back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Vilsoni dhe Genci… në ditën e dënimit Kumtesë nga Ervin Nezha

Gazeta

Vilson Blloshmi &  Genc Leka
Vilson Blloshmi & Genc Leka

Vilsoni dhe Genci… në ditën e dënimit

Kumtesë nga Ervin Nezha

“Saharaja” si model i djerrinës absolute, ku mbizotron heshtja dhe vetmija!

Vilson Blloshmi përbën një nga rastet më të rrallë në Letërsinë Shqipe për disa arsye. Një poet që la vetëm një grusht me poezi, por që qenë të pangjashme me asgjë nga tradita e poezisë shqipe gjer atëhere. Dhe është fakt se traditat e dobta, favorizojnë mundësitë më të mëdha eksperimentale, por nga ana tjetër përbëjnë edhe rrezik sepse vendosin kokën e poetit në tranxhën e eksperimentit. Një gjë dallohet qartë tek poezia e tij, dëshirën dhe aftësinë e njeriut për të shkruar për të panjohurën, të largtën, të mistershmen dhe të çuditshmen, çka hodhi poshtë dogmën e fortë të traditës realsocialiste, që njeriu mund të shkruajë vetëm për gjëra që njeh ose e rrethojnë. Fatkeqësisht dogmë që, si guri i rrokullisur nga maja, zë vend edhe në një pjesë të mirë të mendimit për letërsinë e sotme shqipe, ç’është dhe ç’duhet të jetë. Vilson Blloshmi përmes letërsisë së tij, i tregoi bashkëkohësve autorë të brezit të tij, se njeriu është qenie me pesë shqisa, dhe për të shkruar nuk të duhen vetëm sytë, sepse letërsia nuk është arti i kopjimit të realiteteve me letër kopjative himnizimi por është ekzagjerim i këtij realiteti, abstragim i frazës, kundërfrazës, simboleve, formave, rimave, kadencave, thyerjeve kuptimore, të cilat për t’i gjetur në poezinë shqipe të përdorura me kaq shkathtësi, duhet të zbresësh ca vite, për të mbërritur te Poradeci dhe tek Noli. Nuk dihet sa poezi shkroi Vilson Blloshmi, por nga ajo që ka lënë pas, duket qartë se ka qenë një person që poezinë nuk e merrte seriozisht, ndërsa artin e shikonte si instrument arratisjeje nën trysnin e përndjekjes, pra i pëlqente më tepër të lexonte sesa të shkruante, sepse siç duket ashtu si të gjithë njerëzit e talentuar dyshonte fort tek cilësia e asaj që shkruante

Ervin Nezha
Ervin Nezha

Kryevepra “Saharaja” si proces i përsosjes

Ka shumë mendime rreth krijimtarisë së “Vilson Blloshmit” megjithëse është edhe në natyrën e studiuesve që të shenojnë një pikë kulmore të poezisë së tij. Mirpo, poezia e Blloshmit duhet parë në tërësi si një sistem poetik me ulje dhe ngritje normale të një poeti, i cili ende është në kërkim të përsosjes së artit të tij. Kjo përsosje fatkeqsisht mbeti si një model i papërfunduar, e megjithatë është gati ironi e fatit, por edhe një shaka e veprës së tij me vetë autorin, por edhe mjedisin letrar, suksesi i poezisë “Saharaja”. Se si e fitoi ajo lexuesin dhe zemrën e tij, e botuar rreth 20 vite pasi u shkruajt.
Vetëm në një mënyrë mund të shpjegohet, pëlqimi dhe fama e saj në një kohë të shkurtër, duhet të burojë nga fakti se ajo u shkrua në kohën e duhur dhe në momentin e duhur, çka do të thotë se një shoqëri e munduar nga një traumë e gjatë, zbuloi një ditë se dikush midis tyre, paska qenë shumë afër së vërtetës, filozofike dhe politike, por që të tjerët nuk e paskan parë.
Është e vërtetë se kjo poezi ka elementet ma të zakonshëm të një lirike peizazhi ashtu sikundërse fsheh në vetvete edhe misterin e ndërtimit të saj si një poezi me alegori çarmatosëse. Në një letër shkrimtarja britanike Virxhinia Ulf, shkruan, dua të shkruaj një roman për heshtjen. Për gjërat që njerëzit nuk i thonë. E nëse këtë shprehje do ta përshtasnim simbas modelit gjuhësor të Saharasë, atëherë mund të thonim se Vilson Blloshmi ka shpikur një metagjuhë për heshtjen. Në fakt në poezinë e Blloshmit ka vetëm vetmi dhe heshtje. Saharaja aty del si një tokë e largët, e vetmuar dhe e heshtur. Një cikël i heshtjes që prodhon heshtje.

Saharaja e Blloshmit - ne dosjen gjyqsore
Saharaja e Blloshmit – ne dosjen gjyqsore

Si e garantoi Vilson Blloshmi modelin e Saharasë?!

Është thuajse e pamundur të aludosh se si lindi ideja e Vilson Blloshmit të shkruante një poezi, me një narrativë, personazh gjeografik i së cilës është një shprehje gjeografike. Në fakt pakkush e di, se Saharaja nuk mund të jetë një përzgjedhje aq e zakonshme, nga dikush që nuk e kishte njohur kurrë shkretëtirën, megjithëse nuk diskutohet fakti se ai e ka pasur patjetër një model të qartë të saj. Pra, ai e ka eksploruar shkretëtirën vetëm si një proces vuajtjesh dhe drame.
Por si banor i një zone gjeografike, mendoj se modelin e Saharasë, Vilson Blloshmi mund ta ketë gjetur në fushat e Karkavecit, të mbuluar nga dheu i bardhë argjilor, nga i nxehti përvëlues i verës, që këtë vend e kthen në një shkretëtirë të vërtetë, me barë të zhuritur djerrinash, ku ai punoi si puntor i thjeshtë krahu. Ndërsa ulet për ta shkruar, vargu i parë që i vjen ndërmend një krijuesi në kushte të zakonshme, e jo më në kushte të jashtëzakonshme është se si ti shkëpusë referencat nga modeli i gatshëm që i fal atij mjedisi i trishtë rreth e qark, ndaj poezia jo rastësisht nis me një ndajfolje vendi, ndërsa përsëritja dy herë e fjalës Saharaja në fillim pa ndajfoljen para e masandaj me ndajfolje, herë krijon gjendjen e afrisë e po kaq edhe të largësisë, njëlloj dimensioni ku koha rrjedh ndryshe. Një lloj truku stilistik, për të hipnotizuar koordinatat. Ndërsa vargu “Saharaja që ka shok veç emrin e saja”, është njëlloj abstragimi i një vetmije të pashoqe. Diçka që ka shok vetëm emrin, përgjithësisht është diçka që nuk ekziston, ose edhe në ekzistoftë emri i saj është më i rëndë se ajo vetë. Dhe kur emri është më i rëndësishëm se gjësendi, gjësendi e humbet aftësinë për të prodhuar lëvizje. Pra, kemi të bëjmë me diçka të vdekur, e cila prehet dhe do të mbetet në prehje shumë gjatë. Një nga vargjet më të bukura të cilat kam hasur në një poezi shqipe, është vargu i tretë i kësaj poezie “Ngaqë s’sheh ëndrra nuk sheh as drurë, Saharaja bluan gurë në mendtë e saja!”
Këtu jepet në mënyrë më madhështore njëtrajtshmëria e mjedisit. Një vend ku gjithçka njëherazi është edhe sfond edhe fokus, përgjithësisht është një pamje e trishtë, ku nuk prodhohet asgjë. Praktikisht, asnjë mendim nuk lind në kontakt me asgjënë. Asgjëja prodhon asgjënë, dhe jo paqëllim përzgjidhet fjala “drurë” si një abstragim i pemës si formë mendimi. Dmth, gjithçkaje ne ia japim kuptimin në sajë të mendimeve tona dhe kujtesës dhe pema si dekori ma i zakonshëm i një vendi me jetë, dëshmi e pjellorisë dhe ujit, qëllimisht mungon, çka e bën peizazhin e Saharasë, jo vetëm të trishtë, por si një dyste ku mungon përpjekja dhe motivimi. Zbritja poshtë në poezi është gati vertikale, secili varg të pajis me një mendim të ri, që e bën botën e Saharasë, një Botë të Trilluar, e ndërtuar me një ligjësi aq të rregullt, sa ky mjedis i shkretë dhe në heshtje krijon një cikël, i cili rigjeneron vetëveten në mënyrë fatkeqe, heshtja prodhon heshtje, vetmija prodhon vetmi dhe izolimi prozon vetëm izolim, megjithatë në këtë mikrobotë ku gjithçka rregullon vetveten, të ngjallin trishtim dhe keqardhje, por jo makth, kjo për faktin se janë notat lirike ato që i japin poezisë dekorin e trishtë, të verdhë, të thatë. Kjo shkretëtirë, që nuk shkon mirë me natën, të paktën është e dashuruar me qiellin. Dhe paralelizmi ndërmjet shkretëtirës dhe Savanit të qiellit, i ngjan paralelizmit të Narcizit që orvatet mbi ujrat e liqenit, dhe nuk është vetëm shkretëtira ajo që është dashuruar mbas lirisë dhe hijeshisë së qiellit, por si duket edhe qielli, në këtë hapsirë boshe sheh shembëlltyrën e bukurisë së tij, mbi një shëmti të përsosur. Ndërsa kthimi i natës, është i papëlqyeshëm si për shkretëtirën ashtu edhe për natën, ndaj kjo shikohet e barabartë, Shkretëtira prehet në terr, ndërsa nata shtrihet mbi një boshësi absolute. Kështu mbetet pas vetëm kujtimi i ditës që iku, por kur ditët i ngjajnë njëra-tjetrës, ato janë praktikisht të pamotivueshme për të fragmentarizuar kuptime.*
*Vargu Kur hyn dielli e kur hesht thëllimi, Shkretëtira e shkretë mbet shkretë.
Si përfundim, modeli i Saharasë së Blloshmit nuk është një model banal, alegorik i Shqipërisë së totalitarizuar, siç është përpjekur vazhdimisht të lexohet, por është diçka shumë më tepër se kaq. Është së pari një model estetik, një gjendje ku tensioni është heshtje (shkretëtirë) dhe heshtja (shkretëtira) është tension. Ky model, arketip, është një projekt inxhinierik i gjithçkaje universale që ka tendencën e pamotivueshme për të bllokuar vetven, një labirint natyror nga ku nuk mund të arratiset uni poetik.
“Delikatja” si mundësi permamente për të rikrijuar botën, prehja në raport me lëvizjen, kujtesa në raport me shenjën si aftësi për të prodhuar lëvizje.

Statujat e Genc Lekës dhe Vilson Blloshmit në Librazhd
Statujat e Genc Lekës dhe Vilson Blloshmit në Librazhd

Poezia e Genc Lekës

Poezia e Genc Lekës paraqitet si gjithçka që nuk ishte poezia e Vilson Blloshmit. Kjo edhe për faktin se Genc Leka bëri një jetë me tipare më të dallueshme intelektuale se Vilsoni. Shumë studiues e kanë quajtur poezinë e Gencit, si poezi të trishtimit dhe pesimizmit të thellë. Mirpo në gjykimin tim, poezia e Genc Lekës, si model estetik është një poezi që në thelbin e saj synon të bukurën, idealen dhe delikaten. Madje edhe kur shkruan për vdekjen, duket sikur i bën jehonë bukurisë së jetës. Kështu ai kap detajin, është një detajist i pashoq dhe duket sikur gjithçka e ngre nga hiçi. Modeli ma i mirë i kësaj që themi është poezia “Ciganët”.
Ardhja e ciganëve në fshat, një ngjarje e jashtëzakonshme, që merr indicie nga fëmijëria bëhet si shkaku i zhvillimit të një lirike dashurie. Në poezi mbizotron polifonia e zërave, përplasja e kumtit të unit poezik me zërin e rrëfimtarit.
*Çdo vjeshtë vinte një varg me ciganë/ Dhe këndonte me mall e trishtim
“Se si janë ca gra, se si janë,/ Ah, të vrasin veç me një vështrim…”
Pra, kënga e trishtueshme e arixhiut, që përsëritet çdo vjeshtë (shenjë e lëvizshme) bëhet motiv i një poezie malli e trishtimi, për gruan që i hapi aq telashe çdo burri të dashuruar, qoftë ky poet, cigan apo diçka tjetër.
Ndërsa lirizmi me të cilën poeti abstragon dhe shkrin natyrën me shpirtin njerëzor e bën strofën e dytë një mozaik njerëzish, zërash, natyre dhe melodie.
“Dhe shkuan ciganët në rrugën plot fletë, / Me këngët, me kuajt revan…
Dhe pas i përcillte me duf një gërrnetë/ E ndezur prej shpirtit cigan…”
Figura qendrore e poezisë janë ciganët, si modeli njerëzor ma i gjetur i lirisë
“Se si janë ca gra se si janë” është jehona e një zëri që nuk lodhet kurrë së thëni. Trishtimi i ulur këmbkryq dhe pamundësia për të ndrequr gjendjen. Ardhja e ciganëve në fshat shihet edhe si një cikël përsëritës, si kanoni i një kohe të trishtë që përsërit vetveten në mënyrë ciklike. Një marifet të tillë letrar, Genc Leka e përdor edhe te poezia tjetër “Oxhaku”. Në këtë lirikë në dukje peizazhi, Oxhaku merr trajtën e një diçkaje filozofike, një shenjë e cila as përkulet dhe as zvetënohet nga koha. Gjithçka ndryshon në fshat, njerëzit, stinët, por oxhaku mbetet aty si dëshmitar i ngjarjeve të së shkuarës.
“Bora mbulon tokën e gjerë, / Dhe natyra duket në gjumë;
Ky oxhak e dogj një pyll të tërë,/ Ky oxhak ka parë ngjarje shumë…!
Këtu edhe vargu kompleks, “Ky oxhak e dogj një pyll të tërë” më tepër se simbolikën e shterpësisë dhe fatkeqësisë, që shkakton prezenca e oxhakut, ka efektin kohë, nxjerrjen në pah të një instrumenti të vjetër që ka aq shumë kohë që jeton e djeg, sa e sosi një pyll të tërë. Ndërsa në strofën tjetër, “Oxhaku” bëhet dëshmitar i asaj që iku, por edhe asaj që mbeti.
“Dhe kur shpesh fryn era dimërore, / i kujtohen këngë partizane,
Miq… biseda… gjurma… flokë bore,/ Gjithçka që mbeti asaj ane…”
Ndërsa autori plotëson me vargjet e tij, imazhin e një objekti që shërben si kohë neutrale harrese dhe kujtese, vargu ma tërheqës dhe enigmatik, është i fundmi i strofës së katërt.
“Diku rrodhën ca pika gjak” i cili duhet të lidhet me ndonjë ngjarje të mbetur thellë në kujtesën e autorit. Ndërsa vargu “Është i thjeshtë, por ka parë shumë” krijon një deficencë estetike të mrekullueshme, mbasi të jep idenë se evidentimi i këtij dëshmitari të thjeshtë mund të bëhet vetëm nga vëzhgimi i mprehtë i një poeti që është i pajisur me vetinë e çmueshme për të nxjerrë në pah detajin.
Si përfundim, poezia e Genc Lekës, ka një lloj tërheqje të veçantë drejt kohës si dimension filozofik së pari dhe masandaj fizik. Koha në poezinë e Genc Lekës përcillet përmes detajit, i cili gjendet në forma të ndryshme, në poezinë “Ciganët” ky detaj vjen përmes një elementi të lëvizshëm, ardhjes së ciganëve, që e end më pas unin poetik në një kohë tjetër, këtë herë filozofike të asaj të vuajtjes së dashurisë, ndërsa në poezinë “Oxhaku” detaji gjendet si objekt i palëvizshëm i cili, me palëvizshmërinë e tij, duket se ka aftësinë të prodhojë lëvizje, përmes asaj që iku dhe mbeti. Pikërisht raporti i së palëvizshmes me të lëvizshmen, dhe aftësinë që ka e lëvizshmja të dominojë të palëvizshmen, krijohet ajo që quhet ngjarje. Ndaj, kryesisht për këto arsye, poezitë e Genc Lekës janë lirika të krijuara mbi mikrofabula, të ndërtuar rreth një detaji të caktuar, i cili lidhet me një kohë të caktuar.
Punoi mësues Ervin Nezha, shkolla “Ahmet Elezi”, Stravaj.

Marrë nga muri i Fb i Ervin Nezhës 14 qershor 2022

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.