back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Besim Golemi: “…jeta ime ka qenë si një ëndërr, diku fluturuese… diku torturuese!”*

Gazeta

Piktori Besim Golemi
Piktori Besim Golemi

Piktori Besim Golemi:

“…jeta ime ka qenë si një ëndërr,

diku fluturuese… diku torturuese!”*

Jemi ende në vitin 1991!
Piktori magjik lushnjar Besim Golemi,
prej kohësh i ka kapërcyer klonet e realizmit socialist.
prej kohësh shpirti i tij delikat prej artisti,
nji amalgamë epërme e poetit, piktorit dhe filozofit,
është në shpërthim të plotë të ideve, ngjyrave e figurave…
E pra, ai është atje në Lushnjen e Dënimeve,
në Lushnjen e poshtërimit të artistëve…
e megjithatë ai jeton në nji botë ku s’e mbrrin askush,
në botën e lirisë së shpirtit të tij prej artisti…
Kjo intervistë ka tashmë nji çerek shekulli
dhe mbetet prej atyre intervistave që mund të quhen:
Testamente shpirtërore artistësh!
Se Besimi ecte me shpejt se koha, prandaj iku shpejt
po pas ka lënë dritën e e artit: shpirtin i guximit e të lirisë
për ditët që duhej të vinin… për ditët që ende duhet të vijnë…
E të mos harrojmë asnjiherë… Ishte ende viti 1991!! j.radi

Besim Golemi - Në Pyll (Pronësi e Sh.Sollakut)
Besim Golemi – Në Pyll (Pronësi e Sh.Sollakut)

Disidenca në dritën e së sotmes 

Përshtatje me pyetje-përgjigje në mungesë me piktorin e talentuar Besim Golemi, që jeton në Gjermani që prej 1 viti.
Besim Golemi ka tash një vit, që portretin fizik nuk e shohim rrugëve te Lushnjës, ka plot një vit që dhomën e tij – studio, nëna e lan me lot. Ai tashmë është në Gjermani.
Shtypi gjerman e vlereson mjaft talentin e tij, ndërsa këtu në Lushnje, atij i kishin krijuar një klimë të akullt, e trajtonin si desident. Rrallë i pranonin 1-2 punime, në ekspozita. Pikturat e tij, edhe kur i pranonin, i fshihnin nga fundi i ekspozitës. Besimi u persekutua në emër te realizmit socialist, në emër të braktisjes së tipikes në art.
Tani Besimi ka përfunduar një kurs kualifikimi të arteve, ka hapur edhe ekspozitën në Gjermani. Ekspozita u mirëprit ngrohtësisht. Lexuesit e dashamirësit e pikturës së tij do t’i ketë marrë malli për Besimin, për zërin e tij, për pikturat e tij.
Le t’ia shuajmë sadopak ndjenjën e mallit me këtë intervistë ku ndërthuren mendime të piktorit, botuar në shtypin gjerman. Prenjo Ymeri & Dalip Greca

Pyetje: Si erdhi piktura tek Besimi? Dikur e ka pyetur nënën time: Nënoke, si shkova unë tek piktura? Dhe ajo m’u përgjigj: “Që dy vjeç ke patur zakon të sodisje për shumë kohë gjithshka: njerëzit, natyrën. Ti harroheshe fare, përhumbëshe duke shikuar. Ja pra, ti fillimisht ke vizatuar me sy…” Unë kam mendimin se nëna më bëri artist. Ky mendim më bën të lumtur. A s’është e madhërishme kjo ide?
Pyetje: Ç’bëtë ju Besim, për artin tuaj në Shqipëri? Gjatë jetës sime në Shqipëri bëra pothuajse të pamundurën. Unë së bashku me penelin tim ecëm nëpër rrugë të vështira. Kërkoja lustër për socializmin, por peneli dhe shpirti më rrebeloheshin, nuk u bindeshin parimeve. Unë sakrifikova jetën time për pikturën. E pra unë bëra shumë për Atdheun tim, për popullin. Ata i dua me zemër, pavarësisht se “kompetentët” e qytetit tim u munduan që të ma vrisnin pikturën.
Pyetje: Si e gjykon sistemin politik që zotëroi gjatë në Shqipëri? Ai sistem e gjymtoi  popullin, e varfëroi ekonomikisht, e mjeroi deri në skllavëri, e mëkoi çdo ditë me gënjeshtra e hipokrizi, i grabiti traditat e ç’burrëroi. Ai, i ashtuquajtur realizëm socialist, me parimet e famshme i varfëroi letërsinë dhe artet. I ashtuquajturi tendenciozitet klasor, çoi në listën e gënjeshtërt. Në artet tona mbiu Lej Feni shqiptar!
Pyetje: Si e duroi populli shqiptar zgjedhën e komunizmit. I nënshtruar? Jo, jo. Ai duroi, por jo i nënshtruar. Ai mundohej t’i shpërthente vargonjtë. Duhen pyetur të burgosurit e ndërgjegjes, se ata dëshmojnë kryengritjen e shpirtërave që kërkonin liri. Ky popull ëndërronte. Dihet se hapin e diellit nuk mund ta ndalte askush, me gjithë Donkishotët… edhe këto prova i bënë. Unë mendoj se ky popull meriton respekt e ndihmë nga Europa. Ky popull i don rrezet, dhe do ato të perëndimit, mjaft me ato të lindjes. Uroj që bota ta vlerësojë çiltërsisht atë. Ky popull jeton në Europë. Është i tëri pranë rrugës që të çon tek e ardhmja. I uroj sinqerisht fat dhe lumturi. Unë besoj shumë që Europa më së fundi, do t’i japë miqësisht e sinqerisht dorën e vet këtij populli fisnik. Kam ëndërruar për këtë. Një porosi kam për popullin tim: të ecësh, të ecësh drejt, por gjithmonë duke vështruar Europën në sy: Boll më me frikë tek hiletë e tek kurthet…

Besim Golemi - Portret
Besim Golemi – Portret

Pyetje: Ju e ngritët spirancën nga Shqipëria në Gjermani. A mendoni se kanë mbetur fije lidhëse me atdheun tuaj? As që e mendoj të kundërtën. Atje është Atdheu, populli. Atje është e shtrenjta: nëna ime, atje është i miri: babai, vëllezërit dhe motrat e mia. Unë nuk i mbaj mëri Atdheut, besoj as ai mua. Pastaj dy ekspozitat që kisha në Shqipëri, tabloja e fundit “Ëndërra e ujit”, janë spirancat e mëdha të lirisë dhe punës krijuese për atë popull!
Pyetje: Cilët ishin miqtë e shoqëruesit e tu në Shqipëri? Ata ende i kam. I dini cilët janë: Nëna, Xhek London, babai,  Shopenhaueri, Dielli duke perënduar, vëllezërit, Kali i Bardhë, qielli, Baumrindët e vjetër, Pikasso, lumenjtë, gurët, Van Gogu, fëmijët, duart e plakura, zogjtë, lëvizja, Janis Joplin, era, Bethoveni, majat e maleve, Bluzi amerikan, grate, Aretha Fraklin, fluturat, Elvis Presley, Uollt Uitman, Tina Turner, Dostojevski… Të gjithë miqtë e mi të mëdhenj i ngjajnë gjakut tim, ngjyrës së ndezur të diellit. Kështu u rrita unë në fëmijërinë time, për t’u bërë si një ëndërr e madhe, për një të vërtetë të madhe.
Pyetje: Folët për ëndërrat… ç’lidhje kanë ato me jetën dhe formimin tuaj?  Vetë jeta ime ka qenë si një ëndërr, diku fluturuese… diku torturuese! Përherë më ka shoqëruar një ndjenjë madhështore duke prekur drurët, duke ecur nëpër pluhur, duke vrapuar pas zogjve, duke kapur brumbujt, duke vrapuar nëpër bar, duke qarë nëpër bar, duke prekur ujët e lumit, duke soditur gëzofët e kafshëve… dhe kur dielli perëndonte më ngjallej ajo ndjenjë e habitshme. Jam i i bindur… nuk isha në ëndërr kur më ngjallej ajo ndjenjë. Dhe mendoja… nëse do mundesha të fluturoja, do ta arrija diellin dhe do të flija me të. E kjo s’është ëndërr, është ndjenjë. Dielli, ky mik i madh i imi, e rigjallëronte çdo ditë jetën time dhe unë jetoja në të njëjtën kohë fëmijërinë dhe ëndrrën. Të dyja këto forca madhore më bënë mua ëndërrimtarin e madh, të kapja zogjtë e qiellit.
Pyetje: Si u lidh ndjenja juaj me vetë jetën? Ndjenja më dha fuqitë e brendëshme për të jetuar, më bëri t’i them vetes se duhet të jetoj, sepse bota është e bukur. Kjo lëvizje nëpër damarët e mi, në gjakun tim, në bindjen time. Dhe unë jetoja tamam si një flutur që vjen nga një botë e gjelbër dhe e largët. Pra unë paskam të drejtë plotësisht që t’i them botës, se duhet  jetuar ashtu sikurse fluturës do t’i duhej të frymmerrte; sepse ajo na pasuron neve me liri, me ngjyrë, me dritë, me pastërti, me burrëri e me gjithshka të gjelbërt. Ngjyra  e gjelbërt t’i pastron sytë për ta parë botën më qartë. Ajo na pasuron ne me aromë, shpresë, jetë dhe emocione.
Pyetje: Ç’raporte komunikimi ke vendosur mes vetes, pikturës dhe jetës? Bota ime është e madhe. Unë rritesha çdo ditë bashkë me të… Si komunikoja unë me të? Përmes ndjenjës, përmes pikturës. Përmes pikturës sime kërkoja t’u thoja njerëzve se ç’ndjejnë fluturat gjatë fluturimit, ç’ndjejnë zogjtë kur prekin pemët. Ç’ndjejnë lulet kur bien në kontakt me rrezet diellore. Gjithshka doja të zbuloja me artin tim. Doja t’i paraqisja njerzit psiqikisht me artin tim, t’i paraqesja me ndjenjat e tyre, me jetën e tyre, me paqen në shpirt, lirinë, forcën, guximin, urtësinë…

Besim Golemi - Drita e Jetes
Besim Golemi – Drita e Jetes

Pyetje: Si do ta përcaktonit forcën e artit tuaj? Forca misterioze bëri që unë të realizoja në art karaktere të fortë, të vërtetë, të dashur dhe njerëz të mirë që i doja dhe më donin. E përsëris pa frikë e mburrje se jam marrë me njerëzit qysh kur isha dy vjeç.
Pyetje: U bë gati një vit që jetoni në Gjermani. Ç’përshtypje keni për popullin gjerman dhe kulturën e tij? Më ka mahnitur. Jam pasuruar tek ky komb, me ide, me bukuri dhe me bindje të thella. Lidhjet me këtë popull i kanë përforcuar idetë e mia të lira. Ky popull i do popujt e tjerë, i respekton. Është komb i jashtëzakonshëm.
Pyetje: Dhe cila është e jashtëzakonshmja? Si  ta shpjegoj. Është vështirë të thuash se ç’është e jashtëzakonshme në natyrën e rracës gjermane, është vështirë të përcaktosh atë tek të rinjtë, fëmijët, gratë, vajzat. Ky përcaktim shihet  tek paraja, lëvizjet, komunikimi, thellësia e shpirtit, ashpërsia, gjuha. Sa e egër për ne shqiptarët veshja. Të duket se ke pranë e pranë botën moderne me botën primitive. Nga kjo ndërthurje unë lexoj shpërthimin: “Popujt duhet të jenë të lirë!” T’ju them të vërtetën, unë e dua kombin gjerman sepse mundem të marr frymë lirisht, sepse është original, sepse midis tij ecet me duar të çliruara… Këtu mund të bisedosh edhe me zogjtë…

*Titulli i shkrimit qe: “Unë nuk i mbaj mëri Atdheut” titulli i ri nga radiandradi
Dalip Greca & Prenjo Ymeri
E premte 11 tetor 1991 Gazeta “Ora e Fjalës”

Related Images:

More articles

2 KOMENTET

  1. E kam lexuar disa herë këtë intervistë, ndoshta më ka pëlqyer shumë, ndoshta pse Besimi është lushnjar, ndoshta pse është shkruar bukur, nuk e di pse, por më është dukur një intervistë tejet e veçantë dhe emocionuese. Në pak rreshta i ka thënë të gjitha…

  2. Osman Kaceli shkruan:
    Shpirt njeriu e artisti i veçantë paska qenë.
    Me sa kuptohet nga shkrimi ai nuk jeton ma mes nesh. Ose ndoshta jeton ende në botën e andrrave që aq shumë e pëlqente. Kur lexova kët intervistë pata emocione.
    Paska qenë me të vertetë i madh!
    (marrë nga muri i fb 4 shtator 2014.)

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.