back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Perçja dhe përpjekjet e qeverive, shoqërisë civile dhe intelektuale shqiptare për heqjen e saj – nga Zenepe Dibra

Gazeta

Zenepe Dibra - 2023
Zenepe Dibra – 2023
Perçja dhe përpjekjet e qeverive, shoqërisë civile
dhe intelektuale shqiptare për heqjen e saj
nga Zenepe Dibra

Pjesë e ferexhesë, një pëlhurë e zezë e hollë, e fiksuar në pjesën e përparme të kokës me të cilën gruaja myslimane mbulonte fytyrën. Bashkë me fenë myslimane, nga sundimi pesëshekullor osman, shqiptarët trashëguan edhe disa zakone aziatike, veçanarisht për jetën dhe aktivitetin e gruas myslimane. Një nga këto zakone ishte edhe mbyllja e gruas brenda mureve të shtëpisë që në moshën 10 – 12 vjeç dhe mbulimi i fytyrës me perçe. Ky zakon ka qenë më i përhapur në qytete dhe fshatrat rreth tyre, kurse në zonat malore gruaja nuk ka qenë e mbuluar. Kjo veshje nuk ka qenë njëlloj në të gjitha krahinat. Gratë e qytetit të Shkodrës kanë përdorur mënyra të ndryshme mbulimi sipas moshës së gruas. Veshja e tyre e mbulimit të trupit quhej “çarçaf” kurse mbulesa e fytyrës “byrde” Problemi i heqjes së perçes por edhe emancipimit të gruas shqiptare dhe çlirimit të saj prej shumë zakoneve konservatore u shtrua që në shek. XIX, ku Vaso Pasha me romanin e tij “Bardha e Temalit” ngriti problemin e çlirimit të gruas shqiptare nga prangat e konservatorizmit dhe dhunimit të drejtave të saj. Emancipimi gruas nuk ka filluar mbas 1944, dhe këtë nuk duhet as ta harrojmë as ta neglizhojmë. Sepse shoqatat e para të grave janë ngritur që më 1912 nga motrat Qiriazi. Po kështu në Shkodër Shaqe Marie Çoba ngre shoqatën e parë të grave në Shkodër që më 1920. Po kështu edhe problemi për heqjen e perçes është ngritur nga rilindasit e shquar Naim dhe Sami Frashëri, qysh në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Në fillim të viteve 1920, në kuadrin e demokratizimit të jetës së vendit u ngrit problemi i mbulimit të femrës me ferexhe dhe perçe si një problem shoqëror që pengonte zhvillimin dhe emancipimin e jo vetëm të saj por gjithë shoqërisë… Kjo në fillim u ngrit në, revistën “Agimi” të Shkodrës, si dhe organe të tjera në qytete të ndryshme. Ngritja e problemit të perçes u shtrua edhe nga lëvizja reformatore brenda komunitetit mysliman (perçja nuk është e përcaktuar në normat e kuranit). Po kështu ky problem është ngritur edhe në seancat parlamentare të Parlamentit shqiptar të vitit 1923. Qeveria e Zogut ban përpjekjet e para në organet legjislative dhe ekzekutive për emancipimin e gruas shqiptare duke patur parasysh se pa emancipim të gruas shqiptare nuk ka emancipim të shoqërisë. Qeveria e Zogut iu dha hov ringritjes dhe hapjes së shumë shoqatave në të gjithë vendin pavarësisht se ishin të orientuara nga një sistem qëndror. Po kështu në mes tjerave qeveria mori masa për zhvillimin e arsimit hapjen e kurseve kundër anafabetizmit, etej. Me bursën e kësaj qeverie vazhduan studimet për muzikë jashtë vendit Tefta Tashko, Marie Kraja, Gjyzepina Kosturi, etj. Duke ditur dhe duke qene në korrent të këtij problemi të mprehtë që po i shtrohej shoqërisë për zhvillim dhe heqjen e një të mete të madhe të veshjes së grave me perçe, qeveria e Zogut më 14 gusht 1929, nxori vendimin sipas të cilit ndalohej qarkullimi i grave nëpër rrugë zbathur dhe të mbuluara nga koka në këmbë me ferexhe. Këtë vendim e përshëndetën edhe shumë intelektualë muslimanë shkodranë ku Xhemal Naipi mbajti një fjalim, ku cilësoi që në Kuran fytyra nuk quhet auret (mbulesë) Për zbatimin e këtij vendimi qeveria urdhëronte autoritetet e vendit, që të gjithë ato prindër vajzash dhe burra grash që do të guxonin t’i nxirrnin gratë me ferexhe e symbuluar, të ndëshkoheshin. Vendimi i qeverisë nuk u shtrua në parlament për të marrë formë ligjore në mënyrë që popullsia të përgatitej për këtë vendim. Më vonë, me që ky vendim nuk gjeti zbatimin e duhur, nën ndikimin e forcave demokratike, të shtypit dhe intelektualëve të shquar myslimane, qeveria shtroi në parlament projekt-vendimin për të marrë formë ligjore.

Gra të nëpunësve të Shkodrës demonstrojnë heqjen e perçes duke parakaluar në piacen e Shkodrës
Gra të nëpunësve të Shkodrës demonstrojnë heqjen e perçes duke parakaluar në piacen e Shkodrës

Kështu më 9 mars 1937, Mbreti Zog, mbas aprovimit në parlament, dekretoi ligjin me shtatë nene ku gruas i ndalohej dalja me perçe, duke lënë jashtë ligjit, ndalimin e ferexhesë. Në këtë ligj gjobiteshin deri në 500 franga ari të gjithë kundravajtësit. Ky ligj është përshëndetur masivisht nga intelektualët, gratë dhe të rinjtë. Shoqëria “Gruaja shqiptare” javën e dytë të muajit mars e shpalli “Festë të Shqipërisë” në përkujtim të datës historike për heqjen e perçes. Me këtë rast ajo organizonte koncerte, ditë pazari me punimet më të mira të dorës, konferenca të ndryshme etj. Po kështu afro 90 gra muslimane shkodrane, me prirje intelektuale, gra të nëpunësve të Qeverisë Zogut i dërgojnë atij një letër falenderimi dhe mirënjohje për përpjekjet që ai po bënte për emancipimin e femrës muhamedane. Gjatë Luftës Nacionalçlimtare, Partia Komuniste bëri një punë propagandistike për heqjen e perçes dhe të ferexhesë. Shembullin e parë e dhanë komunistet dhe partizanet në brigada që bënë një punë shumë bindëse dhe agjitative. Por edhe mbas 1944, përpjekja për çrrënjosjen e këtij fenomeni nuk u ndal por u intensifikua dhe me kalimin e viteve në sajë të luftës që bënë nga organizatat e partisë, gruas e rinisë, fenomeni u zhduk.
***
Mbas viteve 1990 ky fenomen, sidomos ai i veshjes së grave dhe vajzave me ferexhe dhe në raste të rralla edhe me perçe ka filluar të manifestohet në disa qytete kryesore të Shqipërisë, përfshirë edhe Shkodrën.
Shënime: *Më poshtë një foto relike e kësaj historie: Gra të nëpunësve të Shkodrës demonstrojnë heqjen e perçes duke parakaluar në piacen e Shkodrës.
*Kjo foto interesante më është dhuruar nga i ndjeri Viktor Jubani, në respekt të punës time për promovimin e gruas shqiptare.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.