back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Pionieret dhe Luftëtaret e para të Emancipimit të Femrës Shqiptare – nga Zenepe Dibra

Gazeta

Zenepe Dibra - 2023
Zenepe Dibra – 2023

Të nderuar miq të FB.
Po ju tregoj një histori timen për punën që kam ba për të ndërkombëtarizuar përpjekjet e jashtëzakonshme të gruas intelektuale shqiptare për emancipimin e gruas shqiptare. Unë as e kam promovuar kurrë këtë libër ku jam si bashkautore, shumë pak njerëz e dijnë, disa e kanë shfrytëzuar këtë material, por pa treguar kurrë burimin. Ka ardhë koha që në këto rrjete sociale të tregojmë, të bisedojmë, të njihemi me punën dhe arritjet e gjithsecilit pa i thanë kurrë përparësi vetvlerësimit, por ma tepër informimit.

Pionieret dhe Luftëtaret e para të Emancipimit të Femrës Shqiptare
Pionieret dhe Luftëtaret e para të Emancipimit të Femrës Shqiptare
Pionieret dhe Luftëtaret e para
të Emancipimit të Femrës Shqiptare
nga Zenepe Dibra

Para disa vitesh më ka ardhur një ftesë nga personalitete, shkrimtare dhe studiuese të çështjeve gjinore, si Francisca De Haan, Krasimira Daskalova dhe Anna Loutfi, që të isha pjesë e një libri që ato dëshironin të botonin me titull “A Biographical Dictionary of Women Movements and Feminisms – Central, Eastern Europe 19-th and 20-th Centuries” (Fjalor biografik i lëvizjes dhe feminizmit në Europën Qëndrore, Lindore dhe Jugore.) Qëllimi i tyre ishte për të përmbysur opinionin që lëvizja feministe në këto vende nuk ishte e importuar nga vendet perëndimore por ka lindur nga vetë rrethanat dhe kushtet social-ekonomike dhe politike të këtyre vendeve. Ato më treguan kushtet që kërkonin biografi jo të grave të famshme shqiptare, por të grave që kishin luftuar në Shqipëri për emancipimin e femrës shqiptare dhe puna do të ishte krejt vullnetare. Përkthimin në anglisht do ta bënin ato si dhe botimi do bëhej nga Central Europian University Press Budapest* New York. Ato ishin informuar se pas botimit të librit tim “Bijat e Rozafës, gra të shquara të hapësirës shkodrane”, isha duke përgatitur librin “Fjalor enciklopedik i gruas shqiptare” i pari në botimet shqiptare. Pavarësisht se unë kisha punuar dhe hulumtuar për historinë e emancipimit të gruas shkodrane në veçanti dhe asaj shqiptare në përgjithësi nuk kisha guximin të shkruaja dhe të zgjidhja pesë gra që kanë punuar në këtë drejtim se numri i tyre ishte shumë më i madh. Ju dërgova e-mail dhe u thashë që unë nuk marr guximin të zgjedh sepse për këtë duhet një komision duke refuzuar propozimin e tyre. Ato duke këmbëngulur më thanë që në këtë libër do jenë biografitë e grave nga Rusia, Bullgaria, Rumania, Turkia, Serbia, etj, gratë shqiptare do të mbesin jashtë, sepse ne nuk kemi person tjetër që të kryej këtë detyrë. Të them të drejtën më erdhi shumë keq dhe e mora si një detyrë të shejtë, fjalë e madhe por edhe patriotike që në atë libër shqiptaret tona, luftëtare të emancipimit të femrës shqiptare të mos mbeteshin jashtë. Historia e luftës dhe përpjekjet e gruas shqiptare për emancipim është e mbushur me shumë aktivitete në luftë kundër konservatizmit dhe prapambetjes shekullore nga të cilët femrat shqiptare kishin vuajtur shumë dhe kishte ardhur koha të zhvilloheshin e të përparoheshin. Europa duhej ta dinte edhe këtë përpjekje, këtë guxim, vetmohim, punë e palodhshme, ndoshta edhe më të mëdhatë në Europë. U përpoqa të zgjedh gratë që të parat kontribuan dhe punuan me guxim për arsimimin dhe emancipimin tërësor të femrës shqiptare, natyrisht duke respektuar edhe shpërndarjen gjeografike dhe zgjodha Motrat Qiriazi nga Korça, Shaqe Marie Çoba nga Shkodra, Urani Rumbo nga Gjirokastra dhe rumunen me origjinë shqiptare, të shquaren Elena Gjika (Dora D’Istria). Stafi botues i këtij libri është sjellë shumë mirë dhe i kanë pranuar të gjitha këto biografi, por me një rigorozitet shkencor duke më kërkuar burimin dhe vërtetësinë për çdo gja deri në detajet më të vogla. Bile kur ju kam shkruar Parashqevei Qiriazi, ishte e vetmja femër në një delegacion në Konferencën e Paqes në Paris më 1919 -1921, ku ajo kishte shkuar për të mbrojtur tërësinë territoriale të Shqipërisë dhe të drejtat e popullit shqiptar ato nuk më kanë besuar.
“Të nderuara zoja” – ju shkrova ju atje ku hulumtoni keni arkiva dhe dokumenta më shumë se ne dhe me mundësi më të mëdha për t’i hapur dhe kontrolluar. Ju lutem verifikoni vërtetsinë. Se çfarë ato kanë ba unë nuk e di por këtë aktivitet të Parashqevi Qiriazit ato e vunë. Jam shumë krenare që nëpërmjet këtij libri botuar në Hungari më 2006, arrita t’i ndërkombëtarizoj përpjekjet e gruas shqiptare për emancipim ku edhe ajo nuk mbeti prapa 607 shoqeve të saj si motra në Europë që janë në këtë libër, bile ndoshta me një luftë tepër të madhe. Në libër janë biografitë e zgjeruara të tyre në gjuhën angleze, por unë po i jap shkurtimisht.

“A Biographical Dictionary of Women Movements and Feminisms - Central, Eastern Europe 19-th and 20-th Centuries
“A Biographical Dictionary of Women Movements and Feminisms – Central, Eastern Europe 19-th & 20-th Centuries

Motrat Qiriazi – Sevasti (Manastir, 1870-1949), Parashqevi (Manastir,1880-1970) – Mësuese të Popullit, Nderi i Kombit, pionieret e para dhe luftëtaret më të shquara shqiptare të emancipimit të femrës shqiptare. Më 1891 hapen Shkollën e Parë Shqipe të Vashave në Korçë, ku Sevasti Qiriazi u shqua si drejtoreshë duke treguar aftësi organizative. Më 1909, krijuan shoqatën e parë të grave shqiptare në Korçë “Ylli i mëngjezit”, të parat që botuan revistën “Ylli i mëngjezit” (1917). Sevastia mori pjesë në Kongresin Arsimor të Elbasanit, ishte anëtare e komisionit për shqyrtimin e teksteve shkollore e ngritur nga shoqëria “Përparimi”; botoi “Gramatikën elementare për shkollat fillore”, (Manastir, 1912), “Shkrojtoren e gjuhës shqipe”. Parashqevia më 1908, mori pjesë në Kongresin e Manastitit dhe më 1909, botoi në Manastir “Abetare për shkollat e para”,
Motrat Qiriazi në Boston të Amerikës, krijuan të parën Parti Politike Shqiptare, duke u afirmuar si të parat gra shqiptare politikane që drejtojnë një parti. Parashqevia mori pjesë në delegacionin shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, bile e para grua në një delegacion, e habitshme edhe për Europën e asaj kohe. Parashevi Qiriazi më 1920, krijoi në Tiranë shoqatën e grave “Gruaja Shqiptare”. Të dy motrat në tetor të 1922, krijuan Institutin Femëror “Qiriazi” në Kamëz që ju dha mundësi vajzave shqiptare për arsimim të metejshëm.

Shaqe Marie Çoba (Shkodër, 1875-1954) – intelektuale që punoi për çështjen kombëtare dhe emancipimin e gruas shkodrane. Më 1920 me një grup intelektualesh shkodrane Habibe Bekteshi, Paulina Leka, Albina Ashiku, etj. krijon shoqatën e parë të grave “Gruaja shqiptare”. Po më 1920, boton revistën shqiptare me të njejtin emër “Gruaja shqiptare” në 11 numra deri më 1921 ku trajton çështje të gruas, edukimin dhe emancipimin e saj shoqëror. Ishte e para grua shkodrane që luftoi dhe propogandoi çështjen kombëtare, që ndihmoi luftëtarët e Luftës së Koplikut më 1920, ku malazezët tentojnë të pushtojnë Shkodrën, me fonde dhe duke shkuar në frontin e luftës me stafin e saj për të mjekuar të plagosurit. Në vitet 1925-1939, ishte nënkryetare e degës së Shoqërisë “Gruaja Shqyptare” për Shkodrën.

Urani Rumbo (Stegopull, Gjirokastër 1895-1936) – Mësuese e Popullit e cila punoi për emancipimin e grave gjirokastrite nëpërmjet edukimit. Në vitet 1921-1924, Urania botoi artikuj me tematikë nga feminizmi dhe të drejtat e grave në gazetat “Demokratia” dhe “Drita”. Më 23 nëntor 1920, Urani Rumboja, së bashku me Hashibe Hashorvën, Naxhije Hoxhën dhe Xhemile Balilin, do të themelonte “Lidhjen e Gruas”, një organizatë feministe që synonte emancipimin e gruas. Në vitin 1923, Urania do t’i printe një fushatë për t’i lejuar vajzat të shkolloheshin në liceun e Gjirokastrës, kurse më 1924, do ta themelonte shoqatën “Përmirësimi”, e cila ofronte kurse edukative për vajzat e shtresave të ndryshme shoqërore.

Elena Gjika (Dora D’Istria 1828-1888) shkrimtare dhe publiciste përparimtare rumune me origjinë shqiptare dhe propoganduese nëpërmjet shkrimeve të saj e emancipimit të gruas. Në shkrimin Les femmes en Orient – “Gratë në Orient” (Zürich 1859, 2 Vëllime), ajo shkruante për emancipimin e grave në Levant (Mesdheu Lindor), kurse në një tjetër studim, Des femmes, par une femme – “Rreth grave, nga një grua” (Bot. II, Bruksel 1869, 2 vëllime), ajo krahasonte gjendjen e grave në Europën latine, me ato në Gjermani, dhe kërkonte me fjalë të forta trajtimin e barabartë të burrave dhe grave. Ajo arriti të zbulojë universin femëror nëpërmjet udhëtimeve të saj të shumta dhe e “fotografoi” në të gjitha detajet nëpërmjet shkrimeve të saj të shumta që i botoi në revistat më prestigjioze të kohës. Përkrahu nxehtësisht Rilindjen Kombëtare Shqiptare, mbajti lidhje të ngushta me veprimtarë të shquar të saj, si: Jeronim de Rada, Dhimitër Kamarda, Zef Jubani, Zef Serembe, Thimi Mitko etj. Ajo rrahu mendime për organizimin e lëvizjes kombëtare sidomos në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Shënim: Dua të shpreh një keqardhje për shoqatat e Shkodrës që pothuajse asnjëherë nuk përkujtojnë historinë e lëvizjes feministe në Shkodër dhe drejtuesen e parë kryesore të kësaj lëvizjeje, Shaqe Marie Çoba por edhe shumë intelektuale të asaj kohe dhe më vonë që punuan për këtë çlirim të femrës shkodrane. Akoma sot asnjë shoqatë nuk ka një revistë periodike për gruan siç bëri atëherë Shaqja me stafin e saj. Personalisht e kam vlerësuar Shaqe Marie Çoba duke shkruar biografinë dhe aktivitetin e saj në tre libra dhe jam shumë krenare që asht edhe në një libër ndërkombëtar “A Biographical Dictionary of Women Movements and Feminisms – Central, Eastern Europe 19-th and 20-th Centuries” ku ajo zë një vend dinjitoz. Por nuk duhet harruar se emancipimi i gruas ka vazhduar gjatë dhe vazhdon deri në ditët e sotme. Pavarësisht nga të metat e mëdha të sistemit komunist që kanë dëmtuar edhe gruan, por nuk duhet mohuar gjithçka, sepse në periudhen 1944-1990 asht ba një punë kolosale në emancipimin e gruas shqiptare, në heqjen e perçes, kundër analfabetizmit, për arsimimin e saj, nxjerrjen e saj në shoqëri nëpërmjet punës prodhuese e sidomos në fshatra, vënia në pozicione drejtuese e gruas, etj.
Në foton e kopertinës ku janë disa gra me foto të grave europiane që kanë punuar për emancipimin e grave në vendet e tyre janë edhe tre gra shqiptare Dora D’Istria, Shaqe Çoba dhe Urani Rumbo.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.