back to top
12.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Lord Byron dhe Revolucioni Grek – nga Dionis Qirxidhi

Gazeta

Lord Byron Phillips Thomas Phillips in Albaans Costuum
Lord Byron Phillips Thomas Phillips in Albaans Costuum
I dashur Jozef,
libri i parë më mësoi të jem stoik në gabimet që po e redaktojnë më mirë,
duke mos u hallakatur, siç bëra më parë. Kam gjetur fragmente që lidhen me Shqipërinë!
Po të dërgojë disa pjesë të librit, fillimi dhe fundi.
Disa fragmente ne italisht, përzgjidhi dhe m’i përkthe, me duhet si thotë Shatobriani,
që Bajroni e admiron, por zemërohet kur bëhet pushtetar, ministër i Jashtëm
dhe urdhëron pushtimin e Spanjës, ku Bajroni himnizon luftën për liri të spanjollëve.
Në këtë mënyrë lidhet dhe me Italinë, që ëndërronte të jetonte atje,
ndihmon karbunarët, njihet me Terezën (që më intereson fragmenti si e thotë studiuesi)
dhe mandej shkon në Greqi (me intereson fundi i tij).
Të përqafoj Dionisi
Dionisis Qirxidhi, 2 nëntor 2008
.
Gjauri duke luftuar me Turkun - Eugene Delakroix
Gjauri duke luftuar me Turkun – Eugene Delakroix

Lord Byron dhe Revolucioni Grek

nga Dionis Qirxidhi

Përsiatje e parë

Libri as ka qëllim të ritregojë historinë e jetës së dhimbshme të poetit të çudirave të mëdha, libri nuk ka synim as të bëjë analizën e veprës së madhe të tij. Me këtë libër do përpiqem të tregoj, pas leximit të dhjetëra biografive, të pathënat e të panjohurat nga lexuesi kureshtar, të mistereve që e metamorfozuan Poetin në Simbol të lirisë. Një kreshtë dallge e lirë, e cila udhëtonte nëpër vite lufte, atje ku e drejtonin erërat poetike. Të përplasej shkëmbinjve buzës Jonit, ashtu si në mitet, mes shkulmave të dallgëve, të lindte Afërditën bajroniane, Çajd Haroldin. Herë kaluar, mes shushurimës së Aousës së lashtë, herë majës së Alpeve, herë buzë liqenit Lemanit dhe grykës Rhonit, Vendlindje e Dashurisë për natyrën. Sot në një pallat e nesër në kasolle lopësh, këtë ditë me një pasha e tjetrën me një bari i afrohet Tepelenës.majëmalet blu të Akrokeraunës, me syrin e zemrës1 sheh dymbëdhjetë shqiponjat që fluturonin në Parnas. Fantazoi Karontin tek pinte eliksirin, dëgjoi zërin e Najadës. Shijoi me një kënaqësi tjetër lloj, ambrozën që ia i ushqen shpirtin harpa e Orfeut, që zgjoi detin mëngjesor, frymimin e dallgës lozonjare, që i qahet bregut. Në të gjitha mendimet fisnike, në të gjitha aktet kalorësiake, shpirti i tij u ngjiz në bëmat vetë-sakrifikonjëse për lirinë.
Bajroni, në Olimpin poetik mesdhetar, do të adhurohej nga shqiptarët si Promete i ri, miku më i bukur i lirisë, nga grekët. Do të krahasohej me Adonisin, Apolonin dhe heroin më fisnik të Pavarësisë.
Libri fton për një udhëtim me anijen me vela, pa kapedan, që i jepnin flatra fjollat e erërave poetike bajroniane, nëpër dete e stere të njohura e të panjohura, me aventura dashurie e dhimbje…
.

Ditëlindje- Mesolongj- 22 janar 1824

Bajroni më 22 janar, kishte ditëlindjen. Stanhopi, që banonte në katin e parë, që mëngjes debatonte me disa nga komandantët suljotë. Bajroni u shfaqet duke buzëqeshur e u thotë:
U ankuat se nuk shkruaj më vjersha – sot mbush 36 vjeç dhe përfundova, diçka që mendoj, se është nga më të mirat që kam shkruar zakonisht. Dhe nisi tua recitojë:
 
Kjo zemër s’duhej të ndiej’ më,
Gjersa asnjë tjetër s’rreh për mua,
Por unë, dhe pse s’më do asnjë,
Prap le të dua!
 
Ditët e mia jan’ duke vyshkur,
Lulet e dashurisë u thanë,
Hidhërim, mërzi, maraz të ndryshkur
Kam vetëm pranë.
 
Zjarri që shpirtin ma përpi
Si nj’ishull vullkanik rri ndarë,
Nuk ndihet pishë te flak’ e tij
Qiri mbi varr.
 
Van’ shpresat, frikët, xhelozirat,
Sukseset korrur me mundim,
Forca e dashnis, vetëm zinxhirat
Janë risku im.
 
Por ky s’ësh vendi për të qarë
Halle të tillë, as kjo ësht ora,
Kur ndrit Lavdia heronjt’ e vrarë
Dhe u thurr kurora.
 
Rreth – shpata, flamuri, mejdani
Lavdia, Greqia vështrojnë! I shtrirë
Dhe i bartur mbi burojë, Spartani
S’ka qen’ më i lirë.
 
Zgjohu! (Jo Hellada – ajo është zgjuar)
Zgjohu ti, o im shpirt! Gje-i gjakut ç’vijë
Në pellgun-fis ka për të çuar,
Dhe çaj pas tij!
 
Shtypi kto ngjasje t’nostalgjisë,
Natyrë e dobët! Për ty më
Buzëqeshja o vrënjtja e bukurisë
S’do vlenin gjë.
 
Në qan të rit e tu, pse rron?
Ja, sheshi i burrave është ky!
Dil në mejdan ku lufta vlon.
Dhe vdis aty!
 
Kërko dhe ti një varr ushtari,
Më parë e gjen se ta kërkosh,
Pra zgjidh një vend, zër shtegun tënd,
Dhe bjer t’pushosh.
 
Më 25 janar me Vendim të Qeverisë së Përkohshme Bajronit i jepet pushtet i plotë politik dhe ushtarak, duke i dhënë një regjiment prej 500 suljotësh me komandant Kiço Xhavellën dhe Kostas Boçarin, të vëllanë e vogël të Markos, si dhe Këshillin me në krye Noti Boçarin, xhaxhai i Marko Boçarit, që populli i këndonte Nat’e zez’, si Noti…
Pukëvili portretin e Notit e përshkruan, me atë “Vështrim të atij plaku, që ngjante si gërmadhat e Greqisë së lashtë, të shkaktonte habi ashtu si dhe balli i tij”.
.
Georg Gordon Byron
Georg Gordon Byron

Bajroni për një shtyp të lirë

Johann Jacob Meyer, duke ndjekur shembullin e Bajronit, la studimet për mjekësi në Zvicër, dhe vihet në dispozicion të kryengritësve në Mesolongj. Kërkoi që të ishte më i dobishëm duke përkrahur nismën për botimin e një gazete. Koloneli Stanhope,2 duke sjell përvojën nga Hindia, pat sjellë rulin e shtypshkronjës së ardhëshme, që qyteti të krijonte edhe shtypin e vet të lirë. Bajroni e ndihmoi Majerin për të nisur shtypjen e gazetës me 50 lira. Më 1 janar 1824, del numri i parë i gazetës Greec Chronicle. Gazeta hapi debate të mëdha për lirinë e shtypit.
Si do të zbatohej liri e shtypit në kushte lufte? – ishte një problem i madh që solli debate e qefmbetje.
Bajroni ishte i mendimit që shtypi të ishte i lirë, të mos censurohej mendimi, si parime bazë dhe të shenjta, të njohura edhe nga Kushtetuta. Orë të tëra debatonin për këtë temë, deri në përplasje me idetë e kolonelit Lester Stanhot. Ai arriti e guxoi të mos botohej një artikull i firmosur nga Bajroni, se e vlerësonte numrat e parë të gazetës jo cilësore.
Stanhot-i në mes entusiazmit për të dal me artikuj të një niveli evropian, harroi se gazeta i drejtohej kryesisht lexuesve grekë, luftëtarëve e suljotëve, që pjesa më e madhe ishte analfabete. Majeri pa përvojë, Bajronit iu duk se synonte të rriste famën, nëpërmjet artikujve, që kritikonin monarkitë, dhe qeverinë austriake, artikuj që krijonin probleme të shumta diplomatike.
Pasi ka lexuar artikullin që kritikonte ashpër baronin danez Adam Fredel, i shkruan i shqetësuar redaksisë Eleniki Hronika (Kronika greke) se nuk është morale dhe “e drejtë që të kritikohet publikisht dikush, me një artikull-akuzë, i cili nuk ndodhet këtu, këtë çast që të përgjigjet…” Bajroni merr mbrojtjen e tij, pa qenë patriot me të, se kërkon të vërtetën të shoh në faqet e shtypit “të frymëzuar nga ndjeshmëria e lirisë”3
“Një gazetë e tillë mund të na çonte në incidente dhe do të shkaktonte dëm… – i shkruan Bajroni, Komitetit të ndihmës për Greqinë – Londër – Në mes kolonelit Stanhop dhe meje mosmarrëveshjet ishin serioze dhe problem, (mund të duket për të qeshur) deri në atë shkallë sa ai që më akuzonte se kam parime despotike, dhe unë atë, për radikalizëm hiperbolik… Botuesi dr. Majeri, nuk pranon artikuj e të tjerëve, veç ato të vetat dhe të atyre që i beson, me një pakufishmëri të lirisë së shtypit, (ndërkohë) artikujt e të tjerëve… pret e qep sipas gustos së vet, dhe pretendon se është kundër të gjithëve…”
Stanhop-i më 24 janar, i shkruan një relacion, ku sajon një intervistë me Lord Bajroni, ku mes të tjerave ai shprehet se: Bajroni ishte përkrahësi më i zjarrtë i lirisë së shtypit, por në kushtet që ndodhet Greqia, ka frikë se shoqëria greke ende është e papërgatitur nga ngatërresat e përçarja që ka. Por që është i mendimit se që duhet vënë pikë censurimit të shtypit, pa hezitim. Biles kishte diskutuar për këtë temë dhe me Mavrokordhaton dhe ai kishte rënë dakort me mendimin e Bajronit.
“Ligji, Drejtësia dhe Barazia, nuk kanë lidhje me politikën” – shkruan diku Bajroni, dhe mundohet që të botojë një gazetë pa patur asnjë mbi kokë, duke caktuar përgjegjës Pietro Garbën. Ndër kohë Greec Chronicle, gjeti fonde të tjera e rinisi botimin. “Bajroni – shkruan biografi Harold Nikolson – nuk kishte ardhur në Mesolongj, që të bëhej censor i artikujve të Mejerit…”
Andralla të mëdha kishin lindur me revoltën e suljotëve në hyrje të farkëtarisë së armëve, që e shkatërroi më shumë shpirtërisht. Neiperi, që të këshillohej, ishte tanimë larg, në mjegullësinë e Londrës.
.
Ali Pasha dhe Bajroni (pikturë nga Qamil Prizreni)
Ali Pasha dhe Bajroni (pikturë nga Qamil Prizreni)

Andrralla e fabrikës së armatimeve

U bë e njohur se bashkë me kolonelin Stanhopen po përpunonte planin për organizimin e togës së artiljerëve që do ta subvesiononte “Gjeneral Bajron”. Kësaj ideje iu përgjigjën oficerët e studentët entuziastë gjermanë, që kishin lënë universitetet… Në të merrnin pjesë grekë nga ishujt e Jonit dhe Moresë. Numri i vullnetarëve shkoi në 150 artiljerë e 30 oficerë.
Shkruan në ditar me entuziazëm fëmijërore Majerin: “I ndritshmi Apollon! Në vijën e parë janë vënë anglezë, gjermanë, francezë, maltezë, italianë, napolitanë, dalmatë, transilvanë, rusë, suljotë, moraitë rumeliotë, dhe bashkë me ta gruaja e rrobaqepësit. Cili gjeneral kishte në histori një ushtri të tillë?”.
Anija Ana solli makineritë për një ofiçinë farkëtarie për armë, që do drejtohej nga tetë inxhinierët anglezë, me përgjegjës Wiliam Pary,4 Bajroni e simpatizoi Parrin si njeri praktik duke i besuar, kur u sëmurë, më shumë atij se sa mjekëve.
 
Mesolongj, 5 shkurt 1824
Për princ Aleksander Mavrokordhaton
(Doras dërguar në italisht, firmosur nga Bajroni dhe Stanhope)
 
Princ,
Kemi nderin t’ju informojmë se Komiteti Filohelen i Anglisë dërgoi në Greqi një farkëtar, me teknikët e domosdoshëm, dhe vendosja bëhet në këto çaste në Meslongj. Me këto masa, bashkë me të tjerat, Komiteti shpreson të përforcojë njohuritë dhe bashkë me të Lirinë e Greqisë.
Fonderia është në gjendje të prodhojë dhe të montojë mjetet luftarake si detare dhe tokësore. Mund të shërbejë për ndërtimin e anijeve të çdo lloji, të derdh topa, mortaja, plumba dhe gjyle Shrapnel, të montojë shtrate topash, të çdo lloji, të prodhojë barut, raketa Congrevee çdo lloj municion tjetër.
Drejtori apo kryetekniku i artilerisë, mund të stërvisë e të mësojë përdorimin e artilerisë, hedhjen e gjyleve dhe gjithë artin e prodhimit të çdo materiali luftarak. Ofiçina mund të shërbejë jo vetëm si burim për të plotësuar nevojat e luftës, por dhe si prototip i një shkolle.
Pasi kemi përshkruar karakterin e këtij armatimi, dëshirojmë t’ju informojmë se ajo i kushtohet vetëm e vetëm çështjes së përbashkët. Për këtë ju lutemi të dëshmoni se me çfarë mënyre doni të shërbeheni me atë fabrikë. Do të ndeshnim, gjithashtu, të dimë çfarë lloji konsideroni më të domosdoshme të montohet, në pritje të operacionit ushtarak.
Duke pritur sa më shpejt përgjigjen tuaj, shprehim në veçanti respektin
Të përkushtuarit shërbyes të Lartësisë Suaj
Noel Byron
Leicester Stanhope.
.

Dëshpërimet e tija

Në mes të entuziazmit vuri re makutërinë tek mjaftë suljotë, që synonin më shumë rritjen e rrogës se sa të përvetësimin e artit të artilerisë. Dëshpërimi arriti kulmim me suljotët, që u dyshua se qëndrimi i tyre përkrahej nga Kolokotroni, i cili ishte politikisht kundër Mavrokordhatos.
Bajroni shkruan:
“Pasi u përpoqa më kot me të gjitha fuqitë e mia – duke mos pyetur për mundin e rrezikun, me synim që të bashkoja Suljotët, për të mirën e Greqisë – por dhe për të mirën e tyre – vendosa të mos kem marrje dhënie me ata. Nëse duan të shkojnë me turqit – në djall le të venë – më mirë të më presin copa – copa se sa të ndryshojë vendimin tim…”
Suljotët të paduruar kërkonin pagat e tyre të vonuara nga Bajroni, 3000 distile.
Kulmi arriti me ngjarjen në hyrje të farkëtarisë së armëve ku masakrohet oficeri i ri nga Suedia, Sase, që kishte ardhur me ëndrrën për të luftuar për lirinë e Greqisë. Ngjarja, pas krimit, u sqarua se ishte një incident për një kapriçio suljoteje. Një suljot, me emrin Toti, kishte marrë me vete nipin e vogël të Kiço Xhavellës për t’i treguar topat. Roja, një djalë nga Hungaria, sipas urdhrit që kishte, nuk i lejoi të hynin në repart. Komandanti i togës i alarmuar, u mundua që t’i sqarojë, se ata me dhunë s’kishin për të hyrë, duke e shtyrë suljotin me dorezën e kamës, të pa zhveshur.
Suljoti, i fyer, nxjerr jataganin dhe i pret dorën e majtë… Oficeri i ri Sasi me dorën e gjakosur rend të japë alarmi… Një plumb i mbush fjalët, që dilnin nga goja, gjithë gjak. Pas dy tri hapave bie përdhe, me sytë hapur, pa jetë.
Paniku rritet. Trupat e repartit arrestojnë suljotin dhe e çojnë në dhomën e paraburgimit. Urdhërohen që topat të vihen në gatishmëri që të përballojnë rrethimin nga suljotët e armatosur. Suljotët të inatosur bërtisnin se do t’i vinin zjarrin farkëtarisë nëse nuk lirohej Toti…
Të nesërmen vullnetarët e huaj, ardhur nga ana e anës, lajmëruan Bajronin se do të iknin nga Mesolongji.
Bajroni veshi stolinë ushtarake të Gjeneralit të Brigadës, dhe urdhëroi që të mblidhej Pleqësia. Me ton ushtaraku kërkoi që suljotët të largohen nga Mesolongji bile duke i dëmshpërblyer..
Dha që të lexohet një ekspoze në disa gjuhë të huaja për ngjarjen e ndodhur. Të nesërmen komandantët suljotë, një nga një, erdhën që mëngjes te vila ku rrinte Bajroni i veshur me kostumin popullor të tyre dhe duke u përkulur i kërkuan ndjesë. Ikën kokë ulur, me duar të kryqëzuar në gjoks….
“Kam nisur të frikësohem, si nuk munda të arrija asgjë? – i thotë Gambës i rënë shpirtërisht – Humba kohë e pasuri shpërdorova durimin e shëndetin. Veçse isha parapërgatitur për diçka të tillë. Dija se rruga nuk ishte shtruar me trëndafila, dhe isha gati të përballesha me vjedhje, shpifje dhe mosmirënjohjen…”
Të gjithë miqtë e tij, i propozuan të rikthehet në Athinë.
U përgjigjet me dashamirësi të gjithëve që e këshillojnë. Lajtmotivi i letrave dërguar dr. Kenedit, Hankok, Noks, Samuel Barf e shumë të tjerëve ishte:
“Derisa erdha këtu, u përpoqa jo që të takohesha me një klikë, por me një komb, që të jepja e merrja me njerëz të ndershëm dhe jo me njerëz të etur për të fituar, kumarxhi… Më e drejta është të qëndroj në Greqi, se është më mirë të vdes, duke bërë diçka se sa të mos bëj asgjë. Nuk mund ta lë Greqinë nga çasti që ekziston një mundësi fare e vogël (qoftë dhe e supozuar) se jam i dobishëm këtu për lirinë e lavdinë e lashtë të këtij vendi…”
.

Gjergj Karaiskaqi
Gjergj Karaiskaqi

Një shi i zi, binte…

Binte një shi i zi, pareshtur. Bajroni shikonte i trishtuar peizazhin gjithë llucë, duke trokitur xhamin me thonjtë të ngrëna nga ankthi. Pati një ndjesi, prirje fëminore për fantastiken e të çuditshmen si dhe Guliverit me liliputët. Ndërsa vigani ia kishte marrë me gjumë, shkurtabiqët e mbërthejnë me mijëra penjëza në tokë dhe e bëjnë zap… Pasi zgjohet, liliputët nuk e lirojnë përpara se sa të jetë betuar që s’do t’i shkelte ligjet…
Mëngjesi i njëzet shkurtit ishte me diell. Deshi të bënte shëtitje me kalin e tij të bardhë. Në mbrëmje, ligji i natyrës si për ta keqësuar situatën e ankthshme solli shqetësimin e hingëllitjeve të kuajve, që shqyejnë grazhdin e mijtë që vraponin llucave. Tërmeti që ra paralajmëronte pasoja dhe ndillte mendime supersticioze.
Bajroni kaloi përsëri në kriza.
Me tërmetin erdhi lajmi se Mehmet Rushit Pasha, me flotën turke po i afrohej gjirit të Mesolongjit. Gjendjen e tmerrit si të hynte në një mankth brenda vetes, solli paradokse: Më 1 prill nipi i Karaskaqit, plagos pronarin e varkës se nuk pranoi ta çojë pa paguar në Etoliko. Karaskaqi dërgoi trimat e tij për fyerjen e bërë. Kundërshtari i tij politik, Kiço Xhavella, afrohet me amartalo suljotë, nga ana tjetër e qytetit.
Çmenduria s’kishte kufi: Suljotët për ters arrestojnë Konstandin Vulpiotin, që njihesh me Bajronin, se ishte i vjehrri i pronarit të shtëpisë ku kishte bujtur.
Bajroni veshi përsëri stolinë e tij ushtarake, i shoqëruar nga garda e miqtë e tij të afërt. Ndërkohë suljotët, që ishin me Karaskaqin, e shpallin Kiço Xhavellën të paligjshëm. Ishte një komplot çmendurie që kërkonte të rrëzonte Qeverinë e Përkohshme dhe ta katandiste atë pa autoritet.
Kariskaqi arrestohet. Situata kaloi në duart e Qeverisë. Të gjitha këto ngjarje të njëpasnjëshme po linin gjurmë tek Bajroni.
Ndjente si peng, thellë në shpirt, se nuk kishte mundur të pajtonte klikat e grupet kundërshtare. Nga dritarja shihte tollovitjen mbi baltovinë, gjurmët e baltës në korridor, dhomë gjumi, qilim e mbi mendimet gjithë llucë kënete.
Ushtarakët me përvojë: Neiperi, Gordoni, s’i kishte më pranë. Ai parandiente, me frikë, se edhe brenda në gardën e tij qarkullonin fantazma tradhtie. Xhinde që hedhin vallen natën, groteske siç e ravizon Miltoni, ku përzihet Jeta dhe Vdekja, Zoti me Djallin (Milton). Etje makutërie ballkanase për të shfrytëzuar rastin. Për të fituar sa më shumë të holla, që Bajroni i kish siguruar nga Anglia.
Më 8 prill Bajronit u gdhi me temperaturë të lartë. Po të nesërmen e ndjente veten më mirë. Donte të çlirohej nga ankthet. Të shëtiste, galop me kalin e bardhë përmes mjegullës dhe shiut. Kur u kthye, nga shëtitja kishte ethe edhe dhimbje të forta në gjoks. Pas konsultës me mjekët Bruno dhe Milingenin i propozuan ta transportonin në Zaqintho. Atje, i thanë, klima ishte më të mirë. Mund të bëhej dhe pastrimi i gjakut. Nuk pranoi. Kërkoi që t’i sillnin një arixhofkë që t’i zgjidhte magjinë që i kishin bërë.
Fliste përçart, kujtonte Adën, atdheun e tij dhe gjendjen e vet që nuk mund të lëvizte… Gjithë trishtim, me sytë e ndritshëm nga zjarrmia e të lagështa prej lotit thoshte: “..Jeta ime ishte një oqean në furtunë”.
Shihte tavolinën e punës, me vulat, me doreza të bardha. Të fildishta… Desh të buzëqeshte, por nuk mundi. I dukej se dëgjonte jehona. Nga vallë vinin? Vallë nga honet, shkëmbinjve të anëdetit të Ilirisë, a nga Anakreonti… Ku je? Dhe Jehona përgjigjej: Kuuu?
Ndjeu edhe më shumë shtrëngimin e gjoksit. Sipas kujtimeve të Brunos kishin una forza gigantesca.
Prej Kryepeshkopit Ignatio nga Livorno erdhi lajmi se Sulltani e kishte shpallur armikun e Portës së Lartë, gjë që nuk ia thanë Poetit që lëngonte në shtrat. Një lajm tjetër i gëzueshëm i vinte nga miku i tij Honbhous-i nga Londra për lëvrimin e borxhit të miratuar nga kryeministri Kanning, për të ndihmuar çlirimin e Greqisë. Miku i ngushtë i tij i shkruante, se përmbi të gjitha të kujdesej për shëndetin. I shkruante, se: “Kampbell-i më thoshte dje se të ka shumë zili, se të gjitha dafinat e tua, kanë lulëzuar”. Kur shkuan që t’ia lexojnë Bajronit, fjalët e Kampbell-i Shtegëtari i Lirisë kishte humbur ndjenjat. Në komë dëgjonte se pëshpëritej një varg i tij: “Dhe në zi sa i bukur je!”
Bajroni kishte kohë të bisedonte me fantazmën e Shellit, Dantes, Virgjilit. Homeri shikimshuar e kërkonte mes mjegullnajës dhe pyeste si Baba i dhembshur: Ku jeeee?
Kë vallë pyeste?
Ku je?
Pyetja përplasej shkëmbinjve, e sillte jehona të përzishme: Kuuu-Jeee!.
Jehona e përgjigjes tingëllon si ofshamë, përjetim i një dhimbje tragjike, që në shqip ka fjalën: Kujë…!
.

Shtegtimi i fundit i lejlekut të bardhë me shirit të zezë në krahë

Mbi tavolinën e punës, përsëri pyetja: Ku je?
Jehona përgjigjej, me të shumëkërkuarën: Where?
E ndjeva edhe më shumë pikëllimin e Edgar Allan Poe, i cili si një emblemë të një kujtimi të pashlyer, dëgjonte fjalë të sajuara fantazie.
Oh sa e gjatë dhe e vështirë është udha/ të shikosh nga fund’i Ferrit deri tek Drita.6
Vetëm zogu, i një oguri të keq, vinte me shkundëllimë, nga gjëmonte me gjëmë Joni, duke rrahur krahët, skrop të zes. U ul përmbi bustin e Paladës dhe dëgjonte pyetjen Where. Një fjalë të vetme, nga sqepi, n mënyrë monotone përsëriste: Nevermore!
Dafinat lulëzonin mbi ballin e tij të mermertë, tek kurora hedhur mbi arkivol. Një arkivol mbuluar me qefinin të zi. Pranë kurorës me lastar dafine dhe lule livadhi, një shpatë e argjënd. Një arkivol, pranë brigjeve të Akerontit. Mes shiu lotësh. Merrte rrugën e shtegtimit të gjatë për në vendlindje. Shtegëtim i fundit të lejlekut me shirita të zeza në krahë, mbi kreshtat e bardha të dallgëve. Shtegtim mes jehonave të himnit të Ringjalljes nga Mesdheu në gjijtë e deteve të Veriut!
Për të gjallin, që mban nga herë një kryq me vete, varrimi, do të ishte torturë dhe një dhimbje më shumë.
I vdekuri, as nuk ndjente.
Shoqëruar me Himnin mëngjesor “Me vdekjen, vdekjen shkeli…” poeti shtegtoi.
Fluturoi, qiejve me të pavdekëshmit.
.
Arvanitasit e Revolucionit Grek
Arvanitasit e Revolucionit Grek

Shpjegime

1.Varg nga Prometheu i Eskilit
2.Leicester Stanhope (1784-1862) u emërua nga Komiteti i ndihmës së Londrës për Çlirimin e Greqisë për të ndihmua Bajronin nga ana ushtarake dhe si përfaqësues i tij. Bajroni duke e krahasuar me karakterin e Nepier-it, që ishte më lartë se ai si për idetë dhe nga ana e aftësive drejtuese, lindin me të kontradikta, që pasqyrohen dhe në letërkëmbimet me Bemtham. Megjithatë Stanhope e admironte Bajronin për zellin sinqeritetin e përpjekjeve që bënte për të ndihmuar Revolucion Grek, dhe këtë e shpreh me dashuri në kujtimet e tija, në librin që botoi në vitin 1824 Greece in 1823 and 1824. (Cituar në Shënimet në Letërkëmbimet e Bajronit, f. 327-8).
3.Byron, Letër dërguar Elenika Hronika, 23 mars 1824.
4.Pas vdekjse së Bajronit Wilam Parry kthehet në Londër, boton në vitin 1825 The Last Days of Lor Bayron, që sipas prof Leslie A. Marchand, është një dëshmi e sinqertë të vështirësive që kapërcente Bajroni si dhe ankesat që kishte ndaj bashkëpunëtorëve, duke përfshirë kolonelin Stanhove e Banthasm. Më 2 1826 Parry shtypi i cilësoi dëshmitë jo të tija. Parry e çoj artikullshkruesin për shpifje, në gjyq, të cilin e fiton.
5.Vargje nga John Milton “Parajsa e humbur”.
 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.