back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

6 Prill 1911- Ngritja e Flamurit të Parë të Lirisë në Deçiq të Hotit prej Dedë Gjò Lulit – At Gjergj Fishta

Gazeta

Ded Gjo Luli dhe Palok Traboini 1911
Ded Gjo Luli dhe Palok Traboini 1911
6 Prill 1911- Ngritja e Flamurit të Parë të Lirisë
në Deçiq të Hotit prej Dedë Gjò Luli
përmes nji shkrimin të hershëm të At Gjergj Fishtës

 

“Vllazën shqiptarë!

Atje mbi karpa (shkëmbij) nji çetë Lekësh fatosa të Hotit dilte trollit e shpijet vet, e mirë mbërthye në armë, thik ngjeshej malit përpjeta, si njajo reja e murrme, kërcënuese ngjitej në rribë t’Eurit a t’Akvilonit shungullues, para se të shkref përmbi dhe të mjeruem thellimi.
Nji burr zeshkan, i përmbledhët e ngërthye vetllat si dy shlliga t’idhta, kur mnershëm njena me tjetrën kukzohet, u ka prì i atill. Fëtyra e tij, nji bri alpet të thepisun, syni i tij vullkan tan zjarm e shkëndija, thue se prej si tash po shkrepë vetima e zharriste ajrit po lvite rrufeja. Asht Ded Gjò Luli, që vu sy me vdekë, a shqiptar i lirë me mbetë, me ata kreshnikë petrita të Maleve të Mdhaja – burra motit veç që i bante lokja shqiptare – bjen në e mbi “kaki” të Deçiqit, ngul Flamurin e Shqipnisë – kuq e zi; zjarm e dekë – nji bè ai rreh, nji bè të madhe po rreh ai në sy të qiellës e të dheut, se rob shqiptari për nën thembër mizore të Turkut ma kurr, jo, kurr ma do të gjimonte, e as nën thembër të atij sllavi te mnershëm. M’atë bè të shugurueshme ngeli në habi Europa; Cetina u trand e u dynd tan pezëm e mnì Stambolla; edhe prej Deçiqit n’Veleçik të madhnueshëm nisi me vlue e rrebtë nji luftë e përgjkashme e përnjimend titanike. Shkumë gurgulloi gjaku nëpër dolomie e stalagtita të zgavrave t’errëshme, e kah qiella u çue, po, tym e shkëndi, e vigëm nanash, e vaj foshnjesh të flakrueme n’zjarm, e ankime e gjamë të varruemësh, e nji zhurmë e nji krizmë rrotash, kualsh e topash, e nji bubullime e mnerëshme, thue po të rroposej për nën kambë rruzullimi. Edhe malsori muejt (ia doli). E kje m’ateherë që verigat e randa të robnisë sonë pesëqindvjetore u këputën e zojë e lirë e me vedi duel Shqipnija. – Po mos t’ishte kenë që malsori jonë, Konstitucjonit të Turkisë e të ktej iu gjet me pushkë n’faqe kundra turkut, Shqipni sod s’do t’kishte e na edhe sod do të gjimojshim për nën thembër të ndonji tirani t’ri.

Ngritja e Flamurit ne Deçiq
Ngritja e Flamurit ne Deçiq

Vllazën shqiptar!
Na sod jemi të lirë; por martirët fatosa të lirisë tonë kombëtare kalben të harruem nën dhè, kur trupat e tyne të bamë kortar prej anmikut, mos t’i ketë shpuplue e grisë mbi dhè orrlat e shkërbetë e egra. E po a përnjimend se nipat e stërnipat tonë, mbas ndonji stine të terrnueme (tjetër), ma ata nuk do t’ua dijnë as emnin e atyne burrave të pavdekshëm që e fituen lirinë dhe u falën Atdheun?
Para se flì vehten ta bante malsori, na Atdhe s’kem pasë e rob jem kenë, e raje e skllav e kurrgja tjetër. Jo, për Zotin! Se marre e turp për ne do t’ishte e nji dam i madh për Atdhe, po u qit n’harresë emni, e gjallë në nipni tonë s’u mbajt ideali, që kreshnikët e maleve tona i shtyni, flì me bamun vedin për mizori t’anmikut. Jo, po do të hupë Shqipnija, diten që sysh ta dar (harroi) shqiptari njatë idealin e Ded Gjò Lulit…”

Marrë nga Muri i FB, Gegnishtja, 6 prill 2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.