back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Fryma e absurdit në absurdin e njeriut modern, në poezinë e Anila Varfit nga Emrije Krosi

Gazeta

Studiuesja Emrije Krosi
Studiuesja Emrije Krosi
Fryma e absurdit në absurdin e njeriut modern, në poezinë e Anila Varfit
nga Emrije Krosi

Lirika është thelbi i poezisë. Por, poezia ka elementet e saj përbërëse që në shtrirjen dhe diskursin e saj, sa herë metaforizohet, në sfondin saj unifikikohet, imazhi dhe poetika përmes pejzazhit aktual poetik, që ndryshon rrënjësisht, nga një poet tek një tjetër. Ata mund të jenë bashkëkohës p.sh., të një rryme, por stili i të shkruarit dhe qasja para lexuesit, janë krejt të ndyrshme. Por, në periudhën e absurdit, më së shumti shkëlqeu drama me emra si: Eugen Ionescu dhe Samuel Beckett apo edhe frymëzuesi i absurdit (si rrymë letrare): Albert Camus etj. Poezia e absurdit, është një poezi e errët, plot ankth, tmerre, frikë, errësirë, vetmi, që poetët e guximshëm në çdo kohë i rikthehen makthit të kohës ku jetojnë. Pranimi i vetmisë, është e vetmja gjë që i ka mbetur artistit, përmes obsesionit, ankthit dhe zhgënjimit, se është ndjenja e fajit që njeriu përjeton (Beckett: 1986: 48). Në këtë rrymë, poetë që iu qasen absurdit, kishin probleme me shoqërinë ku jetonin. Koha e “mbarsur” me trazira, me frikë dhe trauma kolektive dhe sociale, zezohet fuqishëm përmes protestës individuale kundër përditësisë, si revoltë e brendshme, në ciklin poetik “Bisedë në absurd ”(Varfi: 2020), ku autorja përcjell ëndrrat e çdo njeriu duke sendërtuar qenien, si esenca e humanizmit tonë.

Poetia e ka ndërtuar poezinë në tre pjesë:

Pjesa e parë: dallgë shpirti (helmohem me kafshatat e trupit tim), ku vetë imazhi fillestar na lajmëron për “shqetësimin” poetik përmes vargjeve: lodhur tekash të fatit,/ Lundroj ujërash që Ai i di…/ Off!/ Prej kohësh bëj të jem vetvetja,/ E s’di se si sërish lëviz/ Rrjedhave të fatlumenjve të mi!, por e lodhur nga fati, kërkon vetveten, ekzistencën e saj përmes absurdit të jetës. Ashtu si ekzistenca njerëzore, por edhe bota është në vetvete një absurd, si konflikt, që vjen nga përballja e të dyve që e lind atë.Nga njëra anë ekziston dëshira njerëzore për ta kuptuar botën në tërësi, për ta njohur atë me të gjitha kuptimet dhe nga vlerat njerëzore, ndërsa nga ana tjetër, kjo dështirë njerëzore është penguar, pasi bota është tipike rezistente, ndaj të gjitha formave të kuptueshmërisë (Camus: 1991:24);

Pjesa e dytë: trëndafili i bardhë i dhimbjes (…gur në shtrat lumenjsh, pres të zbres rrjedhash në dete pa anë e fund…). Vargjet: prej kohësh me veten/ Me botën, me fatin ndeshem./ Shoh trishtë e grushtat gjak m’kullojnë./ Kur i vogli njeri nis me kuptu,/ Se kurrgja ksaj jete, s’paska rëndësi,/ Ma fort po don me u kapë pas saj/ Poshtërsisht, egërsisht, brutalisht./ Shoh kryqe që nxitojnë e shtohen çdo ditë, përsëri klithma, këlthitja, thirrma e brutalitetit, ergërsisë, poshtërimit të njeriut si person dhe njeriut socio-shoqëror, që fati e përplas nëpër sintomat e ankthit që kurrë nuk mbarojnë. Ankthi është një gjendje e vazhdueshme e ndërprerë nga periudha shumë të shkurtra paqeje (Ionescu: 1994: 95), se Qenia dhe Asgjëja, si gjendje të pakuptimta, ashtu si dhe ekzistenca e njeriut absurd, nuk gjejnë shumë justifikime të jashtme, për situatat e tyre. Me fjalë të tjera, absurdi është një pasojë e drejtpërdrejtë e pafavorshmërisë së ekzistencës njerëzore dhe është më e prekshme, tek shtresat e dobëta dhe të pambrojtura të çdo shoqërie dhe sistemi. Duke përdorur fjalët e Eugen Ionescu: “Pse kam frikë nga vetja, nga ajo që kam dhe esenca që përfaqësoj?, autorja, absurdin e “fajëson” edhe për metamorfozën që pëson njeriu: e përhumbur prej puthjesh zjarr,/ Të vdes dua…/ Thërrmijat e melankolisë t’i fryj, t’i degdis!/ Në mjellmë të artë t’kthehem puthjesh.. Megjithatë, duke qenë se universi është i ftohtë dhe indiferent ndaj kërkimit të kuptimit të esencës njerëzore, ne gjithmonë do të përballemi me situata absurde, ku përpjekjet tona për të gjetur kuptimin dështojnë, për më tepër, izolimi dhe tjetërsimi i përkasin edhe gjendjes njerëzore (Perloff:1990: 18). Poezia “Protestë”, me vargjet: qurraviten, jargaviten nëpër korridore për një kore./ Frymëqelbur prej ndyrësisë së fjalëve/ e zgërdheshjes…/ Zulma trushkulurish e trushkulurash në parade/ suksesi (ups vesi)…/ Horra/e të fryrë, që zaptojnë hapësira e të prishin/ ditën, jetën,/ Dordolecë/ e pa nder e besë,/Veç një shportë me pordhë me gresë!/ Mosmirënjohës e bukëshkalë me kuintalë,/Mbijnë si grami nën këmbë e të thonë ik, nge zërin e protestët, kundër heshtjes/eve, një klithmëthirrje, bashkë me ndryshmet e sistemeve të shenjave gjuhësore, ku aspektet vizuale dhe shenjat verbale, na rezultojnë të pandashme (Hoover: 1994: 57), si një protestë, ndaj të keqes njerëzore. Filozofi postmodern (Jean-François Lyotard) e konsideron këtë fenomen, si reduktim të dukurive specifike, në një rend artificial i të vërtetave universale, tipike për të menduarit modern.

Anila Varfi
Anila Varfi

Varësia e njeriut modern, është fakti i çrregullimeve të ideve, në kuptimin më global, “për të organizuar masën e ngjarjeve që vijnë”, nga bota njerëzore dhe jo-njerëzore, duke iu referuar gjenezës së historisë universale të njerëzimit;

Pjesa e tretë; dallgë Dheu; (një çast e fryma e mbështjell në grusht, gjindjen veri e jug…! ) përmes vargjeve: luan i plagosur hungërin qiellës së qytetit tim…/ Plasave të mureve dyerve…/ Nata e kafshoi agun tinzisht…/ Shkallëve këmbëzbathur plage/ Kërkonim jetën veç jetën, me shënimin: [dimër, tërmet, 2019]. Autoria këtu bën një kapërcim, krejt tjetër, kalon në realitet. Përjetimi i tërmetit e “vesh” me “uniformën” e poezisë postmoderne, që shpesh përdor aleanca të ngjashme, ndoshta strategji, që në heshtje të njohë vështirësitë për të konkuruar me kaq shumë forma të reja të të shprehurit.Teksti letrar, bëhet ndërmjetës i sistemeve të tjera semiotike dhe anasjelltas, ndërmjet të lexueshmes dhe të dukshmes (Culler: 1997: 22). Hetimi i poezisë së A. Varfit, dallohet për një sundim të metaforës foljore. Perceptueshmëria poetike, përmes ndikimit dhe fuqisë imagjinative, qëeksploron kufijtë e foljes, ku në krijime të caktuara, imazhet e absurdit plotësojnë fjalët, ndonjëherë pothuajse duke zëvendësuar ato krejt, ku poetika vetëprojektohet si imazhe mendimesh (Eco: 1984:28). Teksti poetik është ndërtuar, lidhur me të menduarit modern, pra e lidhur me normat e një poetike modern(iste).

Një gjetje tjetër e autores është edhe përdorimi i fjalëformimeve, sidomos atyre foljore kalimtare si: harrakatem/helmohem/ lumnohem/ kumbohen/ shkarraviten/ jargaviten etj., fjalëformimet si: frymëpakur/ shkapërderdhen/ trikokëshe/ fatlumenjve/ kahmos/ shamizeza/ buzëplasura/ durimsosur/ shqisëmprehur/ durimfikur/ durimrraskapitur/ gjuhëfëlliqur/ shumëgjuhëshe/ politikllafollogjisë/ ndjenjëhumbur/ krahëhapur/ krahështrënguar/ syhapur/ symbyllur/ buzëçelur/ homosapienësve /kokëçarjen /gjithëfarësoj /buzëmbrëmjet /ditënetët/ frymëqelbur/ trushkulurish/ dhjetëfishohet/ njëqindfishohet /foshnjërisht/ sapolindur/ gjunjëkëputur/ turravrap/ mosmirënjohje/ keqkuptimin/ moskuptimeve/ kalldrëmshtruar/ pangjyrë/ padritë/ përhumbur/ fjalëlumi/ dhembshurisht/ shpinëkthyer/ këmbëngulje/ zjarrputhje/ njëzani/ përgjunjemi/ gjithëfuqisë/ këmbëzbathur.

Së fundmi: poezia e Varfit, na kthen në një peridhë të artë të letërsisë, ku absurdi dhe përfaqësuesit e saj, krijuan një brez lexuesish botërorë, ku sundoj edhe filozofia e njeriut të friksuar nga tmerret, ankthet, frikërat, pasiguritë dhe ekzistenca e njeriut është një neveri sa reale aq edhe surreale. Ndaj, kjo poezi na kthen në atë situatë që po kalon edhe shoqëria jonë shqiptare, duke luftuar me dashurinë për njeriun, për atë njeri të dobët dhe të vogël, që “psikologjia e turmës” së absurdit, e zhyt në strese, paranoja dhe psikoza të përhershme, ku identiteti ti tij psikologjik dhe esencial, është në kërkim të thelbit: të asaj që ka humbur, njerëzores! Ndaj edhe lexuesi është aty në poezinë e shqetësimit qytetar dhe njerëzor të autores, Anila Varfi.

Bisedë në Absurd - Poezi nga Anila Varfi
Bisedë në Absurd – Poezi nga Anila Varfi
Bibliografia

Beckett, Samuel (1986) – The Complete Dramatic Work. London: Faber and Faber.
Camus, Albert (1991) – The Myth of Sisyphus and Other Essays. translated by Justin O’Brien. New York: Vintage Books. https://www.philosophytalk.org/blog/camus-and-absurdity
Culler, Jonathan (1997) – Literary Theory. A Very Short Introduction. New York.
Eco, Umberto (1984) – The Role of the Reader. Bloomington.
Hoover, Paul (Ed.) (1994) – Postmodern American Poetry. New York/ London: W. W. Norton & Company
Ionescu, Eugen (1994) – Cautarea intermitenta/ Search for intermittent. Bucharest: Humanitas
Perloff, Marjorie (1990) – Poetic License. Essays on Modernist and Postmodernist Lyric. Evanston.
Varfi, Anila (2020) – Bisedë në absurd , “Ombra GVG”, Tiranë.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.