Vetvrasja në burg e një nacionalisti
Sonet nga Uran Kostreci
(Kushtuar martirit Xhevat Korça)
O burg Burrel beton, xhehnem prej guri,
Me qeli – saç n’verë, akull n’janar,
Ku në çimento e vojtje të paparë
Dhan’ shpirt nga ftohma, uria, morri e druri!
Ndër më të mirët patriot’ shqiptarë;
Ku vdiq, u shua e një alamet burri,
Që jet’në e vet në skaj… në zgrip e pruri,
Preu ujë e buk’… u bë fli si n’altar!
Një javë e lutëm shokët sy-përlotë
“Xhevat, kthe udhë! Mos u bëj kurban!”
“Të kuqt do shporren… Zoti ka derman!”
Kur miqtë e lutnin, u thosh: “Ç’të rroj kot!
Shqipëria u fik… Unë s’e mbrojta dot!
Ju në shpëtofshi, amanet Vatanë!”
gusht, 2019
.