back to top
1.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

10 poezi nga Lazer Radi nga libri Muret e Muzgut (1993)

Gazeta

Lazër & Jozef Radi "Muret e Muzgut"
Lazër & Jozef Radi “Muret e Muzgut”

10 poezi nga Lazer Radi

nga libri Muret e Muzgut  (1993)

…me shkruejtë poezi, me mendue poetikisht në burgun komunist o ndër kampet e sigurimit,
ku ti ishe i paidentitet, i paemën, ku pak o aspak dalloje mes njeriut dhe kafshës,
ku suvejimi i çdominutshëm ishte sa i përpiktë aq edhe i dhunshëm, ku shpata e Demokleut
 rrinte pezull n’fije të flokut mbi qafën e secilit prej nesh… ishte nji çmenduni e vërtetë.
Ndër ato katakombe të papërshkrueshme, dukej sikur gjithçka qe shndërrue në Argusa:
edhe të dhunuemit, edhe dhunuesit, edhe të friksuemit edhe friksuesit,
gjithsecili kishte nga njiqind sy e veshë… dikush me u mbrojtë e dikush me zhdukë…
Me mendue artistikisht ishte diçka e tmerrshme!
Me guxue me shkruejtë – çmendunia vetë!
E pra, midis këtij tmerri e kësaj çmendunie u shkruen këto vargje.
Nji jetë e tanë mbërthye ndër pranga!
Në çaste të thella dëshpërimi, po edhe besimi e shprese, kam ba do punë të thjeshta k
u asht përmbledhja e nji epoke dhe nji njeriu të shkelun prej kësaj epokë.
Këtu çdo varg ka nji histori të vetën, nji dhimbje, nji shpresë, nji pritje për ditë ma të mira.
.
Dr. Lazër Radi (1916-1998)
Dr. Lazër Radi (1916-1998)

Gjana që s’mund tharrohen lehtë

.
“Kur më futën në burg
lashë gruan me gjithë vajzë,
kur dola nga burgu,
gjeta gruan në burg dhe vajzën të vdekur”.
lazër radi
 
A të kujtohet, o grue e dashtun,
njaj helm’i ditëve të çmendura,
kur na detyronin me vallzue
me pranga ndër kambë e  duer?
 
A asht e mundur të harrohen
dëshirat e shkeluna, qelish t’hedhuna,
fëmijtë që lindnim e ndër duer na vdisnin
kur “të lumtunit” lavde i thurnin dhunës?
A thue vallë, s’të kujtohet;
kur me kryq mbi shpinë silleshim
qelive në heshtje të përgjakun
pa mujtë un’ t’isha ti, dhe ti t’ishe unë?
 
Ndoshta nji ditë tana kanë m’u harrue,
çka jetën deri në palcë na e breu
kanë me u harrue dhe vdekjet që s’mujtme me i mbulue,
po kurrë njaj besimi që patëm dhe shpresa.
Tiranë, maj 1954
.

Mbas Vajit

Vajto çastin e humbun
dhe fjalën e shterrun,
vajto dritën e ndalun
dhe nderin e shkelun,
vajto lirinë e varun
dhe shpirtin e bjerrun
dhe mbas zhgrehjes në vaj,
eja,
shkundma dremitjen
e n’përqafje
ta rrokim buzqeshjen.
1984
.

Ave Cezar

Gladiatorë,
namët e urrejtjes mbi ju i kam hjedhë,
jo për fatin e keq të skllavit,
as për mallkimin e hidhtë të ndëshkimit,
veç për njat qëndrim të ultë
të nënshtruem e lajkatar
atje poshtë, n’fund të arenës:
Ave Cezar! Ave Cezar!
 
Ave Cezar!?
I përgjakuni gjakatarin përshndet,
n’triumf të vdekjes!
Dhe ai gisht ogurzi, kthye poshtë,
në teh të shpatës
a në bri të demit,
mbytun në gjak ju la…
Po ju prap
n’grahmat e mbetuna t’fundjetës,
me sa frymë keni, si t’marrë
ulërini, atje poshtë, n’fund të arenës
Ave Cezar! Ave Cezar!…
Savër, 1984
.
Ave Cesar - poezi nga Lazer Radi
Ave Cesar – poezi nga Lazer Radi

Vetëm për ty

Kangën do t’ia rrëmbej bilbilit
e n’melodi t’amshueme
n’aromë të karajfilit
kur gazin e ambël ta kundroj ndër sy,
unë kangën time
do ta këndoj për ty,
vetëm për ty
 
Ngjyrat do t’ia rrëmbej ylberit
e n’magji e ankth pushtue,
dehun e shkri njiherit
me kunorë të artë do të vij njaty,
dhe kangën time
do ta këndoj për ty,
vetëm për ty.
 
Orfeut do t’ia rrëmbej njat lirë
e n’trishtimin ma t’harbuem,
n’jehonë të nji dite t’lirë
do t’bahem tingull, fjalë, sy
unë kangën time
do ta këndoj për ty,
vetëm për ty.
 
Vullkanit do t’ia rrëmbej njat zjarr,
dhe me shpirt të përvëluem,
me afsh të ndezun zhar,
pishtar do t’bahem e n’flakë djegun të dy
unë kangën time
do ta këndoj për ty,
vetëm për ty.
Kafaraj, 1953
.

Orë Poeti

Nata shtrihet qetë-qetë
përmbi mur të burgut tim,
mbi kafaze dhe frëngji
qëndron pezull!
Hanë e zbehtë sipër pemve
të nji kopshti të harruem
nis dhe flet:
“O poet,
Thyeje pendën,
copto zemrën,
prit n’heshti.
prit nga jeta
ditë ma t’mira
ditë ma t’lira
se do t’vijnë…!”
…………………………………….
Kështu orë e zemrës sime
shkëndijë vet’time
m’thà e mori të përpjetë
për te retë.
Burgu i Ri, Tiranë nantor 1945
.

Andërr në birucë

Ranishtës s’atij bregu
vala e baticës
m’flladiste këmbët zbathë,
shpirti m’shpaloste flatrat
e kaltërsive
ngulitej si yll…
Në buzëmbramjen e detit,
që rrëkej  me m’përkëdhelë,
me kaltërsi e pafund
humba
e s’dueshta me m’gjetë kërkush.
 
Sa zgjati aj vegim, ajo andërr?
Nji shekull,
nji ditë
a nji çast të vetëm?
Po! Nji çast të vetëm!
Pse vet’timë kaloi
mbi bregun e braktisun
dhe krejt dëshirat m’i ktheu n’përrallë.
Pse erdh zbatica e deti u tkurr si iriq!
Kambët i gjeta shkurresh
dhe bregun e andrrave larg:
fjala m’u ba gur
dhe shpirti ndër dhimbje m’treti.
 
Tash kur zbresin muzgjet,
e zbaticat mbas tyne shkojnë,
deti bashkë me bregun
braktis edhe at njeriun
që mshehte në shpirt
andrrën e lirisë.
Plug, 1974
.

Nheshtjen tande 

Në heshtjen tande magjike
ku zàni im s’mbrrin
me fëshfërimë ere deshta m’u fut
zemrën me ta pushtue n’fluturim,
pa ta zgjue andrrën
e përgjumun,
pa t’i trishtue muzgjet
shëtitse ndër shikime t’tua.
 
Në kët heshtje hyjsh pafund
nji të puthun
ma t’ambël se tana vjeshtat
ta rrëmbeva
dhe humba pa gjurmë…
.

Mos u ligështoni o njerëz!

Sa keq kur sheh vedin
që veç gjethe jè,
kur vitet e vuejtjeve t’kthejnë
n’zhele,
Kur gjymtyrët e lodhuna
t’braktisin çdo shpresë,
Kur liria të kqyr ndër sy,
e ta përqafësh s’mbrrin…
Oh, sa keq!
……………………………………
 
Sa mirë kur sheh fundin
e nji tmerri pafund
t’rrëzohet njaty para teje
e të ringrihet gjunjë ma s’kà
Sa mirë kur dëgjon nji zà,
nga zemra e nji dite të zbehtë
që lëshon kushtrim:
“Mos u ligështoni o njerëz,
Zoti, edhe mbi ne do të hjedhë bekim…”
Radostinë, 1955
.
Rrethim
Rrethim

Jetë ndër tela me gjemba

N’nji pyllnajë dhimbjesh
dremiste plaku i lashtë!
Gjithçka dridhej frikshëm,
n’rapsodinë e çmendun të erës.
çmendej toka
çmendej qielli
çmendej deti:
e njeriu prej toke
prej qielli
e prej deti ish.
Njerëzit ma t’mirë
ndër jargë qenjsh të tërbuem
notojnë!
Eh, jetë o jetë
ndër tela me gjemba rrethue,
ndër pranga shtrëngue
ku dhunë, urrejtje dhe vdekje
n’pusi u rrijnë
gjurmave t’freskëta.
 
Lodhë mashtrimesh
njaj plak i lashtë
ndër andrra merrte fluturim
nalt, shumë nalt ngjitej
larg, shumë larg sosej
ndër re t’përndezuna,
mbështjellë n’mjegull drite.
O plak i mirë, që humbe gjithçka,
mos zbrit kësaj dhune,
njatje, kaltërsish t’pafundme qindro,
e mos u beso lajkave,
prit, vëlla, prit
se nji ditë
edhe këtu ka me shndritë
Dielli i Dashnive t’Fyeme.

Rinas, 1952

.

Në kërkim të vetvedit

Tinza
i shkoj mbas nji hije të zezë:
nji hije që më ndjek mbas –
nji hije që i shkoj mbas
e që fytyrat
njeni-tjetrit
s’ia pame kurrë!
 
Shtegtar i rraskapitun,
rrugë pa rrugë kërkova:
po askund, as hije, as fytyrë
s’takova…
 
Në cilën pasqyrë buronje
asht shterrë vallë,
imazhi im i mjerë?!
Kuç i Kurveleshit, 1955
(10 poezitë jane marrë nga libri muret e “Muzgut e Muzgut” – Lazër & Jozef Radi – Tiranë 1993 – fq. 38-48)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.