back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

15 vjeçari që u dënua për “minim të pushtetit popullor” – nga Kastriot Dervishi

Gazeta

Traktet e hedhura nga Artur Kice ne 1976
Traktet e hedhura nga Artur Kice ne 1976

15 vjeçari që u dënua për “minim të pushtetit popullor”

nga Kastriot Dervishi

Më 11.10.1976 organet e Degës së Punëve të Brendshme të Rrethit Lushnje, dhanë sihariqin se kryen arrestimin e radhës. Në pranga këtë herë hyri një “armik” i madh i pushtetit popullor, i cili akoma nuk kishte mbushur 15 vjeç. Disa muaj më parë, adoleshenti i qartësuar politikisht nga mjedisi familjar kishte shkruar disa parulla në të cilat shprehej kundër organeve vendore të pushtetit, Partisë së Punës, si dhe pro-shteteve perëndimore e demokratike si SHBA, Italia, Britania e Madhe, etj. U deshën shumë muaj derisa erdhi “zbulimi” i armikut të madh dhe dhënia e tij drejtësisë komuniste. U angazhua kriminalistika e u bënë lloj-lloj krahasimesh, derisa u gjet shkruesi e letrave që për çudinë e regjimit nuk ishte ndonjë “armik i kamufluar”. Artur Kice, lindur më 11.12.1961 në Lushnje, nxënës i klasës së 8-të në shkollën “Foto Puka”, u akuzua për shkrim e shpërndarje traktesh. Familja e tij kishte më se 10 vjet që nuk i bëhej pasaportizimi.
.
Artur Kice - 11 tetor 1976 - 14 vjeç, u dënua për "agjitacion e propagandë"
Artur Kice – 11 tetor 1976 – 14 vjeç, u dënua për “agjitacion e propagandë”

Hetuesia

15 vjeçari është marrë në pyetje më 12.10.1976, nga hetuesi Skënder Korriku. Qysh në fillim të hetuesisë deklaron se donte të rronte si gjithë të tjerët. Hetuesia vijon të nesërmen.
Pyetje: Na thoni me çfarë shkrimi i keni shkruar:
Përgjigje: Unë përmbajtjen e këtyre fletushkave i kam shkruar me shkrim të lirë, pra ashtu siç shkruaj zakonisht.
Pyetje: Na thoni edhe njëherë, sa copë fletushkash keni shkruar dhe hedhur ju?
Përgjigje: Sa kam shkruar dhe hedhur nuk e mbaj mend, por mua më kujtohet që për çdo parullë kam plotësuar dy ose tre fletushka dhe them me hamendje që mund të jenë mbi 20 copë fletushka, porse sa kam shkruar me të vërtetë saktë nuk mund ta përcaktoj dot.
Pyetje: Na thoni i pandehur, çfarë forme kanë fletushkat që keni shkruar e hedhur ju?
Përgjigje: Fletushkat që kam hedhur unë i kam prerë në formë drejtkëndëshi me gërshërë, pothuaj të gjitha të barabarta.
Më tej hetuesia zhvillohet sipas standardit të njohur. I pandehuri pyetet për autobiografinë, rrethin shoqëror, fisnor, etj, njësoj si të ishte person në moshë madhore. Në praktikën hetimore të këtij rasti janë futur si prova edhe dokumente të këshillit popullor të lagjes. Nga leximi i procesverbaleve hetimore dallohet qartazi se çështja ka qenë e pezulluar pasi autori nuk ishte gjetur.
.

Procesi gjyqësor

Në gjyq deklaron se më 19.1.1976 në shtëpi ka shkruar 31 copë parulla me këtë përmbajtje: “Rroftë Italia”, “Poshtë qeveria e Lushnjes”, “Poshtë Miti Rrapo”, “Më 20 shkurt Shqipëria do sulmohet nga Amerika”, “Rroftë mbretëresha e Anglisë”, “Rroftë presidenti Ford”, “Rrofshin Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. Këto ishin shkruar sepse familjes së tij nuk i bëhej pasaportizimi. Në pretencën e tij shoku prokuror kërkon t’i bëhej një analizë e thellë ngjarjes duke kërkuar shkaqet e saj. Ai vënë dukje vigjilencën e qytetarëve Kliti Nushi dhe Qemal Tullaci të cilët i gjetën dhe i dorëzuan fletushkat në Degën e Punëve të Brendshme. Prokurori mendonte se qëndrimi i familjes “për të mos shkruar në fshat për të jetuar e punuar përgjithmonë” ka bërë që adoleshenti të mos edukohej me “frymën revolucionare”, por të ndikohej nga bisedat në shtëpi. Pretenca e prokurorit e cila është një gomarllëk i përkryer, ai vlen të lexohet me qetësi për të shërbyer si mjet humori në pjesë të tilla si kjo e mëposhtmja: “Partia dhe shoku Enver, te rinia e atdheut tonë shohin fidanishten e ardhshme, e cila do të marrë stafetën e revolucionit për ta çuar përpara, por ky i pandehur nuk ka asgjë të përbashkët me këtë rini, e cila me ndjenjën e saj punon për ta bërë atdheun tonë më të lulëzuar duke qenë e para në sakrifica dhe e fundit në pretendime.
Shokë gjyqtarë,
historia është dëshmitarja e ngjarjeve të shumta me heroizma të mëdha të rinisë sonë për të mbrojtur pasurinë socialiste, ka dhënë edhe jetën e saj, s’ka kodra e fusha të mos jenë larë me gjakun e rinisë sonë, s’ka vepër të mos ketë djersën e rinisë sonë, sepse partia e shoku Enver e ka edukuar me besim në të ardhmen, e gatshme t’i përgjigjet thirrjes së partisë për luftë dhe për punë pa marrë parasysh as sakrificën më supreme, por ky i pandehur nuk bën pjesë në këtë rini, për interesat personale kërkon që të përfitojë padrejtësisht në kundërshtim me normat ligjore, menjëherë bie në gjirin e armikut dhe pranon të shesë fatin e atdheut me cilindo armik e sistem shoqëror që i krijon kushte jetese parazitare”.
Gjykata e Rrethit Lushnje e përbërë nga Sotira Nako (gjyqtare) dhe Naxhi Ziu e Tafil Sulko (ndihmësgjyqtarë), së prani të prokurorit Nestor Cani, me vendimin nr. 156, datë 22.12.1976, e deklaroi fajtor të pandehurin Artur Kice për krimin e agjitacionin e propagandës dhe në bazë të nenit 73/1, e dënoi me 4 vjet heqje lirie. Nuk u aplikua konfiskimi i pasurisë. Në aplikim të nenit 46 të Kodit Penal, dënimi përfundimtar u kthye me 2 vjet heqje lirie. U la në fuqi, me vendimin nr.12, datë 13.1.1977 të Gjykatës së Lartë.
 
Aktakuza ndaj 14 vjeçarit Artur Kice
Aktakuza ndaj 14 vjeçarit Artur Kice

Hakmarrje ndaj familjes

Menjëherë pas dënimit të 15 vjeçarit, kryetar i Gjykatës së Rrethit të Lushnjës, Sofokli Papajani njoftoi Komitetin Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit, si dhe për dijeni sekretarin e parë të Komitetit të PPSH-së së Rrethit. Në fakt kjo është hakmarrje ndaj familjes. Pasi përshkruhet zhvillimi i seancën gjyqësore kundër 15 vjeçarit, gjykata jep opinionin sesi duhej vepruar ndaj prindërve të Arturit. Konkretisht, rekomandimi i kreut të gjykatës është: “Ne mendojmë të ndërhyhet nga ana juaj që të zbatohet vendimi i Këshillit Popullor të lagjes “Loni Dhamo” për largimin e prindërve të të gjykuarit Artur nga qyteti i Lushnjës. Gjithashtu kemi mendim të shikohet qëndrimi ose jo i Leonidhës dhe Lefterisë në detyrën e arsimtarit, të cilët merren me edukimin e brezit të ri sepse ata nuk edukuan djalin e tyre që u dënua me 2 vjet heqje lirie për krimin e agjitacionit dhe propagandës ndaj partisë dhe pushtetit popullor. Mendimi jonë është që të lartpërmendurit të mos ushtrojnë në të ardhmen detyrën e arsimtarit”.
.

Artur Kice dhe pasioni i tij për kitarrën
Artur Kice dhe pasioni i tij për kitarrën

Vuajtja e dënimit

Artur Kice u dërgua për të vuajtur dënimin në repartin e riedukimit nr. 315. Qëllimi i krijimit të repartit ishte vendosja e të dënuarve në moshë të re. Ky repart i krijuar në vitin 1966 në Gradishtë të Belshit, e mbylli aktivitetin e tij në Leras (Torovicë) të Lezhës. Në vitin 1976 në repart punonin 962 të dënuar, prej të cilëve vetëm 30 politikë. Personeli i burgut për ruajtjen e tyre përbëhej nga 80 persona. Të dhënat tregojnë se në vitin 1976 një pjesë e të burgosurve punonin në bujqësi në zonën e Bishtit të Jubës. Artur Kice u lirua nga burgu më 27.8.1978.
08 Dhjetor 2019

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.