back to top
1.5 C
Tirana
E premte, 27 Dhjetor, 2024

17 Janari, Ditë Lutjeje dhe Reflektimi Kombëtar nga Arbën Xhaferi

Gazeta

Arbën Xhaferri (1948-2012)
Arbën Xhaferri (1948-2012)

17 Janari,

Ditë Lutjeje dhe Reflektimi Kombëtar

 nga Arbën Xhaferi

Ka qenë sërish një kënaqë si e veçantë për mua të njihem me nismën e FDE- Forumit për Demokraci dhe Etikë, për ta shpallë 17 janarin si ditë lutjeje dhe reflektimi (përsiatjeje)… Edhe ngase tashmë ndihem nën obligimin dhe njëkohësisht kënaqësinë e të qenurit Anëtar i Këshillit të Nderit të FDE, duhet të them se kjo nismë e realizuar me sukses edhe 2 vite më parë, më intrigoi jashtë mase, ngaqë një kohë të gjatë ndjej nevojën e krijimit të një institucioni, të një shkasi që do të nxiste shqiptarin të bëjë introspeksionin, ta inspektojë vetveten, të reflektojë jo vetëm për bëmat e të tjerëve, por edhe të vetvetes. Siç dihet, kisha katolike, përmes institucionit të rrëfimit ka krijuar pretekstin që njeriu, besimtari, përmes rrëfimit ta zbulojë të ligën në vetvete dhe duke u aftësuar ta njohë atë, të fillojë të ballafaqohet me të, ta mundë atë.
Filozofët antikë, veçmas  Aristoteli, mendonin se ai që nuk e njeh të ligën është e ligë absolute, vetë djalli. Së këndejmi, njohja e së ligës është parakusht për kontrollimin, parandalimin e saj. Mosnjohja e së ligës është parakusht i legalizimit, legjitimimit dhe përfundimisht i adhurimit të saj. Shqiptarët, si kurrë më parë kanë nevojë për trajnim, për aftësim që në mënyrë sa më efikase të fillojnë ta inspektojnë vetveten, ta zbulojnë të ligën, çfarëdo forme qoftë ajo dhe mekanizmat, pretekstet që e legjitimojnë atë. Pa njohje nuk ka vetëdijësim, ndërgjegjësim që është faza e parë e relativizimit moral. Për këto fenomene kam filluar të mendoj pas informimit për përmasat titanike të rezistencës dhe të pësimit biblik të familjes së Jasharajve. Në ato momente ne nuk ishim të vetëdijshëm për aktin moral dhe atdhetar të kësaj familjeje. Fjala dëshmor, ngërthen në vete idenë e dëshmimit se beson në Zot dhe se je i gatshëm ta dëshmosh këtë duke e flijuar veten apo të afërmit.  Jasharajt, si Abrahami dikur e dëshmuan këtë, në një kontekst cinik dhe të rrezikshëm socio-politik. Kur ne filozofonim, profetizonim, belbëzonim për teoritë tona gjeostrategjike, kur plot sqimë i hurbisnim kafetë tona dhe kishim kujdes për maniret dhe kotësitë e tjera, dikush dëshmonte se besonte në qenien shqiptare, në liri, dinjitet dhe integritet individual dhe kombëtar. Ata më cinikët shkonin edhe më larg, krijonin teori që edhe këto akte prometheike i cilësonin si kotësi. Ne sot moralin, mburrjen tonë e ushqejmë nga kjo gurrë, por ka edhe të tillë që vazhdojnë të zhbëjnë çdo gjë. Kjo verbëri morale, ky nihilizëm që e vë në rrezik të tërën në emër të së pjesshmes nuk mund të parandalohet pa introspeksion, pa reflektim, pa njohje të së ligës që pastaj vetvetiu do ta impononte ndjenjën e fajit, të pendesës dhe përfundimisht nevojën për lutje.
Ky Projekt, kjo Nismë e FDE, është sa e nevojshme po aq edhe e ndijshme dhe duhet bërë çmos që të përfundojë me sukses. Individi dhe komuniteti që nuk kultivon nevojën për pendesë, nuk arrin t’i korrigjojë gabimet.
Marrë nga Gazeta “Panorama” 8 janar 2009

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.