back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Kur degradojnë “Elitat” nga Klodi Stralla

Gazeta

Klodi Stralla 2013
Klodi Stralla 2013

Kur degradojnë “Elitat” nga Klodi Stralla

Refleksione, rreth “Elitave” drejtuese shqiptare.

Vite më parë, kur isha mësues në një fshat të largët malor, një plak i moçëm, duke dashur të vlerësonte punën e mësuesit, më thosh: “Dëgjo bir, një mësues i keq prish një klasë, një drejtor prish një shkollë, një drejtues arsimi prish një rreth dhe një ministër arsimi prish një komb!”.
Përvoja popullore, me atë zgjuarsinë e vet natyrore, kish ditur të evidentonte se roli i njeriut dhe ndikimi i tij mbi shoqërinë përreth, varet shumë nga pozicioni i tij social. I njëjti njeri, në pozicione të ndryshme të piramidës sociale, ndikon në mënyra të ndryshme, qoftë për mirë… qoftë për keq
Ata individë, veprimtaria e të cilëve ndikon mbi një masë të madhe njerëzish, unë do t’i quaj “Elita” ose individë elitarë. Ndonëse sot i mëshohet shumë pasjes të “Institucioneve” të mira dhe jo “individëve” të mirë, unë mendoj se pa Elita të afta dhe atdhedashëse, që e kanë të zhvilluar ndjenjën e përgjegjësisë publike për punën që kryejnë, nuk mund të ketë as Institucione të mira funksionale.
Termi “Degradim i Elitave” është përdorur kaherët në biologji, fillimisht në bujqësi e mandej në blegtori, kur bujku apo blegtori kostatonte se fara e zgjedhur për shumim (fara elitë), që presupozohej të ishte më e mira dhe më e fuqishmia për të siguruar prodhimtari të lartë, rezultonte të ish më e keqja dhe më e dobëta. Më vonë ky term u përdor edhe në sociologji, ku popujt e lashtësisë, të diktuar nga nevojat ekzistenciale të luftës për mbijetesë, ishin shumë të kujdeshëm në përzgjedhjen e prijësave të tyre ushtarakë apo drejtuesve politikë, që të ishin ndër individët me aftësi më të spikatura fizike, morale dhe mendore (kujtoni filmin “Sulejmani i Madhërishëm” se si edukoheshin Pasardhësit). Më vonë, me zhvillimin e shoqërisë, fuqia fizike erdhi dhe ia la vendin fuqisë mendore, duke u bërë sot “intelekti” pasuria më e madhe e një kombi.
Historikisht shqiptarët kanë pasur tre “Elita” kombëtare:

Ahmet Zogu në Parlament 1928
Ahmet Zogu në Parlament 1928

Elita Postosmane (1912-1944)
Pjesa më e madhe e firmëtarëve të Pavarësisë, e delegatëve të Kongresit të Lushnjës, deputetet dhe qeveritarët e Mbretërisë zogiste apo pjesa dërmuese e atyre që zotëronin pasurinë e këtij vendi, ishin individë që kishin pasur poste apo privilegje në Perandorinë Osmane (përfshi këtu edhe të krishterët, si prijësat veriorë të bajraqeve apo tregëtarët e qyteteve). Ne nuk patëm elita të reja, të dala gjatë luftës për çlirim kombëtar, siç patën psh. grekët apo serbët, që të mos kishin asnjë lidhje me Perandorinë Osmane. Shumica prej tyre mbartnin mentalitet dhe kulturë lindore, duke qenë njëherazi edhe pronarë të mëdhenj tokash, të fituara me dekrete të Sulltanit, për shërbime ndaj Perandorisë. Këto elita, ndonse kontribuan në lindjen e shtetit shqiptar dhe mbrojtën integritetin e tij territorial, nuk u shkëputen dot nga interesi i tyre vetiak dhe i shtresës që përfaqësonin. Elita postosmane, e vjetër në moshë dhe mentalitet, nuk i hapi rrugë elitave të reja, të formuara në perëndim, dhe qendrimi i tyre refraktar ndaj reformave, aq të domosdoshme për të cilat kish nevojë vendi (kujto dështimin e reformës agrare nga Zogu), bëri që ata të delegjitimoheshin (degradoheshin) në sytë e popullit, duke e shtyrë këtë të fundit në prehrin e demagogjisë komuniste, aq shumë tërheqëse aso kohe, veçanërisht tek rinia shkollore. Ndonse ishin në drejtimin e vendit, politikisht dhe ekonomikisht, ata degraduan, duke përfunduar jo pak prej tyre në burgjet apo kampet shfarosëse komuniste, duke qenë për mua përgjegjësit kryesorë që Shqipëria ra nën sundimin komunist, ndonëse këtu nuk shkeli çizmia e asnjë ushtari të huaj.
Sistemi i vjetër osman la pas institucionin e “Tarafit”, sipas të cilit posti politik apo administrative shihej si burim fitimesh dhe në këmbim të besnikërisë ndaj “tarafit”, në shërbim të së cilit vihej titullari, ai detyrohej t’i jepte eprorit të vet një pjesë të fitimeve të kundraligjshme që ia siguronte posti dhe ta mbështete në kohë zgjedhjesh. Forca lëvizëse e këtij sistemi ishte Korrupsioni.
Sipas shprehjes së një studiuesi: “Lufta e Dytë Botërore qe për shoqërinë shqiptare si një tërmet për një ndërtesë të ndërtuar keq…”

Berat - Tetor 1944
Tirane – nentor 1944

Elita Komuniste (1944-1990)
Nga 29 nëntori i 1944-ës e deri në dhjetorin e vitit 1990, vendin e drejtoi “Elita ” e dalë nga udhëheqja e lartë e Partisë Komuniste. Ajo ishte një Elitë cilësisht e re, e dalë nga LANÇ, që nuk kish qenë në nivele drejtuese të vendit në periudhën e mëparshme. Ata ishin kryesisht nëpunës të vegjël, mësues e zanatçinj qytetesh, apo edhe fshatarë, që mbushën ministritë dhe institucionet kryesore të vendit, e që fill mbas lufte u dërguan për shkollim në lindjen komuniste, veçanërisht në Bashkimin Sovjetik… Në pjesën dërmuese ishin njerëz mediokër nga niveli kulturor, që ambicia për pushtet dhe karrierizmi i çoi në rrugën e aventurës që ofronte sistemi. Ndonëse demagogjia fillimisht ishte premtuese, dhe ideali për demokraci, drejtësi dhe barazi sociale prevalonte mbi interesin, shumë shpejt mungesa e përvojës qeverisëse, formimi i mangët kulturor (pjesa dërmuese qe me origjinë fshatare), lufta e pamëshirë për pushtet brenda vetë rradhëve të tyre, që buronte nga adaptimi i versionit më të keq të socializmit – stalinizmi, e çoi këtë Elitë në degradim permanet, e implikoj në krime makaber, aq sa vitet ’90 na gjetën me një elitë të atrofizuar, të sklerotizuar dhe të paaftë të ndërmerrte reforma radikale për t’u shkëputur realisht nga e kaluara enveriste, ndonse diktatori kishte disa vjet që kish vdekur.
Marksizmi pohonte që historinë e bëjnë masat, por nuk harronte të shtonte se ishte Partia ishte ajo që i bënte ato të ndërgjegjeshme. Pra “Elita” identifikohej me Partinë. Ndonse predikohej se në Parti duhet të hynin individët më të devotshëm, që “të ishin të parët në sakrifica dhe të fundit në pretendime”, realiteti fliste për të kundërtën! Vendin, edhe të atyre idealistëve të pakët të fillimit, e zunë individë karrieristë dhe arivistë, që pas mekanizmit të luftës famëkeqe të klasave, fshihnin urrejtjen patologjike për njerëzit e aftë, me integritet moral, familjar dhe atdhedashës!!
Partia zuri vendin që zinte dikur “Tarafi” osman. Çdo drejtues i lartë i shtetit dhe i ekonomisë, i institucioneve arsimore e kulturore, detyrimisht duhet të ish anëtar i Partisë dhe besnik ndaj saj. Qëndrushmëria e sistemit garantohej nga famëkeqi “Sigurimi i Shtetit”, i rekrutuar kryesisht nga “Zona e Parë Operative” e vendit, synimi parësor i të cilit ishte që, nëpërmjet spiunllëkut dhe përgjimit të gjithkujt dhe të çdo gjëje, të deformohej rëndë personaliteti i individit, duke e shndruar atë në një servil dhe skllav të bindur të eprorit të vet. Ndonse i kishim të gjitha institucionet e shtetit, nga Akademia e Shkencave e Institutet Studimore, nga teatrot dhe sportet, realisht nuk kishim shkrimtarë, poetë, aktorë, regjizorë që të bënin art të vërtetë (pasqyrim të vërtetë të realitetit dhe oponencë ndaj pushtetit). Të gjithë bënin propagandë partiake, kush me mësimdhënie, dikush tjetër me role teatrale apo filmike, të tjerët me romane apo festivale artistike dhe ekspozita pikture. Të gjithë ishin, si thuhej aso kohe, “rripa trasmisioni të Partisë” (nënkupto Udhëheqësit), për “edukimin” (lexo indoktrinimin) komunist të masave.
Kush mendon se ajo kohë nuk kishte korrupsion gabohet rëndë!
Vërtet, ajo kohë nuk ishte e “mbretërisë të parasë”, por ajo ishte koha e “mbretërisë të mikut” që nëse të mungonte, do të hiqeshe zvarrë gjithë jetën për të gjetur një punë pa normë, një të drejtë studimi në një degë të preferuar, të siguroje një banesë pak më të bollshme se e një tjetri dhe më afër qendrës të qytetit, të gjeje më lehtë një fletë kampi, një pako gjalpë apo edhe një shishe vaji!! Hierarkia në Parti përcaktonte “statusin social” të individit dhe ky status gjeneronte privilegje, jo vetëm materiale (sende ushqimore, kabina plazhi, dalje jashtë shtetit…) por dhe shpirtërore (tituj nderi, deri edhe fjalime shtetërore në rast vdekje!!)
Ashtu si Lufta Botërore qe për shoqërinë shqiptare qe si një tërmet për një ndërtesë të ndërtuar keq, edhe ngjarjet dramatike të 1989-ës në Lindjen Komuniste rezultuan një tërmet po aq i fuqishëm, që e detyroi Elitën Komuniste të ndryshonte sistenin, por jo edhe të dorëzonte realisht pushtetin, si ata ne 1944-ën. Duke mos pasur fatin e tyre, për arsyet që do t’i shpiegoj më poshtë.

Qyteti Studenti - Dhjetor 1990
Qyteti Studenti – Dhjetor 1990

Elita Postkomuniste (1990-….?)
Në vitet e ashtuquajtura “të tranzicionit”, ato pas vitit 1990 e deri në ditët e sotme, shqipëtarët janë udhëhequr nga “Elita” postkomuniste. Ne nuk patëm një lëvizje reale nga poshtë për ndryshimin e sistemit. E ashtuquajtura “Lëvizja e Dhjetorit” ishte më shumë një lëvizje me orientim nga lart dhe e zbatuar poshtë, e detyruar nga ngjarjet që ndodhën në Lindjen komuniste dhe nga gjendja tejet e rëndë ekonomike e vendit.
Aparatçikë të vegjël të administratës partiake dhe shtetërore apo edhe intelektualë të afërt me regjimin, flakën tej teserat e Partisë të Punës dhe përqafuan “demokracinë”.
Këto elita, të lidhura me njëmijë fije të errta me të kaluarën kompromentuese, të formuara në mentalitetin e “Luftës të Brrylave”, me njohuri të cekta për kulturën dhe ekonominë perëndimore dhe tejet të indoktrinuar, me etje të shfrenuar për pasurim të shpejtë, nuk mund t’u përgjigjeshin sfidave të reja që kërkonte koha. Fatkeqësisht ne ende edhe sot, pas një çerek shekulli, nuk po shpëtojmë dot nga tirania dhe babëzia e tyre. 
Historikisht ne shqiptarët kemi një trashëgimi të hidhur në kultivimin dhe trajtimin e Elitave. Të ashtuquajturat Elita tek ne, më shumë kanë marrë trajtën e “Bandave” që rivalizojnë për pushtet, se sa të grupeve sociale që ndjejnë përgjegjësi për fatet e vendit. Secili dëshiron të jetë “pasha” në “feudin” e vet, të mbledhë rreth vetes pasvanë dhe servilë (klientë) dhe të krijojë “klanin” e vet. Fillimisht anëtarët e klanit e ndihmojnë “kapon” në zgjedhje, për të zënë një post publik, dhe pastaj ai do t’i shpërblejë me vende pune në administratën që drejton, do t’i preferojë në fitimin e tenderave apo do t’i anashkalojë në pagimin e tatimeve. Parimi oriental “njëra dorë lan tjetrën dhe të dya lajnë fytyrën” funksionon për mrekulli!! Nuk ka rëndësi nëse ky grupim quhet si dikur Taraf apo sot Parti. Nuk ka institucion të vendit, nga administrata publike, institucionet e pavarura, organet gjyqësore dhe deri tek bota akademike që të mos ketë adaptuar këtë skemë funksionimi. Kudo Elita të Degraduara… që mendojnë vetëm për pushtet dhe pasurim personal, kudo individë që kanë humbur legjitimitetin moral të udhëheqin, të neveritur në sy të popullit. Kujtoni vetëm nepotizmin në Bankën e Shqipërisë, që u bë prezent për publikun me rastin e vjedhjes të Bankës dhe këtë model e gjeni kudo. 
Kemi Prokurori, por nuk kemi akuza profesionale të mbështetura në prova bindëse, që të mos i lenë shteg Gjykatës të manovrojë në dënimin e fajtorëve; kemi Gjykatë të Lartë, por nuk kemi mekanizmin që të matë dhe vlerësojë punën e gjykatave më të ulta, për të seleksionuar gjyqtarin e aftë nga ai i paafti, duke realizuar kësisoj seleksionimin juridik të tyre; kemi Kontroll të Lartë të Shtetit, por nuk kemi Gjykatë Llogarie me fuqi ekzekutive por vetëm rekomanduse; kemi ILDKP, por nuk kemi sekuestrim të pasurive të padeklaruara apo të pajustifikuara të pushtetarëve; kemi Universitete dhe Profesorë Doktorë sa askush tjetër në botë, për frymë popullsie, por nuk kemi diploma a tituj realë, të merituar, e kështu me radhë.
Që kështu nuk mund të vazhdohet më kjo dihet, por deri kur…?
Disa këshillojnë ta fillojmë nga fëmijët e shkollave, t’i edukojmë ata me një frymë të ndryshme nga ajo e brezit tonë (p.sh. alla japoneze), por harrojmë që “edukatorët” jemi ne, “të indoktrinuarit”, si thotë me humor prof. Vangjushi. Të tjerët mendojnë se mazhoranca të tilla të cilësuara, si kjo e kësaj here (me 85 vota) janë garanci premtuese për të vendosur “Diktaturën” e Ligjit!! Unë, për vete, i qëndroj atij mendimi që kam shprehur në shumë prej shkrimeve të mija të mëparshme: vetëm interesi i një Fuqie të Madhe (si dikur Italia) mund të na nxjerrë nga kjo “gropë potenciale” ku kemi rënë. Të jetë kjo fuqi Gjermania, Turqia apo tash së fundi Kina?!
Më pëlqen ta besoj, ndonse përvoja ime mbetet ngurtësisht mosbesuese.
 Por një gjë është e sigurt: duke huazuar nga metoda e bujqve dhe blegtorëve me farërat elitë, kur ato degradojnë ka vetëm një zgjidhje: ato “flaken” tej dhe gjendet mundësia e zvendësimit te tyre me të reja dhe të shëndetëshme, përndryshe gjendja do të precipitojë sa vjen e më keq. Mbase edhe cikli 30-40 vjeçar i rrotacionit të elitave po afron dhe do të duhet, figurativisht, një “Luftë tjetër Nacional Çlirimtare” që ta pastrojë vendin nga kjo “farë e keqe” (a nuk bëri vallë këtë vetë Zoti me përmbytjen e madhe të Noes?!)
Deri atëhere do të zvarritemi e përpëlitemi midis Shpresës dhe Zhgënjimit…!
8-9-10 shtator 2014
(Marrë nga Muri i fb “Dashamirët e Mendimit”)

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Ndajmë të njejtin opinion Zoti Stralla… Edhe per mendimin tim do të kishte qenë me mjaft interes që ashtu si Francesco Krispi hodhi idenë për Shqipërinë në ato vite nën protektoratin italian…
    Ju falemnderit!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.