back to top
7.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024

“Misioni i posaçëm-Juglindja 1940-1945” – Kujtime nga Hermann Neubacher – përgaditi Klodi Stralla

Gazeta

“Misioni i posaçëm-Juglindja 1940-1945”
“Misioni i posaçëm-Juglindja 1940-1945”
“Misioni i posaçëm-Juglindja 1940-1945”
Kujtime nga Hermann Neubacher (1893-1960)
përgaditi Klodi Stralla

Një libër me kujtime nuk është një libër historie, ndonse prej tij mëson shumë për historinë, sidomos atë alternative, të ndryshme nga versioni zyrtar që mësohet në shkolla.
Këto ditë po lexoj një libër të tillë interesant me kujtime të Hermann Neubacher, personi kyç, i ngarkuar nga Hitleri me kompetenca të plota politike dhe diplomatike për menaxhimin e Europës Jug-lindore (Ballkanit). Libri titullohet “Misioni i posaçëm-Juglindja 1940-1945”, dhe prej tij po veçoj një fragment të shkurtër por kuptimplotë, për t’ua përcjellë edhe lexuesve:

“…Shkodër, mars 1944.
Natën, grabitje për pare, vrasje në mes të rrugës, në mes të ditës. Pater Anton Harapi më tregon se si natën e kaluar tre burra të njohur të lëvizjes ilegale komuniste shkuan tek ai në Kuvend për të zhvilluar me të një debat politik.
Partia Komuniste – kishin thënë ata, nuk lufton kundra Kishës. Komunizmi është në një fazë të re zhvillimi, ai lufton për lirinë kombëtare dhe për një demokraci të vërtetë. Ç’ka kërkon i pari i franceskanëve, Pader Antoni, në një Këshill Regjence, që bashkëpunon me okupatorët fashistë?
Një oficer gjerman, i pranishëm në bisedë, e pyeti: – Pater Andon, a mund të na thuash se kush ishin ata tre burra? Fytyra e tij prej asketi, si e gdhendur në dru, u nxi prej pyetjes që dëgjoj. E preu shkurt:
 “Harroni Ju se unë jam shqiptar?”
Të tre burrat edhe pse të paftuar prej tij, ishin në shtëpinë e tij dhe gjatë vizitës ata kishin të drejtën e mbrojtjes nga i zoti i shtëpisë. Megjithatë, komunizmi nuk i njeh vlera të tilla. Mbas tërheqjes të trupave gjermane nga Shqipëria, Pater Andonin e kapën në strehën e një shtëpie miku dhe ata tre burra, ka gjasë të kenë qenë midis gjykatësve kur ai u var në litar. Ky është veç një shembull nga dhjetra të tillë. Pater Andoni e bëri atë se ishte vërtet shqiptar, ndërsa ata të tre nuk ishin të tillë.
Kur filloi tërheqja jonë nga Shqipëria, unë i kërkova Pater Antonit të largohej menjëherë prej vendit dhe i afrova për këtë avionin tim. Ai më falenderoj dhe më çoj fjalë se: “Zoti ja kishte caktuar vendin dhe nëse do të ishte vullneti i Zotit, ai do të duhej me vdekë aty ku e thirrte detyrimi i tij meshtarak…”
Përkundrazi, “aleatët strategjikë” (anglezët) e lanë Abas Kupin në mes të kënetës së Kunes dhe nuk i ofruan ndihmë që të evakuohej nga Shqiperia, në nëntor të vitit 1944.

Hermann Neubacher (1893-1960)
Hermann Neubacher (1893-1960)

Herman Neubacher (1893-1960), anëtar i hershëm i Partisë Nacional-Socialiste të Austrisë, ka qenë kryebashkiak i Vjenës (mars 1938 – dhjetor 1940) dhe më pas i është bashkuar forcave gjermane të shërbimit të jashtëm si specialist në çështjet ekonomike për Evropën Juglindore. Ai veproi në Rumani, Bullgari, Greqi (tetor 1942) dhe përfundimisht në Beograd në gusht 1943, si i dërguar i veçantë i Zyrës së Jashtme gjermane për Evropën Juglindore. Nga 11 shtatori i 1943-shit, pas rënies së Italisë, ai u emërua dhe përgjegjës për Shqipërinë dhe punoi ngushtë me Vermahtin deri në kapitullimin e Gjermanisë në 1945-ën. Në 1946-ën, Nojbaheri u arrestua nga amerikanët dhe u dërgua në Beograd, ku në 1951-shin, u dënua me burgim si kriminel lufte meqenëse mbështeti forcat gjermane si diplomat dhe ekonomist. Ai u lirua në nëntor 1952, kur dhe u kthye në Austri. Neubacher është autor i librit “Sonderauftrag Südost, 1940-45” (Misioni special Juglindje, 1940-45) Gotingen, 1956, në të cilin jep me hollësi veprimtarinë e tij të rangut të lartë për llogari të Gjermanisë nacional-socialiste në Ballkan.

Marrë nga Muri i FB, Klodi Stralla, 20 mars 2018

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.