back to top
8.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

13 Tetori: Datëlindja e tre Poetëve – Pano Taçi, Dritëro Agolli, Migjeni… nga Visar Zhiti

Gazeta

Visar Zhiti 1952
Visar Zhiti 1952

13 Tetori: Datëlindja e tre Poetëve,

Pano Taçi, Dritëro Agolli, Migjeni…

nga Visar Zhiti

Me 13 tetor, kujtohem që ka lindur Pano Taçi, poeti bohem – e quanim, por dhe Pani Plak apo Engjëlli plak, vetmitari dhe me miq si ai, i përvuajturi dhe më buzagazi, ish i burgosuri politik, por i lirë brenda vetes, që harrohej në gjallje, por që e nëpërmendim shpesh tani që s’është më.

Në 13 tetor, ka lindur dhe Dritëro Agolli, shkrimtari i njohur, autor poemash e romanesh, tregimtar i veçantë dhe dramaturg, me miq shumë e me lavdira e mirënjohje, por dhe i kritikuar, patriarku i socialistëve, siç e quajnë, por dhe i realizmit socialist, siç e sulmojnë, gjithsesi poet, tashmë i arrirë.

Në 13 tetor, ka lindur dhe Migjeni, poeti më i ri shqiptarëve, që modernizoi poezinë shqipe, europian dhe klasik ndërkohë, themeltar sidomos në prozën e shkurtër, i konsideruar me të padrejtë si pararendës i socrealizmit dhe i nënvleftësuar me të padrejtë më pas po për këtë arsye, blasfemist, elegjiak i mjerimit.

***

Tre poetë, të pangjashëm dhe me fate të ndryshëm, me rëndësi të ndryshme, madje jo dhe aq të pakrahasueshme, bashkëkohës dhe jo, që shpalosin tri aspekte të letrave shqipe, ku i pari, Migjeni, zë vend të përhershëm, edhe pse me një libër që i përket realizmit kritik, na thuhej në shkollë, por ai do të shkëpuste letrat shqipe nga romantizmi i vonë, metaforik deri dhe kafkian, etj, kurse Agolli, shkrimtar ndër më të shquarit, tregimtar spartan dhe romancier me humor të begatë, kur lufta e klasave dhe kulti i individit ishin normë, sa entuziast në socializëm me poezitë e veta, i vlerësuar dhe nga udhëheqja, po aq i trishtë në demokraci, por prapë i vlerësuar nga udhëheqja… ndërsa Pano Taçi, pa njohjen e tyre, ishte poeti i pafat, i vetëbërë, jashtë teksteve shkollore të letërsisë, i persekutuar gjatë diktaturës, ndërsa pas rënies së saj, edhe pse viti ’90 e gjeti 62 vjeçar, boton libra të shumtë me poezi, i natyrshëm, tradicional dhe kërkues duke u përqendruar në dhimbjen e qelive të burgjeve dhe të internimeve, ku kaloi të shumtën e jetës, në terrin dhe qëndresën, por dhe u hap duke treguar mashtrimet në demokraci me sarkazëm të hidhët deri dhe banale, besues dhe mosbesues, i dashuruar sa çuditërisht nxori dhe libra erotikë me poezi pornografike, të parët në llojin e tyre, që e gajasnin lexuesin me një si donzhuanizëm të vonë shqiptar.

Migjeni (Millosh Gjergj Nikolla)
Migjeni (Millosh Gjergj Nikolla – 13 tetor 1911)

Ç’i bashkon elipset e tre jetëve?
Duke lënë jashtë rastësinë e 13 tetorit, do të desha të thosha se ka diçka përbashkuese në jetët e poetëve në përgjithësi, fat dhe fatalitet, trill perëndish, thjeshtë ideal poezie. Elipset e jetëve kanë dhe pika takimi, ndonjëherë dhe përzierje. Kur u shua Migjeni, fare i ri, as 27 vjeç, Taçi ishte vetëm 10 vjeç dhe Agolli 7 vjeç, pra bashkëkohësia e tyre është fare e pakët, si të thuash pak vite ajër të përbashkët në dheun e tyre. Ndërsa Taçi me Agollin u rritën me poezinë e Migjenit dhe paralelja e jetëve të tyre vazhdon gjatë. Do të desha të shihnim, sado shkurt, kronologjinë e tre jetëve, nxjerrë nga botimet e tyre, duke futur dhe ndonjë të dhënë tjetër të kohës, se sikur arrihet të kuptohet disi më mirë diçka nga realiteti i përbashkët i shqiptarëve:
1911 – Kur vendi ende s’e kishte ftuar mëvetësinë, lindi Migjeni në Shkodër. Arsimin fillor e mori në vendlindje në një shkollë serbo-ortodokse. E çojnë të studiojë në Tivar. Daja i Migjenit, Jovan Kokoshi nga Kavaja, e dërgon në gjimnazin e Manastirit dhe po këtu në vitin 1927, kryen Seminarin Ortodoks “Shën Joan Teologu”.
1928 – Parlamenti shqiptar shpall Mbret Zogun I. Shqipëria shpallet mbretëri. Lind Pano Taçi në Gjirokastër, merr mësimet e para, ndërsa gjimnazin do ta vazhdojë në Tiranë me mësues filozofin, shkrimtarin dhe poetin Isuf Luzaj, i ikuri politik, patrioti i dënuar me vdekje.
1931 – Ndërsa në kryeqytetin e ri, Tiranë, në bulevardin e madh u ndërtuan 6 pallatet e 6 ministrive, në një fshat të Korçës, në Menkulas të Devollit, lindi Dritëro Agolli. I ati i tij, Rizai, kishte mërguar në Buenos-Aires dhe Çikago, dinte përmendësh Khajamin dhe Naim Frashërin, dy poetët më të mirë në botë, sipas tij.
1933 – Migjeni emërohet mësues i gjuhës shqipe në shkollën “Skanderbeg” të Vrakës në Shkodër dhe boton në revistën “Illyria” prozën “Sokrat i vuejtun apo derr i kënaqun”…  Dy vjet më vonë kërkon të shkojë në Slloveni për kurime, por konsullata jugosllave në Shkodër nuk ia jep vizën, ikën në Greqi. Kthehet dhe rinis punën në gjimnazin e Shkodrës.
1936 – Shpërngulet në Pukë. Shtypshkronja “Gutenberg”  bën gati 1000 copë të librit ”Vargjet e lira”, por “censura ndalon qarkullimin e tyre”, shkruhej në botimet e dikurshme. Nuk gjendet në arkiva ndonjë dokument që e dëshmon dhe nuk na duket aq bindës ky fakt. Sepse Migjeni po botonte dhe po çmohej në shtypin e kohës. Në fund të vitit përgatit librin e ri “Novelat e qytetit të Veriut”.
1937 – Mbreti Zog martohet me konteshën hungareze Geraldinë Appynoi, Gjergj Fishta nxjerr versionin përfundimtar Lahuta e Malcis,  kurse në Pukë Migjeni, me rastin e festes kombëtare, 28 Nëntorin, mban një fjalim para popullit të Pukës.
1938 – Migjeni niset për në Torino dhe shtrohet në sanatoriumin “San Luigi”. Vdes gjatë natës së 26 gushtit. Botohen proza dhe poezi të tij.
1939 – Shqipëria pushtohet nga Italia fashiste.
1940 – Pano Taçi 12 vjeçar, futet në lëvizjen antifashiste studentore (Debatik) dhe më pas del malit partizan. Dy vjet më pas nxjerr poezinë e parë në “Bleta”. Ia botoi poeti i njohur Lasgush Poradeci.
1943 – Dritëro Agolli, 12 vjeçar dhe ai, është korrier në batalionin partizan, teksa i ati është pjesëmarrës me armë në dorë në luftën për çlirim.
1944 – Del libri “vargjet e Lira” të Migjenit. Çlirohet Shqipëria, por jo shqiptarët.
1946 – Vendoset shërbimi i detyruar ushtarak. Nisin arrestimet e klerit katolik, Enver Hoxha shkon për vizitë zyrtare në Beograd, kurse Pano Taçi, i përjashtuar nga gjimnazi për “dashuri borgjeze”, i magjepsur pas një vajze të bukur, motër e një prej presidentëve të ardhshëm të Republikës, vendos të arratiset në Greqi, që më pas të ikte në SHBA tek gjyshi. Panoja dënohet me 4 vjet burg, në kënetën e Maliqit, njeh mes të dënuarve shkrimtarin Mitrush Kutelin. Pas dy vjetësh lirohet dhe e çojnë në internim.
1947 – I kthehet ishulli i Sazanit Shqipërisë, qeveria refuzon planin Marshall, Enver Hoxha takohet me Stalinin në Moskë dhe Dritëroi boton poezinë e parë “Vullnetari i hekurudhës” në gazetën “Rinia”.
1951 – Bomba në ambasadën sovjetike në Tiranë, arrestime intelektualësh, pushkatime. Pano Taçit ia shtojnë internimin në Savër të Lushnjës, me akuzën se nuk kishte dashur të votonte.
1952 – Hapet Kinostustudia “Shqipëria e re”, Dritëroi mbaron gjimnazin e Gjirokastrës, “akademinë e tij letrare¨ dhe e nisin për studime në Lenigrad, siç quhej atëhere qyteti i Sant Petërsburgut.
1953 – Shqipëria në zi për vdekjen e Stalinit. Pano Taçi shkruan poemat për Kosovën “Treni i muhaxhirëve”, “Gryka e Kaçanikut”. Nga që kishte qenë partizan, e pranojnë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve, por një vit më vonë kritikohet ashpër për poemën “Kambanari”, si reaksionare dhe që nxit për kryengritje.

Pano Taçi (13 tetor 1928-13 qershor 2012)
Pano Taçi (13 tetor 1928-13 qershor 2012)

1955 – Shqipëria nuk pranon një ndihmë ushqimore me vlerën 850.000 dollarë nga Presidenti Eisenhauëer, bëhet anëtare themeluese e Traktatit të Varshavës. Dritëroi martohet në Bashkimin Sovjetik me një ruse të bukur, Nina Novikova, kurse Enver Hoxha takohet me Hrushovin. Pano Taçi në internim, me kontroll të rreptë policor.
1956 – Sillen eshtrat e Migjenit nga Torre Pelice në Shkodër. Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu shkojnë në Kinë.
1957 – Themelohet universiteti i Tiranës. Dritëroi nis punën si gazetar në “Zërin e Popullit”. Botohet i plotë libri i Migjenit “Vargjet e lira” dhe dekorohet me titullin “Mësuesi i Popullit”.
1960 – Mbledha e 81 partive në Moskë. Pano Taçi lirohet nga internimi.
1961 – Ndëpriten marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, vdes Mbreti Zog afër Parisit, del Vepra e plotë e Migjenit (nën kujdesin e Skënder Luarasit), i jepet “Urdhëri i Lirisë”, kurse Pano Taçi martohet.
1962 – Fronti Demokratik i fiton zgjedhjet 99.99 %, me një pjesëmarrje të zgjedhëse 99.99% dhe lirikat e Pano Taçit përgatiten për botim nga Drago Siliqi, por befas cilësohen “pa frymën e kohës, ku zotëron grija kapitaliste”. Dënohet me burgim për agjitacion e propagandë, kur djali i tij ishte vetëm 3 muajsh. Gruaja e tij bën ndarjen.
1964 – Vjen për vizitë kryeministri kinez Çu En-Lai, kurse gruaja ruse e Dritëroit, së bashku me djalin, ikin përgjithmonë. Pas një viti martohet me gazetaren Sadije Kecaj nga Shkodra.
1967 – Nis fushata kundër besimeve fetare, mbyllen dhe shemben kishat dhe xhamitë, ndalohen kopshtet private, tërmet në Dibër dhe Librazhd, ndërsa Pano Taçi lirohet nga burgu dhe e interrnojnë në vendet e tërmetit. Dritëroin e çon shteti për vizitë në Kinë.
1970 – Vendi shpallet i gjithë i elektrifikuar. Pano Taçi vjen në Tiranë, punon në punërat më të rënda e më të vështirat, në zanatet që kishte mësuar burgjeve. Vendoset bashkëpunimi mes universiteteve të Tiranës dhe Prishtinës.
1971 – Dritëroin e çojnë për vizitë në Kongo dhe nis botimi në revistën “Hosteni” i romanit të tij “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”. Kthehet nga Parisi. Pas një viti emërohet sekretar për letërsinë në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe pas një viti tjetër kryetar dhe prapë pas një viti deputet.
1976 – Enver Hoxha kritikon Kinën në Kongresin e tij VII, me Kushtetutë shpallet Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë (një emërtim aq i gjatë për një vend kaq të vogël), kurse Pano Taçin e arrestojnë sërish. 10 vjet burg. Përpiqet të vrasë veten. Me bishtin e lugës pret damarët si Esenini që përkthente Dritëroi me aq pathos, gjaku del poshtë derës së qelisë. Alarm. Ia shpëtojnë jetën me zor. Kafe dhe cigare do t’i dërgonte në burg dhe poeti qiellor Lasgush Poradeci.
1980 – Dritëronë e dërgojnë në Turqi. Botohet në Prishtinë Vepra e Migjenit, në katër volume luksoze dhe monografitë për të.
1986 – Shpallet Plani i tetë pesëvjeçar. Pano Taçi lirohet nga burgu dhe përsëri e çojnë në internim, sa më larg Tiranës, në Peshkopi e përreth. Lajmërohet se gjyshi i vdes në Amerikë, por dhe babai me nënën në Shqipëri, që e ndjente ende më larg. Djalin nuk e takonte dot, se nuk i lejohej një armiku të shpallur.
1987 – Vendosen marrëdhënie diplomatike me Kanadanë e R.F. Gjermane. Një grup shkrimtarësh, Dritëro Agollin, Ismail Kadarenë, Nasho Jorgaqin, Androkli Kostallarin, etj, i lejojnë të marrin pjesë në një kongres në Itali, në Palermo, më pas Agolli e Kadare shkojnë në Beograd në konferencën për nacionalitetet.
1989 – Shëmbet Muri i Berlinit.
1990 – Rënia e diktaturave komuniste në Europë. Protestat antikomuniste në Kavajë. Dyndjet e shqiptarëve nëpër ambasada, ikja e tyre jashtë. Vendosja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik. Ramiz Alia viziton SHBA. Kadareja kërkon strehim politik në Francë, vjen Nënë Tereza në Shqipëri. Botohet në frengjisht romani i shokut Zylo i Dritëroit, ftohet dhe autori. Fillojnë protestat e studentëve, trazira kudo, themelohet në 12 dhjetor Partia Demokratike me kryetar Sali Berishën dhe në janarin e mëpastajmë amnisti për të burgosurit politikë.
1992 – Dritëroi me një grup kolegësh, Shvarc, Arapi, Spahiu, Lako, Londo shkojnë në Gjermani me rastin e botimit të një antologjie të poezisë shqiptare. Një vit më pas, në vazhdim të botimeve të tij, Dritëroi nxjerr vëllimin “Pelegrini i vonuar”, etj.
1994 – Pano Taçi 66 vjeçar boton librin e tij të parë “Blerim i thinjur”, ku përfshin shumë poezi të shkruara fshehurazi nëpër burgje dhe internime. Mësuesi i tij i hershëm, filozofi dhe shkrimtari Isuf Luzaj, do t’i shkruante nga SHBA-ja: “Të paskëshe qenë italian, do të udhëtoje në enciklopeditë euro-amerikane, me Borgesin dhe Kalderonin… Vazhdo të shkruash në gjirin e kombit tonë”…
1996 – Firmat piramidale trondisin vendin. Pano Taçi nxjerr librin tjetër “Dhe vdekja do paguar”, Dritëroi “Çudira dhe marrëzi”, etj, dhe shkon në Greqi. Në parlament qëllohet me armë dhe plagoset deputeti Azem Hajdari, udhëheqësi i protestave studentore. UÇK-ja në Kosovë sulmon forcat serbe.
2000 – Pano Taçi boton dramat “Qirinjtë” dhe “Flakë në terr”. Vazhdon me poezitë dhe do të nisë memuaret e veta, të mbetura në dorëshkrim. Zgjedhjet vendore i fitojnë socialistët, Edi Rama – kryetar i Bashkisë së Tiranës.
2001 – Bashkia e Pukës i jep Migjenit titullin “Qytetar Nderi”.
2009 – Shqipëria futet në NATO. Ndërkaq Pano Taçi është bërë i njohur si poet, është ftuar në festivale poezie në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, edhe kur atje bëhej luftë mes guerilierëve shqiptare dhe forcave qeveritare, etj, do të bëhet më i dashur për lexuesin pas botimeve me erotikë të hapur si “Hukama e Venusit”, “Lakuriq”, etj. Do të marrë çmime letrare, por jo dëmshpërblimin e burgut, do t’i prishin befas shtëpinë për t’u ngritur një pallat në atë truall, etj, etj.
2011 – Dritëro Agolli merr një tjetër “Honoris Causa”, këtë rradhë nga Universiteti Europian i Tiranës…
2012 – Pano Taçi shtrohet në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë, vdes në 13 qershor. Kryeministri i vendit do të ngushëllojë komunitetin e letrarëve dhe familjarët. Trupi i tij do të vendoset në hollin e Teatrit Kombëtar, ku do të bëjnë homazhe miqtë e shumtë, qytetarë e artistë si dhe Presidenti i Republikës.
2014 – Sot Dritëro Agolli mbush 83 vjeç. I urojmë jetë sa më të gjatë atij dhe vepës së tij.

Dritero Agolli (1931)
Dritero Agolli (13 tetor 1931)

Epilog prej Poezie
Tre poetë të një datëlindje. I dua të tre.
Kur isha student në Shkodër, shkoja në shtëpinë muze të Migjenit, e cila s’është më. Shikoja fotot e tij, i veshur hijshëm, me elegancë, me borsalinë, ja dhe stilografi i tij mbi tryezë, që s’dihej çdo të shkruante më tej, aq sa dhe vdekja duket se iu tremb dhe e rrëmbeu aq të ri. Por asaj që la, i mjafton vetvetja, është e pazëvendësueshme, prijëtare, e rëndësishme.
Dritëroi – këngëtar i baltës së vendlindjes, fëshfërimë grunoresh në Jug, fjalë me shijen e bukës tonë. Nëna ime ishte kushërirë me nënën e tij, trokiste në derën e tyre, ia hapnin, edhe atëhere kur ishte e vështirë ngaqë mua më kishin arrestuar për poezi, “po të mira i ka”, i thoshte Dritëroi nënës time, “…ia bënë shokët gjëmën…”. E kam takuar Dritëronë me kënaqësi të veçantë kudo, në kafene, në parlament, në SHBA…
Dëgjoj fyellin e drunjtë të Panit plak, të Panos tonë, mik im dhe i tim eti… shkoj andej nga kafe “Europa”, ku ai rrinte me orë të tëra, shkruante dhe me porosi të pronarit i çonin dy kafe falas çdo ditë. Po sikur atij t’i jepej dëmshpërblimi i vërtetë dhe puna e pa paguar e 24 viteve burg e internime, mbase do të kishte dhe ai një kafene të veten, një librari, një… vazhdoj të ëndërroj një portret të Pano Taçit në kafe “Europa”, me llullën mes dhëmbëve të zverdhur dhe kasketën mbi kryet e zbardhëllyer dhe në një nga qelqnajat e mëdha të dritareve atje të shkruhet një poezi e tij, siç kam parë në Perëndim, ah, ky mbetet një nga pengjet e mia, të vihen poezi të poetëve tanë mureve, xhamave, në shkëmbinj parqeve, nga eposi, De Rada, Naimi, Fishta, nga Kanuni e Nënë Tereza e me rradhë, kurse nga Panoja do të zgjidhja këto vargje që më habisin me thjeshtësinë dhe filozofinë e tyre, me dhimbjen universale, i di përmëndësh, të denja për çdo antologji në botë:
Diçka i mungon tokës,/ nga qielli t’i zbresë./
Diçka edhe qiellit,/ nga toka t’i ngjitet ka shpresë./
Më bëhet i gjej te vetja/ ç’mungon te gjithësia:/
Qiellit: urrejtja,/ tokës: dashuria.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.