back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

40 vjet më parë… Kur u nda nga jeta Drita Çomo! – nga Ismail Çala

Gazeta

Gledisi dhe Drita Çomo
Gledisi dhe Drita Çomo

40 vjet më parë… Kur u nda nga jeta Drita Çomo!

nga Ismail Çala

19 Shkurt 1981.
Të nesërmen e kësaj dite kisha ditëlindjen, mbushja 24 vjeç. E fejuara ime, Gledisi, e kishte shtëpine poshtë Cërrikut, në lagjen “Kantier” dhe unë vija shpesh nga fshati matanë Devollit ku jetoja. Kisha një biçikletë 28-she, e cila më ishte bërë si shok i ngushtë. Atë ditë erdha në Cërrik dhe pasi ndenja pak në qytet me shokët e mi, mora vesh që kishte vdekur Drita Çomo, e bija e Liri Belishovës…
U trondita shumë dhe nxitova për nga shtëpia e nuses sime. Kur arrita, e kuptova që edhe ata e dinin vdekjen e saj. Gledisi qante dhe nuk pushonte duke më thënë që duhet të shkojmë te shtëpia e Dritës.
Ishte viti 1981, dhe për të gjithë ata që e kanë jetuar atë kohë, patjetër që e dinë se sa e vështirë ishte ta bëjë një veprim të tillë.
Të dy ne, e kishim patur shoqe Dritën, unë e kisha pasur 4 vjet shoqe klase në gjimnaz, kurse Gledisi, e cila ishte më e vogël se ne, e kishte shoqe të ngushtë. Ishim që të tre armiq, por Drita ishte më e “rrezikshme” se ne.
Mbrëmja erdhi shpejt… dhe ne duhej të vendosnim se çdo të bënim. Kishim frikë. I jati i Gledës na dha kurajë, duke na thënë që të shkonim, por unë të mos hyja brenda në shtëpinë e Liri Belishovës.
I hipëm biçikletës sime dhe pas disa minutash arritëm tek shtëpia e tyre. Nuk kishte këmbë njeriu rreth e përqark. Pa u menduar fare, nusja ime e vogël, zbriti nga biçikleta dhe pothuajse me vrap hyri në shtëpinë e Dritës.
E mbaj mend mirë atë natë. Rrugët e Cërrikut ishin bosh, dukej sikur i gjithë qyteti i vogël ishte strukur në dhimbjen e tij. Nuk dija ku të rrija e ta prisja Gledisin. Ecja… dhe më dukej sikur më ndiqnin, sikur nga çasti në çast do të vinin të më kapnin… Nuk mbaj mend se sa e kam pritur time shoqe, por më kujtohet mirë se kam lëvizur me biçikletë papushim, sikur i ikja frikës dhe dhimbjes për shoqen time të klasës.
Duhet të ketë qënë ora 10 e ca e mbrëmjes kur Gledisi doli nga shtëpia e shoqes së saj. Ishte e shpërfytyruar, e nuk fliste fare, qante me një dënesë prej fëmijë dhe nuk pushonte se thëni; Ah moj Dritë… Ah moj Dritë… Qysh vdiqe, qysh do duroje e shkreta Liri, qysh do të durojë Titi…
I hipëm biçikletës dhe pas pak arritëm në “Kantier”.
Ishte natë shumë e errët dhe e zymtë.
40 vite më parë! Kur humbëm Dritën!
.
Marrë nga Muri i Fb i Ismail Çalës, 19 shkurt 2021
.
 
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.