back to top
6.5 C
Tirana
E hënë, 18 Nëntor, 2024

Zot-ynë ra ndë liqen… – Cikël Poetik nga Erina Çoku

Gazeta

...e para ishte Era!
…e para ishte Era!

Zot-ynë ra ndë liqen…

Cikël Poetik nga Erina Çoku

Erina Çoku asht ndër poetet ma lojcake, ma të ndjeshme e ma transformiste të poezisë shqipe…
Në çdo shfaqje të saj poetike ajo shpalos teka e trille të herpashershme konceptuale, metrike, ndijesore e gjuhsore, çka të shtyn me dyshue nëse asht ajo që ke lexue ditë ma parë a ndonji tjetër. Poete antiintegrale me nji spektër ngjyrash pothuej kaleidoskopike, me nji ndjeshmëni të veçantë dhe tejet e guximshme në trajtimin e verbit poetik, muzikalitetit dhe nuancave të saj. Nji eksperimentuese kryeneçe që kush si ajo s’guxon me luejtë me gjuhën, veç kjo çupëlinë e letrave shqipe, me at buzqeshjen e mbime ndër buzë (edhe kur shpirtin e ka të vranët e mundimet e së përditshes i kanë shkue tej çdo limiti…) Janë bash këto pirueta poetike, kjo lojë spektrale emocionesh e shprehjesh, kjo violinë gjuhësore që rafinohet dhe e vonon paksa Erina Çokun me u rishfaqë me at libër që pritet prej saj, e ku krejt kjo botë emocionale, eksperimentale dhe grryese t’u zbresë ndër duer lexuesve.
Ajo çka mund të thuhet prej këtij vëzhgimi pak rastësor, asht raporti që kërkon poetja me Unin e vet, me at mprehje në kohna që po pëson shpirti i saj dhe me at sensibilitetet poetik që fitojnë vargjet e saj e që sot e kanë çue në ditët ma të admirueshme të leximeve…
Përzgjedhja e këtyre pesë gjashtë poezive asht krejt rastësore. Ato janë thjesht vëmendje të vogla të së përditshmes së saj komunikuese, e që kapen në fluturim si sinjale botësh të largta, poezi që vërtet dalin prej nji shpirti të brishtë po na tërheqin me ato mënyra të shkruemi, të ndjemi e të luejtuni virtuozisht… Diku ndesh nji poezi në standart korrekt, diku tjetër gjen shpirtin lasgushian sëbashku me liqerin që filtrohet në shpirtin e poetes n’formën e nji magjie, diku asht nji poezi në gegnishte të saj,ku mungojnë krejt ë-të (si duket dëshira e puthjes s’ka asnji nevojë për zanoren parazitare), diku tjetër ajo gjen nji mënyrë lojcake me shprehë vetvedin në trajta të tilla sa ti e humb ftohtësinë e leximit e bahesh pjesë e rrjedhave së saj…
Lexoje kët çupëlinë të poezisë shqipe dhe mos ia kallzo askujt psetë e habisë tande…!
jozef radi, qershor 2018
Erina Çoku
Erina Çoku

Këngë e bukur e rëndë

Pashë në ëndërr sikur vdiqe,
dhe unë qesha me të madhe kryqëzuar në trupin tënd.
– O i pashpirt, – të thirra, – ku ikën kështu?
.
Trupi yt, blu e thellë si agu i parë më foli:
– E dashur, po të kisha shpirt do të të përgjigjesha,
por ti këndo, këndo që të zgjohen ata që flenë.
.
Unë qava e prej sysh më rrodhën këngë,
përshpirtje trishtake në gojë të mëngjesit,
dhe trupi yt blu u mbush me shpirtin tim.
.
Pashë në ëndërr sikur u ngjalle,
trupi yt i bardhë kryqëzuar në dashurinë e trupit tim
ngrihej baticë si hyjni uji.
.
– Do të vdesësh sërish? – të pyeta.
Ti përmbyte dheun e u tërhoqe zbaticë
me trupin tënd blu të përshpirtshme.
.
Kurmi yt ende i patharë mbi mua foli:
– E dashur, po të kisha shpirt do të të përgjigjesha.
Mbaji gjallë ëndrrat e tua të ujshme që të mos plasaritet qielli.
.
Unë qesha hidhur, gishtat futa në sy,
dhe kripë e egër mbuloi dheun.
Këngët e mia të njelmëta ruajtën trupin tënd blu të thellë.
.
Pashë në ëndërr sikur vdiqe, u ngjalle, vdiqe
dhe këngët e mia të blatonin mjaltë.
– Çohu i pashpirt, të ngjyhesh në jetën time të ëmbël, – të thashë.
.
Kurmi yt me vija të kuqe lëshoi aht:
– E dashur po të kisha shpirt do të të përgjigjesha,
por ti mbille një lule që shpirti yt ta shpojë tokën me rrënjë.
.
Unë qava, qesha, qava, qesha
dhe këngët e mia iu ngjitën trupit tënd blu të thellë
si mjaltë që mëkon plagët.
.
Pashë në ëndërr që koha vdiq,
trupi yt blu e thellë mes agut e muzgut
mbushej hoje më hoje me shpirtin tim.
.
– I dashur, tani nuk do të vdesësh më,
unë do të zgjohem dhe damarët e tu do të kenë
kujtesën e frymës sime të kuqe në trupin tënd.
.
Pashë në ëndërr jetën
dhe trupin tim pus të thellë me këngë uji.
Pastaj çela sytë e u mbusha me frymë.
 

Poemë e zotit ndë gjol të thellë

Zot-ynë ra ndë liqen
e retë u zgjatën tërë nge
të shohnë vallë si na qe
shenjtëria vetë përmbi dhe.
 
Zot-ynë ra ndë liqen
valëzat e ndjekin një nga një
me njëra-tjetrën mbajnë rend
si peshka të vogla cëk më cëk.
 
Zot-ynë ra ndë liqen
e sytë na i mbushi plot
tek ujtë e shohim vate vjen
ai vallë a na sheh dot?
 
Zot-ynë ra ndë liqen
si për të na mbajtur ne mbi shpinë
na çoi shpirtin lart në re
e ra në ujë sa i hodhëm synë.
 
Zot-ynë ra ndë liqen
shpirtrat mbi ujë na i mbajti,
kodrave shkau pështjellë me re
erdhi teposhtë për së larti.
 
Zot-ynë ra ndë liqen
e brengat thellë na i humbi
kodrat mbajtën mbi supe retë
se ngjyrë të bardhë, se ngjyrë plumbi.
 
Zot-ynë ra ndë liqen
këtu një pemë, atje një varkë
ca kallamishte diku më tej
ca gurë të ngrysur, ca gurë të bardhë.
 
Zot-ynë ra ndë liqen
e gjithë ç’deshëm e harruam
ndaj morëm frymë edhe njëherë
se kush kujtoi e kujtuam.
 
Zot-ynë ra ndë liqen
qiellin e bardhë me sy e shkruam
se kush harroi mall e brengë
mu ndënë ujë e harruam.
 
Dhe udhës kodrat nëmëruam
që uji brengën ta shtyjë tej
kush dashuroi kur dashuruam
kush na mëkoi shpirtin e mjerë?
 
Zot-ynë ra ndë liqen
e mori frymë ai pa fjalë
kush udhën në heshtje na e gjen
me këngë shpirtin na e kthen mbarë.
 
Kush paqen me ujë nëmëroi
kush zemrën plot e pati
ashtu kjo jetë e shënoi
te Zoti ynë, e pastë fati!
 
Zot-ynë ra ndë liqen
unë s’qeshë shumë lark
e pashë vetë si gjeti prehnë
i hyri ajri, shpinë e bark.
 
E mora frymë thellë
ndë ujë kur e pashë
dritën e shtruar, dritën e qetë
që qiell e ujë i bëri bashkë.
 
Mbi kodra pemët urtë rrinë
si t’jenë të Zotit nëmëruar
si t’jenë ujin duke pirë
prej qiellit shtruar-shtruar.
 
Dhe kodra-kodrës qetinë ia jep
me këngë e ujë të thjeshtë
liqeni paqen në shpirt ta mbjell
porsi Zot-ynë i madh vetë.
.

Erina Coku - ...n'stinen e pest si nuk nrron asnjiher
Erina Coku – …n’stinen e pest si nuk nrron asnjiher

Du me t’puth

Du me t’puth,
n’kohen zero t’gjitha gjanave
n’stinen e pest si nuk nrron asnjiher
n’motin e t’gjitha moteve
ba nji.
 
Du me t’puth,
me mend
aty ku fjalt bahen shpend t’llastum,
me sy
aty ku koha lidhet me land,
me frym
aty ky elipsi i bots metet gjys,
me buz
mu n’buz.
 
Du me t’puth,
tu t’ndigju frymn
si kapercen poret e lkurs,
bash n’at or
kur çdo gja metet pezull,
veç pse ti m’shef
sikur tjeterkush s’ka met perky dheut,
e veç pse un t’shof
sikur t’mos munesha me ba nryshe.
 
Du me t’puth,
n’puthjen tane,
me nji kang prej qafe n’goj,
me dy sy t’myllun
qe t’shofin mu n’shpirt.
 

Amplitudë

Ndonjëherë jeta bëhet lëndë
një lëndë e dyshimtë që hapësira e tkurr
dhe koha e torturon,
emri i saj është e tashme:
e kotë ta kuptosh në të shkuarën
qesharake ta kërkosh në të ardhmen.
 
Ndonjëherë jam bimë,
jeta më rrjedh në vena pa më pyetur
në dua a jo, në mundem a jo,
ndonjëherë jam një qenie me rrënjë në jetë.
 
Ndonjëherë nuk jam bimë,
por një egërsirë që i ikën jetës në të errët
që drita i duket e rëndë e koha si guri,
një egërsirë e zgjuar që e di
se horizonti është një vijë e drejtë për të gjithë.
 
Ndonjëherë pres në heshtje tërmetin që rrafshon gjithçka
që bota pastaj të më dëgjojë qetë-qetë duke i thënë:
Të thashë!
 
Ndonjëherë ligjet e vetmisë bëjnë një shkreti të madhe
dhe uji ka tjetër kuptim, dhe zjarri tjetër vlerë
dhe ajri të çon kahmos me figura të luhatshme,
edhe pse gjithsej është e ngrirë e asgjë nuk ndodh.
 
Ndonjëherë ndiej zemrën që më del prej kraharori
e kuqe dhe e gjallë
një muskul i frikshëm si dinozaur i lëngët
një figurë asimetrike si flakë dragoi
që vjen afër teje
me u futë brenda trupit tënd
me t’i shpërthy brinjët me gjithsej je
me t’i thy eshtrat, me t’i lidhë nyjë tejzat
me ta ngushtu frymën në metër kub brenda teje,
por ti shpëton, për pak shpëton,
se unë asnjëherë nuk jam mjaftueshëm e egër
për të mirën time
a mjaftueshëm e durueshme
për kraharorin tënd që s’epet,
ti shpëton se unë jam tepër e butë
për të rrafshuar gjithçka me zemrën time
e për ta parë trupin tënd të shndërrohet në hi,
ti shpëton se thellë trupit tënd nuk zgjohen
dragonjtë a vrundujt e erës,
ti shpëton se nuk mbushesh me ujë
gjer në mbytje, gjer në thirrjen e fundme:
Frymomë!
 
Mund të isha një bishë shpëtimtare,
heroi yt i dyshimtë plot hir
por ti shpëton,
sepse në fund të përrallës të gjithë shpëtojnë,
veç meje.
 
Ndonjëherë jeta e kapërcen gjallimin,
dua s’dua, ia duroj sythet në shpirt,
rrënjët në mish, limfën në asht
e zemra ime e kuqe plot frymë
mëkon botën me amplitudë të përveçme.
 

Me pa me sy

Sytë e mi çelen ngadalë
më dalin prej trupit
gjejnë sytë e njeriut tjetër
futen brenda tij.
 
Gjithë trupi më dhemb
gjithë trupi i dhemb
Sytë gërmojnë.
 
Dy palë sy japin
katër pika dhembjeje të forta
katër pika kënaqësie të turbullt
në një fraksion sekonde.
 
Ç’ka brenda krijesës?
Një hon e një peme degëhollë.
A mban? A bie?
 
I kujt është honi që matim me sy?
I atij që e jep apo i atij që e merr?
Kush e merr humnerën me sy?
Ndokush?
 
Vetëm nuk shkohet atje, është theqafje.
Vetëm nuk dilet që andej, është agoni.
Më beso mua. Unë kam qenë brenda teje.
 
Ti do të bjerresh i pari,
me një hon mangët prej syve të mi
që për dritë e terr erdhën brenda teje.
Ti i pari.
 
Sytë e mi mbyllen ngadalë
gjejnë rrënjët në trup
çelin ninëzat në shpirt.
A sheh çka shoh?
.
Leo Patzelt, Musetouch
Leo Patzelt, Musetouch

Me mue vjen pranvera n’Pejë

Shqipnue shpirtnat tanë mkojnë tokat e pranverës
me rranjët e tyne t’gjata kah m’kah ktij dheu,
dhembja na i njeh ngastrat, bashkue e ndamë
e andja e jetës shpesh na duket veçse nji andërr e largët.
Un vij prej nji ane tu t’kërkue ksaj ane.
Pash gjakun e tokës e t’qiellit, si njisoj e kena,
ti ku je?
 
Asht pranver’, gjithçka ndihet me kraharor,
fjalët e pemve për rranjët e tyne kuptohen mâ mirë,
asht pranver, çka çeli ka m’u bâ frut,
nuk do ‘desim uni, tashmâ.
Pash kangt e pemve e t’barit, si gjallë ta mbajnë frymën,
ti a je?
 
Pranveren jam tu mbledhë si nji fill t’gjatë
prej pragut tim n’Pejë e prej Peje n’pragun tim,
kadalë tu mendue, për mue e ty,
për nâ si nji u bamë, por nji nuk mbetëm,
kadalë tu ndie dashnin n’ rrema përqafue
me shpirtin e gjanë e t’lartë përky uji,
kadalë tu e bâ nji shtrojë të re për njeriun
me u njoftë e me u plotnue brenda kresë.
Pash, shpirtin si afrue e largue na nget,
ti a je, sikundër jam?
 
Udha asht nji kurm me brinjë e degë,
t’gjitha janë tu m’dhembë nan lekurë
e t’gjitha jam tu i ndi’ si rrema t’kuq trupit tim.
Pash kryet e maleve n’kryet tand, perngja me mue,
ti si je?
 
N’Prizren kam me qenë dikur,
kur t’shkoj, saora ke m’u shkru n’fytin tim
nuk di pse, e nuk di qysh.
Nesër, sot e dje m’janë bâ lamsh.
Pash udhën, si drejt duhet me e marrë,
ti pse je?
 
N’Gjakovë kam lanë do kodra t’blerueme,
zaje t’bardha m’bien prej zemre
e uji i syve m’i merr e m’i çon larg,
peng i kputun, i përjetshëm.
Pash ujin, si durve t’mija me buzën tande e ke pi,
ti qysh je?
 
Lumi shket n’Pejë tu u lmue gurve t’shpirtit
e zajet e mija t’bardha ngucen bregut
tu harrue plagët thellë në ujë.
Pash çatinë mbi dritore, si zemren ta ndrit,
ti çka je?
 
Pemët mbledhin shiun n’Pejë,
era e dheut asht historia e rranjës tande,
po mendimet bahen turrë mbi ura të vogla
tue zanë brigje e shtigje, për mue dhe ty.
Pash zgjimin e ujit n’zemër, si gjallnimin ta jep,
ti kah je?
 
Malet kanë bâ prag e janë afrue
me lindë n’zemër edhe njëherë,
e krye m’krye e kacarrojnë lumin
si shket i lmueshëm diçka tu’ përkundë
sa ura e lidh prapë shpirtin e zgjidhun,
pa lanë dert për penj të trishtë.
Pash andrrat, si shenjë t’lanë n’ballë,
ti je a s’je?
.
Pranvera asht e kadaltë n’Pejë,
nuk ngutet me ardhë, nuk ngutet me ikë,
trandafila t’verdhë shpirtnohen n’hundë
tu’e ba dhembten ma t’durueshme
e krahanorin t’shelbuem me eter.
Pash dritën si t’puthet amel sysh,
ti ji.
 
Pranverën e heq zhag kahdo shkoj,
pranvera m’heq zhag kahdo vij,
streha m’sheh nan vetull butë,
pragu m’sheh drejt buzës urtë,
Pash jetën, si asht thelbi ynë i pastër
pash jetën, si e ruejmë n’trupat tanë t’përkohshëm,
pash jetën, si ka me kenë edhe kur na t’mos jemi,
kurrë mos thuaj se s’je,
tash si unë jam.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.