back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

2 Korriku 1990 – Thoma Plasoti: E vetmja rrugë për të shpëtuar qe ikja…

Gazeta

Thoma Plasoti
Thoma Plasoti

2 Korrik 1990 – Thoma Plasoti (Interviste me Dojçe Welle)

E vetmja rrugë për t’i shpëtuar atij regjimi,

ishte largimi në një shtet perëndimor!

Thoma Koço Plasoti ishte nji nga 21 djemtë dhe vajzat e Savrës që hynë në Ambasada e Huaja me 2 korrik 1990… Sot jeton në qytetin e Hejdelbergut…
Me Hapjen e Ambasadave nga Kampi i Savrës u larguan 21 djem e vajza këta ishin: (Në Ambasadën Italiane: Arben G, Luan Ç, Zef V, Nasibe N, Fatmir B; Në Ambasadën Gjermane: Aarjan Ç, Alush P, Ferdinand L, Thoma P, Bislim H, Shpëtim J, Teuta S, Alfred S; në Ambasadën Turke: Bashkim S, Markela, S. Alfred S, Parid D, Astrit S, Në Ambasadën Franceze: Henrik Gj, Genc Gj) Mund të ketë edhe të tjerë të cilët unë s’i kujtoj… Mund të shtoj se nji djalë e një vajzë (Baftjar N. dhe Baftije N.) u arrestuan mbasi u kapën në nji nga postblloqet e rrugës Lushnje-Tiranë dhe u dënuan me një vit burg secili….

Intervistë me Thoma Plasotin, një nga 3199 shqiptarët që zgjodhi futjen në Ambasadën Gjermane si rrugëdaljen për t’iu larguar regjimit komunist.
Jeta në një kamp internimi ishte e vështirë dhe e izoluar.

DW: Zoti Plasoti ju jeni larguar nga Shqipëria në vitin 1990, duke hyrë në ambasadën gjermane? Ishit i vendosur kohë më parë të largoheshit nga Shqipëria, apo ndodhi rastësisht? Plasoti: Po, me thënë të drejtën isha i vendosur për t’u larguar nga Shqipëria, pasi jetoja në një kamp internimi në Savër të Lushnjës, ku jeta ishte tepër e vështirë dhe e izoluar dhe e vetmja shpresë për ne ishte t’i largohesha atij regjimi duke shkuar në një shtet perëndimor. Duke ndjekur përditë lajmet tek italiani, kuptohet fshehurazi, sepse ishte e ndaluar, dëgjova për trazirat, që ndodhën në Tiranë dhe dyndjen nëpër ambasada. Kështu mendova se kjo ishte shpresa ime e fundit për t’u larguar që andej dhe u nisa drejt Tiranës, por jo me synimin për në ndonjë ambasadë të veçantë, e sidomos atë gjermane. As kisha menduar nëse ishte gjermane apo italiane. Rëndësi kishte që unë të dilja nga Shqipëria.

Thoma Plasoti - Savër 1988
Thoma Plasoti – Savër 1988

DW: Si ndodhi që hytë pikërisht në ambasadën gjermane? Plasoti: Ishte një rastësi. Rreth orës pesë të mëngjezit, duke lëvizuar me dy të njohurit e mi nëpër Tiranë pamë që kishte lëvizje të Gaz-eve të Degës dhe të ushtrisë. Gjithçka ishte e frikshme, nuk dinim ç’ndodhte. Papritur u ndodha aty diku afër ambasadës gjermane dhe u thashë atyre, nqs keni dëshirë mund të vini. Unë po iki. Ata nuk dëgjuan, unë vazhdova rrugën time dhe kështu që pata fatin dhe hyra në ambasadën gjermane.
DW: Sa e vështirë ishte hyrja në ambasadë? Plasoti: Me sa di unë në ambasadën gjermane njerëzit kanë hyrë disa ditë rresht. Ju hytë në ditët e para, apo më vonë dhe e patët më të lehtë? Plasoti: Mos gaboj unë kam hyrë me datën pesë korrik.
Hyrja në ambasadë qe e vështirë. Në atë kohë, kur hyra unë, jo vetëm që dera nuk ishte e hapur dhe njerzit hidheshin nga muri, por edhe sigurimi i kontrollonte njerëzit që në stacion të trenit dhe i pyeste se për ku ishin nisur, siç dëgjuam më vonë, shumë njerëz i kishte bllokuar rrugës dhe kthyer mbrapsht. Unë pata fat që i shpëtova kontrollit.
DW: Ato qenë ditë të vështira, tensioni ndjehej kudo në ajër. Policia dhe Sigurimi kishin ashpërsuar kontrollet. Sa e ndjenit ju rrezikun? Plasoti: Unë ndjeja mjaft rrezik për vetë pozicionin tim, për vetë kushtet e mia, nga isha nisur, ishte shumë e rrezikshme.
DW: Ju kishit edhe prindërit edhe dy motra. A mendonit për ta? A kishit biseduar me ta më parë për këtë hap, që do të bënit? Plasoti: Absolutisht jo. As e kisha menduar dhe as i kisha treguar njeriu. Bile shumë të njohurit dhe të afërmit e mi qenë mërzitur pse unë nuk u kisha treguar, por unë nuk kisha shumë besim për të organizuar një nisje drejt Tiranës me një grup njerëzish, pasi frika ishte mjaft e madhe.
DW: Nuk mendonit se mund t’i dëmtonit ato, apo mendonit se Shqipëria do të hapej dhe nuk do te kishte më arsye për të patur frikë? Plasoti: Pikërisht kjo ishte. Duke parë edhe ngjarjet në Rumani, me atë që ndodhi atëherë, pritej që shteti i fundit i kampit komunist që ishte Shqipëria të ndryshonte. Diçka edhe këtu do të ndodhte dhe mendova të paktën ajo, që kishin ndodhur përpara për tentative arratisje apo gjëra të tjera nuk besoja se mund t’i ndodhte përsëri familjes sime, kjo edhe për arsyen se tashmë ishin një turmë e madhe njerëzish, që kishin hyrë në ambasada. Duhej që gjysma e Shqipërisë, të persekutoheshin përsëri, dhe kjo më jepte një farë shprese se nuk do të kishte ndonjë raprezalje. Kjo më bëri që të nisem vetëm pa marrë asnjëri tjetër, që nëqoftëse do të ndodhte diçka të isha unë vetë ai që do të paguaja dhe jo të tjerët.

Ambasada Gjermane Korrik 90
Ambasada Gjermane Korrik 90

DW: Çfarë ndodhi pastaj? Plasoti: Duke hyrë në territorin e ambasadës gjermane vetëkuptohet se isha në tokën gjermane. U ndjeva i lirë për momentin. Aty një ditë më vonë na u komunikua nga autoritetet e ambasadës se do të bëhej çdo gjë e mundur që ne të largoheshim drejt shtetit gjerman. Kjo do të sigurohej përmes bashkëpunimit të shtetit gjerman me UNO-n dhe kjo na dha një farë ngrohje, njëfarë sigurie që ne do të largoheshim. Për atë javë ne ndejtëm rreth 3000 vetë bashkë, me siguri nuk i numërova, por qe një turmë e madhe njerzish. Sigurisht kemi fjetur jashtë dhe në kushte jo dhe aq të mira. Megjithëse personeli bëri ç’ishte e mundur për të krijuar një ambjent sa më të përshtatshëm për ne. Pas 7 ditësh u organizua nisja përmes ambasadës gjermane dhe UNO-s dhe ne u transferuan me autobuza, të shoqëruar nga makinat e UNO-s. Dy makina ishin përpara dhe dy prapa. Me aq sa shihnim në errësirë nga autobuzi. Ky udhëtim u bë natën dhe kuptohet u larguam të gjithë prej andej.
DW: Çfarë ndjetë pasi dolët nga ambasada, kishit frikë se mund t’ju ndodhte diçka? Plasoti: Frikë s’mund të them se kisha. Ne ishim të shoqëruar nga forcat e UNO-s, me dy makina përpara kolonës së autobuzave dhe dy makina mbrapa. Por një farë ankthi e kishim, se si do na shkonte rruga.

Thoma Plasoti - Saver
Thoma Plasoti – Saver

Fillimi është gjithmonë i vështirë

DW: Si e përjetuat fillimisht jetën në Gjermani. Çfarë vështirësish patët? Plasoti: Po fillimi është kudo i vështirë. Me thënë të drejtën, që kishim dalë prej atij vendi, ishim në Europën perëndimore, ishim të lirë, por prapë vështirësitë ishin të mëdha. Si fillim ishte problem gjuha. Unë iu futa me vullnet kurseve të gjuhës gjermane, si hap i domosdoshëm për t’u integruar në jetën gjermane. Vështirësi ishte edhe mënyra e jetesës. Në fillim flinim katër-pesë persona në një dhomë, por synimi im ishte që dikur të komunikoja me gjuhën gjermane dhe pasi të kisha arritur një nivel aq sa mendoja të komunikoja e të gjeja një vend pune dhe një banesë dhe të jetoja i qetë me planet e mia për të ardhmen.
DW: Zgjati shumë derisa e realizuat këtë? Plasoti: Nja tre vjet po. Tre vjetët e para ishin tepër tepër të vështira, derisa arritëm gjuhën, që ishte e vështirë, pastaj kërkimin e vendit të punës, kërkim banese, por pas tre vjetësh filloi çdo gjë të ecte ashtu siç kisha unë kisha dëshiruar.
DW: Si ju ndihmuan autoritetet gjermane? Plasoti: Të them të drejtën jam i kënaqur me gjithçka që na është ofruar. Përsa i përket kurseve kanë qenë të ofruara nga shteti gjerman unë kam ndjekur një kurs të tillë, ishte ditën, por pas një periudhe prej gjashtë shtatë-muajsh unë gjeta një vend pune, kështu që e ndërpreva atë kurs, duke e vazhduar vetëm pasditeve me shpenzimet e mia.
DW: Çfarë ka sjellë në jetën tuaj Gjermania. Plasoti: Eshtë një vend tjetër dhe jeta merr gjithsesi një drejtim dhe zhvillim tjetër nga zhvillimi do të kishte marrë në Shqipëri? Plasoti: Mund të them se ndryshimi për mua ka qenë shumë pozitiv. Përveç gjuhës që mësova, mbarova edhe një shkollë profesionale, u integrova në jetën gjermane. Kishte shumë gjëra, që ne nuk i njihnim. Mënyra e të jetuarit, mënyra e të qenit shtet demokratik, shtet i lirë, mënyra e komunikimit me autoritetet, zyrat civile. Eshtë diçka që kur e kujtoj sot them, ku ishim dhe ku jemi. Ndryshime si nata me ditën për mendimin tim. Ishte diçka që ma ndryshoi komplet mënyrën e të sjellurit, të edukatës, gjëra që njeriu e merr këtu përditë.

Qyteti i Heidelbergut
Qyteti i Heidelbergut

DW: A i ruani lidhjet me vendlindjen? Plasoti: Lidhjet me vendlindjen natyrisht që i mbaj, pasi kemi edhe njerëzit tanë të afërt atje dhe shkojmë pothuajse çdo vit. Jeta ime përmes dy vendeve vazhdon të jetë e lidhur edhe përmes medias dhe televizorit, ku ndjek gjithmonë ndryshimet, që ndodhin atje. Dëshira jonë si shqiptarë është që edhe shteti ynë të integrohet dikur në komunitetin europian. Dhe kështu jemi të interesuar për gjithçka, që ndodh dhe ta ndjekim pak a shumë nga afër dhe të shikojmë çfarë ecën atje dhe si është ndryshimi i atjeshëm me këtu, duke llogaritur që ne jetojmë këtu pjesën më të madhe të kohës.
DW: Kaloni kohë të gjatë në Shqipëri? Plasoti: Të them të drejtën jo shumë gjatë, pak a shumë një javë thuajse çdo vit.
Intervistoi: Angjelina Verbica
Marrë nga Dojçe Wele  08.07.2010 (http://www.dw.de)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.