10 shkurti i 1997, prej nga filloj Rrënimi i Shtetit*
kujtime nga Kostandin Koliqi
Kostandin, ti je nga dëshmitarët e pakët që thua dhe tregon me guxim të vërtetën.
Pas atyre ngjarjeve shoqëria shqiptare u zhyt edhe më thellë
në llumin e padrejtësisë e të korrupsionit.
Kurrë shkaktarët e asaj tragjedie nuk e kthyen gishtin nga vetja
e të kërkonin të paktën falje.
E përsëris se je nga të rrallët që tregon të vërtetën, me emra djathas e majtas.
Dhe për këtë nuk të mungon guximi. Faleminderit Kosta!
Gëzim Zilja
.
Sot është data 10 shkurt.
Me këtë datë lidhen shumë kujtime, por unë zgjodha t’ju bie në kujtesën tuaj, këtë datë ku filloi shkatërrimi i shtetit… por, edhe për t’ju treguar se policët nuk janë aq trima dhe aq të përkushtuar për detyrën… edhe këta të sotshmit, me skafandra, me antiplumba, apo edhe me syze të trasha dhe të errta, edhe këta, kur ju qëndron përballë dhe ju tregon dhëmbët apo thonjtë… edhe këta, nuk gjejnë vrimë të futen!
Më datë 7 shkurt 1997, një turmë e madhe njerzish, jo e organizuar, doli në rrugë për të protestuar duke bërtitur, “Duam paratë tona”, kërkesa e vetme e tyre. Për t’i shpërndarë, doli një grup policësh. Kundërvënia e turmës qe e ashpër, policët u kthyen, të shpartalluar në komisariat dhe në hyrje të tij, turma i dogji 2 kamiona policie.
Turma, qe kryesisht nga djem të rinj, ku ndërmjet tyre njihja shumë pronarë skafesh, tashmë të bllokuara në Gjirin e vogël të Rradhimës, qëndronin përballë Komisariatit, shanin dhe kërcënonin shefin e Komisariatit, z. Sokol Mulosmani, i cili më datë 8 shkurt, u largua nga Vlora për një detyrë tjetër. Për drejtimin e policisë në Vlorë, erdhi Gjeneral Agim Shehu dhe z. Arben Prrenjasi.
Rreth gjiut të Rradhimës, filluan të afrohen pronarët e skafeve, por akoma nuk guxonin t’i merrnin ato. Gjatë këtyre 2-3 ditëve (7-8-9 shkurt) në Vlorë mbërritën politikanët e parë, Skënder Gjinushi, Neritan Ceka, Anastas Angjeli, Namik Dokle, Arben Malaj, të cilët tentuan të marrin drejtimin e protestave, por u pritën me të shara nga turmat. Në një moment, te sheshi i flamurit, kur e mori fjalën Neritan Ceka, dikush nga turma i tha: “Neritan, po të bëjmë ty president, a na i jep paratë?” Neritani, nga tribuna e improvizuar, u thotë se ata kishin ardhur në Vlorë për të marrë drejtimin e protestave dhe ishin për zgjidhje politike. Atëhere, ai person, fillon të bërtasi, me zhargonin vlonjat “O Neritan të q… nënën!”, por tashmë i shoqëruar edhe nga një pjesë e madhe e turmës.
Në mbrëmje vonë, të datës 9 shkurt, na vijnë informacione se me 10 shkurt do të bëhej një protestë e madhe në Vlorë. Në Vlorë, për t’u përballur me protestuesit, u prunë rreth 750 policë në ndihmë të Komisariatit të Vlorës. Por edhe në ndihmë të Sh.I.K-ut të Vlorës erdhi një grup i vogël, të cilët i drejtonte, z. Xhahit Xhaferri. Me datë 10 shkurt, në orët e para të mëngjesit, së bashku me një kolegun tim, morëm takim me z. Agim Shehu dhe Arben Prrenjasin, ku i gjetëm shumë të shqetësuar për atë çka mund të ndodhte. Kishin vendosur të shpërndanin forcat e policisë në bulevardin kryesor për të mos lejuar njerëzit të mblidheshin në turma të mëdha, por vumë re se akoma “nuk i kishin rregulluar valët e radiove me përgjegjësitë e grupeve policore”. Duke patur parasysh informacionet që kishim dhe që bënin fjalë për atë që mund të ndodhte nga një përplasje e mundëshme me policinë, por edhe eksperienca që na kishte dhënë puna, relativisht e gjatë me vlonjatët, temperamentin shpërthyes të tyre, kujtoj se ju thamë mendimin dhe ju shpjeguam arësyet se përse nuk duhet që të ndërhynin në protestën që do të bëhej, me forcat policore, por nuk e morën parasysh…
Po kështu, bëmë takim me z. Xhahit Xhaferri, në zyrat e Sh.I.Kut, ku edhe atij i shprehëm mendimin tonë, por ky s’na përfilli fare. Arriti deri sa të na shpjegonte se si do të vepronin në rast se turma do të guxonte t’u afrohej policëve dhe shtërngonte dhëmbët duke e shoqëruar me lëvizjen e dorës lart e poshtë, duke treguar se do t’i rrihnin vënçe…!! Se nga ju vinte kjo lloj sigurie dhe ky kapadaillëk, unë s’e shpjegoj dot, veçse jam i bindur se këta drejtues, vetëm të tillë s’mund të ishin!!
Kujtoj që një kolegut tim i them se ky njëri, nuk e ka emrin Xhahit, por Xhahil, s’e di se ku do ta gjejmë më vonë!
.
Po gdhihej data 10 shkurt 1997.
Mbasi kolegu im u ngjit në ambientet e punës, në kodrën mbi Kus Baba, dal të shikoj se çfarë po bëhej në qytet. Eci përgjat rrugës Skelë-Vlorë, në drejtim të Sheshit të Flamurit. Në të gjithë anët, madje dhe në akset e rrugëve lidhëse, shikoj grupe të ndryshme, me nga 5-6 policë. Banorët mblidhnin në heshtje, gurë. Armatosja me gurë dhe me sende të tjera të forta, zgjati përreth 1 orë. Në rrugën, në drejtim të Kus Babasë, u godit me gurë grupi i parë i policëve. Policët ikën. Afrohem me të shpejtë në qendër te Xhamia. Kam qënë pikërisht mbi trotuarin përballë Xhamisë, kur filloi si rrufe një sulm me gurë kundër grupeve të policisë, i cili u përhap deri te Kali i Trojës. Ky rrebesh gurësh zgjati rreth 7-8 minuta.
Policët ishin të pajisur me shkopinj gome dhe mburoja plastike. Shikoj që policët e parë të gjakosen në kokë, fytyrë dhe trup. Po ata djem që i godisnin, po ata i merrnin dhe u jepnin ndihmën e parë. Disa i ndihmonin të laheshin, te një çezmë aty pranë, ndërsa ata të plagosurit më rëndë, i çonin në kishën katolike aty pranë. Turma dukej që nuk ishte aq në armiqësi me policinë. Shikoj policë të shpërndahen dhe të vrapojnë drejt Komisariatit. Një grumbull i madh njerëzish qëndronin përballë komisariatit. Nga hedhja e gurëve në drejtim të godinës, plagoset një fëmijë. Turma kërcënonte dhe shante Sokol Mulosmanin, mbasi nuk e dinin se ai kishte ikur. Mbas nja dy orësh goditje me gurë, një grup hyn në godinën e Policisë dhe mbasi nuk gjejnë asnjë nga titullarët dhe të burgosurit, dalin duke sharë, “…kanë dalë qënërit, nuk kemi punë me godinën, ajo është e jona!”
Në darkë, mora vesh se pranë Xhamisë, atje ku u bë përleshja më e madhe me policët, ishte vrarë një qytetar i quajtur Artur Rustemi. U tha se vrasja ishte bërë në orën 8 të mëngjesit. Unë kam qënë aty, derisa aty rrotull mbetën pronarët e lokaleve dhe familjarët. Nuk dëgjova krisëm dhe nuk pashë të vrarë. Më pas, kjo vrasje u përdor nga politika dhe kryesisht nga ajo opozitare, si viktimë e protestave, e bërë nga policia. Për këtë vrasje s’është bërë asnjë hetim, por edhe gjenerali se bashku me trimin Xhahit, nuk gjendeshin më në Vlorë… po as në Shqipëri nuk gjendeshin… po edhe policia ishte shpartalluar plotësisht…
Më datë 10 shkurt, në mbrëmje, të gjitha skafet që ruheshin në gjirin e Rradhimës, u morën nga pronarët e tyre dhe ato që ishin në gjendje pune, fillojnë menjëherë nga puna, çuarjen e klandestinëve në brigjet italiane!
.
Marrë nga muri i Fb i Kostandin Koliqit, 10 shkurt 2020
.
*Titulli redaksional nga radiandradi.com, mbasi materiali ishte i patitull!