2 Korrik 1990 – 2 Korrik 2020 30 vite midis
Nga Murit i Ambasadave në Shqipëri
te Kushtetuta e Kaçanikut në Kosovë
Revolucioni i Ambasadave, 30 vjet më parë… nga Mira Dine
Në ambasadën gjermane ato ditë lindi një bebe djalë… Këto ditë ai mbush 30 vjet…
I jati i vuri emrin e doktorit të ambasadës a të atij që ofron ndihmën…
Aty hynë dhe nja tre katër djem minorenë, që sekretari i ambasadës u thoshte: “Ju duhet të merrni miratimin e prindërve. Ne nuk ju marrim dot në Gjermani…! Shkoni në shtëpi! A nuk keni mall për prindët?! U bë një javë pa i parë…
Ata me thonin, thuaj ne duam të shkojmë në Gjermani dhe nuk jemi fëmijë…!
Unë përktheja dhe sekretari tundte kokën dhe thoshte… nga e kanë gjithë këtë këmbëngulje…
U bënë disa herë, të tilla biseda, po ata nuk dolën e nuk dolën….
Sa do doja të dija ç’u bë më ato djem aq të pjekur për moshën e vet…
.
30 vite nga kuvendi i Republikës Kosovës! nga Ahmet Hasani
Dy Korriku 1990, është dita kur delegatët e Kuvendit të Kosovës me anë të Deklaratës Kushtetuese shpallën Kosovën Republikë! Kjo Deklaratë e deputetëve të Kuvendit të Kosovës u bazua në Kushtetutën e vitit 1974, e cila Kosovën e njihte si njësi te barabartê Federative! 2 korriku de fakto është data e lindjes së Republikës së Kosovës!
Deklarata e 2 korrikut 1990, erdhi në mënyrë evolutive e përkrahur nga i gjithë populli i Kosovës dhe Lideri demokrat Dr. Ibrahim Rugova! Kjo Deklaratë legjitime dhe demokratike për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës nuk u pranua dhe hapur u kundërshtua nga politika shoveniste e shtetit te Serbisë dhe nga e gjithë internacionalja komuniste.
Dy Korriku dhe 7 Shtatori, janë dy data të dy Kuvendeve me rëndësi historike, që krijuan bazën e organizimit dhe përkrahjes ndërkombëtare nga NATO-ja, SHBA-të, Anglia dhe shumë shtete tjera demokratike perëndimore, për çlirimin e Kosovës nga zgjedha shekullore serbe!
.
Rënia e Murit të Ambasadave nga Kujto. al
Prej qershorit kishin nisur të kapërceheshin muret e ambasadave në Tiranë nga grupe të vogla njerëzish. Mbas rastit të izoluar të familjes Popa, që hynë në Ambasadën Italiane në dhjetor të vitit 1985, katër vjet e gjysmë më vonë, gjatë të cilave kishin ndodhur ndryshime të rëndësishme politike në Evropën Lindore, ndërsa Shqipëria ende jetonte nën diktaturë, hyrja në ambasada nisi të kthehej në një lëvizje më masive në Tiranë.
Në datën 2 korrik ndodh një ngjarje emblematike. Një kamion përplas dhe rrëzon murin e Ambasadës Gjermane. Kamionin “Skoda” me plot 36 veta e ngiste shoferi Ylli Bodinaku. Në rimorkio kishte edhe një qengj a dele, që mesa duket e kishin marrë me vete, për të mos iu “rënduar” ambasadës.
Nuk kërkonin ushqim, edhe pse edhe atë shqiptarët e kishin pasur të paktë, por liri!
.
Korriku historik i 1990-s nga Bit Gecaj
2 Korriku i vitit 1990 është gurthemeli Pavarësisë së Kosovës, – i asaj që u njoh ndërkombtarisht me 17 shkurt 2008!
Megjithëse Kosova aktualisht gjendet në një ndër krizat më serioze politike, që nga themelimi i shtetësisë së saj, ky përvjetor i historise sonë nacionale, shënon fillet e një kthese vetëdijësimi e veprimi nacional të shqiptarëve!
2 Korriku i vitit 1990, është më shumë se një çerek-shekulli përpjekjesh të parreshtura formësimi e përkushtimi për liri e mëvetësi të Kosovës, dhe kjo është date që duhet të na rrisë krenarinë dhe përkushtimin për Atdheun tonë të dashur, Kosovën!
Bekuar qoftë Kosova dhe populli i saj; Bekuar qofshin SHBA-e dhe shtetet mike dhe ato të BE-e, që Kosovës dhe popullit të saj i janë gjendur dhe po i rrinë afër, në rrugën e vështirë të shtetndërtimit, e fuqizimit të saj të përgjithshëm!
.
Mesazhi i qartë i 2 korrikut të 1990 Adriatik R. Dosti
Ndaj dhe ai 2 korrik i 30 viteve me parë mbeti thjesht një shkëndijë shprese dhe vetëm kaq!
Sikur mesazhi i qartë i 2 korrikut të 1990 që dhanë ata shqiptarë trima të asaj ngjarje të jashtëzakonëshme per kohen e qe tronditi një botë të tërë të ishte kuptuar e lexuar ashtu siç duhej, sot Shqipëria e shqiptarët me siguri absolute nuk do të ishin katandisur në këtë farë derexheje të sotme…
Respekt e mirënjohje shqiptarëve trima të 2 korrikut dhe zoti i bekoftë ata dhe familjet e tyre kudo që janë… Dhe mallkim për ata që e kanë kthyer Shqipërinë e sotme as më shume e as më pak, por krejtësisht të njëjte si ajo e para 2 korrikut të 1990!
.
Cdo deputet i 2 korrikut 1990 – Hero i Kosovës! Nexhmi Graca
As edhe një fotografi e vetme në Hollin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, si fotografi historike, si fotografi e guximit për Kosovën Republikë.
Secili deputet i 2 korrikut 1990 është Hero i Kosovës!
Secili deputet duhej të këtë foton dhe emrin mu në muret apo Hollet e Kuvendit. Por ne e fshijmë historinë tonë… ne e harrojmë… Ne nuk jemi falenderues për ata që bënë këtë akt historik…
.
Ambasada Gjermane 30 vjet më parë… nga Ilira Gjylapi
Ku jemi? Asgjëkundi! Çfarë bëmë? Asgjë… U kthyem të izoluar si 30 vjet më parë!?
.
2 korrik 1990, rrëzuam murin tonë të Berlinit! Rovena Xhori
Pas shumë negociatash, por edhe presioneve, shqiptarët u pajisën me pasaporta dhe u larguan për herë të parë nga trungu mëmë. Kam qënë 9 vjeçe atëhere dhe ishim për pushime në Durres. Na çuan lajm që janë hapur ambasadat dhe se xhaxhai im i vogël, ishte futur në Ambasadën franceze me shprese të largohet. U kthyem urgjentisht në Tiranë. Gjyshja qante dhe përgjëronte tim atë të shkonte t’i fliste të kthehej. Kishte frikë se do i kapnin pa ikur dhe do i dënonin rëndë. Babi shkoi, por u kthye pa të. Natën e 12 korrikut, përfundimisht 5200 refugjatët e ambasadave u nisën me autobuzë drejt portit të Durrësit. Kolona e autobuzëve kalonte mes kordonit të forcave të rendit. Pas tyre mijëra qytetarë u jepnin lamtumirën dhe bekimet. Qysh atëhere do të takoheshin rrallë ndonjë verë, ose ndonjë vit të ri.
Sot… Nuk e di sa të tjerë do të iknin po t’u jepej sërish mundësia e ambasadave, di të them që mërgimi vazhdon të mbetet ëndërr në sirtar për shumë bashkëmoshatarë të mi. Uroj sa më pak përvjetore të tilla!
.
Gëzuar 2 Korrikun, Republika e Kosovës! nga Liridon Disha
Atë kohë i thoja Çakanik… por ku ta dija unë i gjori se në Kaçanik më 2 Korrik do shpalleshte ideja e mëvetësimit të Kosovës. E mbaj mend që atëherë kishte ca shqiptarë ‘të ndershëm’ që e prezentonin kombin shqiptar në parlamentin sërb. I zgjidhte me kujdes Millosheviqi. I tillë ishte edhe Rahman Morina (me nder me thanë). Të tillë ka edhe sot.
Por, të mos e kontaminojmë këtë foto historike, ku burrat e gratë më të mira të nënqiellit të Kosovës u mblodhën bashkë për ta hedhë idenë e Pavarësisë së Kosovës. Edhe kjo gjë atëherë ishte ëndërr, por me përpjekje, sinqeritet e shumë sakrifica u bë realitet!
Gëzuar 2 Korrikun, Republika e Kosovës!
.
2korrik 1990 – 2 korrik 2020. Adriana Simoni Neti
Çfarë ndryshoi?
Asgjë… Ata që i hapën dikur, i mbyllën nga “covid” sot dhe i mbajnë dyert e mbyllura, të dyllosura mirë sigurisht…
Europa ka të “përkëdhelurit” e vet, dhe të “përbuzurit” e vet…
.
2 korrik 2020… nga Xhafer Sadiku
Përsëri në krye kemi tiranët… që na “ruajnë” lirinë si 30 vite më parë.
Përsëri fatin e shqiptarëve e kanë në dorë pinjollët e banditëve të PPSH e të Sigurimit …
Por, jo më në pozitat e sekretarëve të parë dhe as të kryetarëve të degëve… që betoheshin “për ideal”.
Tashmë ideali i pinjollëve është timoni, tepsia, kazani e kusia…
Dhe përsëri si 30 vjet më parë: shqiptarët rrugëve të botës…
.
Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990 nga Rexhep Kastrati
Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990 nuk është as shpallje e Republikës, as e pavarësisë! Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990 është dokumenti juridiko-politik që Kosovën e shpalli etnitet të veçantë vetëm si Kosovë! Republikë, Kosova është shpallë më 7 shtator 1990, kurse pavarësia është bërë përcaktim kushtetues pas referndumit të mbajtur nga 26 deri 30 shtatori 1991! Ndërmjet mohimit dhe devalvimit të vlerës historike të Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990, e hiporbolizimit të saj, është e vërteta!