back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Idriz Lamaj, libri “Vatra dhe vatranët” – nga Frank Shkreli

Gazeta

Darka e daljes në pension e Dalipit, Korrik, 2021 -Idriz Lamaj -Dalip Greca dhe Frank Shkreli
Darka e daljes në pension e Dalipit, Korrik, 2021 –
Idriz Lamaj – Dalip Greca dhe Frank Shkreli
Idriz Lamaj, libri “Vatra dhe vatranët”
nga Frank Shkreli*

Idriz Lamaj është i njohur si publicist,
studiues dhe aktivist i dalluar i komunitetit shqiptaro-amerikan
dhe njëherazi edhe ish-gazetar i “Zërit të Amerikës” në gjuhën shqipe

Publicisti Lamaj është autor i disa librave dhe i një numri të madh artikujsh botuar në gazetat dhe revistat e diasporës gjatë pothuaj në gjysmë shekulli. Veprimtaria publicistike e z. Lamaj përfshin punën e tij me gazetën “Shqiptari i Lirë”, të cilën për vite me radhë e drejtonte së bashku me Dr. Rexhep Krasniqin, ish-kryetarin e Komitetit Shqipëria e Lirë dhe me bashkëpunëtorë të tjerë të dalluar të komunitetit shqiptaro-amerikan. Shkrimet e tija janë botuar gjithnjë në gazetën Dielli të Organizatës panshqiptare Vatra, si dhe në revista dhe botime të tjera të diasporës, sidomos në Amerikë, por edhe në trojet shqiptare në Ballkan.
Gjatë një karriere dhe kontributi në fushën e publicistikës shqiptare prej pothuaj një gjysmë shekulli, Idriz Lamaj ka trajtuar kryesisht çështje parimore të interesit kombëtar. Ka mbuluar zhvillimet dhe veprimtarinë e komunitetit shqiptaro-amerikan, për të cilin ai gjithnjë ruan një thesar informacioni në bibliotekën e tij shumë të pasur.
Është marrë me analiza dhe ka paraqitur kumtesa mbi marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave, mbi marrëdhëniet shqiptaro-greke dhe mbi situatën e shqiptarëve në Kosovë dhe në trojet e tyre në Ballkan, në përgjithësi. Në pothuaj të gjitha shkrimet dhe librat e autorit Idriz Lamaj vihet re një frymëzim dhe dëshirë për të qitë në dritë të vërtetën mbi atë që shkruan, qofshin ata personalitete të jetës politike dhe kulturore të emigracionit shqiptar, me të cilët ai ka pasur fatin të punonte ngushtë pranë Komitetit Shqipëria e Lirë, qoftë rreth Vatrës ku ende është aktiv si anëtar i bordit të organizatës më të vjetër shqiptare në Shtetet e Bashkuara, por edhe në angazhime të tjera politike, kulturore dhe shoqërore të komunitetit shqiptaro-amerikan.
Fati i Idriz Lamajt ishte se atij iu dha rasti që gjatë disa dekadave të punonte dhe të bashkëpunonte me personalitetet më të dalluara politike dhe kulturore të diasporës shqiptare në Amerikë, përfshirë Dr. Rexhep Krasniqin, Prof. Nexhat Peshkëpinë, Ingj. Vasil Gërmenjin, Mons. Zef Oroshin dhe me shumë e shumë të tjerë atdhetarë e dashamirës dhe mbrojtës të kulturës dhe interesave shqiptare, personalitete këto nga të gjitha trojet dhe nga të gjitha besimet pa dallim, të cilët shpesh nën rrethana tepër të vështira politike dhe financiare të mërgimit, përpiqeshin që me aq sa kishin mundësi të mbanin gjallë dhe lartë frymën e shëndoshë të traditave dhe vlerave të kombit shqiptar.
Idrizi ishte gjithmonë me ta dhe pranë tyre duke punuar pa bujë e shpesh unanimisht dhe me modesti, por i vendosur që veç puna të shkonte mbarë dhe në të mirën e përbashkët.
Studiuesi dhe aktivisti i dalluar i komunitetit shqiptaro-amerikan, njëkohësisht ka punuar edhe si gazetar pranë Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe ku gjatë viteve përgatiti rubrikën shumë popullore radiofonike, “Shqiptarët e Amerikës”.
Idriz Lamaj është autor i shumë librave, dhe i qindra artikujve dhe referateve të mbajtura në raste dhe në përvjetorë të ndryshëm që kanë shënuar jetën dhe veprimtarinë e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara gjatë dekadave. Idrizi, në librat dhe referatet e tija, gjithmonë duke përdorur dokumentacion të dorës së parë, ka prekur çështje me rëndësi nga jeta dhe veprimtaria e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe ka pasqyruar veprimtarinë e shumë prej personaliteteve më të shquara të këtij komuniteti, me të cilët ai ka pasur rastin të punojë.
Libri “Vatra dhe vatranët” është një libër historik i veprimtarisë së Vatrës dhe i shumë personaliteteve të komunitetit shqiptaro-amerikan, duke filluar nga Fan Noli dhe Faik Konica. Besoj se Idrizi është i vetmi që njeh mirë jo vetëm veprimtarinë e Organizatës Panshqiptare Vatra, por ai është edhe një personaliteti këtij komuniteti, i cili jo vetëm ka njohur por që edhe ka punuar me dekada me udhëheqës të ndryshëm të organizatës Vatra dhe me një numër të madh intelektualësh atdhetarë për një periudhë prej më shumë se gjysmë shekulli. Andaj, si i tillë, ai shkruan nga këndvështrimi i një aktivisti dhe pjesëmarrësi të drejtë për drejtë në aktivitetet e Vatrës dhe organit të saj, gazetës Dielli.
Si njëri që ka ndjekur nga afër jetën e komunitetit këtu pranë Vatrës po se po, por edhe kur ka punuar si zyrtar i Komitetit Shqipëria e Lirë me Dr. Rexhep Krasniqin, Prof. Nexhat Peshkëpinë dhe me Vasil Gërmenjin, përfaqësuesin e komunitetit shqiptar pranë Organizatës së Kombeve të Robëruara Europiane (ACEN) dhe shumë të tjerë.

Fan Noli & Faik Konica
Fan Noli & Faik Konica

Në parathënie të librit, autori e informon lexuesin se libri është një përmbledhje e teksteve të disa kumtesave ose referateve, që ai vetë ka paraqitur me raste të ndryshme të përvjetorëve të Vatrës dhe gazetës Dielli. Autori Lamaj thotë se e shkroi këtë libër me qëllim që t’i paraqesë lexuesit njëfarë historiku të organizatës Vatra e që mbulon një periudhë prej vitit 1925 deri në vitin 1955. Më konkretisht, shton ai, “jam përpjekur të hedhë dritë mbi arsyet e bashkëpunimit të Konicës me regjimin e Zogut dhe të Nolit me regjimin e Enver Hoxhës… ndërsa konfliktet e Konicës dhe të Nolit me krerët e regjimeve në fjalë janë ilustruar edhe me të dhëna nga disa prej letrave të tyre private”, thotë autori.
Ky libër botohet dekada pas ndodhive, ngjarjeve dhe protagonistëve që nuk jetojnë më, por është një dokument që ve në dukje se autori ka një arkiv të pasur, dhe tregon edhe disiplinën e autorit për të mbajtur shënime të përditshme dhe për të ruajtur korrespondenca e dokumente të tjera gjatë gjithë karrierës së tij. Me librin “Vatra dhe vatranët”, Idrizi i sjell lexuesit një pjesë të historisë së aktivitetit të Vatrës dhe vatranëve të një periudhe 30-vjeçare, periudhë kjo shumë kritike për fatet e Shqipërisë dhe të Shqiptarëve nga viti 1925 deri në vitin 1955.
Aty ai shkruan për Vatrën e para Luftës së Dytë Botërore, mbi kuvendet e ndarjes së Vatrës më dyshë dhe mbi kuvendet e bashkimit të Vatrës; mbi Vatrën gjatë Luftës së Dytë Botërore, mbi Vatrën përballë pretendimeve greke ndaj Shqipërisë dhe mbi qëndrimin organit të saj, gazetës Dielli ndaj qeverisë komuniste shqiptare dhe ndaj qeverisë amerikane. Autori u kushton kapituj të veçantë Fan Nolit e Faik Konicës, marrëdhënieve midis tyre si edhe udhëheqëseve të tjerë të Vatrës e Diellit, si Refat Gurrazezi, Qerim Panariti, Kost Çekrezi, Petro Kolonja e Nelo Drizari, që ishte gjithashtu edhe ngarkuari i qeverisë amerikane për të organizuar dhe krijuar Zërin e Amerikës në gjuhën shqipe në vitin 1943, ndër të tjerë aktivistë të Vatrës. Autori ka përzgjedhur gjithashtu disa thënie të arta nga Faik Konica.
Ai kryesisht ka përdorur gazetën Dielli si burim kryesor por edhe gazeta dhe botime të tjera, si “Albania” e Konicës, për të dokumentuar historikun e Vatrës për periudhën që mbulon. Z. Lamaj përshkruan një periudhë të vështirë për Vatrën, sidomos për periudhën e para Luftës së Dytë Botërore, kjo sipas autorit, për arsye të krizës ekonomike në Shtetet e Bashkuara, por edhe më tepër për arsye të konflikteve dhe ngatërresave të brendshme të organizatës Vatra, përfshirë sidomos grindjet midis Faik Konicës dhe Fan Nolit, por edhe si rrjedhojë e rolit përçarës që luante Konsullata e Shqipërisë në Boston.
Megjithëse dy protagonistët kryesorë të asaj që autori cilëson si “lufta klasike e mendimit të lirë të vatranëve” të asaj periudhe, ishin natyrisht Noli e Konica, autori i librit “Vatra dhe vatranët” thotë se duhet të merret parasysh gjithashtu edhe roli që kanë luajtur, ndër të tjerë, Refat Gurrazezi, dishepull i Konicës, Qerim Panariti, dishepull i Nolit, Peter Kolonja e shumë të tjerë.
Por, autori thotë se ndonëse “fërkimet politike” midis tyre ishin mjaft serioze, Lamaj nënvizon se dokumenteat provojnë se me gjithë kundërshtimet politike midis tyre, ata në të vërtetë e ruajtën miqësinë dhe respektin për njëri-tjetrin në çdo kohë dhe deri në vdekje. Z. Lamaj sjellë një pjesë të fjalimit të Nolit me rastin e varrimit të Faik Konicës në dhjetor 1942, ku ai shpreh respektin e tij të madh duke thënë se vdekja e Konicës, ishte sipas Nolit, “…Humbje me të vërtet’ e tmerruar, se sot po bëjmë nderimet e funtme dhe i themi lamtumirë njërit prej bijve më të shkëlqyer të Shqipërisë.
Se Faik Konica, sikundër e dini, ka qenë nga çampionët më të mëdhënj të indipendencës kombëtare; pa dyshim, ka qenë ustaj më i madh i shkrimit të gjuhës sonë dhe veç këtyre, është njeriu që na ka zbuluar flamurin e Skëndërbeut. Ja tre tituj, që nuk munt t’ja mohojnë as kundërshtarët më të egër…”, ka thënë Fan Noli për Faik Konicën, me rastin e varrimit të tij.
Në të vërtetë, me gjithë grindjet e këtyre kolosëve, mosmarrëveshje që autori i cilëson si “fërkime politike”, ndonëse nganjëherë të ashpra, ajo që vihet re në dokumentacionin e këtij libri është se këta kolosë më në fund, kur vinte puna tek interesat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve ata prapëseprapë, punuan së bashku për të mirën e Atdheut. Është ky një mësim dhe shembëll i mirë për politikanët e të gjitha kohërave.
Ky në të vërtetë, mendoj unë, është edhe njëri prej mesazheve me rëndësi historike i këtyre patriotëve e që pasqyrohet në librin e autorit Lamaj, se politikanët shqiptarë madje edhe sot – me gjithë ndryshimet, mosmarrëveshjet dhe grindjet e tyre politike – mund të marrin shembull tek Noli e Konica dhe bashkatdhetarët të kohës së tyre, se më në fund, interesat e kombit duhet të jenë mbi të gjitha, pa marrë parasysh “fërkimet politike” dhe interesat private dhe partiake.
Një mesazh tjetër i këtij libri, nga këndvështrimi i autorit, është edhe për të provuar se Faik Konica nuk ishte shërbëtor i Ahmet Zogut dhe as Fan Noli nuk ishte shërbëtor i Enver Hoxhës, duke hedhur poshtë pretendimet e tilla gjysmë shekullore të regjimit komuniste.
Me librin e tij, “Vatra dhe Vatranët”, Idriz Lamaj edhe njëherë shpalos për lexuesin punën shumë të gjatë e të mundimshme por tepër të vlefshme që ai ka bërë gjatë dekadave. Idrizi, të cilin gjithë jetën e kam njohur si një njeri me virtyte të larta njerëzore dhe kombëtare, është një arkiv i gjallë dokumentacionit mbi jetën, veprimtarinë dhe kontributin që ka dhënë komuniteti shqiptaro-amerikan gjatë viteve.
Në të vërtetë, autori i palodhshëm dhe me plot pasion për ruajtjen e kësaj trashëgimie të komunitetit shqiptar në Amerikë, kohët e fundit, në një takim me arkivistë nga Republika e Kosovës, Zoti Lamaj u kishte propozuar atyre se ishte gati të bënte kopje të mijëra dokumenteve që ai posedon ekskluzivisht e që ndër të tjera përfshijnë mijëra letra, foto e dorëshkrime, për Arkivat e Kosovës, një minierë e vërtetë ari për hulumtuesit dhe historianët. Idriz Lamaj meriton falënderimin e të gjithëve që e ka ruajtur këtë pasuri kombëtare dhe për faktin se është gati ta ndaj me të gjithë. Vend më të mirë për të strehuar këtë dokumentacion nuk ka se në Arkivat e kombit shqiptar, në Tiranë dhe në Prishtinë.
Përveç kontributit të tij në fushën e publicistikës, Idriz Lamaj mund të jetë personi që ka koleksionin më të pasur të shkrimeve, të botimeve, të revistave, të gazetave që nuk ekzistojnë më dhe të gjithë informacionin që mund ta ketë ndonjë njeri mbi jetën dhe veprimtarinë e imigracionit shqiptar në Shtetet e Bashkuara dhe më gjerë.
Një thesar i vërtetë që dokumenton veprimtarinë e diasporës shqiptare në Amerikë, me gjithë të mirat dhe të metat e saja, të pakën gjatë 50-viteve të fundit, të kësaj diaspore, e cila për nga aktiviteti i saj në mbrojtje të interesave të kombit shqiptar, mund të konsiderohet si më e rëndësishmja në botë. Njëherë më pat këshilluar Idrizi atë që ai vet ka praktikuar gjatë gjithë jetës, duke më thënë që çdo gjë shënoje në letër, se vetëm ashtu mbetet dokument i gjallë.
Një këshillë e mirë për mua dhe për të gjithë ata që janë të interesuar dhe të pasionuar pas historisë dhe publicistikës. Libri i tij më i fundit, “Vatra dhe vatranët” është shkruar në këtë frymë, si dokument i gjallë i një periudhe tepër të rëndësishme për komunitetin shqiptaro-amerikan dhe për fatet e kombit shqiptar. Por duke e njohur Idrizin, besoj se ai e konsideron këtë libër edhe si një borxh ndaj veprimtarisë dhe sakrificave të atyre burrave të kombit, të cilët gjatë gjithë jetës së tyre – megjithëse larg Atdheut – nuk kursyen asgjë për të mirën e Shqipërisë dhe të Shqiptarëve dhe detyrimit të tyre që ata ndjenin për të mbrojtur të drejtat legjitime të kombit shqiptar.

Frank Shkreli
Frank Shkreli

*Frank Shkreli ka qenë gazetar dhe redaktor në “Zërin e Amerikës”, seksioni shqip nga viti 1974 deri në vitin 1984. Më pas po tek “Zëri i Amerikës”, zoti Shkreli ka qenë shef i seksionit shqip (1984-1985). Nga viti 1985 deri në vitin 1990, ka shërbyer këshilltar i lartë programacioni në divizionin europian të “Zërit të Amerikës”. Ju kujtojmë që në këtë periudhë, duhej punuar në kushtet e Luftës së Ftohtë. Nga viti 1990 deri në vitin 1994 ka qenë zëvendës drejtor i Euroazisë në “Zërin e Amerikës”, divizion ku përfshihej edhe Bashkimi Sovjetik që ndërkohë u shpërbë. Nga viti 1994 deri në vitin 2003, zoti Shkreli ka qenë drejtor i divizionit Europian të “Zërit të Amerikës”, divizion nga i cili, përveç gjuhëve të ndryshme evropiane, varej, veç të tjerash edhe seksioni shqip i kësaj radioje. Frank Shkreli ishte pjesë e delegacionit të parë diplomatik amerikan në Shqipëri në mars/prill të vitit 1991, me ç’rast u hap ambasada amerikane pas pothuaj 50-vjetësh dhe morën pjesë si vëzhgues në zgjedhjet e atij viti. Ai ka vizituar shpesh Shqipërinë dhe Kosovën si pjesë e delegacioneve të ndryshme të Shteteve të Bashkuara. Pas daljes në pension nga detyra qeveritare, pas 30-vjetësh, z. Frank Shkreli shërben si drejtor i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan një organizatë jo-qeveritare që punon për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe për promovimin e paqes dhe zhvillimit ekonomik në trojet shqiptare në Ballkan, e vetmja organizatë shqiptare lobiste me prezencë në Uashington DC.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.