back to top
9.5 C
Tirana
E mërkurë, 2 Prill, 2025

15 vite pas Deklaratës së Pragës – nga Maks Rakipaj dhe Visar Zhiti

Gazeta

Maksim Rakipaj
Maksim Rakipaj
15 vite pas Deklaratës së Pragës
nga Maks Rakipaj dhe Visar Zhiti

Më 25 shkurt 2010 u nënshkrua në Pragë, Deklarata mbi krimet e komunizmit, nga politikanë të shquar evropianë, historianë dhe ish të burgosur politikë, midis të cilëve presidenti Václav Havel dhe presidenti gjerman Joachim Gauck. Midis të tjerash në atë Deklaratë thuhej: “…ne bëjmë thirrje për krijimin e një gjykate të re për krimet e kryera gjatë komunizmit në kuadrin e BE. Krimet komuniste kundër njerëzimit duhet të dënohen nga kjo gjykatë në mënyrë të ngjashme, ashtu si Krimet naziste u dënuan nga Gjykata e Nurembergut… Demokracia duhet të mësojë të mbrojë veten, dhe Komunizmi duhet të dënohet njëlloj si u dënua Nazizmi.”
…Sa për kujtesë, në Shqipëri komunizmi dhe krimet e tij janë dënuar vetëm me fjalë; qeveritë dhe presidentët që kanë ndrruar njëri-tjetrin në pushtet kanë vazhduar të dekorojnë kriminelët gjykatës dhe prokurorë komunistë.
Kampet dhe burgjet komuniste po rrënohen; me këtë ritëm, s’ka për të mbetur nam e nishan prej tyre; ish të dënuarit politikë, pas gjithë atyre mundimeve çnjerëzore, po shuhen njëri pas tjetrit… por të paktën panë me sytë e tyre “përmbysjen” e komunizmit.
E pamë përmbysjen dhe u kënaqëm…
Para tre vitesh, në një postim timin, pati shumë komente dashamirëse, mes tyre dhe një koment nga Visar Zhiti. Po risjell komentin e Visarit, meqë sot është përvjetori i Deklaratës së Pragës:

Shkrimtari Visar Zhiti
Shkrimtari Visar Zhiti

I dashur Maks,
Shqetësimi yt është i drejtë, paraqitur me qytetari e guxim, edhe me art. Poezia është përkthyer shkëlqyer. Nisur nga komentet dua të shtoj dy gjëra:
1
.Jo vetëm qe nuk e ngrinte dot zërin askush, kur diktatura dënonte poetë e shkrimtarë, por ata u dënuan dhe nga poetë e shkrimtarë të tjerë, të cilët bënin denoncimet dhe akt-ekspertizat në shërbim të Sigurimit vrastar të shtetit.
Pra, u dënuan intelektualë edhe nga intelektualë të Realizmit Socialist.
2
.Disidenca. Është bërë zakon (i padrejtë) të thuhet se të ne që s’kishte disidencë, nuk lejohej, ndryshe do pranohej që diktatura ishte e butë, e arsyeshme. Dakort, kjo është gjysma e të vërtetës, por në Shqipëri u bë më shumë dhe më heroikisht: disidenca ishte klandestine, e fshehtë. Ti e di mirë, ne ishim bashkë në burg, e njohëm, e prekëm, u bëmë pjesë…
Pra kishte realisht disidente, kundërshtarë, martirë.
Po shkrimtarët e Klerit Katolik që u pushkatua dhe u burgos ç’ishin? Po Musine Kokalari, shkrimtarja e parë? Po poeti Trifon Xhagjika që shkruante poezi kundër dhe në gjyq tha:
më jepni një top, t’i bie Komitetit Qendror, sistemit tuaj! Po Lazër Radi? Po Kasëm Trebeshina, po romancieri tjetër i shkëlqyer Astrit Delvina? Pjetër Arbnori, Fatos Lubonja, Zyhdi Morava, Maks Velo? Poetët e rinj të Librazhdit Blloshmi dhe Leka? Po Havzi Nelën që e varën, që e kishim në Spaç ku kemi shtyrë vagona si skllevër në minierë? Po poezitë tona që i kemi fshehur bashkarisht? Po poetët Zef Zorba, Frederik Reshpja, etj, etj. T’i kishte një popull tjetër do të mburrej, ne i mohojmë. Ne e dimë pse, nga që s’ballafaqohemi dot me mëkatin… Unë i kam trajtuar në librat e mi dhe gjerësisht në botimin më të fundit Kartela të Realizmit të Dënuar, ku është dhe kartela jote.
E çmoj shumë punën Tuaj, vazhdimin e qëndresës me shpirt dhe mendje dhe përkushtimin, përkthimin “e disidencës” edhe në poezi, në aktin më sipëran.
Të jemi bashkë, qoftë dhe vetëm… E vërteta mjafton!
Me dashuri,

Visar Zhiti më 25 shkurt 2022
Marrë nga Muri iFB, Maksim Rakipaj, 25 shkurt 2025

 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.
Buy Me A Coffee
Dhuro per mirembajtjen