30 gusht 1949… Sevastia
nga Niko Kotherja
Në një banesë tradicionale tiranase dha frymën e fundit pionerja e arsimit kombëtar shqiptar për femra, Sevasti Qiriazi – Dako.
Jeta e saj 70 vjeçare kaloi peripeci të panumërta, të ndryshme, duke rrezikuar jetën dhe familjen për shkollën shqipe si dhe për çeshtjen kombëtare. Prej vitit 1941, do të fillonin fatkeqësitë në familjen e saj.
Atë vit i vdiq bashkëshorti, patrioti i shquar, Kristo Dako. I balsamosur nga i biri, Gjergji, trupi i Dakos u vendos në varrezën familjare në Kamëz.
Pas dy vitesh, më 1943, krejt familja u internua në Zemun, ku mrekullia bëri që të mos shuhej kjo familje.
Të rraskapitura, Sevastia me motrën e saj Parashqevinë, dy djemtë Gjergji dhe Skënderi dhe dy nuset e tyre me fëmijët, kthehen në Tiranën e vitit 1945, ku iu ishte sekuestruar gjithçka. Shtëpia dhe shkolla në Kamëz, nuk ishte më e tyre. Përdhosja që filloi ta mposhtte mësuesen veterane ishte makabre. Studentët e Kursit të Partisë që kishin uzurpuar godinat e tyre, e kishin thyer varrin e xhamtë të Kristo Dakos, i kishin shkulur kokën atij dhe me të kishin luajtur futboll…!! Mësueseve të para të shqipes iu la si favor që nëse dëshironin të banonin në kotecin e pulave të shtëpisë së tyre.
Pasi e lyen me gëlqere të bardhë, si zemra e tyre, për pak kohë veteranët jetuan aty derisa u dëbuan edhe prej atje. Të mbetura rrugëve, ato gjetën mbështetje dhe strehë te ish kuzhinierja e “Institutit Kyrias”, Rukije Tafaj. Helmi i fundit që mori nga kjo jetë ishte varja në qeli e të birit, Gjergjit, kirurgut që ishte akuzuar për spiunazh dhe gjendej i burgosur. Sevastia nuk mundi as të tërhiqte trupin e të birit pasi atë e shkatërroi traktori që punoi tokën. Në gjendje të vajtueshme, Sevasti Qiriazi Dako, mbylli sytë në shtëpinë e Rukije Tafajt.
Si “armike” u përcoll për në banesën e fundit vetëm nga katër gra Parashqevia, nuset e dy djemve, ish kuzhinierja Tafaj dhe dy varrëmihësit.
Ishte viti 1949, 30 gusht.