back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

100.000 përshëndetje personale… dhe pasuria e përbashkët e kulturës nga Jozef Radi

Gazeta

Jozef Radi 2015
Jozef Radi 2015

100.000 përshëndetje personale…

dhe pasuria e përbashkët e kulturës

nga Jozef Radi

Ballina e Sitit www.radiandradi.com
Ballina e Sitit www.radiandradi.com

Sot është nji ditë e veçantë…
Sigurisht s’ka asgjë të veçantë, veç kumtimit të disa numrave në dukje të ftohtë dhe pa ndonji sens, që jetojnë diku në nji qoshe shpesh edhe të pavënë re të punës sime, numra picrrakë që nuk trazojnë askënd, por që po të ndalesh e ta përkthesh gjuhën e tyne e kupton që nuk janë thjesht numra, po janë frymë jete, janë frymë komunikimi, janë frymë mirkuptimi e dashamirësie, janë frymë vlerësimi dhe respekti, janë frymë bashkpunimi dhe mundimesh, janë frymë lirie dhe frymë e së vërtetës… janë nji dëshirë për të menduar mirë, për të parë diku larg, për të ndjerë ndryshe, janë nji frymë e shkelur prej gati nji shekulli, por që as është zhdukur, as është djegur, as është vrarë… një frymë që përditë kërkon hapsira të reja komunikimi e që na bën të gjithëve bashkë  të ndjehem jo vetëm mirë, por që na shtyn të kërkojmë më shumë prej vetes si përkushtim, edhe vëmendje edhe pasion…
100.000 është pikërisht sot numri i vizituesve dhe lexuesve të sitit  http//www.radiandradi.com. Nji shifër që kur iu nisa kësaj pune as do ta kisha besuar kurrë, nji shifër që s’ka lidhje me ndonjë miqësi të veçantë, apo me ndonjë boom mediatik… Janë thjesht shkrime… Shkrime që kërkojnë kohë të lexohen, kërkojnë përqëndrim, shkrime për të cilat duhet të braktisësh televizorin, sportin, shetitjen, gjumin, bisedat, e pra shumë njerëz 99 përqind e tyre të panjohur, i kanë braktisur të gjitha këto që shkrova dhe janë ulur përballë meje… në nji komunikim pothuaj të përditshëm… Unë ju kam “vjedhur kohë” juve dhe ju kam “dhuruar kohë” prej vetes, po edhe ju më keni “vjedhur kohë” kohë mua dhe më keni “dhuruar kohë” nga koha juaj, në nji mardhënie shpesh edhe të heshtur që sot me duket nji mrekulli e pabesueshme…
Ju falenderoj të gjithëve… ju falenderoj shumë të gjithëve… ju falenderoj më shumë pse jeni të panjohurit e mi…
E gjitha kjo ka nji datë 14 mars 2013.
Për Ditë Vere – do të thonë elbasanasit, po edhe unë si i lindur i rastësishëm i këtij qyteti und të them po… Ishte, po edhe nuk ishte rastësi që pikërisht kjo ditë…
N’at fillim nuk pata menduar ndonjë gjë të madhe… Thjesht po kërkoja nji hapësirë më serioze ku të mund të paraqisja punën dhe veprën e tim eti Lazër Radit e bashkë me të edhe timen… Kishim bërë gjithnji kështu, në nji shtegtim të vështirë, e pothuaj të pamundur… Kemi qenë bashkë në kohë të vështira, jemi ndihmuar reciprokësisht, pse të mos ishte kështu edhe në nji komunikim virtual me botën… nji udhëtim ndryshe: ku ishte jeta dhe vdekja, e përkohshmja dhe përjetsia…
Pa kaluar shumë kohë e kuptova se nuk mjaftonte kaq… duhej nji komunikim më i gjerë, më i drejtpërdrejtë, duhej edhe të gërmoja, edhe të ndihmoja, edhe të ofroja, po edhe të hapesha… duhej të publikoja përtej veteve tona: Radi… Po duhej punë e madhe, duhej shumë punë, duhej shumë lodhje… Po i nisem thashë, të dalë ku të dalë, le të mbrrij ku të mbrrij…! Ditën kur të lodhem po ndalem…
E vërteta është se nuk jam lodhur dhe nuk e kam lënë, tashti nuk mund ta lë më, edhe po të dua  nuk më le ajo… nuk më lini ju…
Kështu nga ai komunikim i dy brezave nën të njejtin mbiemër… dola dhe ftova miqtë e mi të shumtë t’i bëhen pjesë kësaj pune… Erdhën po rrugës bëra miq të shumtë, s’ka ndoshur që ndokush të ketë qenë i vlerësuar prej meje dhe të mos ketë gjetur sado pak vend brenda kësaj pune, që sot është inkurajuese…
Sigurisht i vetëm përballë nji pune të tillë duhet të kisha edhe pak çmenduri brenda, përndryshe si mund t’i mbrrihet… dhe me që fjalët mbaruan le të flas për kutinë e statistikave të kësaj pune… Dhe ata të shkencave ekzakte thonë se faktet janë kokforta:
prej 14 marsit 2013 e deri sot në 14 tetor 2015, kanë kaluar më shumë se dy vjet e gjysëm, pra të llogaritura janë gjithsej 970 ditë jetë të këtij siti…

radiandradi.com... pjesa informative - Tetor 2013
radiandradi.com… pjesa informative – Tetor 2013
radiandradi.com... pjesa informative - Tetor 2015
radiandradi.com… pjesa informative – Tetor 2015

janë 100.000 persona lexues (sigurisht shumica shqiptarë) të shpërndare në të gjitha kontinentet, (siti jep kordinatat e çdo lexuesi)
gjë që i bjen afërsisht çdo ditë të jenë ofruar 110 lexues të rinj çdo ditë,
janë diçka më shumë se 360.000 lexime  – që i bje afërsisht 4 lexime çdo individi
janë të publikuara në sit rreth 1700 shkrime mbi – kulturën – artin – historinë – politikën – kujtesën – sportin –
në enciklopedinë e sitit ka më shumë se 3300 informacione historike, biografike, encikopedike, shumica mbi Shqiperinë dhe shqiptarët kudo që ata ndodhen: (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, arbëreshë dhe Diasporë)  të cilat plotësohen dhe përditësohen pothuaj çdo ditë…
Janë disa qindra autorët e ublikuar – me të cilët kemi shkëmbyer mendime, opinione, sugjerime e debate…
Janë me mijra shënimet e lëna nga lexuesit të përditësuara në faqet respektive,
Janë mbi 10.000 emrat e personave të cituar
dhe rreth 4500 foto të përdorura në ilustrimin e gjithë kësaj pune…

radiandradi.com.fragment nga faqja e fotove
radiandradi.com.fragment nga faqja e fotove

Nuk po përmend emra, se janë të pafundmë dhe do te mbushesh faqja vetëm me emrat e tyre, por ata janë aty në të përditshmen e kësaj pune mjaft ta shkruani emrin e tyre dhe ata derdhen…
E sa i përket pëlqimëve ato janë të pallogaritura, të pallogaritshme, po edhe Facebook, vjet në dhjetor i zeroi  të gjitha pëlqimet!!! Nuk e mora vesh pse… ndoshta që shumë prej atyre unë të mund t’i rishfaqja… sikur s’i kishte lexuar askush…
Të gjitha këto shifra që nëse nuk do t’i shihja me sytë e mi nuk do t’i besoja…
Çdo shkrim jo vetëm është lexuar, korigjuar e redaktuar, po në shumicën e rasteve është biseduar dhe është marre leje nga autorët… pra nji botë komunikimi e përditshme, shpesh e padukshme, me shumë njerëz ku gjithkund ka funksionuar nxitja, vlerësimi, mirkuptimi shpesh deri në lodhje… e deri në orë të pafund pune e pagjumësie…
E gjitha kjo falë idealizmit dhe përkushtimit .
Radiandradi.com është sot pasuri e përbashkët… Cilido prej jush që mund të ketë edhe gjurmën më të vogël në kët ngrehinë, mjafton të fusë te kutia search – qoftë vetëm emrin apo mbiemrin e vet, apo qoftë emrin e mbiemrin e kujtdo që atij i intereson të dijë më shumë dhe menjiherë do t’iu shfaqet gjithçka që ju keni depozituar aty…
është si nji bankë ku ju keni depozituar në kohra veten tuaj… Kjo është nji kënaqësi jo e pakët… po edhe nji detyrim jo i vogël…

Rikthim... here pas here te dorshkrimet...
Rikthim… here pas here te dorshkrimet…

Nuk do të qe keq, sikur e gjithë kjo punë të kishte edhe pak përkrahje, jo vetem morale, po edhe konkrete… Ata që posedojnë aktivitete ekonomike, e kanë gjithnji nji vend hapur publiciteti… sepse nji përkrahje të kësaj pune, është nji përkrahje e shumë energjive… Me asgjë nuk bëhet asgjë…!
Kultura, letërsia, arti sidomos kur bëhet fjalë për vende të vogla, nuk sjellin begati ekonomike, por begati shpirtërore e kulturës është nji element nyje i trasmetimit të vlerave… Ato na bëjnë të ndjehmi vlera përballë vlerave të kësaj bote. Shumë prej atyre korifejve të shqiptarizmës që ne i kemi në Panteonin e Madh të Kujtesës kanë lënë veprën e tyre të parrëzueshme… sepse me tokat, me shtëpitë, me pronat, me ligjet në këtë vend është bërë si u ka dashur qejfi, me veprat Frashërllinjve, Fishtës, Konicës, Koliqit, Gjeçovit, Lasgushit, Mjedës, Camajt, Haxhiademit, Kutelit, Reshpjes, e plot të tjerëve nuk mund t’i lëvizëë kush nji presje nga vendi që meritojnë… Ata jetojnë edhe sot njëlloj madhështorë, ne vetëm kemi detyrë të mos lejojmë pluhurin të mbetet mbi ta, përndryshe mbi pluhur mbi bari dhe bashkë me barin mbin edhe harresa…
Në përfundim, dëshiroj që ky falenderim i heshtur i 100.000 mijë vetëve prej jush, të ketë kët përbri edhe falenderim tim të sinqertë e të shkruar, duke shtuar se beteja për kulturën, për të vërtetën, për lirinë e mendimit dhe shprehjes është nji betejë që s’ka fund… ku secili prej nesh bën atë që mundet, e ndoshta diçka më shumë se mundet, e ku së bashku mund të bëjmë më shumë e më mirë, mdërkohë që të tjerë kanë vendosur edhe gjakun edhe eshtrat e tyre në këtë betejë për nji botë më të mirë, më të drejtë dhe sigurisht më humane…
Ju falnderoj të gjithëve… të afërm e të largët!
Me respekt Jozef Radi
Ancona, 14 tetor 2015

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Thonë nji herë të kalon fati kah dera “per mue asht e dyta”, mdasi dritë pastë Lazër Radin kam pas rastin me e njoftë ndërmjet nji kushrinit tim, ish vuejtes në interrnim në Lushnje, zotin Mark Merrnaçi, ku i dhuroi nji libër të tijin, nuk mjaftojnë dhjetë minuta e di po sot kam rastin me e njoftë ndërmjet jush nji tjetër Lazër!
    Ju uroj gjithë të mirat, Valerjan Lleshi.

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.