back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

2 prill 1991 – 2 prill 2016 – 25 vitet e nji krimi të pandëshkuar – Opinione

Gazeta

Shkoder, Prill 1991
Shkoder, Prill 1991

2 prill 1991 – 2 prill 2016

25 vitet e nji krimi të pandëshkuar

Opinione nga Urim Gjata, Gjergj Jozef Kola,
Arben Qevjani, Luvigj Sterbyci, Cezar Ndreu
dhe nji shkrim nga Profesor Romeo Gurakuqi…

***

Mos harro, sot është 2 Prill!
“Ishte një ndëshkim për anti-komunizmin e Shkodrës, i urdhëruar nga Tirana”.
2 Prilli – Dita kur diktatura, si bishë e tërbuar, e plagosur, në pragfundin e saj, mizorish mori jetë shqiptarësh.
Mos harro, Sot është 2 Prill.
(Urim Gjata)

Shkoder, 2 prill 1991
Shkoder, 2 prill 1991

***

Si sot, 25 vjet ma parë…
Ishin këto vajza gjimnaziste të dy gjimnazeve të qytetit që dolën në rrugë, spontanisht kundra diktaturës. Unë besoj hala sot se ishte andrra e këtyne gjimnazisteve që e rrëzoi përfundimisht diktaturën në Shkodrën e 2 Prillit 1991…
Ata u kërcënuen, u gjuejtën, u plagosën nga diktatura e proletariatit, porse andrra e tyne fitoi. Nji nga këto vajza asht simbol i asaj dite Marsida Bruceti, e cila falë nji engjulli mbrojtës i mbijetoi goditjeve të diktaturës.
Nderim brezave të këtyne viteve historike, të këtyne vajzave adoleshente që sot janë Nana shembullore të shpërndame nëpër botë e nëpër Shqipni. Unë besoj se ato hala vazhdojnë me andrrue për nji Shqipni demokratike perëndimore, për të cilën ato, nji ditë në lulen e rinisë ishin gati me flijue jetën e tyne.
Tash 25 vjet prej asaj dite askush nuk ka dalë ma shesheve për liri dhe demokraci dhe kultura e protestës asht mbytë me iluzione politike. Tash 25 vjet asnji film, asnji dramë, asnji vepër artistike për këto gjimnaziste që pagëzuen Shkodrën dhe Shqipninë për nji epoke të re perëndimore.
Uroj që ky refleskion të mos mbetet nji lule e vetme e pranverës.
(Gjergj Jozef Kola)

Gjimnaziste shkodrane, 2 prill 1991...
Gjimnaziste shkodrane, 2 prill 1991…

***

2 prill 1991! 
Katër dëshmorë të demokracisë, apo katër shqiptarë që shkelën vijën e kuqe të “Katovicës” ramiziane?!
Përse i kujtoj “Katovicën” apo vijën e kuqe që duhet të kapërcejmë?!
Atëhere jo çdokush e dinte dhe e kuptonte “Katovicën” dhe vijën e kuqe që s’duhej kapërcyer!!
Arben Broci e njohu dhe e kundërshtoi i pari “Katovicën” kaloi i pari “vijën e kuqe” për të qenë edhe i ndëshkuari i parë i saj me humbjen e jetës!!
Sot, më shumë se kurrë duhet ta kujtojmë atë ditë për të vrarë frikën, për ta zhbërë njëherë e mirë “Katovicën” dhe “vijen e kuqe” të saj!!!
(Arben Qevjani)

Heronjtë e 2 prillit 1991
Heronjtë e 2 prillit 1991

***

Këtu e 25 vjet ma parë, ishim në shesh për të kërkue liri e demokraci… Duelme për të mbrojte votën që Kishim hjedhë për Partinë Demokratike. Klika në pushtet që kërkonte ta na e vidhte… janë po këta që sot janë në pushtet!
Arma jonë ishte dy gishtat nalt duke kërkue liri demokraci!
Falë zotit që jam gjallë se unë e shumë tjerë do ishim këtu në këtë foto të vrarë nga dora kriminale e pushtetarëve të kohes diktaturës komuniste!
 Gjaksi jonë ishte me pushtet, athere, asht edhe sot në Parlament.
 E ka emrin Gramoz Ruçi! Kur e pa që djemtë shkodranë po mblidheshin në shesh e turma po shtohej, toka nën kambe po ju dridhej dha urdhën duke thanë: “Qëlloni, bëjauni Nënat me plumba ballit…!” Këto kanë qenë fjalët e fundit të Gramozit të dala nga goja e tij e të dëgjuara nëpërmjet valve të radiove që kishin policët civila nëpër xhepa në mes të turmes dhe… pushka kërsiti.
 Pra vrasësit e këtyre djemve shkodranë janë edhe sot në Parlament!!!
(Luvigj Sterbyci)

2 Prill 1991... Shkodra e pergjakun...
2 Prill 1991… Shkodra e pergjakun…

***

2 Prill!
Për 25 vjet, frytet e Liri -Demokracisë i përfituan pikërisht ata që ishin kundër V-së (Victoria)… pikërisht ata që dikur qëllonin me plumba sot janë predikuesit më “energjikë” të lirive dhe të drejtave demokratike!!!!
Dikur na mësuan Marksizëm-Leninizmin… Sot… janë njerzit më të pushtetshëm dhe më të kamur të botës shqiptare!!
Njerzit nga të cilët varet jeta, ekonomia dhe demokracia e rrënuar shqiptare!
Paradokse ngado!!
(Cezar Ndreu)

Vajtimi i Heronjve te 2 Prillit 1991
Vajtimi i Heronjve te 2 Prillit 1991

Mos harroni këto djem të thjeshtë të qytetit tim!
Mos harroni edhe dhjetra tjerë që shpëtuan nga goditjet e pamëshirshme të urdheruara nga Komiteti Qendror i PPSH, përmes linjës së transmetimit të komandës, respektivisht gojës së Ministrit të Brendshëm të asaj kohe.
Mos harroni po ashtu masën e “Protestuesit të Panjohur” të Shkodrës, që ishte në Shesh atë ditë, e ditë të tjera, para dhe pas kësaj date;
Mos harroni se ata ishin aty për një jetë në liri, qytetarë të thjeshtë, bindjesh të ndryshme, edhe të majta, por të gjithë të bashkuar për të ndryshuar Sistemin e Marrëzisë së Kuqe, dhe për të ndërtuar një Demokraci për të Gjithë, ku askush më nuk do të persekutohej, përfshirë edhe vetë ata që verbërisht dhe pa dije i përkrahnin.
Sot, 25 vite më pas, me dhimbje duhet te themi që ata që goditen djemtë dhe vajzat e Shkodrës, ata që urdhëruan dhe transmetuan urdhërat për vrasjet në kufi, janë në pushtet, urdhërojnë dhe drejtojnë institute dhe grupe të parlamentarizmit, përfaqësojnë diplomacinë shqiptare jashtë vendit, drejtojnë doganat, ndodhen në pikat themelore të drejtimit të Shtetit, persekutojnë gjithë familjen e kryengritjes demokratike, kanë krijuar një shtet që bazohet në një Kupolë të ngushtë të ish kastës që u përmbys me 2 prill 1991, në Shkodër, të shoqëruar me segmente të kapitalit të madh të ndërtuar në rrugë informale dhe me krimin e organizuar.
Me dhimbje mund të themi se ideali i demokracisë dhe konstitucionalizmit shqiptar që ka lindë këtu në Shkodër, 103 vite ma parë, rilindë po këtu, me 14 janar 1990, 11 dhe 14 nëntor 1990, 2 prill 1991, transferuar gradualisht më pas në të gjithë Shqipërinë, sot është i shtrembëruar, i dhunuar dhe i kompromentuar.
Pesha kryesore për këtë deformim nuk do të duhet kërkuar vetëm në vitin 2016, por para se gjithash në vitin 1992: në papërgjegjshmërinë më të cilën u ndërtuar Sistemi i Ri, dhe mënyrën se si u konceptua Demokracia, mënyrën se si u artikulua Liria, respektimi i Shtetit të së Drejtës, Ndarja e Pushteteve, Cilësia intelektuale e përfaqësisë, vendosja e drejtimit politik mbi parime demokratike dhe të ekspertizës politike.
Kësisoj sot, 25 vite më pas, të drejtë për të përkujtuar kanë vetëm qytetarët dhe brezi i ri i politikanëve që nuk janë kompromentuar me rrënimin e idealeve të lirisë, së Brocit, Cekës, Bishanakut, Kryeziut, Monajkës, të djemve dhe vajzave që u plagosën, të Moranës dhe të Protestuesve të Panjohur shkodranë”. Brezi i Ri Idealist i Opozitës duhet të protestojnë për dy gjëra:
Së Pari: Kundra riciklimit të kompromentuesve të idealeve të lirisë, hipokriteve që bënë kauzë të përbashkët me ithtarët e Enver Hoxhës, duke trathëtuar Lirinë e Shqiptarëve; kundër atyre që i imponuan Shkodrës, një përfaqësi sistematike të pilotuar dhe të kontrolluar;
Së Dyti: Kundër Kupolës së re Social-Komuniste, që ka ndërtuar tashmë një Shtet, një Administrate, një Diplomaci, një sistem gjyqësor, një Parlament, në të cilin ka vetëm një rreth njerëzish që, ose i përkasin rrethit të ngushtë të ish-Bllokut, ose janë servitorë terminalë të tyre dhe trusteve të tyre financiare;
Sot, me 2 prill 2016, është dita e një betimi të madh për të Rikompozuar Opozitën, duke lenë mënjanë, kompromentuesit e lirisë, dhe duke formësuar bazën e Liberal Demokracisë, me përbërje të re: jo me gurë shahu, por intelektualë, studentë dhe të shkolluar jashtë Shqipërisë në vendet e OECD; jo ma klithma, por fjalë të randë, në vendin e duhur dhe në kohën e vlefshme të shqiptarëve. Sot është Dita që Opozita të krijojë Shadow Government, që do qeverisë nesër, shumë shpejt Shqipërinë dhe të ndërtojë programin politik gjithpërfshirës të qeverisjes së ardhshme! Asgjë më rastësisë, gjithshka veprimit në kohë, me saktësi, me korrektese, me parime dhe me kritere të përcaktuara drejtë dhe me profesonalizëm.
Ky është Betimi i Madh i 2 prilli 2016:
Ata që gabuan, duhet të kërkojnë falje dhe të largohen, duke i bërë shërbimin e parë dhe të fundit pozitiv kauzës së 2 prillit;
Brezi i Ri i Liberal Demokracisë duhet të marrë në dorë fatet e Opozitës së vërtetë, të drejtë, të ndershme dhe largpamëse.
Jo më persekutime mes shqiptarëve, por Liri për të Gjithë, mbi parime demokratike dhe profesionalizëm!
Profesor Romeo Gurakuqi

Marrë nga Muret e Fb, të gjithë të sipërpërmendurve me 2 prill 2016

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.