back to top
1.5 C
Tirana
E premte, 27 Dhjetor, 2024

Befasia e një ftese – nga Luiza Pano Musta

Gazeta

Luiza Musta
Luiza Musta

Befasia e një ftese

nga Luiza Pano Musta

Kurioziteti më shtyu të pranoja ftesën e një të panjohuri. Unë dhe Jon kemi miq të përbashkët. Prej tyre kisha dëgjuar shkarazi që, për më shumë se 2 vjet, ai, kishte qendruar e punuar në Europë. Pjesë e udhëtimeve dhe punës së tij kishte qënë edhe Shqipëria. Marrja e një ftese për të darkuar së bashku ishte jo thjesht një e papritur e këndshme por më shumë se kaq, kuriozitet. Kur gjendem në mjedise publike e flas në gjuhën time me tim shoq, jo rrallë pyesin për vendin nga kemi ardhur.
-Where are you from ?
-I’m from Albania.
-From Armenia?!.
-No, no.
-From Rumenia?!.
-No, no, from Albania.
Ata buzëqeshin, ngrenë supet mohueshëm dhe tundin kokën gjithë mirësjellje. Ndaj kjo ftesë e papritur më nxiti ta pranoj.

***
Gjithçka në atë mbrëmje vjeshte ishte befasuese. Dera e portës qëndronte e hapur, diçka jo e zakontë në këto anë. Kjo më dha ndjesinë e portave të vendlindjes time, Përmetit, përherë hapur në pritje të mysafirëve. Dhe u ndjeva mirë pa futur ende këmbën brenda shtëpisë. E lehura e qenit lajmëroi se ne, të ftuarit kishim mbërritur.
-Mirseerdhët, na përshëndetën burrë e grua gati me një zë. I’m Jon and my ëife Neila.
-Uau ju flisni shqip?! Mirsejugjetëm!
-Ne fllasim pak, ca fjallë, like childrens…
Ky shkëmbim i fjalëve të para e largoi ndrojtjen e rasteve të tilla.
Jon mori nga banaku një shishe pije, hodhi nga një shat për secilin dhe duke qeshur na u drejtua: Cheers. Gëzuar me raki Skrapari!
Raki nga Shqipëria u ngut të na tregonte Neila, por edhe unë dhe Jon kemi pëgatitur për ju një darkë siç kemi parë në vendin tuaj. Pasi t’i provoni , do na tregoni a kemi përfituar nga ato gatime… Mbi banak ishin vendosuar sallatë me ullinj e portokaj, speca të pjekur, proshutë, djathra, salcë kosi, byrek, tavë kosi…
-Na e paskeni vjedhur gjithë kuzhinën, – shtova duke qeshur. Me pjata në duar për të shijuar gatimet shqiptare nga një amvisë amerikane, u ulëm në tavolinën e qendisur në qendër të dhomës. Nuk po ju besoja syve. Në një cep të saj, m’u shfaq një ekspozitë e vërtetë, nga më të bukurat. Mbi komo, flamuri shqiptar. Në mur një qilim me dimensione të vogla. Njoha motivet kuksiane. Me tej, gravura nga Gjirokastra, Berati, Kruja, punime të ndryshme artistike, një album me foto nga zonat turistike të Shqipërisë. Për pak çaste ngela e mahnitur nga ajo që po përjetoja. I përqafova të dy. “Ju vërtet po më habisni!” Ata vetëm buzëqeshnin. “Sa mirë bëtë që na erdhët!!”
Kisha kohë pa provuar kënaqësi të tillë. S’dija si t’i falnderoja.
-Thank you – thanë ata. Ne kishim dëshirë të njiheshim. Ne e duam Shqipërinë. Njerëzit e saj na kanë dhënë shumë dashuri.

***
Nisi një bisedë e shtruar ëmbël nga ato që njeriu del jashtë konceptit të vendit e kohës. Ata flisnin parreshtur duke na treguar gjithçka kishin përjetuar gjatë kohës së qendrimit në Shqipëri. Për miq të shumtë që u ishin bërë të dashur në Tiranë, Vlorë, Gjirokastër, Korçë, Shkodër, për bukuritë e Alpeve, për Thethin dhe Lurën, për rakinë e pamunguar në çdo sofër, për tavat dhe byrekun e pjekur në saç, për Divjakën dhe një restorant ku peshku i shijshëm pjekur në tjegull shërbehej nga një kamarier hipur majë kalit. Tregonin dhe herë – herë prisnin një tundje koke prej nesh si për të pohuar ndjesitë e marra. (Shumë nga vizitat e tyre në atdheun tim, dhe unë nuk i kam përjetuar). Ne ishim bërë në sofrën e tyre libri i hapur ku preknin ndjesitë e pashlyeshme. Ndërsa bisedonim konia e shtëpisë m’u afrua duke tundur bishtin dhe u zgjat të më lëpinte dorën.
-Sit doën Raki, i foli Jon duke theksuar zanoren a në rrokjen e parë .
-Rock!? Ju pëlqen që qenushi juaj të bëhet i fortë si shkëmb ndaj i keni vënë këtë emër?
Jon qesh. Jo, jo emri i tij është raki, si ajo rakiu i Skraparit. Raki është i vogël. Ne e morëm atë kur u kthyem nga Shqipëria dhe i vumë emrin raki. Kujtim i përditshëm.
-Përshtypjet tuaja nga vendi im qenkan të mrekullueshme Jon. Tani e kuptoj dëshirën dhe ftesën tuaj për t’u takuar me të vetmit shqiptarë të këtij qyteti.
-Duke ju ftuar ju, tha Jon, unë dhe Neila ndihemi të gëzuar. Na duket se ju kthejmë sadopak mirësinë që kanë treguar njerëzit mikpritës të Shqipërisë për ne, kudo që shkuam.
U përshëndetëm për t’u ndarë, por Jon dhe Neila na bënë të papriturën e fundit. Na treguan dy biletat e udhëtimit të tyre për në Shqipëri. Do udhëtojmë në fund të muajit, thanë. Kemi kujtime të bukura, miq dhe shumë dashuri për vendin tuaj. Na ka marrë malli për gjithçka.
-Faleminderit Neila, faleminderit Jon për ftesën dhe bisedën e këndshme në këtë darkë me kaq shije. Ju keni sjellë këtu në perëndimin e largët një copë Shqipërie. Ishte befasi dhe kënaqësi takimi me ju. E dyzuar mes mendimesh që nuk më ishin ndarë qysh në momentin e marrjes së kësaj ftese, duke ditur profesionin e tij të juristit, shtova me gjysëm zëri. Ka dhe gjëra që nuk shkojnë aq mirë në atë vend dhe, pse ta fsheh, megjithëse larg, na trishtojnë. Jon ma bleu mendimin.
-Shqipëria dhe shqiptarët janë aq të mirë sa… Heshti fare pak dhe shtoi:
Le ta lëmë këtë herë me kaq. Shpresoj të shihemi përsëri.

Marre nga Muri i Fb i Luiza Musta 24 shkurt 2023

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.