back to top
1.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

17 maj 1941, atentati që e tronditi regjimin fashist… – nga Lutfi Alia

Gazeta

Basorelievi i atentatorit Vasil Laçi
Basorilievi i atentatorit Vasil Laçit, në rrugën e Durrësit.

17 maj 1941, atentati që e tronditi regjimin fashist…

nga Lutfi Alia

Populli shqiptar e kundërshtoi pushtimin fashist, që ditën e parë më 7 prill 1939, kur ushtria italiane shkeli në trojet tona. Rezistenca antifashiste vazhdoi duke u zgjeruar dhe instensifikuar me veprime paknaqësie, me kundërvenie, me sabotime e me atentate, që gradualisht shtoheshin duke u kulmuar me organizimin e lëvizjes së armatosur antifashiste.
Reagimet dhe revoltat kundër pushtimit të Shqipërisë nga fashistët ishin mbarëpopullore.
Kundër pushtimit fashist dhe regjimit profashist u shprehën dhe studentët shqiptarë që ndiqnin studimet jashtë vendit, grupe oficerash dhe nënoficerash në shkollat ushtarake në Itali, ashtu si dhe komuniteti i emigrantëve shqiptarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Francë, në Rumani etj.
Me këtë shkrim, po i sjell në kujtesë lexuesit disa raste reagimesh antifashiste dhe veprimesh kundër qeverisë filofashiste të Verlacit dhe të bashkëpunëtorëve të pushtuesve, që përfaqësonin dhe paradoksin shqiptar të kohës.
Asamblea Kushtetuese e regjimit fashist, më 12 prill 1939, vendosi, që Viktor Emanueli III, mbreti i Italisë dhe Perandori i Etiopisë, të shpallet mbreti i Shqipërisë.
 
Më 14 prill 1939, delegacioni i kryesuar nga Shefqet Verlaci, shkoi në Romë dhe i dorëzoi, Viktor Emanuelit III, kurorën e artë të Skënderbeut. Ky vendim nuk gjeti përkrahje në popull, që e kritikoi dhe e përqeshi këtë nënshtrim dhe servilizëm ndaj Italisë fashiste.
Kundërshtime dhe reagime për pushtimin dhe vendosjen e regjimit fashist në Shqipëri, shprehën një grup oficerash shqiptarë, që studionin në Akademinë Ushtarake të Modenës.
Më 13 maj 1939, togeri shqiptar Shahin Toçi, i cili ndiqte një kurs kualifikimi në Akademinë Ushtarake të Romës, refuzoi të betohet para flamurit italian, duke theksuar me guxim, se oficerat shqiptarë betohen vetëm para flamurit të Shqipërisë.
Me qëndrimin sfidues të patriotit Shahin Toçi, u bashkuan dhe një grup oficerësh të tjerë shqiptarë të Akademisë, të cilët nuk pranuan të rrjeshtohen në ceremoninë e betimit para flamurit italian.
Për këtë veprim të hapur antifashist, shërbimi sekret fashist, në pasditen e 25 maj 1939, ndërsa kthehej në kazermë, agjentët e fashizmit e vranë togerin trim Shahin Toçi.
Veprime proteste u shprehën dhe në shkolla të tjera ushtarake.
Kadeti Ismail Karapici, që studionte në Akademinë Ushtarake të Artilierisë dhe të Xhenios në Torino, ne bashkëpunim me disa kolegë italianë, kishte përgatitur një atentat kundër Musolinit, i cili pritej të vizitonte Akademinë. Grupi i atentatorëve u zbulua nga agjentët italianë. Gjyqi ushtarak italian e dënoi me burg dhe më pas e internuan.
Reagime dhe protesta shprehen dhe një grup kadetësh shqiptarë të shkollës të nënoficerave të Karabinierisë në Napoli.
Veprimtaritë antifashiste u përhapën gjerësisht, të shprehura nga populli me protesta dhe kundërvënie ndaj pushtuesve italianë dhe kundër qeverisë kolaboracioniste të Shefqet Verlacit.
Në mënyrë të veçantë, populli protestoi kundër emërimeve të drejtuesve të pushtetit lokal dhe prirjeve për fashistizimin e jetës, të kulturës dhe të shkollës shqiptare. Prindërit, nxënësit dhe shumë mësues nuk pranuan, që në shkolla të zbatohej përshendetja alla-romana.
Kjo atmosferë reagimesh antifashiste rritej e përhapej nga dita në ditë, duke u kulmuar më 17 maj 1941, me aktin e guximshëm të Vasil Laçit, i cili qëlloi kundër mbretit Viktor Emanueli III.
Me ftesën e kryeministrit Shefqet Verlaci, më 12 maj 1941, erdhi për vizitë në Shqipëri, mbreti Viktor Emanueli III. Vizita e mbretit përfundoi më 17 maj. Udhëtimi i korteut mbretëror për në aeroportin e Laprakës, ishte organizuar me masa të rrepta sigurimi. Në të dy anët e rrugës, nga Pallati Mbretëror deri në aeroportin e Laprakës, ishin rreshtuar ushtarët italianë, karabinierët, Garda e Financës dhe milicë shqiptarë, ndërsa pas tyre ishte pak popull dhe nxënësit e shkollave, që i kishin detyruar të dilnin për të përshendetur largimin e mbretit.
Kur makina me mbretin Viktor Emanueli III dhe kryeministrin Verlaci, arriti në krye të Rrugës së Durrësit, djaloshi Vasil Laçi, nxorri pistoletën “Berreta” dhe mbi helmetat e ushtarëve, qëlloi disa herë në drejtim të mbretit. Plumbat e pistoletës së Vasil Laçit goditën portën, një nga gomat e makinës dhe plagosën në krah kryeministrin Shefqet Verlaci.
.
Mbreti Viktor Emanueli III dhe kryeministri Shefqet Verlaci, pak minuta para atentatit Vasil Laçi.
Mbreti Viktor Emanueli III dhe kryeministri Shefqet Verlaci, pak minuta para atentatit Vasil Laçi
 
Atentati krijoi konfuzion, por korteu i makinave e vazhdoi udhëtimin, ndërsa forcat ushtarake italiane e shpërndanë popullin dhe një grup karabinierësh italianë, që ndodheshin në atë sektor të rrugës e arrestuan djaloshin guximtar Vasil Laçi.
Ky incident rrezikoi të provokonte reagimin e regjimit fashist me veprime ndëshkuese dhe masakra në popull, por ndërhyrjet e tyre u ndaluan nga vetë mbreti Viktor Emanueli III, nga Verlaci, nga Jakomoni dhe nga Kontit Ciano.
Megjithatë, në këtë situatë nuk munguan tensionet.
Disa ushtarë italianë reaguan, duke grisur flamurin shqiptar, por banorët që ndodheshin të pranishëm iu kundërpërgjigjën duke i grisur disa flamuj italianë.
Lajmi i atentatit u përhap në popull dhe shumica e vlerësoi aktin e Vasil Laçit, ndërsa për opinionin ndërkombëtar kjo ngjarje mbeti e fshehur.
Verlaci, Jakomoni dhe Konti Ciano, urdhëruan heshtje të plotë të massmediave italiane dhe shqiptare rreth kësaj ngjarje. Heshtje sa zyrtare, po aq dhe qesharake, sidomos kur Radio Tirana shpërndante lajme për pritjen madhështore që shqiptarët i bënë Mbretit Viktor Emanueli III. Shtypi italian u mbush me fotografi të vizitave të Mbretit V. Emanueli III në Tiranë.
Gazeta austriake “ëelblatt” e 18 majit 1941, botoi lajmin për vazhdimin e vizitës të mbretit Viktor Emanueli III në Mal të Zi, por nuk dha asnjë lajm për atentatin e Tiranës.
Ky “sekret”, “kjo heshtje institucionale”, kjo komedi italo-shqiptare zgjati vetëm pak ditë.
Ministri i Jashtëm i Italisë, Galeazzo Ciano, më 25 maj 1941, deklaroi se Vasil Laçi ishte një qytetar maqedon, madje me të njëjtat ngjyra e përshkruan dhe në ditarin e tij: “Një djalë 19 vjeçar, një farë Mihailoff, me origjinë greko-maqedonase, qëlloi disa herë gjatë kalimit të veturës Mbretërore.”
Edhe gazeta “Tomorri”, disa ditë më pas shkruante se atentatori ishte me origjinë greke.
Informacion më të saktë rreth atentatit të Vasil Laçit, e dha Konsulli i Përgjithshëm i Gjermanisë në Tiranë, në relacionin dërguar Ministrisë së Jashtme, të cilin e përshkruaan qartësisht studiuesi Marenglen Kasmi, në një shkrim të plotë në portalin Albspirit, gusht 2016. Një pjesë të këtij relacioni po e prezantoj në vazhdim.
.
Vasil Laçi dhe Viktor Emanueli i III
Vasil Laçi dhe Viktor Emanueli i III

.

Konsullata e Pergjithëshme Gjermane Tiranë
Tiranë më 27 maj 1941
Nr. 425/Pol. 6 kopje
Përmbajtja: Atentati ndaj mbretit të Italisë më 17 maj. Sekret!
Gazeta vendase “Tomori” e ditës së sotme botoi njoftimin e mëposhtëm, i cili duhet të jetë botuar dhe në shtypin italian: “Në të gdhirë të ditës së sotme, në oborrin e Burgut të Tiranës, sipas vendimit të gjykatës ushtarake të Forcave të Armatosura dhe në bazë të ligjeve shqiptare, u ekzekutua dënimi me vdekje i Mihajloff Vasil Laçi, me kombësi greke, i cili me 17 maj të këtij muaji, shtiu disa herë me revolver kundër autokolonës të makinave mbretërore (korteo reale), i cili ishte duke udhëtuar në drejtim të aeroportit… Gjatë marrjes në pyetje, si gjatë paraburgimit ashtu dhe në seancën e hapur gjyqësore, Mihailoff Vasil Laçi deklaroi se, ai kishte urrejtje të brendëshme ndaj anëtarëve të qeverisë shqiptare, sepse nuk ishte pritur dhe nuk ishte futur në punë prej tyre.”
“Për sqarim të publikut” gazeta shton të dhënat e mëposhtme: “Mihailoff Vasil Laçi kishte shfaqur kaherë tendenca kriminale. Ende pa mbushur 20 vjeç, ai ishte dënuar me 18 muaj burg për vjedhje. Gazeta siguron se, dënimi i dhënë në bazë të ligjeve shqiptare e ka kënaqur plotësisht popullin. Ai e pa që Mihailoff-i u dënua me drejtësi dhe ashpër. Njoftimi zyrtar dhe komentet e gazetës, lenë në gjysmë hije si per veprimin e kryer, ashtu dhe per atentatorin dhe motivet e tij.
Në fakt, ngjarja ka ndodhur kështu: Ndërkohë që Mbreti i Italisë dhe Shqipërisë pas përfundimit të vizitës së tij, më 17 maj, pas orës 2:00, po udhëtonte në drejtim të aerodromit për t’u kthyer në Itali, pranë aerodromit, një djalë i ri shtiu pesë herë në drejtim të autoveturës ku udhëtonte mbreti së bashku me kryeministrin shqiptar [Shefqet Vërlaci]. Një shqiptar dhe një karabinier iu hodhën atij dhe menjëherë i ulën dorën. Si pasojë, plumbat e fundit përfunduan në tokë. Një plumb goditi parafangon e majtë dhe një tjetër gomën e parë majtas të autoveturës. Udhëtimi drejt aerodromit vazhdoi pa ndaluar me gomën e shpuar. Mbreti u nis sipas programit, duke u ndarë me përzemërsi dhe nuk tregoi asnjë shenjë shqetësimi…
Atentatori u arrestua menjëherë. Pas ngjarjes, në gjaknxehtësi e sipër, italianët grisën disa flamuj shqiptarë (në të cilët ishte po ashtu edhe kurora e Savojës dhe sëpata e Liktorit). Në përgjigje të këtij veprimi edhe shqiptarët grisën një flamur italian, gjë që shkatoi disa arrestime.
Mëkëmbësia e Përgjithshme urdhëroi që atentati të mbahej i fshehtë për shtetet e tjera dhe që, në asnjë mënyrë, ngjarja të moskonsiderohej si një demonstrim antiitalian. Në po të njejtën ditë, përfaqësitë e huaja u lutën që hë për hë, të mos e raportonin ngjarjen. Në të njejtën kohë, atyre iu komunikuan rezultatet aktuale të hetimeve për personin, emrin dhe arsyet, që ai kishte pasur për të kryer këtë veprim. Këto të dhëna ishin njësoj me ato zyrtare dhe komentet e gazetës.
Në ditët në vazhdim pasoi njëheshtje varri.
Njoftimi i sotëm për publikun është i pari, dhe me shumë mundësi i fundit.
Gjithsesi, ky komunikim ka nevojë të plotësohet si më poshtë: Njoftimi se, seanca gjyqësore ishte publike është i gabuar. Procesi gjyqësor u zhvillua në kushte të rrepta fshehtësie. Asnjë nuk kishte dijeni për datën e zhvillimit të seancës kryesore të gjyqit.
Mesa duket, emri i atentatorit është dhënë gabim. Konsulli i Përgjithshëm bullgar me të drejtë i këshilloi italianët se “Mihailoff“ është një formë emri bullgar, që nuk përdoret nga shqiptarët ose nga grekët. Atij ju kthye përgjigjia se, atentatori kështu e kishte dhënë emrin dhe po me këtë emër kishte nënshkruar. Të njëjtat të dhëna më erdhën edhe mua, madje pa i kërkuar ato. Në bazë të informacioneve të besueshme, në të vërtetë atentatori quhet “Vasil Mihail Lika“. “Mihail“ quhet babai i tij dhe [sipas italianëve] përkon me emrin bullgar Mihailoff.
Termi “di nazionalità greca“ [kombësia greke] është zgjedhur me qëllim. Në një lexim të shpejtë, kjo të bën të mendosh se bëhet fjalë për një nënshtetas grek. Kjo nuk është e vërtetë… Po ashtu është e diskutueshme nëse atentatori ishtë grekofon. Ai vinte nga zona e bregdetit… nga ana e italianëve jepet e dhëna se, fshati Piqeras, ku atentatori kishte lindur, banohet nga shqiptarë dhe jo nga grekë. Gjuha e tij e nënës ishte në të vërtetë ajo shqipe; sipas gjasave, ai ka folur jo mirë greqisht.
Njoftimi zyrtar nuk e përmend fare Mbretin. Mesa duket, njoftimi synon të krijoi të lexuesi mendimin se, atentatori kishte qëlluar mbi ministrat shqiptarë, sepse ai besonte se ata e kishin trajtuar keq. Kësisoj, kjo ngjarje trajtohet si një çështje e brendshme. Po të njëjtit qëllim i shërben edhe përmendja e qartë e ligjeve shqiptare dhe pjesëmarrja e ministrave shqiptarë në ekzekutim.
Në kundërshtim të gjithë kësaj konstatohet se, nuk u qëllua mbi “corteo reale-n”, por vetëm mbi makinën e Mbretit. Siç tregon një dëshmitar okular i ekzekutimit, pas leximit të vendimit, atentatori e ka kundërshtuar atë me zë të lartë. Ai deklaroi se, kishte qëlluar mbi Mbretin për ta vrarë dhe këtë gjë e kishte theksuar në mënyrë të vazhdueshme gjatë gjithë procesit gjyqësor. Nëse gjatë aksionit do të kishte vrarë edhe kryeministrin shqiptar, po ashtu do të ishte gëzuar edhe për këtë gjë. Pasi dha këtë deklaratë – sipas raportit të të njëjtit dëshmitar, – ai kishte thirrur: “Poshtë Mbreti! Poshtë Duçja! Poshtë Fashizmi! Rroftë Shqipëria e Madhe e lirë!”
Kërkimet e deritanishme nuk kanë asnjë të dhënë se, atentatori ishte eksponent i një grupimi politik ose i një organizate të fshehtë. Plumbat e hedhur ishin vepra e pakuptimtë e një personi të vetëm, ndonëse atentatori ishte nën ndikimin e pakënaqësisë së përgjithshme të shqiptarëve kundër italianëve. Italianët nuk i dhanë ndonjë rëndësi të veçantë të jashtme dhe nuk bënë akuza kundër shqiptarëve. Kësisoj, ata nuk lejuan që atentatori të shndërrohej në një martir.
Nënshkruar: Pfeiffer
 
Për atentatin e Vasil Laçit, kundër mbretit Viktor Emanueli III ka shumë shkrime, por autorët e kanë trajtuar këtë ngjarje në këndvështrime të ndryshme, me mbizotërim të trajtimeve politike dhe ideologjike, shpesh dhe në kundërshtim me njeri tjetrin.
Ky veprim nuk ishte ndonjë prapaskenë ideologjike dhe nuk ishte planifikuar në grup, por ishte veprim i një personi të vetëm. Po ashtu, pas këtij akti nuk fshihej ndonjë nostalgji e fshehtë ndaj mbretit Zog, çka artikulohet në ndonjë shkrim pasionant nga filomonarkistët.
Në shumë shkrime thuhet: “Atentati i Vasil Laçit ishte fillimi i një kryengritje të madhe që po përgatitej”, por mendoj se ky opinion nuk pasqyron realitetin, pasi kryengritja në fakt kishte filluar në qershor 1940, me çetën e Myslim Pezës, e cila kishte kryer disa aksione kundër forcave italiane dhe kundër milicisë fashiste.
Gjatë vitit 1940, qëndresa dhe aksionet e armatosur kundër pushtuesve italianë u zgjeruan me aksionet e çetave të Haxhi Lleshit, Ahmet Camit, Abaz Kupit, Muharrem Bajraktarit, Murat Kaloshit, etj, të cilat në raportet e vitit 1940, të qeverisë Verlaci, dërguar Mëkëmbësit Jakomoni, trajtohen si sulme sporadike bandash të armatosura.
Prelude të kryengritjes se armatosur antifashiste që po përgatitej ishte Lufta e Pezës së Madhe, më 16 mars 1941. Protestat e vazhdueshme popullore kundër regjimit fashist, mosaprovimi dhe kundërvëniet ndaj emërimeve të drejtuesve të pushtetit lokal, reagimet kundër italianizimit dhe fashistizimit të jetës dhe të shkollës shqiptare.
Shprehje e lëvizjes antifashiste, ishte demostrata e madhe e 21 prillit 1941 në Tiranë, ku populli i kërkoi Musolinit dhe qeverisë së Verlacit që Kosova dhe Çamëria te bashkohen me shtetin Shqiptarë. Ndonëse Musolini e pushtoi Kosovën dhe një pjesë të Çamërise, territore të cilat i përfshiu brenda kufijëve administrativë të shtetit Shqiptar, në fakt nuk iu njohu të drejtën e bashkimit me Shqipërinë. Edhe qeveritë shqiptare profashiste të viteve 1939-1944, nuk kryen veprime e nuk morën vendime politike dhe ligjore, për bashkimin Kosovës dhe të Çamërisë me trojet shqiptare.
 
Demostrata popullore e 21 prillit 1941, me kërkesën për bashkimin me trojet shqiptare të Kosovës dhe të Çamërisë.
Në kundërpërgjigjie të aktiviteve të armatosura antifashiste të kryera nga patriotët shqiptarë dhe pas atentatit të Vasil Laçit kundër mbretit Viktor Emanueli III, qeveria e Verlacit, komanda e Përgjithëshme e Legjionit të Karabinerisë në Shqipëri dhe Milicia Fashiste Shqiptare, përndoqën, akuzuan, arrestuan dhe internuan me mijëra patriotë shqiptarë për veprimtari antifashiste.
Nga muaji maj 1939, deri në fund të muajit maj të vitit 1941, fashistët italiane dhe milicia Fashiste Shqiptare, kontrolluan dhe bastisën 1130 shtëpi, çuan në gjyq 21.131 shqiptarë me akuzën armiq të mbretërisë dhe për veprimtari antifashiste, internuan në kampet e përqëndrimit në Itali 5.270 persona për aktivitete antifashiste.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.