Kundër Pseudofilologëve
nga Eqrem Çabej
Nga shtyllat e Shekullit të Ri të verës, si dhe nga ato të Gazetës së Re duket çiltas se një epidemi grafomanie paska kapur shumë “Krena të naltë”! Kush në jetën e tija ka pasur raste të mësojë anglishten nëpër fabrikat e Amerikës, gjermanishten në tabarin-et e Vienës, frengjishten në Mont-Martre, e italishten në Kafet’e Barit, sot, i fryrë si gjel deti, na del përpara, i stolisur me rrobën transparente të pseudonimit, e… – O tempora, o mores! – me gjest dramatik na flet mbi filologji! Avanti pra! Parturiunt montes, nascetur ridiculus mus! (U mbars mali, e polli një mi)
Pra, sikundër në fletoret e Perëndimit ndodhet feuilleton-i (rubrikë gazete me artikuj të lehtë/ përgojues), tek ne nuk do të mungojë, si frukt pas buket, një artikull “filologjik”, i cili ka misionin, siç duket, të zëvëndesojë një zakon shqiptar që është duke u shuar: luftën e gjelavet. Nën maskën e shkabës, këta gjela luftojnë trimërisht me njeri-tjetrin, duke u gjakësuar por dhe me maskë që jeni, e dimë se jeni gjela, o gjela! –
Tash, duke lënë të qeshurit, duhet të konstatojmë me hidhërim se është një turp kulturor për ne, që Atdheu i ynë është ay vend i Europës, në të cilin në shekullin e XX, njerëz që mundet të jenë të zotë për nëpunësira ndofta dhe të nalta, por që s’dinë as pikë prej filologjisë, njerëz që në jetën e tyre s’kanë dëgjuar një Konferencë filologjike, njerëz që s’kanë as më të vogëlën ide mbi mënyrën si punohet sot në lëmin e gjuhës, që të tillë njerëz dalin e mbushin shtyllat e fletoreve me artikuj jo vetëm fare të kotë, por edhe të dëmshëm e duke u sharë me shoqishoqin, dhe si! Kush i përflet tjetrit se tash doli nga veja, dhe se kur ay ishte nër “shpërgajt” e djepit, ky punonte për Shqipëri! Bukur! Patriota! Por kush ju tha të futeni nër labirinthet e gjuhës? E me ç’të drejtë e quan tjetrin “ignorant” vetëm pse është kundërshtar i “ideve filologjike” të tua?
A është kjo filologji? A imponohet njeriu me sharje?
Zakoni i botës së qytetëruar e do që të luftohet për ide, e jo për inate personale, për ç’fryrjen e të cilavet janë të çelura kaq gjykatore!
Sot secili në Europën e qytetëruar, para se të merret me shkrime filologjike, i shkon mjaft vjet në bankat e universitetit, atje ku gjuha studiohet e analizohet me exaktitude mathematike, duke qene se filologjia është një nga dituritë më të shtrëngueshme (sevère) e me exakte që munt të jenë në botë.
Se të mos ishte kështu, nuk rrinte Gustav Meyer-i të merresh tridhetë viet me radhë me albanologji d.m.th. me studimin e asaj gjuhe të shkretë, të cilën “filologët” tane të sodit, të dalë shpejt si kërpullat pas një shiu, janë duke e përçmuar në një mënyrë të tillë!
Kurrkush nuk ka të drejtë të shkruaj mbi gjuhë pa u pat marrë viete me radhë me studimin e vërtetë të saj! Kurrkush! Se gjuha është sendi më i çmueshëm i një populli, dhe për popullin shqiptar është i vetëmi thesar! Dhe mos e ngani thesarin me duart tuaja, zotërinj dilettanta!
Gjuha është një element i naltë kulture, nuk është një objekt mode! Nuk mundet të “riformohet” aq shpejtas si ç’mundet secili të vishet à la Perrot për Karnaval!
Kush ju ka shtyrë ju të shkruani mbi gjuhë? Kur keni manin’e shkrimit, pse nuk shkruani ç’të doni mbi numismatikë, grafologji, mathematikë, theologji, përmbi fizikë, anatomi, analytikë e histori? E ta lini rehat këtë gjuhë të shkretë, e ta punojnë të tjerë të cilët të merren me të vërtetë me studimin e saj?
Kush do të shkruaj mbi shqipen, me parë duhet të jetë marrë me studimin e gjuhëve indoeuropiane përgjithërisht, e pastaj duhet të ketë studiuar gjithë shkrimtarët shqiptarë e gjithë albanologët e huaj, numëri i të cilëvet është aq i math, sa studimi i tyre lyp viet me radhë pune të parreshtur.
Se filologjia nuk është zbavitje, është larg nga dilettantismi. Është dituri, dhe që të kapesh me dituri, duhet të dish!
Graz, 8-11-1929
Marrë nga Muri i FB, Artan Kafexhiu, 20 shkurt 2024