17 Gusht 1949 – Masakra e Qafës së Valmirit
nga Tanush Kaso
Duke shfletuar dokumentet arkivore.
Çfarë ndodhi në Mirditë,
në harkun kohor prej dhjetë ditësh, 7-17 Gusht 1949?
*Me një shkresë “Tepër urgjente”, të datës 07/08/1949, të firmosur nga Gjon Frroku, njoftohet Komiteti Qëndror i PPSH se “Vritet sekretari politik, shoku Bardhok Biba nga bandat e të arratisunve, në orën 16.30 të dt. 07/08/1949”.
(Kjo shkresë “Tepër urgjente” është protokolluar në KQ të PPSH, me datë11/08/49).
*Me shkresën Nr. 207/9, dt.12/08/949, të firmosur nga Sekretari i Komitetit Qëndror, Bedri Spahiu, është “…vendosur emërimi i shokut Gjon Gjonaj, Sekretar i Parë” në vend të Bardhok Bibës, “deri në zgjedhjet e reja te Komitetit”.
*Gjenerali Mehmet Shehu, si ministër i Punëve të Brendëshme, dhe gjenerali Gjin Marku, si mirditor dhe njohës i njerëzve të asaj treve, dërgohen nga Enver Hoxha në Mirditë, për të përgatitur “listat e zeza” të hakmarrjes komuniste mbi fshatarë të pafajshëm, në pamundësi për të kapur vrasësit, të cilët lanë një letër me Vendimin e “Komitetit të Maleve” dhe me emrat e tyre, pastaj u larguan jashtë shtetit.
.
*Caktohen nga dy gjeneralët personat që do të vareshin, ata që do të pushkatoheshin, të tjerët që do të burgoseshin dhe ata e ato që do të internoheshin, përfshirë dhe foshnjat e djepit.
Këto “rekomandime” iu përcollën Gjykatës Ushtarake, e cila do të zhvillonte një gjyq-farsë në Rreshën, me 16 gusht 1949.
*Me 11 gusht 1949, arrestohen fillimisht 26 mirditorë të pafajshëm, të cilët iu shtrohen torturave çnjerëzore nga xhelatët e Sigurimit.
*Me 16 gusht 1949, Gjykata e Lartë Ushtarake, e përberë nga kryetari n/kolonel Bilbil Klosi, nga anetarët Sotir Spiro e Nonda Papuli, me gradën kapitenë, si edhe nga Nd/Prokurori, major Misto Bllaci, ka dhënë në Rrëshen të Mirditës këto dënime:
1.Pjeter Ded Vila
2.Ded Gjomarkaj
3.Dod Llesh Paloka
4.Ded Marka Biba
Me varje ne litar
1.Ndrec Marka Ndoi
2.Nikoll Bardhok Bajraktari
3.Nikoll Llesh Bajraktari
4.Llesh Gjon Melyshi
5.Frrok Ndue Mata
6.Bardhok Ded Lleshi
7.Gjin Gjok Kaci
8.Preng Shkurt Nikolla
9.Gjergj Keq Beleshi
10.Ndoc Gjergj Cupi
Me pushkatim
(Të tjerët janë dënuar me afate të ndryshme burgimi)
Vendimi ka qënë i formës së prerë; pa të drejtë apelimi; pa avokatë mbrojtës; në kundërshtim të plotë me normat ndërkombëtare juridike dhe me Konventat mbi të Drejtat e Njeriut.
Të nesërmen, me 17 gusht 1949, ata janë dërguar në vend-vrasjen e Bardhok Bibës, të Qafa e Valmirit, ku janë ekzekutuar dhe janë hedhur në një gropë të përbashkët, përpara syve të qindra mirditorëve të thirrur me detyrim për ta parë atë shfaqje të tmerrshme.