Gjelosh Gjokaj (1933-2016)
lindur në Milesh, Grudë, të Malësisë së Tuzit,
ishte e mbetet një mjeshtër i madh i artit shqiptar,
një emër me njohje ndërkombëtare veçmas në Itali
dhe Gjermani ku jetoi e punoi.
Ështe fat i madh që e lindi Malësia këtë burrë
që tërë jetën ja kushtoi artit,
krijoj nëpër botë por kurrë nuk e harroi vendlindjen.
K. P. Traboini
Poezia e Trajtave Figurative*
nga Agim Morina
In memoriam: Gjelosh Gjokaj (25.08.1933 – 25.09.2016)
Megjithëse u zhvillua dalngadalë, pa pompozitet dhe me durim; pa aventura manieriste, pa eksperimente të pafrytshme dhe larg Atdheut, Gjelosh Gjokaj në krijimtarinë e tij asnjëherë nuk pati rënie në pikëpamje të vlerave artistike. Kjo është një nga veçoritë më të rëndësishme të personalitetit të tij krijues. Prandaj, një qasje prapavështruese në krijimtarisë së tij do të na shpinte prej një perceptimi teknologjistik të njëmendësisë, nëpër një syrrealizëm vetëkundrues e deri te abstraksionizmi spontan – fazë në të cilën Gjelosh Gjokaj do ta gjejë veten më së miri.
Vëzhgimi syrrealist me përftesa teknologjistike, bashkë me një ironi të hollë dadaiste, shënon bymimin e parë të Gjelosh Gjokajt në anën stilistike, me të cilën, qysh herët, edhe ra në sy të artdashësve dhe të kritikës. Në këto piktura të hershme shprehet vetmia e ftohtë dhe tëhuajsimi i njeriut nga natyra. Kjo frymë ekzistencialiste e meditimit dhe e disponimit, me akte me gjymtyrë e trupa metalikë, në kofshët trishtuese të të cilëve gjejmë çerdhe zogjsh, shpreh protestën e piktorit ndaj jetës moderne, e cila çon kah dehuamnizimi i njeriut. Ky dehumanizim vjen duke u larguar nga natyra, prandaj edhe në kompozicionet janë mbizotëruese ngjyrat e ftohta, me koka të ngrira të cilat duket se në çdo çast do të klithin me zërin e tyre metalik. Natyrisht, ky është edhe refleks i ndeshjes së artistit me qytete të mëdha e të industrializuara italiane dhe evropiane.
Me kohë Gjelosh Gjokaj fillon ta ndjejë si ngarkesë precizitetin teknik, ngjyrat e ftohta. Prandaj, duke gjakuar për një çlirim emocional më autentik, duke ndier mallëngjim për vendlindjen matanë detit, Gjokaj kalon në një fazë tjetër, më të zhvilluar e më të thellë të krjimtarisë së tij, në një syrrealizëm psikologjik vetëkundrues (introspektiv). Vetëkundrues nga shkaku se në veprat e tij tashmë krijohet një raport psikologjik asociativ me anë të lojës figurative me koka njerëzish, pozita, shikimi i ngrirë i të cilëve na i përkujton statujat e tempullit të Abusë nga Tel-Asmari, në të cilat, vëmendja jonë, deshëm apo s’deshëm vazhdimisht na shkon në sytë e habitshëm e të mëdhenj të tyre. Përreth këtyre kokave mbijnë bimë të çuditshme, fluturojnë shpezë dhe vrapojnë kafshë ekzotike të cilat shkrihen në kompozicion me kokat ose shpërthejnë në nga to. Të tilla ato lënë përshtypjen se këto koka vuajnë nga andrralla trishtuese dhe me buzë gjysmë të hapura sikur dëshirojnë të pyesin se kur do të zgjohen nga këto ëndrra. Këto koka të cilat mund të jenë autoportret dhe portrete psikologjike të të afërmve të vet, kanë thjeshtësinë, skofinë dhe naivitetin fëminor. Plani i parë në këto piktura pasurohet me ngjyra të ngrohta dhe më jetësore, lëvizjet e brushës janë më të lira ndërsa në punimet grafike tekstura është më e pasur dhe më e drejtpeshuar.
Kjo formë e shprehjes zgjati deri te triptiku “Zogu” (“Vogel”) 1985, kur në veprat e Gjelosh Gjokajt bëhet një kthesë e re kah arti abstrakt. Zhvillimi shpirtëror i artistit fillon ta ndjejë si ngulfatje të frymëzimit të tij çdo çanësim trajtash të njëmendta, ai tash kërkon, sikurse Mondriani, ta hulumtojë dhe ta paraqesë “njëmendësinë e kulluar”. Prandaj në triptikun “Zogu”, shohim zogun në luftë me forcat figurativisht të padefinuara, ajrore me të cilat kacafytet (“Zogu” I dhe II) dhe në fund ngadhnjen (“Zogu” III). Figura e zogut, megjithëse e shpërbërë, ka dinamikën dhe forcën e vet mitike. Madhështinë e atmosferës luftarake ia shton edhe spikatja e së kaltrës së mbyllët dhe ngjyrës karmin, dhe prapavija e pushtuar me të rimtën e vranët.
Prej këtij triptiku e tutje, Gjelosh Gjokaj është abstraksionist në veprat e veta. Megjithëse edhe te “Zogu” në shohim të përkufizuar ravijëzimisht vetëm kokën e zogut, por, pa këtë kokë i cili është në zhdukje e sipër, ky triptik do të ishte vepër abstraksioniste. Kalimi në abstraksinizëm, natyrisht, është zhvillim i vetvetishëm i artistit, i cili gjithnjë synon kah çlirimi shpirtëror, kah hulumtimi i formave të kulluara dhe kah zbulimi i raporteve ekzotike pamore të ngjyrave.
Viti 1985, është vit kur Gjelosh Gjokaj fillon të ketë punë vetëm ne forma të kulluara, pa tendenca rrëfimore (narrative) e shpjeguese të cilat e karakterizonin më herët; pa intencë për precizitet dhe pa anim për zbukurime teknike; pa asociacione apo pa pasqyrime të njëmendësisë me trajtime klasike, por vetëm me trajta e vija krejtësisht spontane dhe me ngjyra skofiare. Arti abstrakt është e vetmja përgjigje se artisti nuk është fotoaparat i cili synon imitimin e natyrës por se është krijues jo vetëm i pamjeve të reja por edhe i një bote të re ekzotike të paparë deri atëherë. Prandaj, në artin abstrakt mimezisi platonian bën vetvrasje.
Kjo është arsyeja që Gjelosh Gjokaj si krijues dhe jo si imitues e dëshmon këtë sidomos në këtë fazë. Në një varg pikturash e grafikash siç janë: “Materia laramane”, “Grafite murale”, “Kompozicion N”, “Vija në të zezën dhe në të bardhën”, “Ambienti i brendshëm”, “Refleks i bardhë” etj. kemi ravijëzimin e kompozicionit me një të katër të çelët gati të tejdukshëm, brenda së cilës shpërthen ngjyra e kuqe e mbyllët me ngërthime dramatike, me një oker kaq të dashur për piktorin dhe ndërthurje mjeshtërore e vijave të zeza e të bardha të cilat krijojnë një vallëzim të reflekseve asociative artistike. Të gjitha këto piktura në mënyrë të mahnitshme na e përkujtojnë pohimin gjenial të Da Vinçit se edhe në një njollë muri mund të gjejmë njëmijë e një ngjarje dhe trajtime figurative artistike. E ky varg i veprave pikërisht na i përkujton njollat nëpër muret e gëlqerosura e të tymosura të shtëpive të Mileshit – katundit ku u lind e u rrit piktori.
Gjelosh Gjokaj është krijues me imagjinatë të bujshme e me invencion kureshtar; krijues i cili e hulumton thellë shpirtin njerëzor, artist i cili arrin që nëpërmjet gjuhës figurative ta shprehë shqetësimin e vet dhe brengën e njeriut bashkëkohor; krijues i cili ka arritur idealin për të cilin gjakon dhe punon papushuar çdo artist – spontanitetin. Këtë e pikas edhe edhe Dr. Göde Krameri në një parathënien e katalogut të tij kur thotë: “Veprat e Gjelosh Gjokajt përmbajnë cilësi të lartë artistike e cila është e pranishme përherë në spontanitetin e tij”.
**15/30 – Akuatinta – colorato a mano – Gj. Gjokaj – ’92 (dhuratë e autorit për A.M.)
*(botuar në gazetën “Bujku” më 09 maj 1993)