Na e patëm Notre Damen tonë gotike
në Vaun e Dejës dhe e hodhëm në erë,
francezët e pshtuen prej zjarrmit historinë e tyne.
Gjergj Kola
.
Notre Damet e mia
nga Ismail Çala
Nuk kam qënë asnjëherë në Paris dhe kësisoj s’e kam parë Notre Dame, por qysh të vegjël, e kemi njohur falë Viktor Hygoit.
E dimë edhe prej Kuazimodos dhe Esmeraldës, kështu që më erdhi keq që u dogj dhe u gëzova që shpëtoi një pjesë e saj.
Unë kam qarë për rininë time që ma dogji komunizmi… e ky është Notre Dame im.
Kam qarë për prindërit e mi që nuk mundeshin të na rrisnin si duhej, që gjithë frikë nga pushteti komunist mundoheshin të na edukonin dhe fisnikëronin… e ky ishte Notre Dame im.
Qaj për ëndrrën e lirisë të Dhjetorit 1990, e cila sot e kësaj dite nuk është realizuar e kërcënohet hapur nga mbeturina të asaj kohë… dhe ky është Notre Dame im.
Notre Dame joni u prish në 1967, kur të pafetë prishën kishat e xhamitë… e qajmë e vuajmë akoma sot e kësaj dite.
Më vjen të pëlcas që shtëpinë e Fishtës nuk e rindërtojnë… e kjo më bën të vuaj për Notre Damen tonë.
Më vjen të ulërij kur shoh monumente kulturore si Ura e Beqarit mbi Shkumbin, e cila është në mëshirë të fatit… ky është Notre Dame e jona.
Të pëlcas më vjen që fshati Bixellë po rrëshqet drejt Zaranikës e askush s’e çan kryet… ky është vaj medet Notre Dame yni.
Të thërras si prehistorik për vizat që po na i heqin e po na kthejnë si dikur kur rrinim rradhëve të ambasadës greke për një vizë… ky është Notre Dame me halle yni.
Të qaj e të vajtoj për djemtë e vajzat që marrin rrugët e botës pse këtu nuk jetohet më, sepse hajdutët qeveritare e drogmenë s’po lënë gjë pa i bërë këtij vendi… e këtu Kuazimodo duhet të qajë edhe për ne.
Notre Dame janë pensionistët që ju shtua pensioni sa një paketë cigare e ilaçet i marrin të skaduara…
Për të gjitha këto unë qaj… qaj dhe revoltohem kur shoh këta lotë krokodilësh nga të “gjithpushtetshëm”, të cilët tallen gjithë ditën me popullin e tyre.
Notre Dame kurrë s’e kam parë, por ditë përditë e kemi para syve tanë, është atdheu i cili kërkon nga ne shpëtim!
.
Marrë nga muri i fb i Ismail Çala, 16 prill 2019