back to top
6.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

20 korrik të vitit 1621 – Emërimi i imzot Pjetër Budit ipeshkëv i dioqezës së Sapës e Sardës

Gazeta

Pjetër Budi - "Paschyra e të rrëfyemit", Rome 1621
Pjetër Budi – “Paschyra e të rrëfyemit”, Rome 1621

20 korrik të vitit 1621

Emërimi i imzot Pjetër Budit

ipeshkëv i dioqezës së Sapës e Sardës

Duke shfletuar kalendarin historik, përkujtojmë se si sot më 20 korrik të vitit 1621 dom Pjetër Budi emërohet ipeshkëv i dioqezës së lashtë shqiptare të Sapës e Sardës. Imzot Pjetër Budi u lind në Gur të Bardhë të zonës jugore të Matit, në vitin 1566. Formimin e tij meshtarak dhe studimet filozofike e teologjike i bëri në Kolegjin Ilirik të Loretos, dhe në moshën 21 vjeçare u shugurua meshtar dhe menjëherë u dërgua të shërbente me mision në Maqedoni e Kosovë që aso kohe ishin nën juridiksionin kishtar të kryedioqezës së Antivarit, (Bari i sotëm në Mal të Zi), ku ndjeji për 12 vjet.
Gjatë qëndrimit dhe misionit të tij meshtarak në Kosovë, dom Pjetër Budi hyri në kontakt me françeskanët e Bosnjës, një marrëdhënie kjo që i shërbeu në vitet e mëvonshme e në përpjekjet e tij politike për të krijuar mbështetje e ndihma për rezistencën shqiptare kundër pushtimit të Perandorisë Osmane. Në vitin 1599, dom Pjetër Budi qe emëruar Vikar i Përgjithshëm i Kishës katolike të Serbisë, detyrë e rol të cilin e mbajti për 17 vjet.
Si përfaqësues i Kishës katolike në Ballkanin e pushtuar nga turqit, imzot Budi veproi pa dyshim në një situatë politike e shoqërore teje të vështirë e me tensione të mëdha, aq më tepër kur e konsiderojmë angazhimin e tij shpirtëror, pra, ungjillëzues por edhe atë kombëtar e politik për kauzën shqiptare, sepse ipeshkvi katolike imzot Pjetwr Budi synonte pikërisht lirimin e popullit të vet shqiptar nga pushtimi e trysnia turke. Për këtë ai pati kontakte me figura të mëdha të rezistencës siç ishte kroati Franjo Brtuçevic e kryengritësit shqiptarë.
Në vitin 1615, dom Pjetër Budi shkon në Romë ku ndenji deri më 1618, për t’i botuar veprat e tij në gjuhën shqipe. Nga marsi i vitit 1618 e deri në shtator të vitit 1619, imzot Budi shkoi në shtegtim në Santiago të Kompostelës në Spanjë. Pasi u kthye në Romë në vjeshtë të vitit 1619, u angazhua të informonte Papën e Vatikanin, pra Kurien Romake mbi gjendjen e mjerueshme të të krishterëve e të popullit në përgjithësi në Shqipëri e në vise tjera të Ballkanit nën pushtimin turk. Prandaj kërkoi ndihma materiale e financiare për të mbështetur rezistencën që synonte çlirimin nga zgjedha turke.
Më 20 korrik të vitit 1621, dom Pjetër Budi u emërua ipeshkëv i dioqezës së Sapës e Sardës dhe një vit më vonë e nisi misionin e tij ipeshkvnor në Shqipëri, ku kryesisht zhvilloi aktivitete të natyrës atdhetare e politike. Në dhjetor të vitit 1622, duke kaluar lumin Drin, humbi jetën. Vdekja e tij tragjike mbetet një enigmë.
Po kujtojmë veprat e tij. Vepra e parë e ipeshkvit shqiptar imzot Pjetër Budit qe “Doktrina e Kërshtenë” që është përkthim i katekizmit të Shën Roberto Bellarminit, botuar në Romë më 1618. Nga aspekti letrar, më shumë se katekizmit, janë me interes 53 faqet e poemave fetare, që përbëjnë shembullin e parë të poezisë në dialektit Gegë. Disa prej poemave janë përkthim nga latinishtja ose italishtja mirëpo një pjesë e mirë janë origjinale.
Disa botime tjera të Imzot Budit qenë: Rituali Romak, një përmbledhje me ritin e Meshës, të sakramenteve të ndryshme, të lutjeve e komenteve të pjesëve biblike në gjuhën shqipe.
Pastaj kemi edhe një përmbledhje prej 16 faqesh mbi shpjegimin e Ritit të Meshës. Po vepra më e njohur e imzot Pjetër Budit është “Pasqyra e të Rrëfyemit”, përkthim e adaptim i veprës “Speculum Confessionis” e Emerio de Bonis. Imzot Pjetër Budi është poeti i parë shqiptar që shkroi vargje, afër 3.300 rreshta vargjesh fetare në kuartinë me rimë të alternuar.

Pjeter Budi - Peshkop dhe Shkrimtar
Pjeter Budi – Peshkop dhe Shkrimtar

Tituj të veprave:

Doktrina e Krishtenë – (Dottrina Cristina) e vitit 1618. Vepër e përkthyerë.
Rituali roman – 1621
Pasqyra e të rrëfyemit – (Speculum Confessionis) 1621
Kush thotë Meshë këtë kafshë i dhet me shelbuom.

Për ndimë të gjithë kërshtenimit Arbënit

Të kërshtenë, o ju, qi ini
Nd’Arbanë të pagëzuom
Qi fenë mirë e dini
Se u ashtë për të shëlbuom

Këtë letërë e përzini
Qi juve kam dërguom,
Gja kafshë n co të xini
Këtë jetë tue shkuom.

N’dorë e merri, e këndoni,
Ju qi dini me kënduom,
Vini veshët e ndëgjoni
Ju qi dini me ndëgjuom,

Këto fjalë i ligjëroni
Si kankë tue kënduom,
E me za t’i vjershoni
Fort t’amblë e të ngushëlluom.

Vetëhenë ta qërtoni
Lotë tue i lëshuom,
Atë jetë ta kujtoni
Ndë shpirt tu’ lulëzuom.
N cë mirashit mos mëngoni,
N cë keq tue u larguom
Tënëzotë e ta lëvdoni,
Mirë tue veprëruom.

Qi motnë të mos e shkoni
Ndë mkat pçtjellë e ngatëruom,
Po jetenë ta kujtoni,
Qi u ashtë për të shëlbuom.

Asgja mos lakëmoni
Mbë dhet me zotënuom,
Po qielltë dëshëroni
Qi u janë përmetuom.

Marrë nga http://sq.radiovaticana.va

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.