back to top
6.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Krimet e komunizmit filluan gjatë luftës e u ligjëruan me Gjyqin Special nga Thanas L. Gjika

Gazeta

Pamja e sallës së Gjyqit Special
Pamja e sallës së Gjyqit Special

Krimet e komunizmit filluan gjatë luftës

dhe u ligjëruan me Gjyqin Special

nga Thanas L. Gjika

(Me rastin e 75-vjetorit të Gjyqit Special mars-prill 1945)

 
Qëndrimi që mbajmë ndaj krimeve të komunizmit është treguesi kryesor që tregon se mendësia jonë është vërtet demokratike, kur i dënojmë ato që në fillimet e veta, apo një mendësi gjysëm demokratike, kur dënojmë vetëm një pjesë të tyre.
Shumë prej intelektualëve, që morën formim në shkollat e kohës së diktaturës komuniste kanë bërë një farë evoluimi lidhur me dënimin e sistemit diktatorial komunist, por për fat të keq shumica e tyre kanë mbetur në mes të rrugës. Them, kanë mbetur në mes të rrugës, sepse ata kanë pranuar dhe i dënojnë si krime të atij regjimi vetëm krimet që kreu diktatori Hoxha mbas shkëputjes nga miqësia me Bashkimin Sovjetik, kur ai për të mbajtur pushtetin dha dënime të reja duke shpallur “tradhëtarë dhe armiq të partisë e të popullit” edhe bashkëpunëtorë të tij si: Nako Spirun, Koço Tashkon, Sejfulla Malëshovën, Liri Belishovën, Teme Sejkon, etj. Këta intelektualë nuk e kuptojnë se skema e dënimit të njerëzve që rrezikonin pushtetin e udhëheqësit të partisë u formulua e u zbatua menjëherë pas formimit të Partisë Komuniste Shqiptare dhe filloi të zbatohej që me spiunimin e Qemal Stafës (5 maj 1942); me vrasjet mbas shpine të partizanëve si Memo Meto, Mynyr Xhindi, Raqi Qirinxhi, etj, që nuk u bindeshin qorrazi urdhrave të eprorëve; me aksionet e atentatorëve të partisë që vrisnin pa gjyq kundërshtarë të lëvizjes komuniste dhe vijoi deri te vrasja e Kryeministrit Mehmet Shehu, Ministrave Beqir Balluku, Abdyl Këllezi, Kadri Hazbiu, etj. Këto krime vijuan deri në kapitullimin e regjimit komunist me pushkatimin e poetëve Vilson Blloshmi e Genc Leka; me varjen e poetit Havzi Nelaj; me vrasjet në kufi të djemve që donin të kalonin kufirin edhe mbasi ky veprim ishte shpallur prej Kuvendit Popullor, si veprim që s’përbënte më krim dhe nuk duhej dënuar; me dënimin e të rinjve që rrëzuan bustet e Stalinit e të Enverit, etj.
Për të gjykuar karakterin terrorist të PKSh-së nuk duhet të na ngatërrojë fakti se djemtë e rinj që “dolën malit” ishin të rinj e të reja idealistë shumë prej të cilëve dhanë jetën për lirinë e atdheut. Karakteri terrorist i PKSh-së ka ekzistuar që gjatë luftës në udhëheqjen e lartë të kësaj partie dhe jo në anëtarët e thjeshtë të saj, të cilët ishin idealistë romantikë e naivë politikë. Askush nuk e mohon Luftën Antifashiste që kreu populli ynë kundër pushtuesve të huaj fashistë e nazistë, sepse ajo ishte një luftë e drejtë dhe ka qenë e është një veprim që e nderon popullin shqiptar. Po ashtu gjaku i dëshmorëve që ranë për liri është i shenjtë. Mirëpo për këto vlerësime duhet të çlirohemi nga politizimi që kemi marrë si formim në shkollë, familje e shoqëri gjatë kohës së diktaturës dhe tranzicionit. Them, edhe kohës së tranzicionit, sepse historianët që hartuan Historinë e Shqipërisë të vitit 2009, dhe Fjalorin Enciklopedik Shqiptar (2008-2009) botime të Akademisë së Shkencave të RSh, nuk kanë bërë si duhet rishikimin e shumë nocioneve dhe vlerësimin e ngjarjeve që kanë marrë në analizë. Në këto botime mohohen si dhe më parë 14 dëshmorët e parë, që ranë në luftë kundër forcave pushtuese italiane më 7 prill dhe përmendet vetëm Mujo Ulqinaku, dhe paraqitet Lufta Antifashiste si vepër të PKSh-së.
.
70 Vjetori i Gjyqit Special - Tirane 15 prill 2015
70 Vjetori i Gjyqit Special – Tirane 15 prill 2015
Është një e vërtetë që nuk duhet mohuar se luftimet e para kundër pushtuesve italianë i kryen forcat e ushtrisë mbretërore dhe i vijuan nacionalistët para formimit të PKSh-së dhe më tej këto forca e vijuan luftën antifashiste bashkë me forcat partizane komuniste, shkuan bashkë në Konferencës së Pezës (16 shtator 1942) dhe në Kuvendin e Mukjes (2-3 gusht 1943).
Krimet e komunizmit duhet të kapen e të dënohen që në fillimet e veta:
Nuk ka pse të mos pranojmë se mosmbajtja e një minute zi për dëshmorët e rënë në luftë kundër pushtuesve fashistë (nga 7 prilli 1939 deri më 8 nëntor 1941) në mbledhjen e formimit të PKSh-së, ishte krim kombëtar sepse mohonte gjakun e të rënëve për liri. Të gjithë dëshmorët që ranë në luftë kundër pushtuesve fashistë italianë e gjermanë qofshin partizanë komunistë ose jo komunistë, qofshin nacionalistë, ballistë, legalistë, ose të pavarur janë dëshmorë të kësaj lufte dhe e kanë vendin te Vorrezat e Kombit.
Krim kombëtar përbën dhe fakti që në procesverbalin e formimit të PKSh-së nuk u përmendën fjalët “Shqipëri etnike” dhe “Kosovë” dhe se nuk u shpreh asnjë mendim për fatin e pjesës së popullit shqiptar dhe trojeve shqiptare që Fuqitë e Mëdha ua kishin falur pa të drejtë Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë më 1913, prej të cilave Italia Fashiste dhe Gjermania Naziste ia kishte kthyer Shqipërisë (korrik-gusht 1941) 13.000 km katrore me 850.000 banorë shqiptarë.
Krime terroriste meritojnë të quhen të gjithë aksionet e atentatorëve të forcave guerile që drejtoheshin prej PKSh-së dhe vrisnin pa gjyq nëpunës ose intelektualë sipas urdhrave që u jepte qarkori i PKSh-së. Në këtë kategori meritojnë të dënohen dhe vrasjet prapa shpine të disa partizzanëve për një fjalë goje ose shprehje të ndonjë mendimi ndryshe nga ai i sekretarit të partisë a komandantit të njësive ushtarake.
Një krim tjetër i PKSh/ PPSh-së ka qenë dhe propaganda trushpëlarëse, që u përdor si pjesë e terrorit për ta trembur popullin dhe për ta mbajtur atë në gjendje të nënshtruar, me synimin që të krijonte “njeriun e ri”, “çnjeriun” sipas I. Kadaresë, me qëllim që banorët e Shqipërisë të mos mendonin me kokën e vet, por të vepronin si robotë të bindur ndaj urdhërave të partisë.
Në këtë mori krimesh, nuk ka pse të mos cilësohet si i tillë dhe vetë Gjyqi Special i mars-prillit 1945, i cili u sajua për të treguar se PKSh-ja pasi erdhi në pushtet u dha fund vrasjeve pa gjyq. Mirëpo ky gjyq dhe gjyqet e tjerë që u zhvilluan me urdhër të udhëheqjes së PKSh/ PPSh-së për kundërshtarët e regjimit, ose ata që mendoheshin se ishin kundërshtarë të tij, ishin gjyqe me dëshmitarë të rremë. Në këto gjyqe, si ka thënë pas lirimit nga internimi Bedri Spahiu, ish-Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, rolin e gjykatësit dhe atë të prokurorit, i kryente udhëheqësi i partisë shtet.
Për të kuptuar më saktë karakterin kriminal të Gjyqit Special të vitit 1945, kam shfrytëzuar të dhëna prej të dënuarit Lazër Radi, prej të përndjekurve si Lek Pervizi, prej studiuesve Çelo Hoxha, Kastriot Dervishi, Pjetër Pepa, Nestur K., prej shkrimtarit Jozef Radi, etj.
Çelo Hoxha ka vënë në dukje se pasi u arrestuan në dhjetor 1944, 60 intelektualë shqiptarë pa asnjë fletë arresti a vendim gjykate, në gazetën “Bashkimi” filloi fushata propagandistike e partisë duke hedhur parulla “Armiqtë e popullit duan plumb”, “Tradhëtarët në litar”, etj. Pra partia në pushtet nxiste përmes propagandës, një frymë hakmarrëse ndaj të arrestuarve para se të krijonte seancat gjyqësore. Kjo fushatë të kujton vitet ’70 të shek. XX, kur Enver Hoxha do të dënonte të quajturit “grupe armiqësorë” në kulturë, ushtri dhe ekonomi dhe kërkonte që gjithë punonjësit e Shqipërisë të dënonin “grupet e tradhëtarëve” nëpër mbledhje para se të nxirreshin provat (se prova nuk ekzistonin) dhe para se të jepeshin dënimet prej gjyqeve përkatës.
.
Skena nga Gjyqi Special 1945
Skena nga Gjyqi Special 1945
Në vitin 1945, në Shqipëri nuk kishte as Gjykatë e as Prokurori, por me vendim të Presidiumit të Kuvendit Popullor u ngarkua si kryetar i procesit gjyqësor të jashtëzakonshëm Gjeneral Leitenant Koçi Xoxe dhe si Prokuror Bedri Spahiu. Të dy ishin pa ndonjë diplomë të lartë dhe pa asnjë njohuri në fushën e jurisprudencës. Me përjashtim të Halim Budos dhe Gaqo Floqit, që ishin gjyqtarë, të shtatë anëtarët e tjetë të së quajturës “Gjykata Speciale e Tiranës” që zhvilloi Gjyqin Special, nuk kishin diploma të larta dhe njohuri juridike.
Prokurori i akuzoi të arrestuarit “Kuislingë” pa ditur se të arrestuarit nuk kishin kryer asnjë veprim të ngjashëm me veprimin e Kuislingut të Norvegjisë. Ai i shpalli të 60 intelektualët e arrestuar “tradhëtarë të kombit” kur asnjëri prej tyre nuk kishte bërë ndonjë tradhëti. Ishte pra e njëjta psikozë, ashtu si ishte shpallur tradhëtare organizata Balli Kombëtar menjëherë mbas Marrëveshjes së Mukjes dhe pak më vonë dhe Partia e Legalitetit pa bërë ndonjë tradhëti.
U shpall tradhëtar Bahri Omari, kunati i Enver Hoxhës, njeriu që ishte kujdesur për rritjen dhe edukimin e këtij kunati dhe e kishte strehuar gjatë luftës. Në grupin e këtyre “tradhëtarëve” ishin dhe Aqif Përmeti e Kol Tromara miq e bashkëpunëtorë të Bahri Omarit që nv vitin 1915, në mërgim. Aqif Përmeti kishte qenë komandanti i trupave vullnetare që dërgoi Federata PanShqiptare Vatra për të luftuar më 1920, pushtuesit italianë. Kurse Kol Tromara në fjalën e tij të fundit, i tha prokurorit: “Ju keni plan të na vrisni. Por duhet ta dini se ne kemi punuar si patriotë për Shqipërinë. Patriotë si ne do t’i duhen Shqipërisë, por nuk do t’i gjeni më”.
E si mund të quhej “tradhëtar e kuisling” Valentin Pervizi, njeriu që kishte mbaruar Akademinë Ushtarak në Itali dhe ishte kthyer në fund të vitit 1944 gjithë ëndrra për t’i shërbente atdheut, por që ende nuk kishte filluar asnjë lloj aktiviteti. Po kështu nuk mund të pranohet ky epitet për gazetarin e talentuar Gjergj Bubani, që kishte rrezikuar aq shumë me shkrimet e tij për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të Kosovës. Si drejtor i Radio Tiranës më 7 prill ai i kishte bërë thirrje popullit për luftë kundër pushtuesit italian. Ish-komunistja Kaliopi Prifti, që kishte punuar në Radio Tirana, gjatë viteve 1943-1944 doli në gjyq si dëshmitare dhe tha se drejtori Gjergj Bubani e dinte ekzistencën e celulës së PKSh-në në institucionin e Radios dhe nuk e denoncoi. Por, si tregon studiuesi Nestur K. deponimi i kësaj komunisteje nuk u mor parasysh. Ky intelektual u dënua jo se kishte bërë ndonjë krim a tradhëti ndaj popullit shqiptar, por sepse kishte mbrojtur të drejtat e shqiptarëve të Kosovës ndaj shtypjes jugosllave dhe dënimin e tij e kërkuan emisarët e Titos. Mirëpo antijugosllavi Gjergj Bubani nuk u lirua nga burgu kur Enver Hoxha u prish me Titon dhe u lidh me Stalinin, sepse diktatori Hoxha nuk mund të pranonte se kishte gabuar në dënimet që dha me anë të Gjyqit Special më 1945, po ashtu si nuk pranoi kurrë se bëri ndonjë gabim në jetën e tij si drejtues i partisë.
Në kuadrin e 75-vjetorit të Gjyqit Special, shkrimtari dhe gazetari Jozef Radi e pasuroi në ëebsite-in e tij “radiandradi.com” duke shkruar për demostratën e parë antikomuniste të grave shqiptare të janarit 1945, organizuar prej 30 bashkëshorteve të të arrestuarve pa vendim gjyqi. Këto gra të kapura dorë për dore ecën nga fundi i bulevardit të Tiranës (pranë burgut të ri) drejt qendrës, duke thirrur: “Burrat tanë janë të pafajshëm”!, “Lironi burrat tanë”!. Turmën e tyre e sulmoi një togë partizanësh, e cila arrestoi dy prej tyre, kurse të tjerat u larguan duke u fshehur nëpër shtëpitë tiranase. Midis këtyr grave demostruese ishin dhe Gjyslyme Leka dhe Vitore Radi, dy ish-nxënëse të Institutit Nëna Mbretëreshë, bashkënxënëse me Nexhmie Hoxhën (Xhunglini) dhe Fiqiret Shehun (Sanxhaktari).
Vlerësimin më të mirë këtij gjyqi farsë ia ka bërë vetë prokurori i tij, Bedri Spahiu, në gazetën Republika qershor 1991, duke shpallur: “Duke kujtuar këto 46 vjet terrori, mizorie dhe mjerimi që ka kaluar populli im, mua më vjen turp që kam qenë prokuror i atij Gjyqi Special”.
Pas këtij denoncimi të Bedri Spahiut më 1991, të vjen çudi se si qeveritë e tranzicionit dhe autorët e Historisë së Shqipërisë dhe të FESh-it të pas vitit 2000, nuk e kanë cilësuar dhe dënuar këtë gjyq si një ndër krimet e sistemit të diktaturës komuniste…

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.