back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

E bukura! – nga Arben Borshi

Gazeta

Arben Borshi
Arben Borshi
E bukura!
nga Arben Borshi

Ditë më parë, Z. Sokol Parruca,
kishte publikuar një shkrim
ku na kujtonte “të bukurat e Shkodrës”
Ndaj mora shkas e po i përgjigjem publikisht,
gjithmonë në formë debati miqësor…

Ndaj mora shkas e po i përgjigjem publikisht, gjithmonë në formë debati miqësor.
“E bukura” asht nji koncept abstrakt që ka zgjue kureshtjen e njerëzve qysh në lashtësi. Tuj kenë koncept, formohet me kalimin e kohës, pra nuk asht nji ndjenjë e pakushtezueme, por nji ndjenjë që merret prej ambjentit ku individi lind dhe rritet, pra kushtëzohet prej jashtë ndërgjegjes. Një fmijë lind pa ndjenja: nuk mund të thuesh se fëmija ka lind me ndjenjën e dashurisë apo të urrejtjes, ose ndjenjën e perceptimit të së bukurës dhe të shëmtuarës. Janë ndjenja që përftohen me kalimin e kohës, pra reflekse te kushtëzueme, tuj folë me gjuhën e Pavllovit. Dhe mendoni se çfarë përbindshash krijoi regjimi terrorist komunist, me artin e të bukurës të realizmit socialist, ku përjashtohej “Mëshira” e Mikelanxhelos, apo “Darka e fundit”, o “Vuejtet simbas Shën Mateut” e Bach-ut apo “Stabat Mater” e Pergolezit! Kushtëzimi i reflekseve të fëmijve qysh në kopsht e deri në universitet, me “të bukurën e realizmit socialist” e kam përjetue. Por fatmirsisht, kam pasë nji “antidotë” të fuqishme kundra ksaj kolere, ashtu si shumë miq, shokë ose bashk-fatkqij: familjen! Sepse asht familja burimi kryesor i zhvillimit të ndjenjave njerzore universale dhe kundra të cilave vepronte ideologjia marksiste-leniniste!
Në librin “Bota e Re”, Aldous Huxley na paraqet nji shoqëri njerzore ku bërthama e saj, familja, nuk ekziston, është eliminuar. Fëmijët lindin në inkubator, të fekonduem në mnyre artificiale, tuj mos kenë frut i nji Dashurije, dhe rriten në ambjentet që kushtëzojnë ndjenjat dhe ndjesitë e tyne. Drejtori i ktij inkubatori, ndërsa shoqnon disa studenta nëpër fazat e ndryshme që prej embrioneve e deri në 2-3 vjeç, i shpjegon edhe se si i kushtëzon ndjenjat e tyne: në nji kopsht me lule të bukura, fëmijët nxirren prej infermiereve për t’u dëfryer, por sapo nji prej tyne afrohej për me prekë nji lule të bukur, nji shkarkim i rrymës elektrike përshkonte trupin e tij tuj i shkaktu dhimbje dhe tmerr. Po e njajta gja përsëritej edhe kur në tokë ishin vendose libra me figura dhe fëmijët shkojshin t’i shfletojnë, përsëri nji shkarkim elektrik i bante të qajshin prej dhimbjes. Ky asht ilustrimi që Huxley na paraqet si formë për të kushtezu perceptimet njerzore. E natyrisht që kto fëmijë do të rriteshin tuj urrejte të bukurën dhe librat. Në At-Dheun tonë, u përdor terrori psikologjik bashkë me bombardimin ideologjik, të huazuem prej politikës të Leninit dhe Stalinit, të cilët krijuen nji monstër: – njeriun e ri – nji përbindsh pa ndjenja, i mbushun me urrejtje dhe i gatshëm për me u sakrifiku për partinë-përbindsh.
Historija e lashtë, sidomos ajo e qytetnimit të grekëve të lashtë, asht zanafilla e trajtimit filozofik të termit “Bukurija”. Dorëshkrimet e Platonit, Aristotelit dhe të tjerëve filozofë helenë të asaj periudhë, e trajtojnë “bukurinë” në formën që edhe sot pranohet. Për athinasit, e bukura ishte jo vetëm pamja e jashtme, por rezultantja e nji harmonije perfekte të cilsive të shpirtit, pra inteligjencës, ekuilibrit moral, mençurise dhe të cilsive fizike.

Bukuri Shkodrane (fototeka Marubi)
Bukuri Shkodrane (fototeka Marubi)

Me famë asht historija e kurtzanes të bukur të asaj periudhë, Frine, e cila pozonte nudo për skulptora të ndryshëm, bile thuhet se edhe “Afërdita e Milos” (Venere di Milo) asht vetë Frine. Ashtu siç ndodh edhe në ditët e sotme, cmira, xhelozia, edhe në atë kohë, e paditen Frine-n në gjyq sepse kishte ofendu Perënditë e Olimpit, tuj thanë se ishte e bukur si Venusi, perëndia e bukurisë dhe dashurisë. Para gjykatësve të ashpër, asgjâ s’mujti me ba për ta mbrojte edhe avokati ma i mirë i Athinës. Në kto kushte, Frine bani nji gjest ekstrem: u zdesh lakuriq para trupit gjykues dhe i tha:
“A mendoni se kjo bukuri e dhurueme prej perëndive të Olimpit, asht nji fymje për ata?”
Para ksaj Bukurije dhe pyetjes inteligjente, gjykatësit u dorëzuen dhe i dhanë pafajsinë.
Edhe Dostojevski e ka trajtue në mënyrën filozofike nocionin e bukurisë. “A është e vërtetë princ, se ju keni thanë se: E bukura do të shpëtojë botën?!– i drejtohet Ippoliti princit Myshkin në sallonin e shpisë që princi ka marrë me qira me festue datlindjen. Por princi nuk përgjigjet. E len të hapun çeshtjen. Për çfare Bukurije e ka fjalën Dostojevski që “do të shpëtojë botën? Për pamjen e jashtme estetike??
Por filozofi që kët fenomen e ka shtjellue ma tej asht Immanuel Kant.
Simbas Kant-it bukurija asht nji kënaqsi e pamohueshme: nji pikturë e bukur, nji skulpturë, një fushë me lule shumëngjyrëshe etj, janë peisazhe që përcaktojnë nji ndjenjë knaqsije. Por edhe ktu, nuk mund të thojmë se e bukura asht universale, për të gjith njilloj. Tuj kenë nji ndjejnë që edukohet, individë të ndryshëm kanë perceptime të ndryshme për të bukurën. Po të marrim si shembull nocionin e “të bukurës” nën diktaturë, shofim se sa asht deformu ky nocion në lidhje me botën e lirë. Sepse e bukura shijohet në kushte lirije! Nën terrorin komunist, e bukura mori formën e diktueme prej terrorit të kuq. Bukuria ka përfshi edhe seksin mashkull.
Alfred Ashiku, farmacisti bukurosh që asgjâ nuk i lente mangut yjeve të Hollivudit, u burgos vetëm prej cmirës dhe urrejtjes ndaj t’bukurës që ushqente qejtë e sigurimit komunist, dhe ndaj tij u ushtru nji torturë e pandigjueme ma parë: djegia e organeve gjenitale me benzinë!!
U luftue si çfaqje borgjeze kundrimi i “të bukurës të vërtetë”, dhe “filozofët marksiste” publikuan libra me tituj: “E madherishmja në artin socialist”!! Mozaiku mostruoz përmbi muzeumin kombtar, asht nji shprehje e të bukurës (të shëmtuarës socialiste!) apo monumenti monstruoz i Kristaq Ramës, ashtu si shumë vepra tjera vizive. Për mos me folë për muzikën, ku tinguj kakofonike shoqnojshin vargje hymnizuese për diktatorin dhe partinë e tij kriminale komuniste, ndërsa grueja dhe vajza e inxhinierit vlonjat, vetvaresh e shoqja e vajza hidhej prej katit të tretë sepse ishin përdhunu prej inkuizitorëve hetues! Se nuk po flas për letërsinë, këtë zhanër artistik që partija terroriste komuniste e përdori për lavazhin e trunit të turmës, me bekimin e shumë autorve të saj!!
Pra, tuj iu kthy shkrimit të z. Parruca, me vjen keq për nivelin infantil të trajtimit të “të bukurave të Shkodrës”!
Ndoshta mund të kishte kenë ma me interes sikur të kishte analizu profesionin e tij si prokuror i regjimit kriminal komunist, pra si inkuizitor: si e zgjodhi këtë degë studimi (për hetuesi! jo për drejtësi që nuk ekzistonte), si i msojshin me torturu “anmiqtë e partisë” për me i ba me firmosë dokumentin e dënimit t’vet, etj. Nji lloj “mea culpa” para shoqnisë, si pendesë, meqë ishte ingranazh i randsishëm i terrorit komunist, pedinë i “banalitetit të së keqes”!!! E jo të na tregoje se si paska pshtu dikë prej ridënimit, në burgun e Torovicës! Apo mendon se mund të konsiderohet “Oscar Schindler” albanez!!

Arshi Pipa me të motrat
Arshi Pipa me të motrat

Me ardhjen e ‘91, të gjithë ish hetuesit inkuizitorë hoqën xhyben e zezë të prokurorit për me veshë smoking-un elegant të avokatit liberal, pa pas ba edhe nji ditë shkollë për Drejtësi, atë drejtësi romake dhe universale të të drejtave dhe lirive të njeriut, që studjohet në fakultetin e “La Sapienza” por edhe ndër universitete tjera si ky të botës së lirë, e që në universitetin Enver Hoxha ishte jashtë ligjit!
Të Bukurat e Shkodrës, nuk janë vetëm ato që ka rreshtue zotnija ndër fjalë. Te bukurat e Shkodrës, dhe jo vetëm të Shkodrës, janë edhe Marije Tuci, që ish kolegu i tij, orku Hilmi Seiti, e mbyti në nji thes ku e kishte futë bashkë me nji maçok t’egër, në pamundësi me e futë në dorë!! Asht edhe e ndjera z. Terezina Zorba (i baft shpirti dritë!), por asht edhe Zoja Mrì Dedja e Mërrnaçajve, Zoja e hekurt me shpirt Njeriu, që duroi tuj pa t’jatin tuj ia djegë për s’gjalli hordhitë komuniste, ndërsa ishte 5 vjeçe, edhe Fatbardha Mulleti Saraçi dhe e motra, Dhurata, por edhe motrat e Arshi Pipës, motrat e Sami Repishtit, pse jo edhe të Ramadan Sokolit, apo motrat e bukura të Qemal Draçinit! Janë shumë, të gjitha vajzat, motrat, gratë, nanat, bijat e viktimave të dhunës komuniste, që i dhunuen, i poshtnuen, i përjashtuan, i internuen nëpër baltat e Savrës, i burgosën, i mohuen të drejtën e shkollimit, i mohuen një vend pune dinjitoz, por Ato qëndruen stoikisht. Vazhduen të ndiqshin të dashtunit e tyne nëpër kampe, rrugëve të ferrit, dimnave të ashpër nëpër kamiona e në kambë nëpër borë e akull, për me mujtë me takue dikush vëllanë, dikush djalin, dikush burrin e dikush prindin, e shpesh pa mujtë sepse “hetuesi apo i plotfuqishmi” i burgut kërkonte me përfitue fizikisht.
Janë me qindra, bile me mijëra ksi Bukurish shkodrane e Jo vetëm të qytetit, që duhet me i kujtue, e jo vetëm 5-6, sepse asht bukurija e shpirtit, virtytshmënia ajo që kto femna i ban ma t’bukrat! Asht kontrasti kundra regjimit që i ban me u përshkru si Antigone kundra Kreontit!!

Marrë nga Muri i FB Arben Borshi, 17 prill 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.