back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

150 vjet në shërbim të Zotit dhe Kombit – nga Frank Shkreli

Gazeta

Stubëll 12 gusht 2023 - Kryeministri Albin Kurti midis Vllazënve Dom Lush e Ndue Gjergji në 50 vjetorin e Meshtarisë
Stubëll 12 gusht 2023 – Kryeministri Albin Kurti midis Vllazënve Dom Lush e Ndue Gjergji në 50 vjetorin e Meshtarisë

150 vjet në shërbim të Zotit dhe Kombit –

nga Frank Shkreli – Nju Jork

Urim për Dom Ndue Gjergjin, për Dom Aleksandër Kolën dhe
Dom Lush Gjergjin në 50-vjetorin e Meshtarisë

Të nderuar Dom Lush, Dom Ndue dhe Dom Aleksandër – ju falënderoj për ftesën për të marrë pjesë në meshën Shejte të Falënderimit me rastin e 50-vjetorit tuaj të madh jubilar, në shërbim të Madhit Zot, grigjës tuaj dhe Kombit shqiptar. Për fat të keq, nuk do të kam mundësi të jem i pranishëm në këtë ceremoni të rëndësishme për ju personalisht, për Dom Ndoun dhe për Dom Alekandër Kolën – por edhe për Kishën Katolike Shqiptare në Kosovë dhe për mbarë Kombin shqiptar, anë e mbanë trojeve të veta shekullore, por edhe të përhapur anë e mbanë botës.
50-vjetë – një gjysëm shekulli në shërbim të Zotit e të Kombit, me fjalë e me vepra. Me shkrime, publistikë e me botime. Me ndërtime kishash e katedralesh në diasporë përfshi këtu në Amerikë, por sidomos në Dardaninë e vjetër, atje ku ishin hedhur themelet e para të Kishës katolike – me moton për “Për Fe, Atdhe e Përparim!

Ftesa e 50 viteve te Meshtarimit
Ftesa e 50 viteve te Meshtarimit

Ju lumtë për veprimtarinë tuaj gjysëm shekullore – secilit prej jush – në shërbim të popullit tonë të vuajtur shqiptar në trojet e Dardanisë së vjetër, në Kosovën e re. Me urimin tonë nga Malësia e Madhe u them: Zoti ua rritët Pushteden të tre juve, përfaqësues të denjë të Kishës, të Kosovës e të Kombit mbarë, pa dallim feje a krahine. Qoftë me punën tuaj të pazëvendësueshme gjysëm shekullore në Kosovë, qoftë në diasporë, përfshirë komunitetin tonë të dashur shqiptaro-amerikan këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjithmonë veprimtaria juaj fetare këtu në Amerikë, në Kosovë dhe kudo tjetër, është, ka qenë dhe mbetet në dobinë shpirtërore të katolikëve shqiptarë, por jo vetëm. Sepse as veprimtaria juaj për Atdhe, traditë e vlerë e pandarë e punës së klerikëve shqiptarë gjatë shekujsh, nuk ka munguar kurrë gjatë rrugëtimit tuaj prej 50-vitesh në shërbim të Zotit dhe Kombit.
Përkundrazi, përballë goditjeve të rënda me të cilat përballen bashkatdhetarët tanë kudo në diasporë, ju përfaqësuesit e Kishës Katolike Shqiptare, me zell të flakët e pa pritesë, kini punuar në vendet e huaja kudo ku ka shqiptarë, përveç fesë – edhe për ruajtjen e pasurisë tonë etnike, identitetit kombëtar, gjuhës dhe kulturës, që kanë lenë trashëgimi të parët tanë – një pasuri kjo që falë punës tuaj na mundëson ta quajmë veten shqiptarë në këtë oqean të madh kombësh – siç e quajmë Amerikën tonë të dashur, që na ka dhënë lirinë dhe mundësitë për një jetë më të mirë dhe më të denjë, si shqiptaro-amerikanë.
Nga Amerika e largët, ju uroj të nderuar meshtarët tanë, këtë 50-vjetor të meshtarisë! Që Zoti i Madh t’u fali jetë e shëndet që të vazhdoni edhe ma gjatë në traditën shekullore të meshtarëve shqiptarë në mbrotje të vlerave Fetare dhe Kombëtare – duke predikuar fisnikërinë e fesë dhe dashurinë për Atdhe. Vlera këto për të cilat shumë klerikë shqiptarë, për fatin e keq të tyre dhe të Kombit – u detyruan të jepnin edhe jetën në mbrojtje të këtyre vlerave – nga një regjim barbar komunist sllavo-aziatik, i cili ishte përbetuar të zhdukte fenë dhe të shpallte edhe Zotin jashtë ligjit, por edhe nga ndjekjet barbare sllavo-serbe kundër klerikëve katolikë shqiptarë në Dardani dhe anë e mbanë trojeve shqiptare. Puna juaj këto 50-vite – së bashku 150-vjeçare – tregoi se sa mizorisht dështoi ai regjim anti-njerzor e anti-fetar i frymëzuar nga ideologjia komuniste sllavo-aziatike. Si një ish-seminarist, unë jam i vetdijshëm i sakrificave dhe mundimeve që kini hasur në rrugën e gjatë të veprimtarisë tuaj fetare e kombëtare, sidomos gjatë komunizmit, por edhe sot. Për këtë, kini falënderimet dhe mirënjohjen e të gjithëve.
Por me ndihmën e Zotit dhe me vullnetin e çeliktë tuajin, ju ia dolët. Veprimtaria juaj këto 150-vjete së bashku, kremtimi 50-vjeçar i meshtarisë për secilin prej jush – nuk mund të kishte ardhur në një moment më të bukur dhe më të rendësishëm historik për Kishën Katolike shqiptare në Kosovë. Por edhe për të gjithë popullin e Republikës së Kosovës dhe për mbarë Kombin shqiptar, pa dallim feje a krahine – e që është lajmi i ditëve të fundit shqiptuar nga goja e vet Papa Françeskut në intervistën me një revistë spanjolle pas vizitës së tij në Portogali javën që kaloi, se me ndihmë të Zotit ai po përgatitet të bëjë një vizitë në Kosovë – një vizitë historike. Kurorzim më të madh e më të bukur të veprimtarisë tuaj – së bashku, prej 150-vjetësh meshtari – nuk do të kishte për ju në këtë 50-vjetor të Meshtarisë, për secilin prej jush që festoni sot më 12 Gusht, 2023 në Kishën e Shën Jozefit në Stubëll të Kosovës!
Falënderoj Zotin që u kam njohur gjatë viteve. Personalisht, u jam mirënjohës për miqësinë dhe për lutjet tuaja duke ju falënderuar edhe njiherë për ftesën për të festuar me ju këtë moment të rëndësishëm për të gjithë ju, pore dhe për besimtarët katolikë dhe mbarë Kosovën.
Njëkohësisht, duke ju paraqitur edhe njëherë urimet e mia më të përzemërta – ashtuqë veprimtaria juaj e shenjtë të vazhdojë – me jetë e shnet – duke frymëzuar si gjithmonë grigjen tuaj në traditën shekullore më të mirë të klerikëve katolikë shqiptarë me binomim: Fe, Atdhe e Përparim!
Bekimet e Zotit dhe lutjet e Shën Nënë Terezës për të gjithë ju dhe për mbarë Kombin shqiptar në trojet e veta shekullore dhe të përhapur anë e mbanë botës! Ad multos Annos!
Përzemërsisht
Frank Shkreli, Nju Jork

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.