back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

1945… Me kë ishim Ne? nga Fritz Radovani

Gazeta

Fritz Radovani
Fritz Radovani

1945…  Me  kë  ishim Ne?

nga Fritz Radovani

Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë…

Jo, po: a s’desht djalli Shqipni?
Jo, po: a s’desht hasmi Shqiptarë?
Qé, pra, sot po ka Shqipni;
Qé, pra sot po ka Shqiptarë.
Jo, po: ka Shqipni, për Zotin!
Ka Shqiptarë, qi n’ qark agzotin
ta e bajnë për’i  kurrgjasend.

Poeti Kombtar At Gjergj Fishta
Poeti Kombtar At Gjergj Fishta

Shumë vite përpara kam lexue kët pjesë të nji poezie të At Gjergj Fishtës O.F.M., Poetit tonë Kombtar, me titull: “Shqipnia e lirë”, e shkrueme në vitin 1921…
Në muejn Shkurt 1945, në Jalta, u zhvillue Konferenca e njohun e “Tre të Mëdhejve”, ku u vendos edhe “Fati” i Botës së “Lirë” mbas Luftës së Dytë Botnore: nga Stalini, Rusvelti dhe Çërçilli, që njiheshin si “fitimtarë” e ndonjeni… edhe “çlirimtar”!!
Vuna të parin Stalinin, mbasi ky i mori të dy titujt at “të fitimtarit dhe të çlirimtarit” ndërsa, për né “shqiptarët” me që na solli me anën e “shokut Tito” edhe Partinë Komuniste, që sot po “ringjallet” edhe njiherë, komunistët e thërrisnin “Baba Stalin”, se kështu mësuene nga “nënat e tyne”… Mandej, për ma hollë mund ta lexoni tek libri Enverit “Me Stalinin”!
Vendimet e Jaltës, Shqiptarët nuk i patën mësue asnjiherë! Jam i sigurt se shumica e tyne nuk i di as sot. Misionet e anglo -amerikane u sollën edhe do muej në “at copë Shqipni” të viteve 1913, e pluhnosën me DDT për me mbytë morrat e “çlirimtarëve”, dhe ikën nga kishin ardhë… tue na lanë “të lirë” nën diktaturën sllavokomuniste të Titos.
Tito ishte shumë i knaqun me marrjen edhe njëherë të Trojeve Shqiptare, që Italia ua pat marrë në vitin 1941… Kështu, në Shqipninë e cungueme të 1913, ai la me qeverisë edhe njiherë si në 1925, si pat veprue Pashiqi me Zogun, anadollakun Enver Hoxha, po kët herë, me aprovimin e rusëve dhe anglo-amerikanëve, që u interesonte nji Ballkan i pushtuem nga sllavokomunizmi, i shkëputun përfundimisht nga Europa Perëndimore.
Edhe Greqia kishte pikpamje komuniste, me të cilat pajtohej Çerçilli… Ndërsa, Turqia ishte shumë e knaqun me Xhamijat në qendër të Tiranës, Prishtinës e Shkupit.
Stalini kishte realizue nji shtrimje të madhe dhe nuk i mbetej tjetër veç sllavizimi.
Ato pak Xhamija nuk i prishnin punë, mjafton që shpejt filloi lufta kundër Katolikëve!
Në Janar të vitit 1945, organizohet pushtimi i Maleve të Veriut, me luftën kundër Heroit Kelmendit Prekë Cali, dhe vrasje të 118 Burrave të Atyne krahinave, trupat e të cilëve hudhën ndër prroje e lumej… U digjen kullat dhe u plaçkiten bagëtia dhe bereqeti…
Vriten… ish oficerë, intelektualë, ish qeveritarë e malësorë të ngujuem ndër shpella.
Fillojnë arrestimet, torturat, masakrat dhe pushkatimet e Klerikëve Katolik Shqiptar!
Vrasja e Klerikëve Shqiptarë At Leonard Tagaj, Don Lazër Shantojës, Don Ndre Zadejës, Don Mark Gjanit, At Papa Pandi, dhe arrestimet e At Gegë Lumaj, At Dioniz Makajt, At Giakomo Gardin, xhakonit Gjergj Vata, Famullitarit të Shkodrës Don Mikel Koliqi, Don Nikoll Kimza… Mbrenda vitit 1945, shpata staliniane bani kërdinë kundër Katoliçizmit tek né!
Në shkurt të 1945, fillon “ideja” e Stalinit, ose ma mirë me thanë mashtrimi për “zgjedhje të lira dhe të drejtën e vetvendosjes në zonat e lirueme”, pra ishte ajo kohë kur ushtria sovjetike i kishte pushtue të gjitha ato shtete dhe Stalini, propozoi edhe “Qeveri Demokratike në të gjithë Europën Lindore, të daluna nga zgjedhjet e Lira!” Pikërisht, kur ushtria sovjetike vazhdonte marshimin dhe pushtimin e Tokave të tjera drejt Elbës.

Konferenca e Yaltes 1945 - Churchill - Roosevelt - Stalin
Konferenca e Yaltes 1945 – Churchill – Roosevelt – Stalin

Provë e mashtrimeve të Stalinit për ata “premtime” ishin zgjedhjet që po përgatiteshin në Jugosllavi, dhe në shtetin e varun prej saj në Shqipninë sllavokomuniste.
Stalini zgjodhi dy shtete që s’ishin çlirue nga ushtritë sovjetike, po influenca e tij ishte vendimtare në zgjedhjen e Titos e Enver Hoxhës, në këto “zgjedhje të lira e bolshevike”!
Stalini, jo vetëm, s’lejoi zgjedhje të lira, po edhe e përforcoi pozitën e partive komuniste në të gjitha shtetet ku kishte kjoftë edhe vetëm nji ushtar sovjetik, ndërsa, nga pikpamja e tyne “demokratike”, ata ishin dhe mbetën deri ditën e fundit “parti staliniste”!!
Eksperimentet e Fuqive të Mëdha gjithmonë zbatohen ndër shtete të vogla. Mandej, ata aplikohen ndër shtete ma të mëdha derisa arrihet edhe skllavizimi i Popujve të tyne.
Shqipnia asht shteti i parë që vetizolohet dhe shkëputet nga Europa Perëndimore.
Të gjitha ata veprime të vitit 1945 në Tiranë, udhëzohen dhe zbatohen nga konsulentët e kudondodhun të shtetit jugosllav komunist, që drejtohej nga “bolsheviku” Tito.
Me datën 21 Prill 1945, pabesia e qeverisë komuniste të Tiranës fillon me “marrdhanjet e mira me Vatikanin”. Para se të shkonte në Romë Delegati Apostolik Imzot Leone G. B. De Nigris, qeveria e re shqiptare i njofton se “mardhanjet me Vatikanin do të jenë të mira, dhe se Kisha Katolike në Shqipëri do të ketë liri të plotë.” Në fillim të muejt Maji 1945, Imz. De Nigris vjen në Tiranë, dhe nuk lejohet me shkue në Shkodër. Detyrohet me qëndrue në hotel “Dajti” në Tiranë, ku takohet me Don Tomë Lacën dhe Don Mark Hasin, len porositë e veta, ngarkon me detyrën e Regjentit të Delegacionit Apostolik në Shqipni Imzot Frano Gjinin, dhe largohet në afatin e caktuem nga qeveria e Tiranës.
Me 24 Maji 1945, qeveria e Tiranës njofton Vatikanin se Imz. De Nigris nuk mund të vijë në Shqipni, si “persona non gratta” dhe se “Delegati duhet të jetë Shqiptar…”
Kjo sjellje e Enver Hoxhës, ishte një garanci për qeverisje antikatolike për Jugosllavinë.
Mardhanjet me Vatikanin u prenë përfundimisht, deri në vitin 1991, kur në Shqipni erdhi At Pietro Maione dhe me 21 Mars 1991, zv. Ministri Imz. Klaudio Çeli, i cili vizitoi edhe Shkodrën, po në mënyrë të veçantë Ai më ka shpreh sigurinë e fitores të BSPSh Shkodër.
Me datë 7 Shtator 1991, Shqipnia dhe Vatikani rivendosin mardhanje diplomatike në nivel Ambasadash. Vizita e Papës Gjon Pali II dhe Nanë Terezës me 25 Prill 1993, ishte një valvitje e Lirë e Flamurit Gjergj Kastriotit, për herë të Parë mbas vitit 1468…
Veprimet e ngjashme të qeverisë së Edi Ramës në 2015, ngjajnë me “nji Parathanie” të përsëritjes së shumë veprave antishqiptare dhe antieuropiane të 70 vjetëve përpara!
Mos të harroj…
A e dini si mbyllet ajo poezia e citueme ma nalt:

Por, po ndodhi se vjen dita,
Qi me faj Shqipnin e darni,
Qi e Lirisë u erret drita
Edhe me t’huej Atdhéun e mvarni
A për pare a marri tjera,
Si ndër kohë, qi shkuen, atëhera,
U marroftë i Madhi Zot!
Melbourne Tetor 2015.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.