back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

“Kur isha në Shqipëri” – Dushan Mugosha – nga Hasan Bello

Gazeta

Historiani Hasan Bello
Historiani Hasan Bello

“Kur isha në Shqipëri” – Dushan Mugosha

nga Hasan Bello

Dushan Mugosha ishte me origjinë malazeze. Ai ka lindur në vigjilje të Luftës së Parë Botërore, në Leshkopol, afër Podgoricës. Pas pushtimit të Malit të Zi nga ushtria austro-hungareze, familja e tij u internua, ndërsa të atin ia pushkatuan.
Në vitet e Luftës së Dytë Botërore Mugosha ishte anëtar i Komitetit Qendror të Kosovës dhe Metohisë në Pejë. Me vendim të KQ të PKJ-së dhe Titos, Dushan Mugosha u dërgua në Shqipëri, ku së bashku me Miladin Popoviçin, dhanë kontributin kryesor për themelimin e PKSH-së.
Në këto kujtime D.Mugosha bën një rezyme të punës që kishte zhvilluar në gjirin e lëvizjes komuniste, duke nënvizuar aspektet kryesore të organizimit të PKSH-së dhe ushtrisë partizane. Bashkëngjitur me këto kujtime, nga revista “NIN” është botuar edhe një shkrim kritik i gjeneralit në pension Jagosh Uskokoviç nga Sarajeva, i cili hedh dritë lidhur me disa pasaktësi për ngjarjet dhe vendndodhjen e shtabit të ushtrisë jugosllave (dhe jo për kujtimet e tij lidhur me Shqipërinë). E njëjta gjë vlen edhe për pensionistin tjetër nga Titogradi, i dekoruar me medaljen e “kujtimit partizan”, Radivoje Radovanoviç, të cilat revista “NIN” i ka botuar për etikë.
Konsultimi i këtij materiali nga studiuesit dhe drejtuesit e shtetit komunist, për nevoja të ndryshme mund të bëhej vetëm me leje të posaçme. Kjo tregon se, për nomeklaturën e lartë komuniste, informacionet dhe versioni i ofruar nga i dërguari i PKJ-së në vitet e LDB në Shqipëri, për të themeluar, organizuar dhe drejtuar së bashku me Miladin Popoviçin dhe emisarë të tjerë jugosllavë PKSH-në, përbënte informacion të klasifikuar, e që binte ndesh me literaturën dhe studimet e kohës si “Historia e PPSH-së” etj.
Kujtimet e Dushan Mugoshës “Kur isha në Shqipëri”, sipas porosisë që iu dha Spiro Dedes nga drejtoresha e Institutit të Studimeve Marksiste Leniniste dhe bashkëshortja e diktatorit Nexhmije Hoxha, iu dorëzuan Ramadan Çitakut, i cili kishte shërbyer si përkthyes i Dushan Mugoshës. Ai u bashkëngjiti atyre një kritikë në përputhje me interesat politike e propagandistike të kohës. “Bacës”, siç e thërrisnin Ramadanin që nga koha e luftës, nuk i ngelej gjë tjetër, veçse të hidhte poshtë shumë pretendime të Dushan Mugoshës. Ai duhej të minimizonte rolin e tij dhe të emisarëve sllavë për themelimin e PKSH-së dhe organizimin e luftës partizane. Kjo duhej bërë, në përputhje me qëndrimet publike të Enver Hoxhës.
Për korrektësi shkencore, kemi vendosur që, bashkëngjitur me kujtimet e D.Mugoshës, të botojmë edhe shënimet e Bacës. Këto kujtime ndodhen në Arkivin Qendror të Shtetit në fondin 14 (ish-arkivi i PPSH-së) dhe janë përkthyer nga një punonjës i Agjencisë Telegrafike Shqiptare me inicialet M.Se. Ky material shoqërohet në botimin origjinal me disa foto ilustruese, të cilat për shkak se nuk ndodhen në përkthim, diçiturat e tyre janë vendosur në referencë në vendin përkatës. Shpresojmë që këto kujtime të jenë një burim alternativ për historiografinë shqiptare.

Dushan Mugosha - Kur isha në Shqipëri - përgaditur nga Hasan Bello
Dushan Mugosha – Kur isha në Shqipëri – përgaditi Hasan Bello

Marrë nga faqja “Institutet Albanologjike – faqe zyrtare 21 janar 2021

 

 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.