back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

22 janari i Nik Merrnaçajt – shënim përkujtimor nga Jozef Radi

22 janari i Nik Merrnaçajt - shënim përkujtimor nga Jozef Radi

Gazeta

Mri Dedja e Merrnaçajve, dhe portreti i Nik Merrnaçajt
Mri Dedja e Merrnaçajve, dhe portreti i Nik Merrnaçajt
22 janari i Nik Merrnaçajt
shënim përkujtimor nga Jozef Radi
Në ballë të shpisë së Marash Merrnaçajt në Yonkers, ku familja e tij jeton prej ma shumë se 50 vitesh, të shfaqet oxhaku klasik, i cili edhe pse e ka hupë at funksionin e vërtetë të kërcujve, zjarrmit e prushit, ruen përmes dritës dhe flakës së qirijve të trashë, për të cilët kujdeset përditë Mrija, gjithë kujtimet e lashta e të reja; për krejt festat fetare në nderim të shejtorëve, e në kujtim të familjarëve që s’janë ma e pushojnë në paqen e amshueme; për ditë përkujtimore, po edhe për udhëtimet e ndryshme të fëmijve apo t’afërmve të saj ata rrijnë ndezë së bashku me lutjet e saj…
Njashtu e javashtë dhe e kujdesshme, Mrija e ndez vazhdimisht nji qiri, shoqnue me lutje dhe shejën e kryqit, ndaj çdonjenit që asht në rrethin e saj shpirtëror, tue ia dëshirue të mirën, e mbarësi n’udhëtimet e largëta apo në hallet e përditshme të jetës…
Veçse qirinjtë e janarit në shpi të Merrnaçajve, janë pjesa ma e trishtë e nji jete të vuejtun e të sakrifikueme, e që sot, ndër flakë luhatëse qirijsh përcjellin jo veç dhimbjen e thellë po edhe njat përkushtim të hershëm e t’përhershëm të kësaj grueje të rrallë, që krejt keqja e pësueme prej njatyne që kanë shkue n’amshim, t’ju shërbejë si dritë në jetën e tjerëve që kanë mbetë, e që pa u ndalë rtrtopaten e luftojnë për nji jetë ma të mirë, ma të drejtë e  ma dinjitoze…

***
Por, janari mbetet tashma, nji muaj i trishtë për Merrnaçajt!
Ata kallzojnë se në janar ka ndodhe arrestimi i parë i Nikollës, po edhe arrestimi i dytë i tij, bash me 20 janar ka ndodhë. Janar ka qenë, edhe kur Nikolla asht lirue prej burgut të parë, e s’e lanë m’u kthye te kulla e braktisun e Merrnaçajve në Pshtan, po s’bashku me grue e vajzë të vogël e morën edhe e degdisën baltnave të Myzeqesë… Edhe prej burgut të dytë, me 20 janar 1989, Nikolla vërtet u lirue, po s’mujti me qindrue as 24 orë në shpì të vet, pse bishat e diktaturës, në burgun e Përparimit në Sarandë, e kishin katandisë në gradë të fundit.
Me 20 janar të 1990, nisën edhe protestat e Shqiptarëve, para godinës së OKB, në New York, e ku në ballë të tyne printe me flamurin pa yll, nji djalosh kelmendas 30 vjeçar, Nik Merrnaçaj. Ai s’bashku me miq e shok të vet antikomunista, do ta vazhdonte protestën edhe në Detroit, me 21 janar 1990, por të nesërmen tue u kthye prej proteste n’nji ditë t’acartë e t’akullt dimni do të gjente vdekjen, n’lule të moshës n’nji aksident të organizuem…
Prandej Janari, zemra e dimnit, në familjen e Merrnaçajve rikthen plot kujtime e dhimbje, prandej qirijtë e ndezun të Mrise, e mbushin oxhakun me dritë lutjesh e lot të trishtë dhimbjesh… Si familje tradicionale ata s’harrojnë asgja, në të mirë e në të keq… por humbja e Nik Merrnaçajt, në moshën ma të mirë, edhe shpirti i tij rebel e protestues kundra krimeve të diktaturës, edhe sot, me 22 janar 2024, në të 34 vjetor të largimit mbetet nji gjurmë të pashlyeshme në krejt shpirtnat e tyne… e në veçanti të zojës Mrì!

Marash Merrnaçaj dhe i biri Nik - Martir i Demokracisë
Marash Merrnaçaj dhe i biri Nik – Martir i Demokracisë
***
Akti i sakrifikimit te Nik Merrnaçajt, n’emën të lirisë dhe shpresës për nji jetë ma të drejte, ndërkohë që era e ndryshimeve kishte përfshi mbarë botën, mbetet nji prej shembujve ma kuptimplotë, ku liria kërkonte heronjtë e saj, po edhe heronjtë ishin të gatshëm m’u sakrifikue n’emën të saj
Sot, askush edhe asgja s’e mbush boshllëkun shpirtnor në zemrën e nji nane e nji familje, humbjen e atij djali 9 muejsh, që e ama e mbajti me djep mbi shpinë, në natën e gjatë të arratisë, në funddhjetor të vjetit 1959. E kishte mbajtë me shpirt të ngrimë, pse në çdo hap që hidhshin i ndiqte vdekja: O prej pushkëve të kufitarëve, o prej honeve të maleve, o prej territ të thellë të natës së dimnit.
Prandej edhe lotët e Mrìsë, tash e 34 vjet, vazhdojnë me rrjedhë… pse bishat s’u ngopën kurrë me gjakun e saj!
Po forca e dashnisë së saj, e ringjall përditë Nik Merrnaçajn, dhe ai portreti i tij i buzqeshun lehtë, që i rrin vazhdimisht mbi krye në gjitha ditët e saj dhe kujtimi i tij, asht në krejt lutjet e në mirsinë e saj të pakufi…

***
Nik Merrnaçaj asht sot e gjithmonë nji figurë e nderueme!
E nderon familja e tij, si bashin e djalit!
E nderon Amerika, e ka caktue nji ditë përkujtimore, në nderim të rinisë dhe veprës së tij sublime.
E ka nderue edhe shteti Shqiptar, me titullin e naltë “Martir i Demokracisë”!
E ka nderue edhe Kelmendi emnin e Tij, në të vetmen shkollë të mesme, ate në Tamare!
E nderon komuniteti shqiptar në Amerikë e në Shqipni e kanë thure edhe kangë për të…
Po mbi të gjithë e nderon me dhimbë të thellë nana e tij, Mrì Dedja e Merrnaçajve, qe e ka ndër sy portretin e tij, e ndër buzë nji bekim të pafund për të e familjen që la mbas Nik Merrnaçaj!

Nick Merrnaçaj
Nick Merrnaçaj (1959-1990)
***
Edhe 22 janari 2024, asht nji ditë dhimbe në familjen Merrnaçaj, e jo veç për ata!
Asht nji ditë ku përkujtimi kthehet në forcë. E ndërsa familja mbas meshës në kujtim të tij, me tufat e luleve ndalen te vorri monumental i Nik Merrnaçajt, ata vazhdojnë me e mbajtë të gjallë kujtimin e jetës dhe veprës së tij heroike…
Zoti asht gjithnji me guximtarët, e Nik Merrnaçaj ishte nji prej tyne…
Dritë pastë shpirti i tij!
21 janar 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.