvillimit të gjuhës Letrare Shqipe në Kosovë (f. 265-280 – foto). Profesori shqiptar i Kosovës do të jepte disa fakte reale mbi atë se çfarë kishte ndodhur me Shqipen Historike nën pushtimin serb të Kosovës. Do të fliste për mbledhjen e 1952, që paraqiti dy rryma (po aty, f. 275), njëra prej të cilave po aplikohej aktualisht në Kongresin e 1972, ku perspektiva e gjuhës letrare shihej e dalluar dhe e prerë e gegërishtes letrare nga toskërishtja (po aty, f. 275-276). Pastaj u foli pjesmarrësve mbi mbledhjen e vitit 1957, ku kërkohej qe ë e pazënë të përdorej vetëm aty ku asht e nevojshme. Tregoi për luftën e vërtetë që po bëhej në gjirin e intelektualëve të Kosovës ku kishin lindur tendencat diverguese kundër konkluzioneve të asaj mbledhjeje ku autori u ishte përgjigjur me artikullin: “A ka gja ma punë n’ortografinë e shqipes? – Përparimi 1958, nr. 7-8 f. 471-476. Pastaj do të vinte viti 1964, ku në Prishtinë u botua Dokumenti “Ortografia e gjuhës shqipe”. Dokumentin e karakterizonte rrahja e një kompleksi problemesh nga fusha e drejtshkrimit të gjuhës letrare shqipe dhe nga ana tjetër, orientimi që në të të marrin zgjidhje çeshtjet drejtshkrimore me synime konverguese, që në instancë të fundit favorizojnë zgjidhjen pozitive të gjuhës letrare shqipe, duke përfunduar në të ardhmen në një fizionomi njëformëshme (po aty, f. 278).
Delegati me nr. 21 – Mr. Ahmet Kelmendi (Prishtinë). Ajo që nuk është thënë kurre është fakti se Profesori i Gjuhës Shqipe në Universitetin e Prishtinës nuk ka mbajtur asnjë kumtesë, apo sygjerim mbi problemet gjuhësore në Kongresin e 1972 në Tiranë. Heshtja e të vetmit gjuhëtar që ka zbuluar Kohën e përfundimit të ndikimeve indoevropiane mbi vokalizmin e Gjuhës Shqipe (Simpozium për Skënderbeun [9-12 maj 1968], Prishtinë 1969 – foto) duhet konsideruar si revolta e vetme e gjuhëtarëve shqiptare të Kosovës në Kongresin e 1972.
Delegati me nr. 54 – Shkrimtari Lasgush Poradeci, eshtë, ndoshta, i vetmi rast që një intelektual refuzon ftesën për një Kongres gjuhësor edhe pse duhet të ishte Kongresi i gjuhëtarëve dhe i shkrimtarëve. Jo vetëm kaq, po Lasgush Poradeci, i Madh deri në Pafundësi, nuk ka pranuar ta firmosë rezolutën përfundimtare të atij Kongresi duke u futur në Historinë e shtetit komunist shqiptar si i vetmi opozitar i vërtetë dhe i saktë i mbetur gjallë! (foto).
Nuk mund të le pa përmendur faktin se në atë kongres u deklarua (Androkli Kostallari) primitivizmi dhe lashtësia strukturore e gjuhës shqipe edhe në kohën e atij kongresi duke pasqyruar tabelën rrokësore të fjalëve të shqipes së sotme, sipas së cilës 53% e leksikut të shqipes e përbenin fjalët një dhe dy rrokëshe (për bazë ishte marrë Fjalori i Gjuhës Shqipe i vitit 1954, pasi thuhet për vetëm 24048 fjalë të leksikut të shqipes – foto).