100 vitet e Lazër Radit*
nga Jozef Radi
Nji fundjanari në dimnin e ashpër prizrenas, bash në zemër të Luftës së Parë Botnore, kur Shqipnisë po donin me ia shkulë edhe at pjesë të mbetun nga Kasaphana e Londrës, lindte ma i fundit pesë fëmijëve të familjes Radi… Lazri!
Fati i jetës së tij i pati gjithë llojet e ngjyrave.
Dhe ai, u ngjit e i preku me dorë të vet si naltësitë e admirueshme të fatit edhe u rreshqiti humnerave të e frikshme të jetës… Në fund të fundit të gjithë u nështrohemi fatit… e ai s’mund të bante përjashtim…
Kush e ka njoftë, sigurisht vazhdon me e ruejtë gjatë kujtimin e tij; kush s’e ka njoftë s’ka humbë ndonji gja të madhe… sepse mrekullia e së thjeshtës ishte pjesë e filozofisë së tij; ata që e kanë dashtë, e që sigurisht s’janë të paktë, e ndjejnë mungesën e tij, edhe pse ajo asht nji mungesë për të cilën ai ende e ka lanë çesin ndër ne dhe kthehet e vjen sa herë i bjen rruga, na e lëshon at magjinë e tij dhe… vazhdon mbi at biçikletën rrëshkele ngjyrë bari, n’at udhëtimin që s’ka të mbaruem; ata që s’e kan dashtë, edhe ata kanë qenë të shumtë, po s’e kanë dashtë për nji arsye krejt të thjeshtë, sepse ishin të urdhnuem prej shtetit mos me e dashtë… o për injorancë të tyne, e këtu asht fantastike me kujtue, at fjalën e nji qerrexhiu të randomtë, kur u ba demaskimi i tij publik në tetor të 1982-in, ku ai me nji kurajo të pazakontë bani apologjinë ma të randsishme të jetës së vet. Mbas dy orësh të ashpra akuzash dhe mbrojtjesh… befas e merr fjalën nji qerrxhi i quejtun Sefedin B. dhe me at pafajsinë e tij prej fshatari myzeqar tha: “Ore po qy, qenka burrë i mençëm shumë, po s’e paskam ditur unë… E dini ça e dinjam unë kët babam këtu… E dinjam të tërrnur… Po qy na qenka aq burrë i mençëm, sa s’paska faj Partia që e ka sjellur këtu…!!!” Sekretari i partisë Petraq N. që ishte organizatori i kësaj maskarde, e urdhnoi qerrexhiun të ulet në vend dhe i bani thirrje sallës që kush ka ndonji gja konkrete le ta thotë, përndryshe “ky njeri mund të na japë ujë me bisht të lugës edhe neve këtu lart…!” Unë s’e di nëse ai qerrexhiu i shkretë kish ndërmend me e sha apo me e lëvdue Lazër Radin, por di të them se s’ka fjalë ma përcaktuese për Atë Njeri se sa shprehja: “Po qy qenka kaq burrë i mençëm shumë, sa s’paska faj Partia…”
Jeta e Lazër Radit, u përket pesë qyteteve: së pari Prizrenit, së dyti Shkodrës, së treti Romës, së katërti Tiranës dhe së fundi Lushnjes…
Çdonjeni prej këtyne qyteteve ka shkrue në jeten e këtij njeriu diçka shumë të randsishme…
Prizreni asht qyteti lindjes dhe qyteti i dashnisë së tij të amshueme… Ai s’mundi të kthehej kurrë ma në qytetin e zemrës sëprej të cilit e shkulën përdhunshëm… Ai s’arriti me dashtë kurrë nji tjetër qytet tjeter aq sa desh Prizrenin e tij, andrra e tij ma e madhe me e pa pjesë të Shqipnisë…
Shkodra asht qyteti i rinisë së tij, asht qyteti që i dha formatin intelektual, që i dha iluzionet po edhe seriozitetin e së nesërmes së tij, që i dha nji rreth të gjanë shokësh dhe miqsh që do të banin histori, që i dha kulturën, humorin dhe shpirtin e saj, Shkodra i dha gjithçka që mundet me i dhanë nji qytet në udhkryq të ujnave të mëdha…
Roma ishte për të magjia e Perëndimit. Qyteti prej të cilit nji djalosh me ide disi utopike kish me e kthye në nji intelektual të spikatun. Roma e mbushi përplot dritë dhe andrra shpirtin e tij. Edhe pse shpesh ndodh që çka të jep nji qytet si Roma, s’asht fort e shijshme për vendin tand. Prej Rome ai zbret në Tiranë me shënimin mbi derën e zyrës së tij avokatore Dr. Lazër Radi… të cilin shumë shpejt iu desh me e harrue për 50 vjet rresht….
Tirana e priti në nji kohë të vështirë. Ndoshta në nji nga kohnat ma të vështira të historisë shqiptare… po aty ku nisi shpresa e tij, po at vazhdoi kalvari i tij pafund. Megjithatë ai u mbeti besnik ideve të lirisë dhe emnacipimit të shoqnisë shqiptare… Mbeti kundërshtar i asaj utopie që po pllakoste rruzullin për nji gjysëm shekulli, dhe pagoi nji taksë te naltë si askush ideve të veta…
E megjithatë Tirana u bà edhe vendi i rikthimit nga sketërra. Ditët e sprasme të Lazër Radit do të ishin dëshmia ma e gjallë e nji njeriu të paepun, i cili edhe pse në kufijtë e përtejmë kur njeriu pëlqen tespihet, dhe telekomandën… ai zgjodhi dëshirën për jetë… Aty ai kishte me shkrue, me botue, me polemizue, me mbrojtë çeshtje të randsishme, me folë e me pritë miq e shokë pafund… Tirana do t’ishte për të: feniksi i ngjallun prej hinit…
Tirana veçse, fut midis kllapash nji qytet tjetër të randsishëm të jetës së Lazër Radit: Lushnjen, e për me qenë ma specifikë, kampin e interrnimit Savër, në të cilin ai kishte me kalue gati tridhjetëepesë vite të jetës së vet… Lushnja asht qyteti i ndëshkimit të tij, asht qyteti i stocizmit dhe harresës, qyteti i familjes që u ba objekti ma i randsishëm i jetës së tij. Lushnja mbeti qyteti, ku ai asnjiherë s’mundi me e shfaqë vedin në përmasat se kush ishte dhe sa vlente… Aty, n’at qytet, ashtu si Sokrati u thoshte dishepujve të vet, që kërkojeni të bukurën edhe te ma e shëmtuemja pjesë e jetës, edhe te Lushnja qyteti i ndëshkimit të vet, Lazër Radi kërkoi dhe e gjeti të bukurën. Aty nisën mjaft nga shkrimet dhe përkthimet e tij që kishte me i botue ma vonë, aty krijoi at vepër modeste, aty pati mjaft miq që edhe sot e kujtojnë me dhimbje e dashuri, kështu Lushnja mbetet dëshmia ma sublime e mosepjes së Njeriut përballë së Keqes…
Në këto pesë qytete asht ferri, parajsa dhe purgatori i këtij njeriu…
Në kët rrugtimin të gjatë jete, Lazër Radi do të ishte
nxanës i Shtjefën Gjeçovit, i Shtjefën Kurtit, i Lazër Lumezit, i Eqerem Çabejt, i Simon Rrotës, i Ernest Koliqit, i Skënder Luarasit, i Selman Rizës;
do të ishte shok klase i Pashko Gjeçit, i Arshi Pipës, i Qemal Stafës, i Xhemal Brojës, i Kol Ashtës, i Haki Tahës, i Qamil Grezdës, i Spasse Trimçevit, i Elez Brahës, i Androkli Kostallarit, i Gjovalin Lukës;
do të ishte mik i Migjenit, i Musine Kokalarit, i Qemal Draçinit, i Andrea Varfit, i Vangjel Koçës, Kol Bib Mirakës, i Beqir Valterit, i Tahir Kolgjinit, i Hasan Dostit,
do të ndante ditët si bashkvuajtës me Mirash Ivanajn, Mit’hat Aranitin, Jakov Milajn, Petro Markon, Mihal Zallarin, Nedin Kokonën, Guljelm Dedën, Mikel Koliqin, Hekuran Zhitin, Lek Pervizin, Spiro Gjokën, Ibrahim Sokolin, Mark Temalin,
do të lidhte miqësi me Robert Elsienë, Gjon Sinishten, Pjetër Arbnorin, Ndrekë Gjinin, Visar Zhitin, Gëzim Hajdarin, Leka Ndojën, Agim Mustën, Kozeta Zylon, Blendi Fevziun
e do të luftonte me mish e me shpir për çeshtjen kombëtare me Hazir Shalën, Ymer Dishnicën, Sheraf Gjebrean, Xun Cettën, Kozeta Mamaqin, Agim Shehun, Fehmi Kelmendin, Liza Vorfin, Pirro Kuqin, e mjaft e mjaft të tjerë… e gjitha kjo si nji dëshmi për rrugën nëpër të cilën kish ecë dhe vazhdon jeta e këtij njeriu…
Lazër Radi ka 100 Vjetorin e Lindjes çdo ditë e këtij viti…
Gjithsekush ka të drejtë me e kujtue Atë ashtu si e mban mend… Gjithkush mundet me e takue në kujtesë të vet e me e ftue për nji kafe, me e ndigjue me vemendje n’at rrëfimin e tij magjik, e me e falenderue thjesht për kënaqsinë e atij takimi… tashma të kapluem prej kohnave…
Ai ka me i përshëndetë të gjithë ata që e njoftëm dhe e deshtëm, për me vazhdue mbi at biçikletën e tij të vjetër rrëshkele që shpesh e linte rrugës… Nëse e shihni përshëndeteni, nëse mundeni ndihmojeni, pse ai vazhdon me e pasë të lehtë me ba miqsi, të lehtë me e rrëfue ashtu bukur të vërtetat e veta, aq sa me u mahitë serish cilindo prej nesh qe e kemi njoftë… Sepse ai dinte me qeshë me gjithçka, bile edhe me veten e tij… pse ai dinte me e lanë si shpresën edhe harenë e vet lehtësisht në shpirtnat e të tjerve…
E kët gja, pakkush si ai mundtte!
*shkrimi asht nji ripunim i nji artikulli të pesë viteve ma parë