back to top
6.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

26 prill – Zoja e Këshillit të Mirë – Pajtorja e Shqiptarëve

Gazeta

Zoja e Këshillit të Mirë
Zoja e Këshillit të Mirë

26 prill – Zoja e Këshillit të Mirë – Pajtorja e Shqiptarëve

Më 26 prill,
kalendari kishtar, përkujton një nga të kremtet më të dashura
për besimtarët katolikë shqiptarë:
Festën e Zojës së Këshillit të Mirë,
të njohur edhe si “Zoja e Shkodrës”.
.
Zoja e Këshillit të Mirë - Zoja e Shkodrës
Zoja e Këshillit të Mirë – Zoja e Shkodrës

Në Qytetin e Veriut të Shqipërisë, Shkodër që prej kohëve të lashta nderohej me përkushtim të veçantë, një figurë e mrekullueshme e Zojës. Është ajo figurë që sot ndodhet në Gjenacan (Genazzano) të Italisë. Historia e saj, është vetë historia e katolicizmit ndër shqiptarë, katolicizëm i cili, me vdekjen e Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, më 1468, nisi udhën e vet të kryqit. Në sa një pjesë e madhe e banorëve, gjatë pesë shekujve të robërisë, do të shtrëngohej të ndërronte fe e një pjesë tjetër do të merrte rrugët e mërgimit, vetëm një pakicë do të mbetej besnike, duke vuajtur porsi gjarpri nën gur për shekuj e shekuj.

E pikërisht në këtë kohë, rreth vitit 1467, kur një ushtri e re e madhe e sulltanit u dynd mbi Shkodër, sipas gojëdhënës, figura e Zojës u shkëput nga muri i Shenjtërores rrëzë Kështjellës së Rozafës, për të mos u dhunuar nga hordhitë anadollake. E mbartur nga engjëjt, mbështjellë prej një reje – vijon gojëdhëna – u ndalua në Gjenacan, afër Romës. Gojëdhëna tregon edhe se Figurën e mrekullueshme e përcollën dy shkodranë, rojtarë të shenjtërores, e ndërsa ecnin me sytë lart, pa u kujtuar as ata vetë, e kaluan në këmbë detin Adriatik. Si arritën në Romë, figurja u zhduk nga sytë e tyre. Por nuk vonoi e në të gjithë Italinë u hap zëri se një figure e mrekullueshme kishte zënë vend në muret e Shenjtërores së Gjenacanit, ku me ndërmjetësinë e saj po kryheshin mrekulli të panumërta.
Ishte data 25 prill 1467.
Që asokohe nisën shtegtimet e besimtarëve drejt Gjenacanit, e Zoja jonë e Këshillit të Mirë, Pajtorja qiellore e shqiptarëve, nisi të nderohej edhe në Itali, Gjermani, Austri e më vonë edhe në kontinente të tjera, me të njëjtën figure, që vijon të nderohet në Gjenacan.
Figura e Zojës është e pikturuar mbi një copë suvaje muri katrore, me teknikën e afreskut. Është e lartë 45 centimetra dhe e gjerë 40 centimetra. Duket sikur qëndron e varur në ajër, duke u mbështetur vetëm paksa në pjesën e djathtë të bazamentit. Koka e Krishtit Fëmijë është pikturuar krejt pa flokë. Dikush ka thënë se është pikturuar kështu sepse në Shqipëri aso kohe ishte zakon që fëmijëve t’u qetheshin krejtësisht flokët. Koha kur u krijua kjo vepër arti dhe autori i saj nuk dihen me siguri. Në se nisemi nga stili i punimit, do të përcaktonim shekullin XIV si periudhë kur u krijua vepra. Sipas mendimeve, e më shumë dëshirave të shprehura deri më sot nga studiuesit shqiptarë, piktura mund të jetë vepër e ndonjërit nga 80 piktorët e shquar vendas, që përmenden në veprën e Gelçiçit.
Kjo figure, pra, nderohej në kishën e vogël dy herë të rrënuar të Zojës rrëzë Kështjellës Rozafa, një nga më të vjetrat në Shqipëri. Në këmbë apo gërmadhë, Kisha mbeti gjithnjë cak shtegtimi. Nuk ka besimtar që duke kaluar andej, edhe pas vitit 1967, kur kisha u rrënua për herë të dytë nga diktatura enveriane, të mos jetë lutur në heshtje për ditë më të mira me një lutje tradicionale, që i qëndroi kohës, më shumë se muret: “O Zoja e Bekueme, Nana e Këshillit të Mirë, po të thërrasim ty, që je Bija e zgjedhuna e Zotit Atë, Nana e Jezu Krishtit, Nusja e Shpirtit Shenjt, Tempull i së Shenjtnueshmes Trini: ndërmjetëso për ne në qiell!”.
E kur Kisha u rindërtua, Lutja u pasurua me fjalët: “Ndër duert tua të fuqishme, o Nanë e Mëshirës, po e lëshojmë të dashtunin kombin tonë, megjithsè jemi mëkatnorë të mjerë e të padenjë. Po të falënderojmë se na je gjetë e na ke ndihmue me kujdesin e një Nane të vërtetë në dimnin e gjatë e të vështirë të persekutimit, i cili na shkaktoi viktima të panjehuna, martirë që tash ndërmjetësojnë për ne në qiell. Po të falënderojmë që na e nxore nga Zoti hirin e rikthimit të pranverës së lirisë fetare e qytetare, e cila i hapë rrugën ndërtimit të një shoqnie ma të drejtë e ma vëllaznore”.
E ndërsa besimtarët luteshin e luten në Kishën rrëzë Kështjellës, mendja nuk mund të mos u fluturojë në Gjenacan, afër Romës, atje ku Zoja Mërgimtare, si qindra mijra shqiptarë në kohë të lashta e të reja, ndërmjetëson përsëri për fatet e Kombit shqiptar.
Duam të shtojmë se festa e Zojës së Këshillit të Mirë, kremtohet solemnisht edhe në Kosovë, ku në qytetin e vogël të Klinës ka një Kishë të bukur.
(teksti nga www.vatican.va, në gjuhën shqipe)
.
Legjenda e shfaqjes së Zojës sw Shkodrës në qiellin e Gjenacanit
Legjenda e shfaqjes së Zojës sw Shkodrës në qiellin e Gjenacanit

Atë Gjergj Fishta,

i ka kushtuar vargjet e mëposhtme shenjtores së qytetit.

“Te falemi, o Mri! virgjina e dlir’,
O nana e bukur e K’shillit t’Mir;
Ty ndim te kena ne ket’ shkreti:
te falemi, o Mri, te falemi, o Mri
 
Te falemi Virgjin’ Nana e Tenzot,
Ndihma e kshtenimit me hire plot;
T’bin në mend se Zoja e Shkodrës je:
Lutu për ne, lutu për ne!
 
Lutu, po, e derdhi hiret e m’dhaja
Si n’kohet e moçme n’kishe te Kalaja,
Ku t’lutej Shkodra plot me dobi;
Të falemi, o Mri, të falemi, Mri!
 
Lutu, se Shqiptarët, o Zojë, të tanë
Te Ti e çojne zanin në Gjenacane:
M’shir’ për në thona m’shir’ për Shqypni!
Të falemi, o Mri, të falemi, o Mri”!
.
Papa Gjon Pali i II duke bekuar Zojën e Shkodrës dhe Shqiptarët
Papa Gjon Pali i II duke bekuar Zojën e Shkodrës dhe Shqiptarët

Urata e Papa Gjon Palit II Zojës së Shkodrës

 
Zoja e Shkodrës, Pajtorja e Shqipërisë, ti Nëna e jonë e Ëmbël!
Ty që në zemër të rrjedh gjaku i popullit tënd: kthej sytë e tu mbi këtë komb, i cili ka pasuar fatin të marrë mësimin e parë të Ungjillit nga goja e Apostujve, e që Ty të ka nderuar përherë me dashuri të pastër bijësore.
Edhe sot në errësirën e provës ky komb të drejtohet Ty, plot shpresëe pret ndihmën tënde amnore.
Ti i prin Kishës në shtegtimin e fesë: hidhi sytë e tu mbi bijtë e bijat shqiptare, të cilët janë duke udhëtuar të ngarkuar me prova e mundime.
Forco të ligshtit, ngushëllo të mjeruarit, mbaje të gjallë fenë në zemrat e të gjithëve.
Nënë e Shëlbuesit, bekoji familjet e krishtera të cilat përbëjnë thelbin e Kishës së Birit tënd hyjnor.
Nënë e shpresës, shpejtoje ditën në të cilën ky popull fisnik, do të shikojë të realizuara edhe njëherë të gjitha dëshirat e thella të shpirtit të tij,
Atëherë kur të gjithë, bij e bija, do të kenë mundësinë të bashkohen në harmoni të plotë për të rindërtuar të ardhmen në drejtësi e paqe.
Amen.
http://www.drita.info/2015/04/26/zoja-e-keshillit-te-mire-pajtorja-e-shqiptareve/

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.