Në nyjë t’nji bashkpunimi jo fort të lehtë…
radiandradi.com – PerShkodren
Nji ftese shumë të sjellshme për bashkëpunim me PerShkodren, ju përgjigja me thanë të drejtën jo pa entusiazëm dhe dashamirsi. Bile si më ndodh rrallë në k’si rastesh, m’u shfaq nji zell disi i tepërt që shpejt u ba dami i të zot’t, por u përpoqa mos me u ndje viktimë e teprisë së zellit, edhe pse e kuptova se kisha ofrue dëshirë ma shumë se arsye… Mandej, turr m’erdh ai çasti kur arsyes së ftoftë, iu desht me ja krisë shplakë dëshirës se ndezun qi ta merrte vesh i zoti (po edhe hallku), se do punë s’janë edhe fort të lehta, pse thelbi s’asht kërkund me dukën si e përlyen kajherë dëshira e mirë… dhe kështu atij premtimi bashkpunues m’u desh me i vu do frena e do parangalla, qi mos të bahet edhe ma tej e zeza e të zot’t…!!
S’asht vendi as koha me kallzue hollsina, por nji gja e randsishme duhet kallzue që: bisedat dhe komunikimet e thjeshta të botës së fb apo komunikimet e ndryshme të së përditshmes që të bahen punë serioze, dhe që të vërtiten seriozisht në nji botë të përzgjedhun kulture duen punë serioze e suplementare, si korrektuese, pastruese e redaktuese… e nuk asht thjesht “A po dalim për nji kafe në Pjacë!”
Dhe meqë kisha shpenzue dëshirë ma shumë se arsye, e ndëshkova vedin me ba nji punë mëditëse në emën të premtimit, dhe kjo punë mëditse e disi nervoze në emën të premtimit, për fat i takoi Elona Çuliqit, të cilën nji vit të shkuem e kisha prezantue për së pari në sit… Si duket me fatin nuk bahet luftë…! I takoj prap njasaj dhe jo ndokujt tjetër… Dhe unë krejt mundin tem po e quej të falun për hatër të Elonës dhe vlerave të saj… Gjithkush tjetër mbas saj duhet më përveshë mangët, nëse dëshiron me i pru shkrimet e gatshme me krejt rregullat e drejtshkrimit e të redaktimit… përndryshe unë nuk e disponoj at kohë, me e harxhue për punë ksisojit…
Krejt kjo çka shkruej në kët prezantim të parë, e konsideroj si pjesë me vlerë të bashkpunimit. Moskuptimi o ma zi keqkuptimi asht veç i njatyne që mundin e quejnë hajgare dhe merren me fjalët n’havà dhe aspak me ato n’letër…
Elonës i uroj edhe ma shumë fat se kësaj here… po edhe ma shumë suksese në të arthmen… 27 gusht 2014
Kush asht Elona Çuliq…
Elona Çuliq, ka lindë me 18.10.1986, në Shkodër ku edhe banon sot. Ka studiue fillimisht për piano në shkollën artistike “Prenk Jakova” e ma vonë gjuhën frange në shkollën e gjuhëve t’hueja “Shejnaze Juka”. Studimet e nalta dhe ato në nivelin Master i ka krye për psikologji pranë UT.
Momentalisht punon ne Shoqatën Internacionale për Solidaritetin dhe njikohësisht asht pjesë e aktiviteteve si vullnetare, pranë shoqatës “Dora e Pajtimit”, ku sëbashku me nji grup të rinjësh Shkodranë kanë dhanë nji shfaqje të teatrit social në Milano. Çdo gja të bukur që ia rrok syni e shpirti ajo mundohet me e artikulue n’poezi, gja që e ban fort me dashni.
Ajo ka marrë pjesë në nji konkurs poezie që asht ba ne vitin 2012, nga Klubi poetik “Zahiri”, në Kosovë, (edicioni i dytë për poezinë ma të mirë në internet), dhe poezia e saj me titull “Të pres edhe pse nuk du t’vish”, asht pagzue me çmimin e 3-të.
Personalisht, tek Elona shof kualitetin unik te freskt plot me ndjenjë që duhet mbështetë në mënyrë që të rritet dhe t’lulzojë në dritën që meriton. Elona asht mishërim i artistit të ri, i artistit që sundon mediat sociale dhe suksesin/shquemjen i merr po prejt aty.
Kam 4 vjet që ndjek dhe admiroj jo vetëm poezinë por edhe interesin e përbashkët qi ndajmë për t’bukrën. Në Facebook-un e saj gjithnji vlersoj përzgjedhjet unike të pikturës, fotografisë, muzikës dhe t’bukrës njerzore në përgjithësi.
Krijimet e saja i gjeni në botimet maposhtë:
-Revista letrare “Aleph”, verë 2011.
-Gazeta letrare “Nacional”, 2012.
-Gazeta letrare “Muzgu”, korrik 2013 dhe gusht 2013.
-Gazeta “Koha Jonë”, tetor 2013.
-Revista e poezisë dhe e kulturës poetike “POETEKA”, dimër 2013/14.
Para pak kohësh, Poezia e Elonës hapi emisionin Top Show/ Letërsi Underground, të cilin mund ta rishihni në linkun ma poshtë: http://www.youtube.com/watch?v=wwMwmU-8eyo
Poezia e Elonës asht pjesë e suksesit bashkëkohor, ku cilsia e saj e pamohueshme bujshëm ka penetru rrjetet sociale e faqet e internetit. Lista e këtyne mediave e platformave te internetit vijon si ma poshtë: kohajone.com/ gazeta-nacional.com/
peshkupauje.com/ shkodraonline.com
poezi/ proze.com/ firstpost.com
/ letteraturaalbanese.blogspot.com/ ikub.al
letersia /zemrashqiptare.net/ yllpress.com
de-de.facebook.com/ poezia.soup.io
gopetition/ networkedblogs.com
tiranacalling.wordpress.com/ emigracion.weebly.com/
yourepeat.com/ alternate-energy.net
/ kombetare.al/
radiandradi.com/ frequency.com
e shumë platforma t’tjera, të cilat mund t’i gjeni me nji kërkim të thjeshtë në Google.
“…kësaj gjuhe i duhet ma shumë shpirt e muzikë,
e pra, duhet ma shumë gegnisht!”
Intervistë me poeten Elona Çuliq
(ose kur shumë njerëz pyesin nji të vetëm…)
Jetmir Troshani: Duke ditë se ne do ta perfeksionojmë kët proces gjithnji e ma shumë në të ardhmen, siç propozova edhe në introduksionin tem, pyetjet mund të fillohen të bahen edhe ma herët. Mund t’fillohen qysh sot. E randsishme asht qi procesi të jetë i thjeshtë, natyral me dëshirë me njoftë sa ma shumë për bashkëbiseduesen. E vlersoj shumë Elonën që ma pranoi ftesën, buonsensi i saj tregon modernitetin dhe mendjen e hapun që ka. Asht shumë e randsishme të jetë një eksperiencë pozitive me dëshirën me dijtë ma shumë e m’u dashtë ma tepër…
Elona Çuliq: Si e përpiktë që jam në orar, erdha dhe du me ju përgjigje tanve, me komente të veçanta për secilën pyetje që m’asht ba, sipas rradhës së pyetjes. Kjo për rregullsi e që ta ndjekim njeni-tjetrin. Para se me vazhdu, du me ju falenderu për kohën tuej, për pyetjet dhe vëmendjen.
Jetmir Troshani: Cila asht Poezia jote ma e preferueme? Ndihem shumë e priviligjume dhe njikohësisht e miklume që po hapi kyt projekt intervistash virtuale propozuem nga Pjaver Kroni. Kam hy me kambë të djathtë. E mora me shumë pozitivitet e dashamirësi ftesën e Jetmirit, dhe falenderoj jo vetëm atë, por edhe adminët e tjerë e padyshim edhe anëtarët e këtij grupi që me format e tyne të të kenunit dhe të transmetuemit të gjanave gjithmonë pozitivisht, të bajnë me u ndi sikur je tamam në shpi. Nuk po e zgjas ma shumë e po them që si intervistë e parë edhe pse virtuale, kjo e ka edhe anën e vet të përgjegjsisë, e të erzllëkut, uroj që t’jem nji amvisë e mirë, nëse mundem me e quejtë vedin kshu. Jetmir nëse pyetja jote i referohet nji poezie të vetme, të nji autori të vetëm, atëhere përgjigja jeme asht që kam shumë poezi të autorëve të ndryshëm. Edhe pse janë shumë, secila te unë asht unike për vetë ndjesitë që me grric, apo gjendjen që më krijon. Por, do t’përmend si poezi të miat që i du shumë, “Ky shi angelz që po bie” e Astrit Canit, “Paraputhja” e Saitit Saitit, apo “E asaj” e Klod Kojashit, “Dyshi” e Primo Shllakut, poezitë e Ada Halilaj që nuk ka nji poezitë saj, që unë mos ta përvetesoj nji varg, dhe refreni i ditve të mia “Toka dhe mortja” e Cesare Pavese… Por ka shumë, sepse çdo ditë e ka nji poezi të vetën, shpesh herë të pashkrume nga askush. Shtoj se ka shumë, ma shumë se kaq… por kam shkru të parët që më kanë ardhë ndërmend, në momentin që kam lexu pyetjen tande
Gjineta Sulaj: Sa ndikim ka profesioni juej si psikologe në krijimtarinë tande artistike? E konsideroj profesionin, jo vetëm të psikologes, por edhe çdo profesion tjetër, si potencial me krijue sa ma shumë kontakte me vedin, njerëzoren, me të bukurën a të shëmtuemen, etj etj, e këto natyrshëm ndikojnë tek ne, sepse nga kontakti kalojmë në njohje, e kjo na zgjon stimuj e ndjesi. E për aq kohë sa ka një stimul a ndjesi të zgjueme, do të ketë një formë të caktueme të të shprehunit tonë me poezi, me pikturë, me art apo me sport a çkado tjetër. E si ndikon ana jone artistike n’profesion (por edhe përtej profesionit)? Ndikon, biles shumë, sepse ti ke nji dritë që nuk fiket kurrë mbrenda vedit.
Arjan Shpori: Elonë, a han bukë kur të merr ùja, po kur ke diçka që don me e thanë a e shkruen? Sa të vërteta ka në vargjet tueja, e a shkruen me fjalë të mëdha, që njerëzit me të kuptu me fjalë të vogla. A veshesh thjesht kur shkruen aristokrateshe? Edhe pyetja e fundit… Sa e ke rrogën? Më ke ba do pyetje krejt të bukura, sidomos ajo përmbyllsja… hahahaha për të cilën mundem me të thanë vetëm që nga taksimi i fundit m’asht shtue e kshtu don me thanë bojna ma shumë për piktura, e libra ma shumë për vaktet e hes.
Kurse për pjesën e parë, mundem me thanë që kur e merr poezinë ùja për mu, unë marr fjalën e filloj me gostitë vedin, por normalisht edhe ata që më lexojnë. E fjala duke kenë kashata jeme e përditshme që ma mban frymën gjallë, do hyjsha n’gjynah me vedin po të vesha të paverteta n’të. E me shkrue mendoj se shkruej thjesht, pa kapele aristokratësh që randojnë a dorca ë m’pengojne me e prek e shiju direkt të bukurën. Të përshendes për sensin tand të humorit…
Olta Dokle-Troshani: Ju keni nji buqetë të madhe me krijimtari, shumë njerëz i adhurojnë vargjet e tueja, shumë janë edhe ata që i citojnë permendsh; A e mendoni/ planifikoni nji libër tandin nji përmbledhje?! Çka asht tuj prit vargu jot për me u shpërnda në fleta librit e ky nder ma shumë dur?! Cila asht ajo ndjenjë sunduese e vendit të parë ndër ato zgjuese të muzës tande?! Pyetjes tande du me iu përgjigje me atë çka me ndodh në përditshmërinë teme, e besoj ke me m’kuptue drejt. Kam nji kolege që ka printue dy poezi të miat dhe i ka ngjitë te tabela ku ajo ka gjanat e saj personale, e me beso kjo gja më ban me u gëzu si nji fëmijë i vogël. E me dashtë me iu përgjigjë pyetjes së fundit, që prap du me iu përgjigje me përditshmërinë teme, poezitë “Mertep” dhe “Kështjellë prej mishi”, qe kam shkrue kohët e fundit, kanë lind nga bisedat me kolegët. Pra kjo asht e bukura se mbrenda meje nuk ka nji muzë të statueme, sepse çdo njiri që takoj, çdo situatë, çdo stinë apo çdo gja tjetër asht nji muzë në vetvedi. Por po, ka nji ndjenjë sunduese n’poezinë teme, e ajo asht dashnia për të vërtetën e të bukurën. Kurse për librin?! Ah, ça me të thanë, e kam në plan, e kam fillue bisedimet, por unë jam prej atyne që i marr gjanat me nge, sepse du që kur të dalin nji krijesë e jemja poetike, mos të ketë vetëm poezi të miat, por të ketë shumçka nga unë. E kjo don kohën e vet sigurisht.
Letizia Gargjiola: Pse shkruen Eleona? Jo ma larg se para do ditve ma bani të njejtën pyetje nji shok. Edhe po të nap të njejtën përgjigje që i kam dhanë edhe atij. Unë e quej poezinë, të shkrumunit pra, nji rrugëtim në vetvedi, në të cilin ne duhet me njoftë vedin aq sa me u ba njish me t’përshpirtshmën. Çdo njiri gjen formën e vet, pishtarin që duhet me i ba dritë gjatë këtij rrugtimi. Dikush zgjedh fenë, dikush meditimin, dikush ban tentativa me çmenduni të tjera, për me u afrue sa ma shumë kufijve të vetes apo me e takue atë. Tesh unë shkruj pikërisht për poezinë, e cila asht njiherazi feja, meditimi e çmendunia jeme. Asht ai momenti që kur poezia vjen te unë, nuk ndij asnji zhurmë mbrenda vedit, veçse paqe dhe dritë. Dhe për me iu pergjigje edhe komentit te Arianit, shkruej edhe për me kujtue, se jam harraqe e madhe, e zhurma e përditshme që bahet mbrenda nesh, kajeherë ka nevojë me ia kujtue paqen e dritën.
Ada Halilaj: Ku dhe si e sheh vedin, ose si uron ta shofish vedin mbas 10 vjetsh? Po poezinë? 10 vjet për mu janë shumë, o sa shumë po më duken biles, për me e thanë njitesh se ku e si kisha dashtë me e pa vedin, si nga ana profesionale edhe ajo e poezisë. Por di me të thanë që mbas 10 vitesh uroj që të vazhdoj me kenë e rrethume me njerëzit që du e me vazhdu me pa lumtuni në sytë e tyne. Kurse poezinë teme, e shoh 10 vjet ma të rritun, e me siguri që kena me ndezë nji qiri bashkë e kena me shprehë nji dëshirë për t’ardhmen… Patjetër që uroj me të lexue edhe ty e sukseset tueja në poezi zemër.
Azeta Cungu: A e ke mendu ndonjiherë se si do ishte bota dhe njeriu pa poezinë? Psh, trashigimia shpirtnore e memoria jonë kolektive, në ç’mënyrë do ishin ma të vorfna? Edhe pse më duket se anojnë ma tepër nga psikologjia, më beso se nuk e kam mendu asnjiherë se si do të ishte bota e njeriut pa poezinë, veçse mendoj se para njeriut ishte vetë poezia, nuk mendoj asnjiherë me humbë atë çka kam apo atë çka asht. Prirem nga pozitivja gjithnji. Kjo i përgjigjet pjesërisht edhe pyetjes për trashegimine shpirtnore e asaj psikike (pra pavetëdijes/memories kolektive), por këtu shtoj edhe atë, që nëse para njeriut nuk do të ishte poezia, intuita jonë për të bukurën, për t’andërrtën e për t’përbotshmen nuk do t’ishte, e ne s’do t’ishim veç t’vorfën, por edhe të mjerë…
Suela Tukaj Mehmeti: Të shkruarit poezi në gegnisht (përpos që je shkodrane) çfarë është për ty? Nji zgjedhje personale apo ma shumë se kaq? Nëse do merrej si shqyrtim, apo shtrohej për diskutim rishikimi i Standartit të gjuhës shqipe, cili do ishte komenti juaj në këtë rast? Kam shkru në standart, e kalimi në gegnisht më ka ardhë aq natyrshëm, sa as unë s’e kam kuptu vedin, derisa ma kanë nxjerrë në pah tjerët që më lexojshin. Pra, nuk ka kenë nji zgjedhje personale e vetdijshme dhe e qëllimshme, por ka ardhë aq natyrshëm sa më ka surprizu edhe mu. Për mu gegnishtja nuk asht veç dialekt, por muzikë e përshpirtshme. Komenti jem për rishikimin e Standartit të gjuhës shqipe, do ishte krejt modest. Por do ta shpreh mendimin në kët formë: Nëse dona me pasë nji gjuhë të vërtetë, që të jetë njish me ne, e mos të bahet pjesë e jona veç me anë të rregullave e normave gjuhsore, atëhere mbrenda kësaj gjuhe duhet ma shumë shpirt e muzikë, e pra duhet ma shumë gegnisht!
Pjerin Ndreka: A ke ndonji poet që t’pëlqen n’mënyre të veçantë (shqiptar o i huej) e çfarë muzike t’pëlqen? Nëse ka nji poet që jo veç më pëlqen në mënyrë speciale, por që kur e lexoj them “si me e pa shkrue unë” kaq shumë e personalizoj vargun e tij, asht Frederik Rreshpja nga letersia Shqipe. Nga të huejt Pavese, i gjithmonshmi Pavese. Ndërsa preferencës muzikore, me të dashtë me i dhanë pak nuancë humori, se fundmi muzika ma e bukur e veshve të mi asht zani i nipit tem, sidomos nadje, kur me çon prej gjumi. Por kur vjen puna me kliku nji kangë dhe me e ndigjue, ajo asht gjithmonëëë rock, jazz ose blues.
Gjergj Jozef Kola: Simpatia jote poetike me ka befasu… Çfarë randsie ka stili për ty dhe cili poet shqiptar te duket Stil Origjinal… Më beso se ba me i lexue njato poezi që kam rendit unë, do të befasohesh edhe ti nga talenti i tyne dhe do të kuptosh edhe pse unë i kam quejtë si poezitë e mia të preferume. Por padyshim që Camaj, Migjeni, Rreshpja, Zorba, Pipa, Rozafa Shpuza, Albri Brahusha e shumë e shumë të tjerë që nuk i kam përmendë ma parë, mbeten të dashtun shumë për mu. E pyetja e stilit më pëlqen fort, por nuk e di nëse mundem me t’u përgjigjë, sepse nuk i njoh tanë poetët shqiptarë që me u gjegj ndershmënisht. Por stili ka peshë të madhe fort biles te unë, sepse asht shenjë personaliteti dhe vetëdije, që nuk reflektohet vetëm në poezi po s’pari në përditshmëninë tonë, në mënyrën se si jena, si veshena, si flasim, etj, etj.
Pjavër Kroni E para: Kur “nje grumbull” vargjesh të shkruara mund të vlerësohet si Poezi(ne term)? Së dyti: Mbi ç’kritere e vlerësoni ju si lexuese, nji krijues bashkohor, të sukseshëm si Poet(e)? (Këto për të ditë pak a shumë, si dhe pse vlerëson krijimet dhe autorët qe do japësh në vazhdim nga pytjet e miqve, dhe si propozim i një “shtegu logjik” e artistik, për t’u vlerësu nga lexuesit që shkruajnë e që nuk shkruajnë) E treta: Cilët janë 3-4-5 titujt e librave/veprave të shkrume (të të gjitha kohrave) që do këshilloje çdokend, mos me lanë pa lexu (vetëm titujt)? Siç të tha edhe Ariani, o strumbullari i kësaj interviste, për të cilën të falenderoj sërish. Dy pyetjet e para du me i përmbledhë në nji përgjigje, nëse m’lejon? Sepse kam nji kriter, si për vargjet që i vlerësoj si poezi, ashtu sikur nji krijues si poet të suksesshëm. E ky kriter asht paqja që më transmetohet, mesazhi i së bukurës dhe ndjesia që ka përtej se sa ato grumbuj vargjesh. Për aq kohë sa ajo çka lexoj, që po e quej poezi, për lehtësi, e kapërdij dhe e përvetsoj aq sa bahet poezia jeme, atëhere ai për mu asht krijues i suksesshëm. Ndërkohë titujt që ia kisha rekomandue gjithkujt janë: “Krim e Ndeshkim” i Dostojevskit, , “Metamorfoza” e Kafkës, “Siddharta” e Herman Hesse, novelën e “Amokut” të Cvajgut dhe padyshim “Libri i shqetësimit” të Pessoas, që mundesh me e lexue edhe në shqip tash nga përkthimi fantastik që i ka ba Astrit Cani së fundmi. Që mos t’harroj, kam me e këshillue edhe librin tem kur të dali…
Laura Martini: Sa mendon se të ndihmon psikologjia si shkencë për me njoftë njerzit që has në jetë, a ke kenë gjithmonë e saktë? Psikologjia e ndërlidhun me intuitën të ndihmojnë me kuptue ma shumë, e kur kupton ma shumë din me falë ma shumë. E mos qofsha e saktë gjithmonë, jo vetëm në njohjën e njerzve, por në shumçka se s’do të kisha luksin me thanë: “u gabova”, e kjo asht e trishtë.
Ditjola Salja: Çfarë është Liria, për ty? Më ke ba pyetjen që unë ia baj kujtdo që takoj “ça asht liria?!”, e po më kujton “zemërimin” që kisha at ditë kur nuk pata mundësi me marrë edhe përgjigjen e Bernhard Scholz në takimin që kishim me të… Për mu liria asht frymë dhe si e tillë nuk mundem ta mbërthej në përkufizime. E përsa i përket admiruesit/es ma të madhe, po të them prap që përveç majkos që asht e sigurt, tjeret hala s’i kam takue. Hahaha
Astrit Fandi: Ku e ka burimin e rrjedhjes poezia e Juaj? Përsa i përket pyetjes, përgjigjen mund ta gjesh pak a shumë te Olta e te Leticia, por shtoj këtu që burimi i poezisë asht diku në nji sy të madh hyjnor që e kena n’mbrendi tonë.
Entela Tabaku – Sorman: Ma së parit urimet ma të mira për poezitë tueja të bukura. Unë kam nji pyetje pak private e nuk më vjen keq nëse nuk don me iu përgjigje. Kur isha e re në Shkodër (para 100 vjetsh) më thoshin njerzit: Burrat nuk i dojnë gratë poete, moj vajzë… Ke me mbetë pa martu, ti veç n’e gjetsh ndonji si vedin. Jam kurioze, a kanë ndryshu kohët në Shkodër? Entela më dha buzëqeshje pyetja jote. Du me e pa pozitivisht kohën në Shkodër dhe me besu se ka ndryshu për mirë. Ka të mirat e të keqijat e veta, por edhe na, njerzit kena të mirat e të këqijat tona. E nëse ka mangësi në mendësi apo në steriotipet për poetet, femnat e bukura apo tjera steriotipe, them se njerzit kur takojnë gjysmën e hanës së tyne, dijnë me thanë edhe “të du edhe pse je poete”. Për detajet, flasim në privat…
Merita Kazazi: Elone a ke poezi të shkurta? Ke nji varg të fortë, dhe unë kajherë gjej ma shumë se nji në poezinë tande… e shkurta asht relative, siç asht edhe e gjata… mvaret prej sa don me shprehë… A ke poezi me 4 – 5 rreshta. Jam kurioze me pa intensitetitn e mendimit tand… Kujtosha se i kam të shkurta, por tuj kenë se më duket sikur gjithmonë kam lanë diçka pa thanë a dhanë, e konsideroj poezinë teme të shkurtë.
Po, por kam disa 5-6 vargshe, nji ndër to që më kujtohet asht.
Ti/ zbret nga qielli,
me yjet ngjitun thembrave,
shkund hapat/ dhe ne ikje,
len veç gjurme drite.
Jetmir Troshani Tue e falenderue Elonën përzemërsisht për gjenerozitetin kohor qi na vuni në dispozicion si dhe për përgjigjet e saja t’sinqerta e të sjellshme, mbushun me informacion, me njerzi dhe plot art, shtoj se t’gjithë s’bashkut sot, e kena ba kët bashkebisedim nji nga ekperiencat ma të bukura të Grupit PerShkodren.
Dy poezi te Elona Çuliq
Edhe një pullë
Edhe një pullë i dashtun
dhe andrrën
ke me e pasë afër sa natën,
krejt botën ke me e pasë tanden,
aq sa i joti asht ky qiell,
pullazi i t’harruemve,
atyne që rrugicat
e qytetit t’pullave,
i gjarpërojnë trupit të ftohtë
të vetpërmbajtjes intelektuale.
Edhe një pullë i dashtun,
dhe krahërori im do të jetë tabula rasa e syve tuej,
prekjeve tueja që kullojnë lot.
Edhe një pullë i dashtun,
dhe andrra jote do të zhgrehet
duerve të mia t’mplakuna
nga lutjet e zanit tand.
Edhe një dashni tjetër, i dashtun,
ti që kullot lumtuninë e heshtjes
buzëve tueja lyem me dritën teme.
Edhe një pullë,
dhe ke me kenë i tretun n’dritë!
Të pres (edhe pse nuk du që t’vish)
Grija e qiellit m’asht ba pellg lotësh nën kambë
ylli i parë i shpresës s’fundit asht zhugatun me shkëlqim t’sforcuem
ulun kambëkryq n’zbrazëtinë e syve, pritja asht ajo çka di me ba ma mirë.
Të kam prit aq gjatë e ngujueme n’kohë, sa me ec nuk di ma
krahët e fluturimit janë gozhdue mbas drunjëve t’ndërgjegjes
e vedin e kam burgosun n’nji qiell t’braktisun nga fryma e drita.
Të pres, edhe pse nuk du që t’vish
të pres nga zakoni i pritjes mbështetun mbas vetmisë t’athët
të pres nga zakoni i pritjes t’nji pranie që tash s’e du unë.
E ti mos u çudit, askush mos të çuditet
edhe atëherë kur rrudhat t’jenë ba dëshmitare t’jetës,
kur n’kopshtin e pritjes prap t’më gjeni lule margarita tuj mbledhun.
Se unë nuk pres për ty, por për vedi
pres për rrëfimet e pritjes e t’buzëve ku rilindnin vjeshtat
dhe për sytë, me ngjyrat e të cilëve mbush kupat e dollive t’Perëndive.
Ai që nuk e ka provue pritjen, më kot lodhet me e kuptue
ankthin që t’ludron përbrenda derisa nji hap tjetër ia mëson
dorazi si një fëmijë i vogël që ka nevojë për ty.
E askush ma mirë se ti ma mësovi pritjen,
hape librin e përrallës akoma t’pa shkrueme e m’the:
vetëm mbasi t’dish me pritë, ke me dit me dashtë.
“…vetëm pasi të dish të presësh, do dish të dashurosh…”
Intervistë me shumë pyetje interesante po edhe përgjigje po aq elegante të poetës!
Suksese Elona Culiq
E vlersoj punën e madhe që asht ba si tash nga ti z. Radi, edhe athere kur e kena realizue kët intervistë te Grupi PerShkodren.
Besoj se bashkepunimi sjell përparim e në ket rast kjo ka ndodhë, sepse redaktimi jot e ka ba të mujtun me e prue kët intervistë në nji nivel dinjitoz, aty ku Elona e meriton.
Shumë Respekte dhe Mirënjohje!