back to top
-0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

3 Nëntori i vitit 1443, Dita kur Gjergj Kastrioti-Skenderbe u rikthye në atdhe – nga Frank Shkreli

Gazeta

Gazetari Frank Shkreli
Gazetari Frank Shkreli

3 Nëntori i vitit 1443,

Dita kur Gjergj Kastrioti-Skenderbe u rikthye në atdhe

nga Frank Shkreli

Në çdo vend tjetër, nga çdo komb tjetër, kjo datë – ky përvjetor historik për Kombin shqiptar – do të kujtohej zyrtarisht nga dy shtetet shqiptare dhe nga pikëpamja historike prej akademive të shkencave në Tiranë dhe Prishtinë dhe si rrjedhim nga i mbarë Kombi shqiptar kudo, përfshi diasporën. Kjo duhej të ishte një ditë, në të cilën shqiptarët kudo, por sidomos në Shqipëri e Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare nën sundime të huaja në Ballkanin Perendimor – të festonin këtë ditë të madhe për ta – të mbledhur të gjithë së bashku – të pakën në këtë ditë për të përkuajtur Fatosin e Madh dhe të përgjithëmonshim e Kombit – rikthimin e Gjergj Kastriotit – Skënderbe, në Atdhe.
Për fat të keq, ashtu siç u harrua në heshtje disa vite më parë edhe i shpalluri “Vit i Gjergj Kastriotit – Skënderbe – Frank Shkreli/ U mbyll “Viti i Gjergj Kastriotit Skënderbeu” – Në heshtje | Gazeta Telegraf – ashtu edhe kjo datë (3 nëntori 1443) të pakën me sa shoh deri tani – me përjashtim të ndonjë portali aty këtu, nuk u përmend nga asnjë ent me rëndësi qeveritar, shtetëror ose akademik. Ky qendrim antikombëtar sot ndaj Gjergj Kastriotit – Skënderbe, nga shqiptarët, për Heroin e tyre Kombëtar – i cili me luftimet e tija kundër Perandorisë Osmane u solli lirinë për një çerek shekulli. Por kjo datë e kthimit të Skënderbeut në Atdheun e tij, duhej të ishte edhe një ditë kujtesë nga Evropa për ndihmesën që luftërat e Gjergj Kastriotit – Skënderbe kanë dhënë për shpëtimin e kontinentit të vjetër nga hordhitë osmane. Do të ishte mirë që dikush t’ua kujtojë këtë datë borrelave dhe lajçakëve të Europës moderne se çfarë rëndësie ka kjo datë për lirinë e shqiptarëve sot por

Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe Poeti amerikan Henry Longfellow
Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe Poeti amerikan Henry Longfellow

edhe për mbarë Evropën. Dikush duhet t’ua kujtojë evropianëve modernë që vazhdojnë të përçajnë e të ndajnë me pazarllëqe trojet shqiptare se kush ishte Kastrioti i shqiptarëve të shekullit XV, që luftoi edhe për të mbrojtur lirinë dhe qyttetërimin e tyre, por dhe i shqiptarëve të shekullit XXI – i këtyre shqiptarëve që edhe sot e kësaj dite nuk kanë siguruar lirinë dhe pavarsinë e plotë për veten në trojet e tyre shekullore.
Ndryshe nga heshtja e klasës së sotme politike shqiptare në Tiranë dhe në Prishitnë – ishte At Gjergj Fishta – Poeti i Madh i Kombit shqiptar, që në fillim të shekullit të kaluar u ka kujtuar fuqive të atëhershme evropiane, por aktuale edhe për ditët tona për fat të keq të shqiptarëve – se pasardhësit e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut ende nuk gëzojnë lirinë dhe pavarësinë e plotë:

Uh! Europë, ti kurva e motit,
Qi i rae mohit besës e Zotit,
Po a ky â shêji i gjytetnís:
Me dá tokën e Shqypnís
Për me mbajtë klysht e Rusís?
Po ti a kshtû sod na i perligje
Njata burra qi m’ kto brigje
Për tý vehten bâne flije
Kur ti heshtshe prej ligshtije?

(At Gjergj Fishta – Lahuta e Malsisë)

Mirë – nëqoftse Evropa ka heshtur prej ligështie, siç me të drejtë, At Gjergj Fishta qortonte fuqitë e mëdha evropiane të kohës së tij, pse heshtin sot shqiptarët – prej ligështie thua a po prej ndonjë gjëje tjetër – për At Gjergj Fishtën dhe për data të rëndësishme për Kombin shqiptar, siç është (3 nëntori, 1443) – Dita e rikthimit të Gjergj Kastriotit – Skënderbe në Atdhe. Një përvjetor ky që ka hapur një kapitull të ri në historinë e qendresës së shqiptarëve ndaj së keqes së Perandorisë Osmane dhe që njëkohësisht, shënon edhe flijimet e mëdha të shqiptarëve në mbrojtje të qytetërimit evropian!?
Pamje nga Sheshi “Skenderbej” në Tiranë, ku siç duket në këtë ditë të 3 Nëntorit 2023) që shënon rikthimin e Gjergj Kastriotit në Atdhe, (3 Nëntori, 1443) dikush ka vendosur të pengojë pamjen e Monumentit të Heroit Kombëtar duke ngritur këto kioskë – se për çfarë qëllimi, nuk është e qartë.

Gjergj Kastrioti ne Hartsdale te New Yorkut
Gjergj Kastrioti në Hartsdale te New Yorkut

Henry Wadsworth Longfellow

Skënderbeu – shkruar me 4 Shkurt, 1873

Poeti amerikan që lartësoi Skënderbeun me poemën e tij ku Skënderbeu
paraqitet si hero legjendar.
Vjersha është përkthyer nga i madhi Fan Noli (1916).
Lëfton luftën dhe fiton
Mbreti Ladisllav gjëmon,
Djek si Ferr, si vdekje pret
Ditën e Rushajevet,
Dhe nga fush’e kuqe gjak
Ikën, rent përpara tij
E Muratit ushtëri
Që shpëtoj e s’ra në lak.
Kur u-ngrys e kur u-err,
Skënderbeu, nder, lavdi
I asqerit Osmanlli
Tok me Turqit krismën merr,
Si lëfton e si humbet
Ditën e Rushajevet.
Mbet e vdekur prapa tij
E Muratit ushtëri,
Kryerojtja udhën hap,
Praparojtja rent me vrap,
Dhe armiku gjakësor
Si me drapër grin e kor.
Po kujdes ay s’të ka
As për Bej as për Pasha,
Edhe natën tek’ po shkon
Yjt’ e fatit po shikon
Që i ndritnin n’udhëtim;
Edhe kalit tij i ra,
Nënëqeshi edhe tha:
“Është koha për gëzim”.
Mez’i natës kur afroj,
Ikja e rreptë kur pushoj,
Një Qatip na vjen i Mbretit
Me myhyrin e Dovletit
Edhe tha me zëmërim:
“Njoll’ e parë t’u-vu sot
N’emër, o Gjergj Kastriot!
Pse kështu? Oh, mjerë ne!
Ushtërinë pse e le
Therrur fushës për vajtim?”
U-përgjegj Skënderi, e tha:
“Dergjen mbytur nëpër gjak.
Thembr’e kalit i ka prak,
Po kështu e shkruar qe
Nga i Madhi Zot atje
Q’urdhëron çdo ushtëri.
Dhe ku kemi ne fuqi
Kur ngre dorën kundër nesh
Dhe na grryen si rrebesh?
“Lidheni, tha, me litar
Shkronjësin me kallamar!”
Dhe Qatipi tha: “Po ç’faj
Paskam bërë që Pashaj
M’a bën mua këtë gjë?”
U-përgjegj Skënderi e tha:
“Faj s’ke bërë asnonjë,
Po që të mos na shpëtosh,
Dhe të fshihesh e të shkosh,
Përandaj ta bënj këtë.”
Tani shkruamë një shkrim
-Dhe për fis e paç bekim!
Me myhyrin e Dovletit
Për Mytesarifn e Mbretit
Që mban Krujën, një qytet
Rreth me mur e me hendek,
Të ma kthenjë gjën’e atit
N’emrin e Sulltan Muratit;
Se çdo urdhër që të japë
Kurrë nukë merret prapë.
Dhe Qatipi u-krrus prej tmerrit
Dhe kështu i tha Skënderit:
“O Allah i math, i naltë,
Që të jemi hi e baltë!
Qysh t’i shkruanj këto shkrime
Kur e di që kokën time
Po ma pret ay Dovlet?”
Shpejt ahere si një yll
Që këputet lark nga qjelli
Çpallet nga i arti myll
Një hanxhar me reze djelli
Dhe gjëmon Skënderi: “Shkruaj!”
Dhe Qatipi i tmerruar
Shkroj në dritën e drithmuar
Afër zjarrit, i dërmuar,
Flokë-bardhë, kokë-ngrirë,
Nga e ftohta i mërdhirë,
Zemër-prerë, vdekje-grirë.
Dhe Skënderi prapë tha:
“Tani eja pas me mua
Se të mbetesh këtu s’dua
Do t’të kem si mik e vlla,
Gjithënjë do t’të nderonj
Me kujdes do t’të rrethonj
Sa të rrosh në këtë botë.”
U përgjegj Qatipi e thotë:
“Udha jonë këtu ndahet,
Shoqëria jonë s’mbahet.”
Pa mbaruar këtë fjalë
Një hanxhar i rëndë ra,
Kur s’ish afër asnjë tjatër
Dhe Qatipi po përmbyset
Si një gur që rrugulliset
Në liqen të zi dhe shket
Tatëpjetë dhe humbet;
Edhe rreth në qetësi
Asnjë pipëtim s’u-ndi
Përveç kalit Skënderbeut
Që përpjet’ u-hodh prej dheut.
Pastaj sulet si shigjeta
Me tre qint pothua veta
Nëpër lum’e pyll e garth
Përmi malet Argjendar;
Dhe me zemrën plot gëzim
Kapërceu lumin Drin
Dhe u-gdhi e n’agullim
Pa kështjellën Ak-Hissar,
Krujën, ah atë qytet
Rreth me mur e me hendek
Tek u-lint e tek u-rrit,
Yll mëngjezi mbi të ndrit.
Dhe ahere trumbetarët
Brirëve t’argjëntë u bien
Edhe togje rreth i mblidhen
Turqit bashkë me Shqiptarët
Që dëgjuan atë thirrje.
Dhe kremtoj me miqt’ e tij
Dhe u-ngrohnë me dolli.
Dhe u thotë: “Miqt’ e mi,
Shihni fati ç’na dërgon,
Perëndia ç’na bekon!
Mbret Murati urdhëron
Mall’ i gjerë i tim-eti,
Vend’i terë dhe qyteti
Të më jipen nga Dovleti.”
Dhe pastaj me salltanet,
Veshur armët si një mbret,
Shkon kaluar në kështjellë
Edhe hyn nga port’e gjerë
Dhe pashajt që urdhëron
Përmi Kruj’ i dorëzon
Urdhërin e Murat Mbretit
Me myhyrin e Dovletit.
Dhe Pashaj, si heshti, tha:
“Lavdi pastë Perëndia,
Ja ku hiqem nga fuqia.
Merr-e vendin dhe qytetin;
Kush lëfton dot me kësmetin?”
Nga kështjella shpejt ka rënë
Flamuri me gjysmë-hënë
Edhe populli shikon
Që në vënt të tij valon
Flamur’i Skënderit n’erë
Shkab’e zezë me dy krerë.
Dhe një thirrje lart-u-ngrit,
Se çdo zëmër e çdo shpirt
U mërzit nga Turku i lik,
Q’e kish bërë atë Krujë
Zi, murtajë dhe rrëmujë.
Ay zë me gas me bujë
Q’oshëtin nga brek në brek
Është: “Rrofsh, o Skanderbeg!”
Ja kështu Skënderi trim
Mori Krujën me rrëmbim;
Edhe lajma u përhap
Si një flagë, si një zjarr
Q’i fryn era në behar
Dhe qytetet afër larg,
Thotë Ben Isa Ben Miri
Në Qitap, të tij fakiri
“Binin m’atë lehtësi
Që zë burri veshn’ e tij”

Busti i të përgjithëmonshmit Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në Sallën Nënë Tereza të Kishës Zoja e Shkodrës në Hartsdale të Nju Jorkut.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.