back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Sekreti i Rilindjes se një kombi, zbulohet nën dritën e yjeve të bukur njerëzorë dhe jo mes tymnajës së sharlatanëve të shëmtuar… nga Robert Martiko

Gazeta

Agimi mbi Tempull
Agimi mbi Tempull

Ky artikull përmban rreth pesëmbëdhjetë faqe të shkruara në format A4.
Jo gjithë miqtë e mi në Fb mund të kenë dëshirë dhe kohë për ta lexuar.
Duke i mirëkuptuar me zemërgjerësi e sinqeritet,
nuk pretendoj të tregojnë vëmendje.
Nëse rastis të vlerësohen Modelet Njerëzore, e trajtuara më poshtë,
mund të konstatohet se bëhet fjalë një shkrim të veçantë,
me vlerat njerëzore më skajore,
ndriçuese, morale dhe heroike në kuptimin e thellë të fjalës,
të paraqitura ndonjëherë në Historinë e Shqipërisërobert martiko

Shkrimtari Robert Martiko
Shkrimtari Robert Martiko

Sekreti i Rilindjes se një kombi

zbulohet nën dritën e yjeve të bukur njerëzorë

dhe jo mes tymnajës së sharlatanëve të shëmtuar…

nga Robert Martiko

(Ngaqë e  vërteta
është një diamant i rrallë,
unë vendos ta ndaj me një njeri të kultivuar
siç është albanologu  Robert Elsie…)

Albanologu Robert Elsie
Albanologu Robert Elsie

Gjithmonë ka qenë karakteristikë e banorëve të Ballkanit ta shikonin të huajin e shfaqur papritur në trojet e tyre, si një ndodhi të veçantë, një lloj Kristofor Kolombi të rënë nga qielli, pothuajse me një aureolë hyjnore në kokë, si i dërguar nga Zoti, për të ndryshuar jetën e vështirë ekonomike, ambientin rrethues fare pak premtues, dhe sa e sa papërshtatshmëri të tjera…
Edhe pse ka kaluar më shumë se një çerek shekulli, nga dita e rënies së Murit të Berlinit, me sa duket, ky lloj sindromi njerëzor, ende vijon të mundojë mua, autorin e këtyre rreshtave. Edhe pse i huaji nuk konsiderohet më si më parë, objekt i paarritshëm, tabu! Përderisa shumica e shqiptarëve gjendet sot me banim jashtë trojeve kombëtare. Apo u është dhënë rasti të vizitojnë vende të bukura në gjithë botën, të cilat, në të kaluarën, jo vetëm nuk mund t’i vizitonin, por dënoheshin edhe me burg shumëvjeçar nëse njohësit e paktë, merrnin guximin të shpreheshin për to.
Siç do të keni rastin për të lexuar më poshtë, sindromi im, i lidhur me individin e huaj, nuk është aspak i natyrës ekonomike. Me anë të këtyre rreshtave nuk i drejtohem një miliarderi si Warren Buffett, Amancio Ortega apo George Soros, por një ‘‘intelektuali’’, duke nënkuptuar me këtë term personin, aktiviteti i të cilit bazohet, më shumë se sa në ushtrimin e mendjes, në ushtrimin e shpirtit me natyrë njerëzore. Teorikisht, mund të bëjnë pjesë në këtë grupim edhe të ashtuquajturit ‘‘intelektualë me shkollë’’, por, si në të gjitha kohët e njerëzimit, vetëm pjesës së intelektualëve të mençur, me cilësi të spikatura shpirtërore, ca më shumë elitës së tyre, i ra për pjesë për të ndryshuar botën dhe jo ‘‘shkollarëve të zgjuar’’. Historinë, në drejtimin human, e kanë ndryshuar gjithmonë fajkonjtë e mendimit dhe jo sahanlëpirësit, mandarinët, qeniet banale apo të nënshtruarit e përhershëm të pushteteve.
Individi në fjalë, të cilit unë i drejtohem nëpërmjet këtyre rreshtave, me gjithë respektin e duhur, nuk mund të jetë tjetër përveç Robert Elsie, shkrimtar, përkthyes, specialist në studimet kombëtare, autor i mjaft librave dhe artikujve që hedhin dritë mbi kulturën shqiptare në kohë të kaluara.
Paraprakisht, më duhet të pranoj se i lexoj me interes të veçantë shkrimet e zotit Robert Elsie, kur më bien në dorë. E admiroj për mendimet e qarta, të sakta, të moderuara, përherë të filtruara prej një lloj këndvështrimi modern, shkencor, të historisë, që aq shumë gjenden në distancë prej britmave spontane, anakronike, gjoja patriotike, atavike e aspak kompetente të diletantëve. Aq shumë i vlerësoj shkrimet e Robert Elsie saqë, kur më bie rasti për të lexuar rreth burrave më të spikatur, të së kaluarës shqiptare, edhe pse e shfaqur kjo në trajtën e grupimeve njerëzore, më duket sikur më ka rënë në dorë një kaleidoskop i bukur, me brendi shumëngjyrëshe, i cili më jep mundësinë për të soditur skena të gjalla, të jashtëzakonshme nga e kaluara. (Për çka do të trajtoj në vijim, jo më kot bëj fjalë për të ashtuquajturën ‘‘trimëri të shfaqur në grupimet njerëzore’’).
Robert Elsie, siç shkruhet në versionin anglisht të Wikipedias, është autor i mjaft librave dhe artikujve. Kurrë nuk i ka munguar interesi për të fokusuar aspekte të ndryshme të kulturës dhe çështjeve shqiptare. Në aspektin e një lloj logjike iluministe, do të dëshiroja të shpreh në këtë pikë mendimin se do të kishte rëndësi veçanërisht të madhe për intelektualët me mendje të hapur, sado të paktë të jenë ata në numër, në Shqipërinë e sotme, post-komuniste, që përveç ngjarjeve të shekujve të kaluar, të mundeshim për të hedhur sado pak dritë, duke u shqetësuar veçanërisht në ato gjëra tmerrësisht thelbësore, me karakter njerëzor, nga e kaluara e afërt, që dëmtuan në mënyrë tragjike, dhe vijojnë të dëmtojnë tmerrësisht shqiptarët.
Pa e kuptuar!
E kam fjalën për diktaturën e gjatë gjysmë shekullore, komuniste, e cila nëpërmjet krimit të organizuar dhe propagandës intensive, ndryshoi DNA-në jo vetëm të ballkanasve por edhe mendjet racionale të gjermanëve, apo evropianëve të vendeve të Evropës Qendrore e Veriore. Ai lloj kaleidoskopi i bukur që me inteligjencë ofron Robert Elsie, për të soditur të kaluarën e largët, kur skenat piktoreske mbarojnë, rastis të bjerë nga duart duke u shndërruar në mijëra copa të pa ngjitshme.
Jo më kot një shprehje e mençur latine thotë se njeriut i duhet më parë të jetojë dhe pastaj të filozofojë. Mbasi, kur nga bota e librave shtrëngohemi të marrim pjesë në botën reale, dëgjon që nga mëngjesi në darkë, të thuhet se shqiptarët, vuajnë. Janë të shumtë ata që mbijetojnë në uri dhe varfëri. Dikujt i kanë grabitur fëmijët për të tregtuar organet. Vajza të reja mobilizohen me forcë në prostitucion. Të varfrit nuk gjejnë ilaçe për t’u shëruar nga sëmundjet. Popullit ja bëjnë jetën skëterrë gjykatësit dhe politikanët që ai vetë voton. Kjo ndodh mbasi ndjenja e aventurizmit, gënjeshtra, kusaria, tregtia e drogave, lëkura e trashë e pushtetit, korrupsioni, degradimi moral arrin dimensione gjigante.
Marksi thoshte dikur se feja është opium për popullin. Veç, siç vërteton me kokëfortësi praktika, është vetë ideologjia marksiste drogë shkatërrimtare me afat mijëvjeçar, një lloj heroine fatale me të cilën, gjatë gjysmë shekulli diktaturë, u tej ngopën qelizat e Njeriut të Ri.
Akoma më keq nga mentalitetet e turmave të kredhura në errësirë janë vetë intelektualët, në trajtën e ‘‘shkollarëve të lartë’’, që e kanë thithur, më shumë nga gjithë të tjerët, këtë lloj opiumi me esencë hipokrizie, ligësie, mashtrimi, kotësie, narcizmi e mendjelehtësie. Nuk do të shtrëngohesha për të përmendur fenomenin karikaturë të këtyre lloj tipash me rrënjë nga e kaluara: shkrimtarë, poetë, gazetarë, artistë, regjisorë, kritikë, akademikë, profesorë, doktorë, piktorë, skulptorë, etj., sikur të mos njihja forcën e tyre të madhe, e njëkohësisht shkatërruese, mbi njerëzit e thjeshtë, përderisa konsiderohen nga këta të fundit prototipa të admirueshëm.
Siç do të dalloni në vijim, të vrojtuar në një dritë tejet njerëzore, ‘‘shkollarët e lartë’’, nga pikëpamja etike, nuk janë veç tipa të falimentuar, profanë, turkokoshë, mjeranë të paditur. Të shëmtuar deri në vdekje! Ata nuk kanë asnjë lidhje me Modelet Njerëzore: ndoshta të fshehur, të padukshëm, por përherë dialogues të përhershëm me ndërgjegjen, aq shumë karakteristike, veçanërisht për shoqëritë e zgjedhura të Evropës Veriore. E vërteta është se këta lloj tipash, as që e njohin në thelb sekretin e zhvillimit të këtyre lloj shoqërive elitë. Por edhe sikur ta njihnin, ndjenja e emocionit të tyre për këtë fenomen të mrekullueshëm shoqëror, është një zero e bukur me xhufkë. Nuk dalloj të emocionohen. Ndonëse është diçka që e dëshiroj. Jo më kot, një proverb italian thotë se “kush ecën me topallin mëson të çalojë…” Kjo është arsyeja që, për shkak të këtyre lloj çalamanësh të pakorrigjueshëm shpirtërorë, shqiptari do të vuajë brez pas brezi.
Duke kujtuar shkatërrimin me sulfur dhe zjarr biblik, të Sodomës dhe Gomorrës, e duke e konsideruar veten një Hiç, me kërkesën e një Abrahami imagjinar, do të isha gati, të përjashtoja ndonjë nga ‘‘shkollarët e lartë’’ nga kritika, me kusht që ky të bënte pendimin e tij publik. Por, për fat të keq, deri më sot, me përjashtime të rralla, nuk e kam pasur kurrsesi këtë fat. Një prej tyre thotë se shkrimtari nuk i jep llogari askujt. Duke harruar se vetë nuk është Le Clézio, dhe as Harold Pinter, i lindur në Perëndim. Të paktën të ishte sado pak, një shkrimtar me nuanca sado pak heroike, i ndershëm dhe ballëlartë, fajkua, i papërlyer në jetë, si Aleksandër Sollzhenicin. Apo Vaclav Havel… Mbasi privilegji i mosdhënies së llogarisë mund të vlejë për këdo tjetër, veç jo për bashkëpunëtorët dhe veglat dritëshkurtra të diktaturave, që me patos histerik, të papërmbajtur, karrieristësh servilë, himnizuan terrorin ekstrem të Luftës së Klasave, vallen e kobshme të vëllavrasjes së madhe shqiptare.
Nuk ishte një shëtitje në natyrë e kaluara e afërme: u lagën këmbët nga shiu dhe pastaj u ngrohëm të gjithë të lumtur në anë të një oxhaku me drurë ulliri, por një tragjedi e tmerrshme, e errët, fatale, e cila vepron edhe sot. Dhe do të vijojë edhe në të ardhmen. Nuk ka gjë më qesharake, veçanërisht për të nderuarit ‘‘shkollarë të lartë’’, të bëjnë sikur nuk ndodhi asgjë e keqe. Është një qëndrim amoral, krejt pa shije, që meriton të karakterizohet me fjalën gjermane ‘‘kitsch’’, të trajtuar në një mënyrë të veçantë nga shkrimtari i dëgjuar, Milan Kundera.

Censurë komuniste...
Censurë komuniste…

Më fal o njeri thjeshtë që shtrëngohem të bëj për ty këtë pohim sa të vërtetë po aq edhe tragjik: ‘‘Do të vijosh të vuash prej këtyre lloj prototipash të admiruar prej teje…’’ Mos u egërso me mua kur unë, në vijim të këtij shkrimi, do të propozoj të tjera Modele të Ndershme, për të vlerësuar. Në krahasim me sharlatanët e shumtë të kësaj bote, Modelet Njerëzore janë si drita e diellit mëngjesor me errësirën e një pylli në mjegull. Ndoshta mund të bindesh që të dytët janë mirëbërësit e tu të vërtetë. Nëse do të ndryshosh mënyrën e të menduarit tënd do të ndryshojnë edhe fëmijët e tu. Mos vijo të shprehesh: ‘‘Unë e vlerësoj filanin, ngaqë më nderon arti i tij.’’ Në këtë rast, fëmijët e tu, pa rënë fare në syrin tënd, do të gjenden përherë të kredhur në errësirë. Sigurisht që individë të caktuar, si Robert Elsie, apo të tjerë, të ndriçuar në mendje e shpirt, kuptojnë se vepron në këtë rast, në mënyrë tragjike, krejt e padukshme, logjika e përrallës së famshme, e njohur si ‘‘Shpella e Platonit’’, e cila studiohet në të gjitha shkollat filozofike të botës. Është diçka që vlen për të gjitha kohët dhe të gjitha vendet e rruzullit të tokës. Pra, mundohu të më kuptosh o qenie njerëzore e stërmunduar nga jeta se duke zgjedhur modele gjysmake në jetë, nuk bëhet fare fjalë për llomotitje gjërash të fandaksura njerëzish të kënduar, por për vetë fëmijët, nipat dhe mbesat, breza të tërë që do të vijnë pas teje. Sikur të ndodhë që vetëm një i mençur të gjendet në familje, për të këputur një hallkë të vargoit të errësirës, pasardhësit, si me magji, do të fillojnë të shndërrohen në njerëz të ndershëm e të mençur. Shuma pozitive, gjithnjë e në rritje, e njerëzve që ndryshojnë drejt virtytit garantojnë të ashtuquajturën ‘‘Rilindje’’ të një vendi, dhe jo bullshits, dënglat pa fund të sharlatanëve, padituria, ligësia, errësira e mendimit, instinktet, që mbajnë turmat të mbërthyera me zinxhirë, në errësirën e përhershme të kopesë primitive. Kaq rëndësi të madhe kanë Modelet Njerëzore për të çuar shoqërinë diku, më mirë.
Në një gjendje tjetër!…
Pa lënë mënjanë Nënë Terezën e cila nderon me të vërtetë Shqipërinë, do të përpiqem të nxjerr në dritë modele të tjera, me të njëjtat vlera morale, gjigante dhe ndoshta edhe më shumë, të cilët, të panjohur, ndonëse do të duhej të shkëlqenin në “Panteonin Shqiptar”, jetojnë pothuajse të harruar prej të gjithëve. Pa lartësimin e këtyre lloj individëve tepër të rrallë, jo si art për admirim të habiturish mendjelehtë, që të kujtojnë padashur kërmijtë këngëtarë të Ezopit, duke u djegur në zjarr, por si modele për të imituar në jetë, më falni, por Rilindja e ëndërruar e Shqipërisë nuk do të përbëjë veç një ëndërr e largët. Dhe, gjatë këtij intervali të tejzgjatur kohor, e keqja do të vijojë të mbretërojë e pathyeshme në kalbësirën e mbretërisë së Danimarkës, – siç shprehet Shekspiri te Hamleti i tij i famshëm.
Në këtë pikë i drejtohem zotit Robert Elsie si më poshtë…
Nuk pata fatin të jetoja gjithë kohën në Perëndim përveç se gjatë njëzetegjashtë viteve të fundit. Të futeshe dikur në Universitetin e Tiranës, për të mësuar doktrinën marksiste, nuk ishte vetëm humbje kohe por edhe një shtrëngim nga lart, për të përndjekur politikisht njerëz të pafajshëm. Përbri interesit tim spontan për të lexuar pjesë letrare apo tekste të caktuara me karakter teorik nuk jam në gjendje të njoh plotësisht, nëse bota e sotshme filozofike, moderne, ka shfaqur interes për temën e “Trimërisë Fisnike” në diktaturë. Besoj që jo. Është diçka që e kam gjurmuar edhe në internet, veç pa rezultat.
Hannah Arendt, një filozofe me famë botërore, shqiponjë jo vetëm në mendim por edhe në jetë, dhe jo zvarranik si ‘‘shkollarët e lartë’’, ka trajtuar degradimin moral të njerëzve, nën diktaturën naziste e staliniste, te librat e saj të famshëm ‘‘Origjina e Totalitarizmit’’ dhe ‘‘Banaliteti i të Keqes’’. Dhe meqenëse nën frymën e përgjithshme të filozofisë, Hannah Arendt, e trajton njeriun si qenie universale, kuptohet që marrin një vlerë të veçantë gjithfarë këndvështrimesh, që kanë të bëjnë me studimin e fenomeneve shoqërore, të lidhura me Njeriun e nënshtruar, varfëruar dhe poshtëruar keqas, në diktatura.
Duke folur nën dritën e eksperiencës time dhe jo vetëm, edhe në një vend ish stalinist, skajor, si Shqipëria, gjendet një minierë e tërë konkluzionesh të vlefshme për të studiuar qenien njerëzore. Nga të gjitha vendet e Bllokut Komunist, Shqipëria ishte më e keqtrajtuara! Askush nuk ishte në gjendje të merrte në dorë fatin e tij. Për të mbijetuar njerëzit duhej t’i nënshtroheshin së keqes duke prodhuar fenomene shoqërore sa të tmerrshme po aq edhe moralisht të vajtueshme. Kufijtë e vendit ishin aq shumë të pakapërcyeshme, sa që ato të Gjermanisë, në kohën e Hitlerit, mund të konsiderohen si kullesa makaronash. Të vjen për të qeshur në Perëndim, kur dëgjon të bëhet fjalë për vet-internim individësh: nga Gjermania naziste në Angli, Francë, Sh.B.A., apo gjetkë!… Prandaj merr rëndësi të veçantë studimi i qenies njerëzore në kushte skajore, nën presion maksimal psikologjik, diçka që e ofrojnë dorëhapur vetëm regjimet staliniste apo maoiste. Nazistët tregoheshin kriminelë të pashpirt, barbarë të paepur spontanë, ndërsa komunistët ishin kriminelë shumë herë më tepër të rafinuar dhe metodikë, edhe pse ndjenja e metodizmit është karakteristikë thelbësore, më shumë, e popujve gjermanë. Parë në këtë prizëm, Shqipëria, ca më tepër si vend i vogël, përbën një vend ideal për studim. Më shumë se në çdo vend tjetër qenia njerëzore, gjatë gjysmë shekulli, u vra, u burgos, u internua, u mundua për bukën e gojës, u përçudnua dhe, pa u kuptuar fare, u transformua thelbi i saj.
“Pueblo pequeño, infierno grande”. – (Qytet i vogël ferr i madh.)

Sizifi i Mitologjisë
Sizifi i Mitologjisë

Këndvështrimi  im

Pyetja ime e parë është: Kush përfaqëson trimërinë e vërtetë, fisnike, nën stalinizëm, apo diktaturën më të egër që njohu njerëzimi?
Në analogji me gjahtarin në xhungël të cilit i mjafton një vendosje dore precize në kokën e gjarprit, për të paralizuar reagimin e reptilit, në të njëjtën mënyrë, edhe diktatura komuniste, për temën që dua të trajtoj, e gëzon një pikë të tillë nevralgjike. Është i ashtuquajturi ‘‘Spastrim i Madh’’, apo Gjyqet e famshme të Moskës, ku Stalinit iu dha mundësia për të spastruar kundërshtarët e tij politikë, ish bolshevikë të Leninit, shumica e tyre, besnikë të devotshëm ndaj tij. Ishte diçka që u shfaq me intensitet të veçantë në vitet 1936-1938. Të parët ishin korrespondentët evropianë në Moskë, të cilët mbetën gojë hapur nga habia, për faktin se qindra heronj të Revolucionit të Tetorit, trima të tërbuar në grup, u dorëzuan pa kushte para presionit psikologjik dhe torturave në burgun e famshëm Lubjanka, në Moskë. Viktimat arrinin deri aty saqë jo vetëm firmosnin gjëra të rreme, në dëm të vetvetes, por edhe spiunonin njëri tjetrin. E njëjta histori u përsërit në Shqipëri, Kinë, Kore, Vietnam, Kubë si dhe në të ashtuquajturat “Vende të Kampit Socialist”. Vetëm ndonjë individ i rrallë, me karakterin e Imre Nagit hungarez, mundi t’i rezistonte të keqes. Qindra zyrtarë të lartë komunistë, kolonelë e gjeneralë, që kur kalonin rrugës tundej dheu nga fudullëku dhe egërsia, u dorëzuan pa kushte.
Pyetja imediate që mund të bëhet në këtë rast, është: ‘‘Si është e mundur të ndodhë një gjë e tillë!’’ Nëse në konceptin filozofik universal të Qenies Njerëzore do të përfytyronim heronj të jashtëzakonshëm, mitologjish legjendare, të rilindur si: Akili, Odiseu, Herkuli, Hektori, Agamemnoni, Tezeu, Jazoni, Eneu, Leonidha, Gunnar Hamundarson, Eriku i Kuq, Mbreti Artur, spartanët, vikingët, suljotët, dhe sa e sa burra të tjerë, me guxim të jashtëzakonshëm, vallë të njëjtën thyerje shpirtërore do të kishin pësuar të gjithë, në hetuesitë e Sistemit të Kuq!?… Për fat të keq, ‘‘Gjyqet e Moskës’’ këtë provuan. Jo më kot, në fillim të këtij shkrimi, unë bëj fjalë për trimërinë e grupit.
Mbasi, kur armiku kërcënonte burrat e shekujve të kaluar, ata vijonin të mbeteshin trima. Edhe për faktin se hajdutët gjenin strehë-shpëtimi guvat, pyllin, malin e lartë, për të mbijetuar. Si dhe dhjetëra shokë të shumtë, ndihmëtarë, në luftim. Por e keqja në psikologjinë burrërore të trimit, të supozuar, shkaktohet kur lidhjet me malin ndërpriten si me thikë prej barrierës së pakapërcyeshme, të formuar prej qindra agjentësh sekretë, policësh, ushtarësh qeveritarë, zyrtarësh, masash revolucionare, sa të indoktrinuara po aq edhe të tmerruara deri në palcë. Mbasi, kur në Shqipëri ndjeheshin të frikësuar gjeneralët, zyrtarët e lartë të piramidës, një keqbërës me vulë, trim në luftë, si kryeministri Mehmet Shehu, merre me mend se sa të terrorizuar ndjeheshin punëtorët, kooperativistët, intelektualët apo pensionistët fanatikë. Akoma më keq nga mungesa e malit, të përdorur nga luftëtari si vend për të shpëtuar kokën, nuk ka panik më të madh, madje edhe për heroin e shumë-lavdëruar të grupit, kur ndien përballë tij, të armiqësuar gjithë kopenë e ujqërve, ku bën pjesë. Para ndriçimit të dhëmbëve të bardha, të skërmitura, të shokëve të djeshëm, të revolucionit, të mbushur me egërsi klasore deri në grykë, dorëzimi i trimit pa kushte nuk është veç çështje kohe.
Nënshtrimi total i trimave të Lindjes së Kuqe, ndodhi në qelitë dhe hetuesitë e burgjeve. Jo më kot Balzaku thotë: ‘‘Biruca ishte shpikja më e madhe e Revolucionit Francez; sepse atje, nëse nuk kishe mundësi që zbrazëtirën e izolimit ta mbushje me idetë e tua, gjithçka do të përpinte drejt hiçit dhe kundër vetvetes.’’ Pra, në një vend të tillë u gjendën edhe ish bolshevikët apo heronjtë e tipit Çe Gevara.
Akoma më tmerruese nga qelitë, ishin zyrat famëkeqe të hetuesive komuniste. Padashur, ato të kujtojnë Prokrustin, një hajdut mizor mitologjik, në Athinën e Lashtë, i cili, pasi i ftonte udhëtarët gjithë mirësjellje të shtriheshin në një shtrat metalik, pasi i lidhte me litar, iu priste gjymtyrët, kur ishin të gjatë, ose i zgjaste nëpërmjet torturimit me tërheqje, kur ishin të shkurtër.
Në këtë mënyrë, ‘‘Shtrati i Prokrustit’’, jo vetëm në Lindjen e Kuqe por edhe në Shqipëri u bë banko-prova reale, më e prekshme se kurrë, origjinale, e përpiktë, më e tmerrshmja për viktimat, gjatë  një periudhe gjysmë shekullore, terrori ekstrem. Në to vetëm një pjesë fare e vogël e trimave nuk u nënshtrua. Vetëm Modelet Njerëzore, të cilët jam duke trajtuar në këtë shkrim, arritën të mbijetojnë shpirtërisht. Dhe jo kodra pas bregut, përfytyrime të fandaksura letrarësh lindorë, që paraqisnin në veprat e tyre trima karagjozë të revoltuar, me kurajë si ajo e Perëndisë së Verës, Dionisit mitologjik, (pordhac, sipas Aristofanit) në prani të Eakut, në Mbretërinë e të Vdekurve. Ishte një ‘‘trimëri’’ qesharake e cila amortizohej në organizatën bazë të Partisë apo te ndonjë Mik i Nderuar në Qeveri
Përderisa kryeministri hijerëndë shqiptar, zyrtarët e lartë, ushtarakët dhe gjithë popullsia u dorëzuan shpirtërisht, të ashtuquajturës ‘‘Shqipëri Shpirtërore’’, aktuale, nëse kjo ekziston diku, Sot, nuk i bie për detyrë të mbledhë trutë e shpërndara nga eksplozivi i fortë i diktaturës së tej zgjatur! Do të interesohet ndonjëherë dikush lidhur me temën e Modeleve Morale! Apo do të vijohet të vlerësohen më shumë, edhe sot e kësaj dite, ish-sahanlëpirësit dhe ish-informatorët! Nuk duhet të vendosen në Panteonin Shqiptar përveç heronjve të kombit, produkte të çastit, edhe heronjtë e një jete të tërë stoike, të ndershme në mënyrë skajore!…
Për të bërë dallimin midis këtyre dy kategori heronjsh, shkrimtari italian, Luixhi Pirandelo, ka thënë: ‘‘Është më lehtë të jesh hero se sa njeri i ndershëm. Hero mund të bëhemi një herë rastësisht; njeri i ndershëm duhet të jesh gjithmonë.’’
Unë, autori  këtyre rreshtave, citoj se nëse heroi i një çasti mrekullon një jetë, të cilën nuk duron dot, heroi fisnik një periudhë të gjatë vuajtjesh e poshtërimi të përgjithshëm, mrekullon një jetë që kanë duruar të gjithë.
E vërteta është se Modelet Njerëzore, në të gjallë, nuk iu ka shkuar ndër mend për t’u dekoruar me certifikata të bojatisura apo me copa bronzi të stampuar. Nivelin e lartë të mbijetesës shpirtërore, ata e arritën ngaqë nuk mund të vepronin ndryshe. Kaq thjesht! Përveç kësaj, në dallim me ‘‘shkollarët e lartë’’, ata kanë qenë përherë, në opozitë me pushtetet.
Shqiptarët e stërmunduar të ditëve të sotshme dhe pasardhësit e tyre, kanë nevojë për të hedhur dritë të fortë mbi Burrat e Vërtetë të Historisë!
***
Zoti Robert Elsie, unë mendoj se tema e ‘‘Gjyqeve të Moskës’’, e soditur nën dritën e Trimërisë Fisnike, nuk është trajtuar deri më sot në botë.
Në këtë pikë dua të bëj të njohur sekretin e parë.
Kategoria e Modeleve Morale është lënë në heshtje jo vetëm në Shqipëri por në gjithë vendet e ish Lindjes së Kuqe. Dhe është afërmendsh të mos shkëlqejë kjo lloj kategorie njerëzish me ndërgjegje absolute, të cilët pranonin me vullnet: më mirë të sakrifikonin veten dhe familjet e tyre se sa të tradhtonin miqtë apo të njohurit e tyre. Arsyeja e parë e mbetjes së tyre në heshtje është se duke qenë një temë ku heroizmi ndërthuret me ndershmërinë, nuk arrin të emocionojë dot Njeriun e Ri, i cili u edukua nga partia dhe nga të ashtuquajturat ‘‘veprat artistike të shkollarëve të lartë’’ me frymën e të ashtuquajturës ‘‘Vigjilencë Revolucionare’’, që praktikisht donte të thoshte: ‘‘Bëhu Spiun!’’ Individi i ndershëm dhe informatori janë dy botë diametralisht të kundërta. ‘‘Hane Shan, Hane Bagdat!’’
Shkaku i dytë i logjikës së fshehtësisë më kujton padashur tregimin e shkrimtarit të famshëm, Mark Twain: ‘‘Njeriu që korruptoi Hadleyburgun’’, ku keqkuptimet minuan keqas personalitetin sa për sy e faqe dhe aspak të moralshëm, të nëntëmbëdhjetë personave më të shquar të komunitetit. Aq sa Hadleyburgu ndryshoi emrin! Sidoqoftë, ky lloj trajtimi letrar ndodh ngaqë konceptimi në libër bëhet nga një shkrimtar si Mark Twain-i dhe jo prej arlekinëve të ‘‘Realizmit Socialist’’. Si konkluzion: si është e mundur të publikojnë të bëmat vet-komprometuese skribët, hipokritët dhe farisejtë e së djeshmes! Jo vetëm ‘‘shkollarët e lartë’’ shqiptarë por edhe ata të gjithë Lindjes së Kuqe, iu përngjajnë personaliteteve të  shquara të Hadleyburgut. Një nga ata mëndjellinj arrinte deri aty sa t’i kërkonte dikur diktatorit shqiptar, nëpërmjet rreshtash të ashtuquajtura poetike, të provokuar nga frika histerike, të ngrihej gijotinë për prerje kokash bashkatdhetarësh, në qendër të Tiranës.
Këtë ‘‘shkollar të lartë’’ e ka akuzuar publikisht, se ka qenë informator i Sigurimit, një nga Modelet Njerëzore më dinjitoze në Shqipëri, imzot Simon Jubani. Dhe ‘‘shkollari’’ gëk. Asnjë fjalë për të mbrojtur vetveten. Mund ta hidhte fare bukur në gjyq akuzuesin e tij. Do të më bëhej qejfi aq shumë sikur të dinte të mbronte dinjitetin e tij. Një tjetër që e mbajnë si ‘‘grand poet’’, (lexo: të vëllavrasjes shqiptare) gjen një parti politike, kërcen brenda në të, dhe kujton, me mendjelehtësi, se ka gjetur aty pagzimoren e famshme të Siloamit. Për të larë gjynahet. Një tjetër autor librash pranon se ka dalë dëshmitar kallëzues për një viktimë, që dënohet me vite të tëra burgimi. (Kjo është e lavdërueshme për të!) Sa e sa shkrimtarë e kritikë arti të tjerë, zgjodhën të mos shprehen, duke parapëlqyer të mbeten në heshtje! Edhe Milan Kundera, dikur shkrimtar i të ashtuquajturit Realizëm Socialist në Çekosllovaki, është akuzuar si informator i Sigurimit, ndonëse është diçka që nuk e ka pranuar kurrë. Ngaqë tradhtia e mikut dhe shokut, kur të shtrëngonte Partia, ka pas qenë një sëmundje e përgjithshme në Lindjen e Kuqe.
Por edhe sikur Dosjet e Krimit të hapen një ditë, nuk ma merr mendja se do të turpërohen shumë këto lloj speciesh të mjeruara, baballarësh shpirtërorë. Ky lloj iluzioni më ka humbur prej kohës kur punoja në një gjendje të detyruar, gjysmë internimi, në një të ashtuquajtur Fshat Socialist. Në mungesë të mishit në treg, dy fshatarë kishin therur një dele dhe ishte vendosur nga Partia që, me lëkurë në qafë, për ndëshkim, të qarkullonin në fshatrat përreth. Ngaqë rastiste t’i njihja më erdhi keq për ta. Thashë me vete: ‘‘Kushedi sa turp të madh do të ndiejnë me lëkurën e përgjakur në qafë!’’ – Mirëpo vura re që ata as që e çanin fare kokën të ndjeheshin të turpëruar, kur kalonin midis dy rreshtave në rrugë, të fshatarëve-spektatorë, të mbledhur enkas për ta.

Robert Martiko - Flijime te Skajshme
Robert Martiko – Flijime te Skajshme

***
Duke kaluar në një terren tjetër, në lidhje me temën e Modeleve Njerëzore, interes të madh paraqesin filozofët më të mëdhenj të mendimit njerëzor. Mund të marr shumë prej tyre në analizë, por unë do të përmend vetëm tre: Karl Marksin, Frederik Niçen dhe Zhan Paul-Sartrin. Në se tema e Gjyqeve të Moskës disponon fuqinë, për të hedhur dritë mbi Modelet Njerëzore, duke i konsideruar ata si të vetmit, e përsëris, Të vetmit, që nuk u nënshtruan shpirtërisht, në raport me miliona popuj të varfëruar e poshtëruar, vlen të vihet në dukje se vetë diktatura, në përgjithësi, ka fuqi të shfuqizojë mjaft nga citatet e njerëzve më gjenialë në botë. Dhe këtu nuk ka asgjë për t’u habitur. Gjithçka është në përputhje me Teorinë e Relativitetit, të thjeshtuar për gjyshen e Ainshtainit, (janë fjalë të vetë shkencëtarit), ku si për ironi të fatit edhe ndonjë citat i këtij mendimtari gjenial, mund të rastisë të dalë jashtë përdorimit në Lindjen e Kuqe.
Për të mos menduar dikush se unë vuaj nga ndonjë sindrom madhështie idiote, i përngjashëm me atë të ‘‘shkollarëve të lartë’’, të cilët kujtonin dikur, brenda Perdes së Hekurt, se u drejtoheshin me shkrimet e tyre të neveritura jo lexuesve, por indigjenëve me pupla struci, do të përpiqem të tregohem konkret. Një nga citatet e Ainshtainit thotë: “Ne do të kemi fatin që do të meritojmë.’’ Apo: ‘‘Bota është e rrezikshme për të jetuar! Jo vetëm për shkak të atyre që bëjnë keq, por për shkak të atyre që shikojnë dhe nuk veprojnë.’’ Mund të analizosh jo një e dy, por me qindra citate personalitetesh botërore, që humbasin kuptimin nën Lindjen e Kuqe, ku forca e pushtetit gjendej e grumbulluar vetëm te kulmi i piramidës. Dhe te askush tjetër! Prandaj i drejtohem Zotit Robert Elsie, që krahas kaleidoskopit të së kaluarës të mund të ndihmojë, për të çuar më tej këtë temë të pazhvilluar në Botë, në lidhje me Trimat Fisnikë apo Modelet Njerëzore. Që aq shumë i lartëson qëndrimi i tyre në jetë, në krahasim me të gjitha llojet e trimërisë në grup!…
Nga pikëpamja e pamposhtmërisë psikologjike Trimat Fisnikë ishin të vetmit që mundën të drejtonin mendimin me guxim, pa u trembur, përballë një ushtrie të tërë keqbërësish. Nuk u dorëzuan deri në vdekje edhe pse shkatërruan jetën e anëtarëve të familjes, të bijve, nënave të tyre, të cilat vdiqën para kohe. Modelet Njerëzore u torturuan, u tretën, u bënë tuberkulozë, pësuan infarkte, u sakatuan trupërisht, mëlçitë e tyre plasën nga helmi. Mbi të gjitha, përjetuan humbje të mëdha familjare, por mbetën trima të paarritshëm, heroikë, të ndershëm në mënyrë skajore, deri ditën që lanë frymën e fundit në burgje.
Vetëm e vetëm për të mos të tradhtuar miqtë dhe të njohurit e tyre në hetuesitë çnjerëzore të Inkuzicionit të Kuq!
Në këtë mënyrë, merr rëndësi të dorës së parë vlerësimi parësor i Modeleve Morale. Heroizmi i tyre, asgjëson jo vetëm lepujt e trembur të savanës tartare të Realizmit Socialist, midis tyre: Maksim Gorki, Vladimir Majakovski, Aleksej Tolstoj, Demian Bedni, Anatoli Lunaçarski, Leonid Leonov e kompani, por ata venë në diskutim, në sensin teorik e praktik, edhe tre gjigantë të mendimit botëror si Karl Marksi, Frederik Niçja dhe Zhan Paul-Sartri.
Karl Marksi është personi doktrina e të cilit, për popujt ku u zbatuan teoritë e tij, pati rezultatet më të kobshme në Historinë e Njerëzimit. Përveç miliarda njerëz të trajtuar si skllevër, përpjekjet për ndërtimin e komunizmit në shekullin e kaluar, arrijnë një shifër të tillë, gjenocidi, që arrin në gjashtëdhjetë miliona jetë njerëzore. Karl Marksi ndonëse paraprakisht u kritikua prej mendjesh të mençura të kohës së tij, rreth të ashtuquajturit Socializëm Shkencor, së bashku me Engelsin, bashkuan me tendenciozitet prej aventurierësh kriminelë, shkencën dhe ideologjinë. Si dhe instinktet e tyre më të ulëta. Si njerëz! Vetëm të lexosh shkrimet e tyre kur ata bëjnë fjalë se, për të arritur qëllimin, nuk do të lihet pa përdorur asnjë lloj mjeti, për të zhdukur nga faqja e dheut popuj të tërë reaksionarë.
Çfarë vlere mund të ketë dashuria dhe besnikëria midis miqve dhe shokëve në këto kushte!… Për çfarë vlerash morale bëhet fjalë në marksizëm, përderisa Njeriu i Ri, në çdo hap të hedhur mësohej të bëhej vëllavrasës, keqbërës, tradhtar, hileqar, tinëzar, servil, frikacak, informator!…
Në planin ekonomik, teoritë utopike të Mbivlerës, me shtetin sipërmarrës: njëkohësisht përbindësh e budalla, demonstruan në praktikë se marksizmi ishte krejt i paaftë për të prodhuar të mira materiale. U tregua një pseudoshkencë dhe një ideologji me plot kuptimin e fjalës, e çmendur deri në palcë.
Pa munguar të jetë edhe për të ardhmen një heroinë fatale!
Të shëruar nuk do të jenë veç individët e mençur, të cilët, nëpërmjet vet-reflektimit do të arrijnë të shpëtojnë veten dhe pasardhësit e tyre nga rregulli mizor i pandryshueshmërisë shpirtërore, i shprehur aq mjeshtërisht te alegoria filozofike e Platonit.
Frederik Niçe ishte një filozof gjigant, i cili i dha shtysë mendimit filozofik botëror. Megjithatë Modelet Moralë, apo trimat e vërtetë, tepër të rrallë, të dalë nga hetuesitë e Lindjes së Kuqe, arrijnë ta shikojnë me një farë ironie edhe atë. E kam fjalën kur filozofi gjerman i drejtohet Njeriut për të zëvendësuar Zotin me forcën, që do ti duhet të zbulojë brenda vetes së tij. Niçja e merr përsipër një gjë të tillë te vepra e tij e famshme ‘‘Kështu foli Zarathustra’’ ku trajtohet koncepti i Mbinjeriut, Supermenit apo Übermensch-it, në gjermanisht.
Çudi, Niçja njofton ‘‘Vdekjen e Perëndisë’’ edhe pse ai vetë, e di se turmat nuk do të jenë kurrë në gjendje, nga pikëpamja intelektuale, të arrijnë nivelin e shpirtrave të lirë. Vetë Niçja thotë se gjërat e mëdha mbeten për të mëdhenjtë dhe gjërat e rralla për të rrallët. Atëherë çfarë kuptimi ka modeli i Übermensch-it për propozim masiv! Që gjoja ky transformim shpirtëror do të përbëjë etapën pasardhëse në evolucionin njerëzor! Ëndrra në diell! Mjafton të shfaqen në horizont disa mijëra Lubjanka dhe qindra mijë ‘‘Shtretër Prokrusti’’, për të nxjerrë shkarto gjithë trimat e tërbuar në grup, që me aq energji të papërmbajtur në shpirt ëndërronin ndryshimin e botës.
Si kryemjeshtër mësimesh të tilla filozofike, Frederik Niçja, nuk mund të mos ëndërronte që edhe ai vetë ishte Übermensch. Veçanërisht kur bënte shëtitje në ajër të pastër, në majë të alpeve gjermane apo austriake, dhe vetja i dukej i tillë. Megjithatë, ndryshe nga çfarë ndodh me mendjet e pasinqerta, mburracake, gjysmake, të ‘‘servum pecum’’, të paktën, Niçja shprehej se kishte arritur të kuptonte, që ishte shumë larg nga Übermensch-i i tij. Edhe pse nuk mungonte të ishte një shqiponjë e vërtetë e mendimit filozofik.
Të bësh fjalë për Mbinjeriun Masiv, është njësoj sikur të blesh një vagon treni të mbushur plot e përplot me fishekë lufte të skaduar, nga të cilët nuk mund të shkrepin më shumë se tre-katër plumba. Aleksandër Solzhenicin vetëm tre emra burrash rusë, guximtarë, përmend te vepra e tij grandioze: ‘‘Aqipelagu Gulag’’, që në krahasim me qindra mijë bolshevikë të tjerë, mundën t’u rezistojnë të pathyeshëm hetuesive dhe gulagëve sovjetikë. Në libër përmendet gjithashtu emri i një gruaje të thjeshtë ruse, tepër e ndriçuar në shpirt, e cila nuk pranonte kurrsesi të tradhtonte të njohurit e saj në hetuesi. Sa shumë do të mund të mësonin ‘‘shkollarët e lartë’’, qoftë edhe sot, nga heroizmi i mrekullueshëm i kësaj gruaje të vetmuar, por trime!…
Nuk arrij të shpjegoj dot, se përse Frederik Niçja u drejtohet njerëzve të thjeshtë të bëhen Supermenë, me thirrjen për të mohuar idetë tradicionale të moralit. Si për ironi të fatit, pikërisht këto vlera u gjendën të lartësuara, nëpërmjet Modeleve Humane mbi qiellin Kremlinit, Katedraleve e Kështjellave të Ivanit të Tmerrshëm, apo gjetkë. Ishin të vetmit ndër miliona frymorë në Lindjen e Kuqe! Unë mendoj se pikërisht në aspekte të tilla, njësoj siç ndodh me citatet e hedhura poshtë, të mendjeve më të ndritura të botës, qëndron vlera e madhe për studimin e fenomenit ‘‘Gjyqet e Moskës’’.
Nuk e kam gjetur të trajtuar këtë temë deri më sot zoti Robert Elsie. Në se gaboj, ju lutem më korrigjoni.
Zhan-Pol Sartri, është një tjetër filozof i dëgjuar si Frederik Niçja. Ai është përfaqësuesi më në zë i filozofisë së ekzistencializmit ateist, ku parimi bazë është ‘‘ekzistenca paraprin esencën’’. Është një pohim diametralisht i kundërt me filozofinë idealiste: ‘‘esenca paraprin ekzistencën’’. Me fjalën esencë nënkuptohet ndërgjegjja e njeriut. Një numër i madh filozofësh idealistë, midis tyre edhe ateistë si Dideroi, Volteri dhe Kanti, kanë mbrojtur idenë e konceptimit universal të Njeriut, e cila paraprin ekzistencën konkrete, historike. Siç dihet, në të kaluarën, është mbrojtur teza se Zoti e krijoi njeriun sipas ndërgjegjes apo idesë së krijuar më parë në mendjen e tij.
Sipas Zhan-Pol Sartrit, përderisa Zoti nuk ekziston, nuk bëhet fjalë për ndërgjegje të mbjellë hyjnore te Njeriu, i cili vjen nga rastësia dhe më pas krijon ndërgjegjen. Duke venë në dukje përgjegjësinë individuale të Njeriut në jetë, filozofi mëson që ky duhet të jetë i përgjegjshëm në veprimet e tij, jo vetëm për veten e vet por edhe për shoqërinë që e rrethon. Kushdo që shmang përgjegjësinë e tij nuk do të jetë i qetë në ndërgjegje. Sartri thotë gjithashtu se në qoftë se njeriu është frikacak, ai e ka bërë vetë veten të tillë. Se kjo nuk ka të bëjë me zemrën, mushkërinë, trurin delikat, fiziologjinë apo kiminë e qelizave të Njeriut.
Këtu mund të shtrohet pyetja: ‘‘Nuk ishte vetë lulja e trimërisë bolshevike, e cila u frikësua duke u dorëzuar shpirtërisht në Gjyqet e Stalinit!’’ E njëjta pyetje retorike vlen për zyrtarët e lartë të Politbyrove, por edhe më poshtë nga ata. Për gjithë administratën e kuqe! Vetë Stalini dhe gjithë diktatorët e tjerë lindorë, ambasadorë të krimit të organizuar masiv, nuk qenë veç Makbethë të frikësuar, madje në një gjendje obsesioni të përhershëm. Tipa si Enver Hoxha, i lajthitur nga mendja para kohe, kryen gjenocid të pashoq, kryesisht, nga frika e revanshit të kundërshtarëve të tij politikë. Përveç profanëve apo njerëzve me inteligjencë të kufizuar, të gjithë rronin me frikë në zemër. Kush tjetër mbetet, në mënyrë që Zhan-Poli ti drejtohet me udhëzime e thirrje të posaçme, për të mos qenë frikacak!… Prandaj bëj fjalë se në Lindjen e Kuqe bien poshtë jo vetëm citatet dhe mendimet e mendjeve më të zgjuara të botës, por edhe teori të tëra, filozofësh të dëgjuar.
Për Zhan-Pol Sartrin, unë mund të shtoj se Thembra e Akilit, e filozofisë së tij, qëndron në tjetër pikë. Të lemë mënjanë faktin se këshillat e tij për të krijuar ndërgjegjen, nuk janë gjë tjetër veç mësime tradicionale morali, të cilat e kanë origjinën prej kohësh të vjetra, idealiste. Çuditërisht, një gjë të tillë ai e bën edhe pse ka prerë çdo lloj lidhje me Zotin! Nga ana tjetër, dhe kjo është më e rëndësishmja në pyetjen time të dytë: Modelet Njerëzore, që filozofi iu ofron njerëzve për imitim, duke mos pasur kurrfarë lidhje me Zotin, janë në gjendje për të arritur madhështinë dhe nivelin shpirtëror të Modeleve Morale? Është njësoj sikur të duam të krahasojmë shkëlqimin e ditës me diell pranveror, me një kënete në mjegull, ku derdhen ujërat e nevojtoreve të një qyteti anakronik, mesjetar, të tipit ‘‘Dekameroni’’
Konkretisht, Zhan-Pol Sartri, edhe pse mbajti distancë nga marksizmi, u ndikua nga kjo teori. Duke theksuar domosdoshmërinë e Njeriut për të pasur lidhje shoqërore, ai i fton njerëzit të bëhen anëtarë të një sindikate punëtorësh! E lëmë mënjanë faktin që ai ka mbrojtur në teoritë e tij, më shumë nga gjithçka, lirinë njerëzore. Dihet që një njeri, i cili bën pjesë në një grupim njerëzor, është më pak i lirë. Ajo që është më kryesorja, të paktën për ne, njohësit dhëmbë e dhëmballë të diktaturës komuniste: sindikatat e punëtorëve në Lindjen e Kuqe nuk qenë gjë tjetër veç simbol i diktaturës, ndërsa drejtuesit e tyre një koleksion i zgjedhur të nënshtruarish, servilësh, sahanlëpirësish, vegla keqbërëse në duart e Partisë dhe të Policisë Sekrete. Vallë me të tilla modele do të çonte përpara shoqërinë filozofi francez! Mund të bëhet fjalë në filozofi për qenie njerëzore dyllojëshe: perëndimore dhe lindore! Shkrimtari i famshëm francez, Albert Kamy, edhe ai ekzistencialist ateist, ishte shumë herë më i ndershëm në mendim nga Zhan-Pol Sartri.
Pra, Karl Marksi u bë babai shpirtëror i armatës pa fund të kriminelëve, keqbërësve dhe spiunëve. Fredrik Niçja, ndonëse nuk pati ndër mend të bëhej i përngjashëm me Marksin, teoritë e tij të forcës dhe pushtetit u përdorën gjerësisht nga Hitleri. Dhe nëse bota do të kthehet një ditë përsëri drejt diktaturave të djathta, mendimet e Frederik Niçes nuk do të mungojnë të shkëlqejnë sërishmi, në të gjithë spektrin e madhështisë e tyre të kobshme…

Liri dhe Drejtesi
Liri dhe Drejtesi

***
Përfundimisht, ku qëndron sekreti i mbijetesës shpirtërore të  Modeleve Njerëzore, i këtyre lloj shpirtrash absolutë me vlera supreme ndershmërie, trima të sprovuar me karakter të pathyeshëm, burrëror, xhentëlmenë të vërtetë të ndërgjegjes, fare të paktë në numër, të vetmit që mbijetuan të pathyer moralisht në Lindjen e Kuqe, përherë të vetmuar, kurrë në kope, ngaqë ndienin një pështirosje tepër të thellë, të bënin pjesë në të…
Gjithë filozofia e tyre përmblidhet në këto fjalë magjike: “Mos ndërto lumturinë me fatkeqësinë e tjetrit!”
Ndërkohë më duhet të ve në dukje se kjo thënie, e cila materializohet në kohë të vështira vetëm në shpirtra të caktuar, duke i bërë ‘‘Modelet Humane’’ të distancohen aq shumë nga llumi i kriminelëve, sharlatanëve, keqbërësve, informatorëve, për fat të mirë, vepron edhe sot, ndër miliona popuj të civilizuar, veçanërisht në Evropë, SH.B.A., Kanada, Japoni, Australi e gjetkë. Bëhet fjalë për një mrekulli të vërtetë e cila ndodhi për herë të parë në Historinë e Njerëzimit, pas mijëra vjetësh shoqëri njerëzore, mishngrënëse. Njeriu mundi të shkëputet nga kopeja dhe nga pushteti i egër i diktatorëve, të cilët arrijnë të stimulojnë me mjeshtëri të rrallë, instinktet e pakontrolluara shtazore, të turmave, që përshkruan sociologu francez, Lë Bon.
Për ndonjë individ të rrallë, në thelb i ndershëm, i cili emocionohet nga këto që shkruaj më sipër, nuk është vonë që në pikën fillestare të mendimit të tij, të bëjë pyetjen logjike dhe, për më tepër, jetike: ‘‘Përse një sërë kombesh të civilizuara nuk falimentojnë ekonomikisht dhe politikisht ndërsa, gjithë të tjerët, The Rest of the World, nuk munden të shpëtojnë dot kurrsesi nga vetvetja, që është armiku i tyre i vërtetë!?…’’
Duke u nisur nga kjo pyetje e bukur, me karakter veçanërisht ndriçues, mund të ndërtohet një sistem i tërë mendimi i kualifikuar, për të ndihmuar atdheun.
Sekreti është se njeriu i kulturës së arrirë perëndimore, në fund të ditës, i drejton vetvetes pyetje të tilla, fare të thjeshta: ‘‘Mos vallë sot dëmtova fqinjin tim? Mos vallë thashë një fjalë që nuk duhet ta nxirrja nga goja? Ditën tjetër, mos më bie për detyrë, të kërkoj falje për gabimin që bëra?…’’
Më është dhënë rasti të njoh nga afër një nga Modelet Humane Shqiptare i cili, kur ish kriminelët dhe inkuizitorët më të tmerrshëm në historinë e njerëzimit, e merrnin me policë nga qelia për ta torturuar, nuk mungonte t’i konsideronte ata si miza. Megjithatë, ky individ i rrallë, vigan ndershmërie dhe heroizmi, nuk mungonte të thoshte: ‘‘Edhe pse nuk e humbas guximin në jetë, sikur të bëja një padrejtësi ndaj një fëmije të vogël, të pambrojtur, do të ndieja frikë prej tij!”
Prej të njëjtit individ, dëgjova rregullat e pashkruara, elementare, rreth patriotizmit të ndershëm e të sinqertë: të rrezikosh kokën për atdheun, në kohë lufte dhe, më pas, një lloj ndriçimi i brendshëm të mos lejojë gjuhën idiote, të mburret para të tjerëve. Për të mos u kthyer në qenie qesharake, pseudo-patriotike, siç thoshte dikur Napoleon Bonaparti për burrat e një kombi të caktuar: iu pëlqen të flasin për patriotizëm me gratë e tyre.
Megjithatë, bashkëfolësi im i dikurshëm nuk e zbatoi rregullin e mësipërm. Ai vijoi të tregohet patriot në Shqipëri edhe pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Në organizatën bazë të Partisë, sa herë mblidheshin, nuk mungonte t’i hidhej në grykë shefit të sigurimit të rrethit, për të penguar arrestimet e para. Ishte koha kur njerëzit vriteshin rrugëve, pa gjyq, dhe individi në fjalë, duke vepruar në këtë mënyrë, vinte në rrezik, me vullnet, veten dhe familjen e tij. E bënte një gjë të tillë jo për zallet dhe poplat e rrugës, që sot bëhen shkak të zalisen pseudo-patriotët!
Por për shqiptarët!…
Për kultin e shenjtë të Njeriut!
Natyrisht, nuk ishte e largët dita që individin e mësipërm e përjashtuan nga partia. Më pas e futën në burg. Pas ca vitesh të tjera, e burgosën për herë të dytë. Vdiq në burg. Në asnjë hetuesi, edhe i moshuar, nuk denoncoi shqiptarët. Sigurisht, të njëjtën gjë do të bënte, pa kurrfarë dallimi, edhe për ciganin e varfër, sikur t’i kishte besuar ndonjë fjalë me karakter politik. Iu drejtohej hetuesve me një lehtësi të habitshme në shpirt, duke i pyetur: ‘‘Mua gjetët ju për të më kërcënuar! Mos u mundoni fare! Për t’ju lehtësuar: merrni djalin tim dhe e varni këtu para meje!’’
Gjatë gjithë jetës provoi gjashtë burgje: dy nga pushteti i vendit të tij dhe katër të tjera, respektivisht, nga dy qeveri të huaja, pushtuese. Kjo është arsyeja që kur dëgjoj sot të bëhet fjalë për patriotizmin e ish informatorëve, të Sigurimit, më vjen për të vjellë. Me Spiunët, specia më e ndyrë njerëzore, më e qelbura që ekziston në gjithë rruzullin e dheut, ndodh edhe një paradoks i çuditshëm: përherë shtegtojnë si korbat për kërma, nga njeri pushtet në tjetrin. Madje, edhe në kohë pushtimesh të huaja!… Dhe më e bukura është se me informacionet e tyre të pëgëra, si në të gjitha kohët, përdhosin njerëzit më të ndershëm të shoqërisë…
Megjithatë ‘‘Baballarë të Nderuar të Kombit’’: vijimësi besnike e ‘‘Njeriut të Ri’’, mos kujtoni se i shkruaj këto për të më akorduar ndonjë nga ato diplomat tuaja të famshme, të rezervuara veçanërisht për sahanlëpirësit. Nuk do shumë mend që jam nga ata që kam zgjedhur vullnetarisht, për t’u përjashtuar nga ky lloj procesi banal. Prej kohësh! Le të dalë dikush të thotë gjysmë fjale se kam bërë ndonjëherë përpjekjen më të vogël! Më vjen turp ta bëj këtë.
Shkrimtari i ndershëm, ndryshe nga ‘‘sharlatanët e famshëm’’, duhet të jetë gjithmonë kundër pushteteve!
Do të dëshiroja të shtoja: ‘‘Nuk jam patriot pa qenë më parë humanist, që përmban brenda, në trajtë memece, edhe patriotizmin e vërtetë, të bazuar në të ashtuquajturin Rregull të Artë: ‘‘Mos ndërto lumturinë me fatkeqësinë e tjetrit!’’  Sepse, për të mësuar ju ‘‘shkollarët e lartë’’ me bishtin tuaj të gjatë, përherë të futur në pushtete: Nënë Tereza nuk ishte patriote. Ishte në radhë të parë Humaniste dhe pastaj patriote. Vetëm në këtë mënyrë ajo mundi të nderojë Shqipërinë më shumë nga askush tjetër, në kohët e moderne. Duhet të dini se Civilizimi Perëndimor gjendet sot në një vend të ndritshëm, si kurrë më ndonjëherë në Historinë e Botës. Për fat të mirë shoqëritë e civilizuara të botës i kanë dhënë prej kohësh dërrmën patriotizmit mishngrënës, vëllavrasës…
Për aristokracinë e ndërgjegjes njerëzore, patriotizmi e ka emrin Humanizëm.
Në këtë mënyrë, edhe pse në kushte diametralisht të kundërta, në krahasim me ato kur, në momente të caktuara, shfaqen të vetmuar në horizonte të përgjakura, Modelet Supreme Njerëzorë, e njëjta thënie magjike vepron edhe sot, në Botën e Qytetëruar. Me dashuri e respekt për Njeriun, pa bujë e fanfara pseudo-patriotike që të bëjnë për të vjellë, e zbatojnë në praktikë qeniet njerëzore të kombeve më të civilizuara të botës.
‘‘Mos ndërto lumturinë me fatkeqësinë e tjetrit!’’
Është një mësim i madh altruizmi, historikisht i lançuar në mjaft lloj fesh dhe civilizimesh gjatë gjithë historisë së botës, përdorur vetëm prej të zgjedhurve të saj, me frymëzim hyjnor në shpirt…
Liria e secilit për të besuar ose jo te Hyjnorja është një nga parimet kryesore të Civilizimit Perëndimor. Kush të dojë, mund ta quajë Perëndinë një përrallë të bukur netësh dimri, përbri një oxhaku të ngrohtë. Veç kjo Perëndi, jo vetëm për shkak të seleksionimit moral që diktaturat kryejnë pa kuptuar: reflektuar në një pakicë trimash fisnikë, por edhe për hir të zhvillimit të ndërgjegjes, në shoqëritë e zgjedhura perëndimore, tregon padashur, në praktikë, se është mitologjia më e mrekullueshme dhe më çudibërëse që mundi të krijojë njerëzimi.
Është e vetmja rrugë e mrekullueshme për të ndjekur edhe Shqipëria, historikisht aq e shumëvuajtur…
Nëpërmjet këtij shkrimi unë u përpoqa të vendos vetëm një dritë të vogël ndriçuese, në një objektiv të largët. Dhe asgjë tjetër! Diçka si ‘‘Zjarret’’e shkrimtarit rus Vladimir Korolenko, në një mbrëmje vjeshte, në një lum të errët, siberian…
Ndonëse dëshira ime për ndryshim është shumë e madhe, nuk kam gjë tjetër në dorë përveçse se thirrjen time të vetmuar, drejtuar intelektualëve me mendje të hapur, fare të paktë në numër: më shumë se gjithçka tjetër, t’i japin rëndësi të veçantë vlerave shpirtërore. Veç jo shpirtit në kuptimin e mendjes, por të shpirtit në kuptimin e mirësjelljes, mirësisë, besnikërisë, lirisë, dinjitetit, mëshirës, humanitetit, fisnikërisë, shpirtmadhësisë, ndërgjegjes, altruizmit, moralit, qëndrueshmërisë, tolerancës, personalitetit, dinjitetit, dashurisë… si cilësi çudibërëse, të cilat, praktikisht, bëjnë të mundur ndryshimin në thelb, të shoqërisë delikate njerëzore.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.